Saturday, 18 June 2022

DITA E EMËRIT, SHËNJTORËT.

Tradita e zakone të bukura të racës shqiptare 


Për ditën e emërit tim, Kostandin, nga shumë mikesha, miq, shokë e të afërm morra shumë urime. Çfar përfaqëson festia e  ditës së emërit ose e Shënjtit!?  Tradita! 

  


nga: Kostandin MOSKO

Boston, MA- SHBA


Të krishterët ortodoksë, katolikë dhe sëfundi edhe protestantët veriorë një ditë të vitit kremtojnë emërin e pagëzimit të tyre, i cili mund të jetë një emër biblik, i një shenjtori, apostolik, etj. Më e theksuar festimi i ditës së emrit është tek Ortodoksit jugorë.  Kjo traditë ose zakon thuhet se ka lindur gjat Mesjetës. Disa persona të veçantë të cilët mbanin emra shënjtorësh ose biblikë,  i festonin emrat e tyre. Zakonisht festohej dita e vdekjes të shënjtorëve. Kjo traditë u muarr nga feja dhe u përgjithësua. U vendos që të kremtoheshin të gjithë emrat. Kështu kremtimi i emrave u lidh, me Kishën e ritet fetare, por ka rraste në vende të ndryshme, që festimet nuk kanë lidhje me traditat fetare,  ruajnë tiparet e një feste Pagane. Mbaj mend se në fshatin tonë dita e emërava ose shenjtorët festoheshin si festa popullore, pavarësisht se në Kishë mund të kryhesh ose jo ndonjë liturgji ose aktivitet fetar.


Unë mbaj emrin e Shën Kostandinit ose Kostandinit të Madh të Bizantit. Kostandini Madh(324) ishte një Iliro-shqiptar dhe sipas disa gjuhëtarëve dhe emeri rrjedh nga gjuha shqipe.( “the etymology and history of first names”- M. Campbell ). Festohet në 21 maj sëbashku me Shën Elenën që ishte nëna e Kostandinit të Madh me origjinë dhe kjo nga fiset pellazge të Azisë së Vogël. Tani është bërë traditë që të festohen edhe emërat e femrave. Si duket kjo ka hyrë më  von. Në fshat e kudo nuk festoheshin emërat e femrave, por dhe as nuk festohen. Kur them nuk festoheshin kam parasysh kremtimin në familje, ndërsa në Kishë ndoshta kryheshin ose dhe kryhen ceremoni . 

 

Në vitin 1967 diktatura komuniste me një Ligj të posaçëm e ndaloi fenë, rjedhimisht dhe kremtimin e emërave, si zakone prapanike.  Propaganda komuniste në atë kohë u angazhua që festimi i ditlindjeve të zëvëndësonte festën e ditës së emërit.  Nuk kishte tradita të festoheshin ditlindjet, nganjeherë kur dita e emmrit binte me ditlindjen, thuhesh ndonje urim,  festa e ditës së emrit ishte gjithçka.  Kjo propagandë komuniste nuk ngjiti sepse është shumë e vështirë të zëvendësohet një traditë shumshekullore, e shumë brezave. Edhepse ishte e ndaluar të festoheshin emërat familjet sëtoku me të afërmit e tyre, gjat periudhës të viteve 1967-1990 i bënin fshehurazi emrat.  

 

Të gjitha kishat hartojnë kalendarët vjetorë  me datat e emërave sipas muajve, të cilat jua shpërndajnë besimtareve në fillim të vitit.  Ortodoksit shqiptarë kremtojnë rreth 300 ditë gjat vitit. Për çdo vit këta kalendarë edhe ndryshojnë. Çdo Komb ka emërat në bazë të shenjtorëve të tij, por më shumë janë të përbashkët. Ortodoksit shqiptarë kane ritet dhe traditat e tyre sa të lashta po dhe aq shumë të bukura  gjithashtu dhe  shenjtorët e kalendarët fetarë të tyre. 

