Wednesday, 22 November 2017

STUDIMI TË DREJTËS PËR TOKËN

nga Ing. Haki Kola

Tiranë

Zhveshja e Shqipërisë tonë vazhdon me ritme të shpejta e të pabesueshme. Duket se ata që kanë qeverisur kombin shqiptar në mijëvjecarin e fundit, ja kanë dalë të mos vihen në tehun e kritikave për këtë krim që ka filluar herët dhe po vazhdon pa pushuar të na shëmtojë peisazhet, djegë e masakrojë drurët e bimët dhe të humbasë pa pushim tokën. Ish presidenti amerikan Rusvelt pati lënë një amanet që mund të përmblidhet: “Çdo gjeneratë e ka për detyre që ti lerë asaj në vijim tokën në një gjendje më të mirë se sa e kanë gjetur”. Evropa e dendur dhe e zhvilluar duket që pas një vuajtje të gjatë disa shekullore, e gjeti zgjidhjen rreth dy shekuj më parë. Neve e humbën atë shans, dhe historinë nuk mund ta gjykojmë.
Sa herë trajtohet kjo temë, pyetja e parë që të shkon në mëndje, është nëse ata që marrin vendime dhe na drejtojnë, kanë informacion, apo e njohin zgjidhjen, që e shpëtoi pyllin e tokën europiane nga prerja apo gërryerjet. E di se në kurrikulën e Fakultetit të Pyjeve, kjo deri vonë nuk është trajtuar. Një shkencëtar nga Akademia e Shkencave Suedeze, që ishte pjesëmarrës në konferencën shkencore për të sotmen e të ardhmen e pylltarisë Shqiptare të 1-2 Nëntorit 2011, organizuar nga Akademia e Shkencave Bujqësore te Suedisë, në bashkëpunim me Akademinë Shqiptare të Shkencave, rekomandoi me këmbëngulje që çështja e pronësisë dhe të drejtës së përdorimit të tokës pyjore të përfshihet në kurrikulën e fakultetit të pyjeve.
Koha do të tregoje nëse zëri i tij ka arritur ndonjë vesh që dëgjon. Kujtoj që ka më se 15 vjet që debatojmë me kolegë që për shembull edhe problematika e pyjeve komunale të fillonte të trajtohej nga Fakulteti, por në fakt këto 15 vite nuk kanë mjaftuar për të bindur vendimmarrësit. Ndoshta është tepër teknike dhe për publikun bëhesh i bezdisshëm kur përsërit shpesh të njëjtën gjë, por me qenë se flitet për tokën, ujin e ajrin, më mirë të mërziten e ti rregullojnë se sa të lihen të qetë e ti shkatërrojnë.
Tokat pa një kujdestar mund të përfundojnë në këtë gjëndje.........
Le të shërbejë kjo si një leje që t’ua kujtojmë këtë mekanizëm, që Shqiptarët e patën të parët në kanunin e tyre, ashtu instiktivisht, e sado që zakonisht duam ta përcjellim fajin në histori, psh tek turqit, këto të fundit jo vetëm nuk jua rrëzuan këtë të drejtë kanunore, por në hapësirat e Kosovës jua legalizuan fillimisht fshatrave e më pas secilit sipas familjeve, tokën me pyllin e tij, ndërsa në malësitë ku nuk kishin pushtet të plotë, pothuaj se nuk arritën as të fillonin që ta legalizonin të drejtën që e kishin ndarë banorët me njëri tjetrin për çdo pëllëmbë të tokës me anë të kanunit.
Edhe në pjesën fushore të vendit, dëgjon me dhjetëra raste që banorët përmendin për dokumente Osmane kur kërkojnë ndonjë të drejtë pronësie apo përdorimi për prona pyjore në pjesën lehtësisht të aksesueshme të vendit. Periudhën pas luftës së dytë botërore kemi të lehtë ta justifikojmë, pasi ja faturojmë komunizmit. Ajo që nuk kuptoj është se përse edhe 20 vjet pas rrëzimit të komunizmit, kjo mbetet një tabu e çuditshme shpesh me zarar qoftë edhe për t’u përmendur. Diku të vete mëndja tek ashpërsia me të cilin u luftua kanuni nga komunizmi, ashpërsi që gjenerata jonë e jetoi në shumë detaje emocionalisht.
