Thursday, 5 May 2022

I KANË PRERË GJUHËN ……! I KANË PRERË GJUHËN..!

përgatiti:  Koço MOSKO
Boston, MA-SHBA

 

Robert Kolegj, në Beshiktash, Stamboll (Pikture nga Morgenthau story 1918)

I gjithë fshati e thëriste xha Milto.  Në moshë ishte aty rreth të pesëdhjetave, por dukej shumë i plakur.  Unë isha i vogël, ndoshta 2-3vjeç. Xha Miltoja me kujtohet pak si hije, tek porta veriore e Sotirajve, me shkop në dorë. Nuk  fliste me njeri, asnjë fjalë. Kur e pyesnin për diçka, ose e përshëndesnin "Xha Milto si u gdhive? ", apo "si u erre?" Ai lëshonte ca tinguj të çuditëshëm, dhe nuk i mirrej vesh asgjë fare.  Duke bërë llo-llo e llo-llo me shënjat që bente arrije të kuptoje diçka.  Fshati nuk  e mbante mend se kishte ikur shpejt, ndonjeri veçanërisht njerëzit që kishin lidhje farefisnore, kish dëgjuar dicka për të bëmat e tij. dhe ato qarkullonin në fshat. 

 

Pëshpëritej se xha Miltoja kishte një jetë të çuditeshme e disi enigmatike e legjendare njëkohësisht.  Më të  shumtit thoshin se kishte qenë në Stamboll, ca të tjerë në Gjermani, të tjerë në Rusi,  Athinë, Paris e ku nuk thuhesh se kish qenë xha Miltoja. Sidoqoftë ai e gëzonte respektin e të gjithë fshatarëve.  Çdonjeri  kujdesesh që ta ndihmonte e mos ti mungonte asgjë,  si dhe t’i shpinin ushqime e ndonjë pjatë me gjellë. Këtë e bënin vazhdimisht nëna dhe halla ime me që i kishim shtëpitë shumë afër, ngjitur. 

 

Në të gjithë bisedat që bëheshin në fshat për xha Milton, përsëritënin me një keqardhje e çudi si në kor: I kanë prerë gjuhën,…. i kanë prerë gjuhën! Po kush ja kishte prerë gjuhën vallë!?  Kjo ishte dhe mbeti një enigmë për fshatarët, asnjë nuk të jipte dot një përgjigje të saktë.  Më të shumtit thoshin nën zë se ja kanë prerë në Greqi. Ca të tjerë thoshin se ja kanë prerë në Gjermani dhe se kishte qene  shoku i ngushte i Gjergj Dimitrovit.  Kështu ziente fshati. Miltoja nuk i bënte kurrë këto muhabete. Nuk kishte si t’i bënte se nuk e kuptonte njeri. Miltua erdhi në fshat kur gjermanët hynë në Greqi.  Në kujtimet e tij aktori Andon Pano “Artist i Popullit”, që kishte dhe një lidhje fisnore me të, kujton: 

 

“Një ditë mëma kishte shkuar në Telaj, te xhaxhesha e saj, Amalia.  Rrinin të dyja e bisedonin tema të përgjithëshme, si tu vinte.  E lajmëruan nënën se kishte ardhur Dajkoja. 

- Cili Dajko!? - Kishte pyetur mëma. 

- Dajko Miltoja, - i thanë, - të kërkon. 

Mëma dhe Amalia panë njera-tjetrën në sy të habitura. 

- Dajko Miltoja…?!

Dalin nga shtëpia e Telajve dhe vijnë për në Sotiraj.  Aty përpjetë përroit shikojnë se ngjitej Dajko Miltoja. E takuan. 

 

Dajko Miltoja në moshë dyzetekatër vjeç, me syza me xhama të trashë, me një shkop në dorë, me tesha të yrnosura e mjekërr të parruar, i thinjur, me flokë të qethura si ushtar a i burgosur. Fliste me zor si i damllosur e mezi i kuptoheshin fjalët.   Një neveri e pushtoi mëmën për dajkon, vëllanë e mëmës së saj.  Ju kujtua jeta e tij e pahairtë, plangprishës e harakat që kishte braktisur punën, mëmën e babanë në Stamboll e kishte marrë arratinë. Shpesh Miltoja shkone ilegalisht në Francë, ku e kishte parë dhe Stefan Thanati nga Selcka që punonte atje, Kish qenë edhe ne Buenos Aires, ku kishte pare Lame Margaritin, edhe ne Amerike e gjetke. Çfaqesh pastaj nëpër Greqi, duke shitur me një tezgë të varur në qafë cikërrima: fitilë llambash e kandilesh të ikonave shtëpiake, si mos më keq.  Mëma desh ta ndëshkonte për sjelljet e tij të pahijshme për fisin e lartë, aristokrat e fisnik të Sotirajve, të cilit i perkiste. Ta linte rrugëve!  