 

Unë kam përjetuar kremtimin e emërave para vitit 1967 kur bëhej me një bukuri e përkushtim të veçantë. Quhesh  “dita e emrit”, ke/ka emërin” ose “dita e shënjtit”. Kur ishin më shumë se një i quanim “emërat” ose “shnjtorët”, sepse zakonisht çdo emër i përkiste një Shënjtori ose Shënjtoreje. Kremtohej në familje. Kjo ditë mirrte një rëndësi të veçantë. Ishte një festë e vërtetë e gezim për të gjithë. Ku kishte festë më të mirë e të gëzuar se festa e emrave. Mblidheshin gjithë shoqëria, miqësie e të afermit  kuvëndonin, gëzonin madje dhe këndonin si asnjëherë tjetër.  Festa e emerit ishte nje ditë e shënuar e vitit. 


Një javë para, familja që do kremtonte emërin,  mirrte masat e duhura, për ushqime, pije, glikotë, tavolinat, karrike, etj.,  si për një minidasmë. Lyheshin me gëlqere të bardhë portat e jashtëme, shkallët, hajatet, fundrat e mureve të shtëpive, etj.  Mund të lyhesh me gëlqere e gjithe shtëpia në se ishte e nevojeshme. Pastrohesh gjithëandej, veçanërisht dyshemetë, hajati,  oborri e rruga jashtë shtëpisë, sepse do të prisnin miq. Kjo bëhesh për çdo shënjtor ose emër që familja e kremtonte. 

 


Dita e Emërit. 


Çdo Etni apo Komb ka traditat, zakonet dhe urimet e përbashkëta por dhe të veçantat për kremtimin e emrave.  Amerikanët dhe anglishtfolesit në këtë ditë urojnë: Gëzuar ditën e emërit (Happy name day) Grekët kanë urimin: Përshumëvjet festën tënde. (χρόνια πολλά για τη γιορτή σου} Bullgarët: Gëzuar ditën e emërit("Честит имен ден") Rumunët : Për shume vjet. (La Multi Ani.). E kështu me radhë.. Ne ortodoksit shqiptarët për të uruar ditën e emërit kemi një  urim shum të bukur që i ngjan fjalës përshëndetjes, tungjatjeta. Urimi i shqiptarëve për këte ditë është; Të rosh me emër.  Ky urim e ka zanafillën thellë në histori.  


Në ditën e emërit zgjimi në mëngjes bëhesh herët për t’i vënë punët përpara. Visheshin me rrobat më të mira që kishin të gjithe pjestarët e familjes.  Bëheshin gati serviset e glikosë, të pijeve, mezetë dhe ëmbëlsira si ris me qumësht por dhe asullde ose dhipël e bakllava nganjëherë, kjo më shume varesh nga miqtë që do të vinin. Jo rallë thereshin dhe bagëti për këtë ditë. Ne të vegjëlve kur kishim  ditën e emrit  me t’u ngritur ose që në krevat vinin dhe na shkulnin pak majën e veshit e na uronin: ‘Të rrosh me emër”

 

Në Kishë që mengjes Prifti i binte këmbanës dhe  zhvillohej liturgjia për shenjtin që i kremtohesh emri. Familjet që kishin emrat shpinin në kishë karvele, por dhe vaj për kandilet, si dhe të ndiznin qiri, e të hidhni dhe ndonje lek sa të kishin. Zakonisht pak njerëz venin në kishë, shkonin më shume ca pleq që mezi prisnin të dilnin nga shtepia, dhe psaltët.  

 

Kur përfundonte Kisha  fëmijët e fshatit që mezi i prisnin ditë të tilla, grupe, grupe ishin të parët që uronin.  Atyre u jipej karamele, llokume, ose një lugë gliko, por dhe arra, bajame, apo lajthi e agrume.  Të gjithë nuk haronin asnjëherë të uronin kur gostiteshin: "Të rrojë Filani me emër". Fëmijët e zinin fshatin me radhë duke mos harruar asnjerin për t’a uruar.  Gjat gjithë ditës njerëzit  venin grupe grupe apo të vetmuar,  për të uruar në ato familje që festonin emrat. Urimi gjithmon ishte: "Të rojë Filani me emër".  Në një tavolinë në mes të një dhome. zakonisht në divan,  ishin vendosur arra të thyera, bajame lajthi e fruta të tjera të stinës, si dhe shishja me gotat e rakisë. Shërbehej edhe kafe. 