E groposi në mënyrë të pabesueshme. Për shumicën e njerëzve lufta kundër kanunit është konceptuar lidhur me pjesë të tij të lidhura me hakmarrjen apo dallimet e padrejta gjinore. Vetë luftuesit e kanunit diku e përmendin se kanuni ishte i dëmshëm pasi mbështeste pronën private. Pak kush është thelluar të shohë se cilën pronë private, mbronte kanuni, por nese thellohemi ne jetesen e malesoreve shqiptare ne mesjete, mund të supozohet se  përgjithësisht kanuni  ishte krijuar për të vendosur rregullat e përdorimit per  pyjet e kullotat. Qeveria e Fan Nolit e programoi në kuadrin e reformës së tokës parimin që populli të merrte në pronësi për të siguruar nevojat për material drusor apo kullosor, çka fort rrallë përmendet, nga studiues të së drejtës. Për malësorët kanuni ishte veç të tjerash edhe një kadastër e gjalle që me gurë të vendosur ndante e përkufizonte të drejtën e çdo familje  për territorin ku jetonte. Njerëzit urbanë këtë ose nuk duan ose e kanë të vështirë ta kuptojnë. Bazuar në kanun e gjithë toka e Shqipërisë ishte e ndarë si për malet, baraqet, fshatrat e fiset deri ne nivel familje. Kushdo që është kurioz, i mjafton një vizitë neë kullotat e bjeshkëve të tropojës, të cilat sot e kësaj dite janë të ndarë për çdo pëllëmbë tokë familjeve, ndarje që ka mbijetuar që nga koha e kanunit.
Kjo ka ardhur deri në ditët tona. Në një studim që u realizua ne Komunën Blerim të Pukës, në vitin 2003, u konstatua se nga banorët ishin ruajtur e pranoheshin kufinjtë që ndanin pyjet e pishës. Kur studimi u prezantua, asnjë familje nuk kishte ankese, per cfare I njihej si prone e familjes. Politika e vazhdueshme e sofistikuar e mosnjohjes se kesaj tradite te vyer si dhe e   këtij rregullimi shekullor, të kthyer në sistem në Kohën e diktaturës në emër të luftës kundër kanunit, ka mohuar një pjesë të gjatë të historisë së marredhënieve me natyrën, dhe u ka shkaktuar  një humbje të pallogaritshme shqiptarëve, shkatërrime, degradim që në ditët tona po shtohet në mënyrë eksponecniale duke përfshirë, pyje, shtretër lumenjsh, kullota e çdo pëllëmbë të tokës pa zot në Shqipëri.
Alpet e Evropës janë aktualisht të begata për nga mbulesa pyjore. Komunitetet e alpeve evropiane ne vitin 1848 u morën vesh me everite apo mbretin e  tyre dhe e ndanë tokën e alpeve midis tyre, qe te mbronin me këtë akt pyllin, kullotën dhe token që i rrit këto të dyja dhe ushqen rruzullin me ujë. Sot ata dëshmojnë se arritën rezultate fantastike, ruajtën dhe shtuan pyllin dhe kullotën, ruajtën e pasuruan token e ujin. Ata e shmangën tragjedinë e të përbashkëtës që po ndodh në pyjet e kullotat shqiptare.
Këtë e arritën (i)duke ndjekur parimet vendosjes se kufijve të qartë; (ii) rregullat të drejtat e detyrimet reciproke shtet – komunitet të përputhen me kushtet dhe nevojat lokale; (iii) individët që janë pjesë e këtyre marrëveshjeve kanë të drejtë të marrin pjesë për t’i rishikuar,(iv)autoritetet shtetërore ta respektojnë te drejtën e komuniteteve ne vendosjen e këtyre rregullave, dhe (v) një sistem për vete monitorim te sjelljes se anëtareve ngrihet e funksionon; ka një sistem te pranuar sanksionesh për shkelësit dhe anëtaret e komunitetit kanë mundësinë e arritjes se mekanizmave me kosto te ulet për te zgjidhur konfliktet.
Për neve Ballkanasit perëndimor tingëllon si e pabesueshme kur mësojmë që shteti menaxhon atë që i tepron banorëve ruralë. Që në vitin 1948, kur banorët e Austrisë se bashku me shume shtete te tjera të Evropës e fituan te drejtën qe nga bujkrobër të ktheheshin ne pronare te një sipërfaqe te tokës te mjaftueshme për te siguruar nevojat e tyre vjetore me lëndë druri, e bazë ushqimore për blegtorinë. Janë mbi 2000 komunitete pronarë të pyjeve në zonat e banuara për rreth alpeve, atje ku takohen kufijtë shtetërore të Italisë, Austrisë e Sllovenisë, te cilët kanë mbi 2000 vjet përvojë administrimi të përbashkët.