 

Ku kishte ardhur?  Ç’i thoshte mendja? Kush do t’ia shtronte? Kush do ta ushqente?  E perse!? Ç’detyrim kishin ndaj tij? Kohët qenë të këqia, njerëzit mezi mbanin fëmijët e tyre me bukë.  Këto mendime sikur i lexoi Amalia në sytë e fytyrën e vrerosur të mëmës.  

- Merre, - i tha, - për sevap, për shpirt të mëmës e të babait. 

Mëma u zgjua nga përhumbja dhe u dorëzua nga këto fjalë të Amalisë.  Amalia shtoi: 

- Eja të vemi sipër në shëpinë time. 

 

Të tre shkuan lart në Telaj.  Vunë kazanin me ujë në zjarr dhe u la Dajkoja. E ndërruan me tesha të Papa Leonidhës, burrit të Amalisë.  Rrobat e tij të mbushura me morra i futën në kazan që t’i përvëlonin me finjë e t’i lanin.  Pastaj Amalia i vuri një tas të madh me fasule përpara, edhe bukë, dhe Dajkoja hëngri shumë e mezi u ngop. “


Milto Sotiri lindi me 1897 ne Selckë.  Babai, Naqo Sotiri, kasap në Stamboll, i mori fëmijët atje në vitin 1902.  Miltoja kreu studimet në Robert Kolegj, Një kolegj amerikan dhe nga kolegjet më të mira të asaj kohe në Turqi që ende funksionon. Kishte mësuar  shumë gjuhë të huaja: Gjermanisht, Frëngjisht, Anglisht, Turqisht, Greqishten e re e të vjetër. Me 1920 kur në Stamboll ishin Fuqitë e Mëdha të Antantës, Miltoja ishte përkthyes te një gjeneral anglez.  Në këtë kohë ai ushqente simpati për Bashkimin Sovjetik dhe Revolucionin e Tetorit.  Nisi të dërgojë fshehurazi për në Odesa mallra të konsumit të përditshëm ushqimore, që mirreshin nga depot e Antantës. Aty nga fundi i viteve 1920 u zbulua dhe u fsheh, iku  nëpër Evropë apo dhe në Greqi me pseudonime të ndryshme. 


Burime të shumta gojore dëshmojne se Miltua kur u detyrua të fshihesh u gjend në Berlin në krah të Gjergj Dimitrovit. Dimitrovi drejtoi Internacionalen Komuniste nga 1934 deri me 1943.Nuk kemi gjetur të dhena që ta vërtetojnë këtë, por flitet se Miltua  është përzier edhe në djegien e Raishtagut në Gjermani më 27 shkurt 1933.  Pas Gjyqit  të Laicigut ku grupi bullgar doli i pafajshem, Miltua mesaduket u kthye persëri në Greqi  e vazhdoi aktivitetin e tij edhe fshehtas, ndoshta dhe si i derguar i Komiternit, kur Partia Komuniste Greke kish dalë jashtë ligjit. U pikas nga policia e Metaksait dhe u burgos. Nuk kemi ndonjë datë për këtë.  

 

Në burgje grekë agjentët e Metaksait bënin çmos që të burgosurit të hiqnin dorë nga idetë komuniste. Ata duhet të nënshkruanin “deklaratën e pendimit” edhe nëpërmjet torturave çnjerëzore si: rrahje, vaj recini, spec djegës, patkua deri tek  tredhja.  Ndoshta ketu në këto burgje Miltua e pësoi me prerjen e gjuhës. 