 

Më e bukur dhe solemn ishte urimi i burrave. Mezi i prisnin këto ditë, veçanërisht qejflitë e rakisë. Burrat mblidheshin në një grup dhe  e zinin fshatin me radhë, herë nga fillimi i fshatit herë nga fundi. Kur e nisnin nga fillimi fshatit për të uruar, për emërin tim vinte shpejt rradha.  

 

Burrave u shtrohej tavolina me meze e raki. Pyesnin se sa burra mund të vinin dhe i bënin gati tavolinat në oda ose divan.. Në fshat emëri Kostandin(Koço) përdorej më shumë se të gjithë emërat e tjerë. Ishin 10- 12 koçore  dhe kur burrat e zinin fshatin nga fundi ne na vinta rradha kur binte nata. Kishim dy llamba të medha të Stambollit dhe i varnim një në mes të divanit dhe një në mes të odait. Unë  gezohesha  kur ndiznin keto llamba se benin dritë shumë e llamburisnin shtëpitë si asnjëherë, sepse drita elektrike nuk kish ardhur akoma.

 

Burrat hynin brenda në shtëpi duke u dhënë dorën të zotëve të shtëpisë së bashku me urimin me zë pak të lartë: Të rrojë filani me emër, dhe zinin vend në tavolinat e shtruara me meze e raki. Tavolinën e hapte zakonisht  më i madhi në moshë me urimin që tashmë dihet, por duke shtuar edhe urime të tjera si: Suksese në shkollë kur ishte fëmijë, me një fejesë të shpejtë nëse kish kohën për t’u fejuar, në dasëm ta gëzojmë kur pritesh dasma, pleqeri të bardha kur ishte në moshën e pleqërisë, ose uronin lindjen e një djali e shumë të tjera. . 


Emërat festoheshin edhe për anëtarët e familjes që ishin në kurbet ose të jetonin larg fshatit, prindërit ose grate e tyre ua festonin emërat.  Në trapez fillonte muhabeti, kënga e rakia. Rakia mund të pihesh edhe dolli e me shëndete.  Këngë që këndoheshin në këto rraste ishin të ndryshme, të dasmave, kënge dashurie, trimërie  por dhe saterike, etj. Një këngë këndohej më shpesh duke bërë dhe ndryshimet e rrastit sepse  këndojhej posaçrisht në 

Pashkë dhe vitin e ri.. 

  

O more qelqi me verë

Kjo ditë s’vjen nga herë

Po në motë-mot një here, etj.

 

Koha sa do të rrinin për çdo familje ishte e përllogaritur për ti mbyllur urimet në të gjitha shtëpitë që kishin emrat  brenda ditës. Nganjëherë kur kënaqeshin nga gostia në të ikur këndonin; 


Ky trapezi plot e plot

Hëngrëm dhe se sosëm dot….

 

Në fshatin tonë emrat festoheshin me të madhe siç e pershkrova më lart, ata emëra që binin nga fundi vjeshtës, gjat dimrit dhe pranverës.  Në periudhën e verës e fillimin e vjeshtës bëheshin formalisht sa për t’u kujtuar, sepse në këtë sezon njerëzit sua kishin ngenë, ishin të zënë me punë te shumta  Në familjen tonë festonim me te madhe Shën Vasilin, ishte emëri i babait e përkonte me ditën e Vitit të Ri dhe emërin tim, Shën Kostandini që ishte më 21 maj.  Vëllai që kishte emërin Dhimosten nuk kishte ditë të veçantë,  por e fesonim diku aty nga gushti sëbashku me disa emra të tjerë që ishin  biblikë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 


No comments:

Post a Comment