Sotiraq PASKALI |
Raq Paskal i takon atij brezi të veçantë intelektualësh që në themel të punës krijuese vendosën dashurinë për jetën, për vendin, për njeriun. Veterineri i talentuar Raq Paskal realizoi operacionin e parë veterinar (tek një lopë) në Qarkun e Gjirokastrës. Themeloi cirkun profesionist të qytetit (e treta trupë profesionisre e cirkut në Shqipëri) duke i dhënë Gjirokastrës Estradës profesioniste të qytetit një tjetër mundësi shkëlqimi.
Në botën e artit ai la gjurmë në fushën e pikturës, skulpturës dhe muzikës, ndërkohë që si shkrimtar la pas një seri botimesh. Ai u shqua edhe në fushën e sporteve ku ushtroi sportet e boksit dhe të mundjes. Pata fatin ta njoh qysh nga fëminia këtë burrë të rrallë, vullneti i të cilit ishte i jashtëzakonshëm.
Pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes së tij Frida, ai plot pasion megjithëse në moshë të thyer, stërviste në oborin e shtëpisë nxënësit e saj të mbetur "jetim", pa mësuesen e tyre të dashur. Për të mundur trishtimin dhe vetminë e atyre momenteve dëshpëruese, mjeshtër Paskali hartoi një kalendar me orare të përcaktuara: ora e pikturës, kitarës dhe ora e stërvitjes së nxënësve të Fridës. Kur e pa që edhe ky kalendar nuk ishte i mjaftueshëm për të mposhtur vetminë e tij, ai u rregjistrua në kursin e shoferëve. Raq Paskal është padyshim njeriu me moshën më të madhe që ka marë patentën e shoferit jo vetëm në Gjirokastër, por edhe në Shqipëri.
Me iniciativë të studentit të Universitetit Bujqësor Kamëz, përmetarit Raq Paskal, ai dhe miku i tij tiranas Xhon Baldini ushtruan për të parën herë sportin e Raftingut në Shqipëri, megjithëse me mjete modeste (me nje trap ndërtuar me trarë druri). Lundrimi i tyre me të mbi Vjosën e egër, mbetet unikal. I ndërgjegjshëm për këtë aventurë të guximshme, ai njoftoi me telegram edhe Kinostudjon "Shqipëria e Re" që të mund të xhironte pjesë nga ky lundrim aventuror. Por administrata e saj, nuk denjoi ti kthente as përgjigje.
Pesëdhjetë vjet më vonë, në kuadër të 50 - vjetorit të lundrimit mbi Vjosë bashkë me mikun e tij të ardhur nga Italia, Xhonin i shoqërova dhe filmova çaste të kremtimit modest të kësaj ngjarjeje, me shpresën se kjo do të ishte një kronikë e rrallë televizive. Çuditërisht televizioni ku unë punoja nuk e dha këtë material filmik të rrallë, duke qëndruar indiferent ashtu si Kinostudjo shqiptare dikur. Por gazetari i ri Orgest Sako na krijoi mundësinë dhe e trasmetoi atë në valët e televizionit kombëtar ku punonte aso kohe.
Me shpresën se Bashkia e Përmetit mund të dinte të vlerësonte këtë akt të guximshëm dhe të fitonte një veprimtari brilante vjetore dedikuar Raftingut (raftingu i parë në Shqipëri), i dhashë kryetarit të bashkisë së Përmetit një kopje të librit që Raq Paskal i kishte kushtuar kësaj ngjarjeje. Kurrë nuk mora përgjigje. Heshtja vazhdon edhe sot.
Sot flitet shumë për mbrojtjen e lumit të vetëm të egër të Europës, Vjosën. Më vjen çudi që nuk dëgjoj asgjë për aventurën heroike të Raq Paskal e Xhon Baldinit. Në Vjosën e egër sot, turistët e huaj, megjithëse të paisur me mjete moderne, janë shoqëruar gjatë ushtrimit të Raftingut, fatkeqësisht edhe me ndonjë rast humbje jete. Dy djemtë shqiptarë, në kushte minimale e pa asnjē mbrojtje ja dolēn me sukses për të mbritur në urën e Mifolit, ku u shoqëruan madje në polici si diversantë. U kthyen në shtëpitë e tyre pasi i siguruan lekët nga shitja në koperativën e zonës të trarëve me të cilët kishin ndërtuar trapin. Jam i sigurtë që do të vijë shpejt koha kur në guidat dhe fletëpalosjet mbi lumin e famshëm, do të flitet edhe për guximin e pashembullt të përmetaro - gjirokastritit Raq Paskal që ideoi dhe realizoi raftingun e parë në Shqipëri mbi të vetmin lumë të egër të Eropës sot, mbi Vjosë.
Pak vite më parë me drejtoreshën e sektorit të trashēgimisë Loena Bakulin i propozuam kr. të Bashkisë dhe kr. së Qarkut ideimin e një aktiviteti në kuadër të 80 vjetorit të lindjes së mjeshtrit. Raq Paskal u nderua me Çertifikata vlerësuese nga të dy titullarët Flamur Golemi dhe Lindita Rova. Ky ishte edhe nderimi i fundit në gjallje të tij.
Vite më parë në një intervistë që i mora mikut të mjeshtrit, gazetarit të sporteve, Sokrat Papadhopulli mes të tjerash më tha: - "Veprimtaria njerëzore përgjatë një shekulli, përmblidhet maksimumi në dhjetë emra personalitetesh. Raq Paskal është një nga këta të dhjetë në shekullin e XX për Qarkun tonë".
Dheu do të jetë i lehtë për Ju mjeshtër. Në se do të isha i pranishëm në funeralin tuaj do të duartrokisja edhe njeherë për gjithë sukseset që aritët në jetë. Bashkoju miku im shpirtit të bashkëshortes tënde, Fridës që e deshe aq shumë.
Ngushëllime djemve të tij Artur e Mikel, e në veçanti vajzës së tij të përkushtuar, Diana.
Ngushëllime artistëve dhe gjithë miqve të tij!
Lamtumirë Raq Paskal.
No comments:
Post a Comment