 

Për lirimin e të burgosurve komunistë u bë përpjekja e parë me agresionin e Italisë fashiste ndaj Greqisë.(tetor 1940)  U propozua të bëhej një marveshje,  të lëroheshin të gjithe të burgosurit komunistë dhe të mirnin pjesë në frontin e luftës. Me kapërcimin e ushtrisë greke të kufijve dhe zhvillimi i luftës bëhej në tokat shqiptare, krerët e Partisë  Komuniste Greke këtë e quajtën agresjon ndaj Shqipërisë dhe marveshia u anallua. Me zbarkimin e gjermanëve në Kretë(Prill 1941) Ambasada bullgare në Athinë dhe ndërkombëtaret ndërhynë për lirimin e komunistave të burgosur, sepse kishte dhe shume bullgarë e maqedonas,  të mirrnin pjesë në luftë. Një pjesë pasi u liruan u aratisën ose disa  i lejuan ndoshta vetë me që ishin të dëmtuar, të shkonin në shtëpite e tyre.(Gusht 1941). Një nga këta duhet të ketë qenë dhe Milto Sotiri. 

 

Tani Miltua i kish kaluar gjithë këto peripci të jetës së tij, dhe priste i qetë, po jo i lumtur vdekjen në fshatin e lindjes, në mes të fshatarëve të tij  dashamirës e humanë. Tani ai nuk i interesonte asgjë, nuk merakosej fare as për komunistat,  as për komunizmin dhe Iternacjonalen Komuniste. Madje nuk dëshironte që as dhe t’ja zije në gojë komunizmin.  Por jeta ka të papriturat e saj. Çfar ndodh më tej me Milton!?

 

Nga shumë dëshmi gojore thuhet se Enver Hoxha në vitin 1949 në Sofje, Bullgari takoi Gjergj Dimitrovin dhe ky u intersua e kishte merak për jetën Milto Sotirit.  Enveri që nuk kishte dijeni fare, dhe siç dihet nuk i besonte as xhaketës së vet, kur u kthye në Shqipëri u interesua për Milton. Ngarkoi Haki Toskën për të mbledhur të dhëna. Hakiu ngarkoi Aleko Çatin nga Dropulli. Sipas të thënave të Aleko Çatit, rezulton se Miltoja ishte militant i Partisë Komuniste Greke.  Këtë Alekos ja kishte thënë Sekretari i dytë i Komitetit të Partisë për Janinën.  Pyetjes tjetër a ishte Miltoja ndërlidhës i Kominternit, sekretari i Janinës mori përsipër që t’a sqaronte më  lart. Sipas tij, këtë çështje mund t’a dinin vetëm tre-katër shokë të udheheqjes si Zahariadhi me nja dy të tjerë.  Ngjarjet politike dhe ushtarake të Greqisë u rrokullisën në një mëntyrë të tillë, që sekretari i Janinës s’i takoi dot shokët e udhëheqjes së vet dhe kështu kjo punë mbeti e pavërtetuar.  

 

Sidoqoftë në vitin 1952 apo 1953 Miltos i vjen lajmi në fshat. Shteti i kishi dhënë: një pesion, një dhomë me qera të paguar në Gjiroksastër, si dhe të hante në ish restorant “Sopoti” falas, me firmë. Fshatarët  mblodhën ato pak plaçka që kish dhe u nisën me një karvan me kafshë për në Gjirokaster. Shumë qytetarë gjirokastritë e mbanin mend dhe më kanë folë se si e shikonin në Qafë të Pazarit dhe u dukesh si çudi që hante falas në restorant me firmë. Të padegjuara ndonjeherë. 

 

Në vitin 1956 xha Miltoja sëmuret rëndë nga sëmundja e tuberkulozit TBC. E marrin dhe e shtrojnë në Senatorium në Tiranë. Nuk e përballoi dot sëmundjen. Vdiq në maj të vitit 1956 . Varrimi ju bë me shpenzimet e shtetit. Në varrimin e tij muarrën pjesë: Telo Mezinin, Mihal Bisha, Kadri Baboçi dhe të tjerë.  

 

Kjo pak a shumë ishte jeta e Milto Sotirit .. E shkrova këtë histori për të gjithë bashkefshatarët e mi, sepse nuk u është treguar kurrë e vërteta. 

 

1 comment:

  1. Une e mbaj mend, personin ne fjale. E kam pare duke ecur ne lagjen Varosh. , Gjirokaster. Banoret tregonin se ai nuk mund te fliste dot, nga qe gjermanet i kane prere gjuhen , sepse punonte per Kominternin.

    ReplyDelete