Mohimi i dhunshëm i kanunit të Lekë Dukagjinit, Skënderbeut apo Idriz Sulit, bëri që guri dhe kufiri i vendosur ne rrjedhën e shekujve, për te fiksuar te drejtën dhe detyrimet e secilit mbi këto pasuri te përbashkëta, të mos njihej nga qeverite e pas viteve 1990, duke ju tundur banorëve gjithmonë slloganin  e mungesës se dokumentacionit, duke krijuar një pasiguri shkatërruese qe i hap rrugën realizimit  te tragjedisë së të përbashkëtës, mbi këto pasuri te çmuara. Kanë kaluar 162 vjet, qëkur lëvizja fshatare në të shumtën e vendeve të Evropës perëndimore fitoi dhe qeveritë filluan të rregullojnë të drejtat e fshatarëve mbi tokën pyjore e kullosore. Bujkrobërit fituan lirinë, bashkë me të drejtën që nevojat për prodhime pyje e kullosore t’i siguronin nga toka e tyre.
Fermerët e shteti i besuan sistemit të së drejtës, e pranuan sfidën e vështirë dhe afatgjate të ndërtimit të tij. Shpate të tëra malore të shfrytëzuara tej mase për nevojat e industrisë minerare e të prera rrah, filluan të vishen e janë shndërruar aktualisht në ekosisteme mjaft të stabilizuara, që prodhojnë e shtohen. Ballkanasit e perëndimit ne atë kohë nuk mundën t’i bashkoheshin kësaj lëvizje. Rënia e murit të Berlinit dhe fillimi i proceseve demokratike i gjeti zyrtarët të saturuar me mentalitetin komunist lindor, dhe gjenerata rurale që u ndesh me këtë moment, gati e kishte harruar që mund ti ri kërkonte këto të drejta të mohuara në shekuj. E mësuar që këto t’i realizonte ashtu siç kishte bërë historikisht, në rrugë jo ligjore dhe pa detyrime fiskale, një pjesë e popullsisë sikur edhe i druhej që të organizohej, duke u mjaftuar me copen e tokes bujqesore, qe akoma nuk e ka legalizuar.
Të fortët që u lidhën me politikën apo që shtuan blegtorinë, gjithmonë i kanë gjetur format dhe e përdornin ne mënyrë ilegale të këtyre burimeve duke prerë apo kullotur te drejtën e fshatrave të tërë. Zyrtarët sikur janë mësuar të mos i pranojnë apo t’i minimizojnë nevojat për produkte drusore vjetore të popullsisë rurale, aq sa ka vite që konsumi nuk regjistrohet e monitorohet. Duket sikur realiteti virtual i krijuar në mendjen e tyre është larg realitetit, dhe u mbetet hatri kur dikush thotë që një familje në Dragash, Pukë, Kukës, Malishevë, Devoll apo Leskovicë, harxhon gjatë një viti edhe 25 apo 30 m3 dru për ngrohje, apo një dele dhi apo lopë merr për çdo ditë nga pylli e kullota disa kilogram gjethe e bar.
Të mësuar që të nderojnë qeverinë apo zyrtarët e lartë, ata vrapojnë të minimizojnë këta tregues, të shmangin vëzhgimet e matjet, duke krijuar një klimë në disfavor të qytetarëve politikë bërësve. Ata nuk e besojnë psh që pylli shqiptar në gjendjen aktuale nuk ka kapacitet të plotësojë nevojat e zonave rurale për dru zjarri e ndërtim. Kullotat e jugut nuk i plotësojnë nevojat e blegtorisë për kullotje. Qeveria punon me peshore të prishur, që i tregon shumë herë më pak peshën e atyre që në fakt i merret pyllit e kullotës. I gjithë sistemi është i ç’ orientuar, akuzat të ndërsjellta në rritje. Si rezultat, për të plotësuar këto nevoja të papranuara zyrtarisht pylli pritet rreth pesë  herë më tepër se sa rritet e vazhdon të degradohet. Kullota mbi shfrytëzohet disa herë mbi kapacitetin e saj dhe degradimi i tokës, shtimi i erozionit e përmbytjeve janë në progresion.
Në pozicion krejt të kundërt janë banorët e zonave rurale, që e vlerësojnë realisht atë nevojë,  që e kane trasheguar dhe duan ta zbatojne traditen e ruajtjes se pyllit e kullotes, ata përpiqen me çcdo mjet ta realizojnë duke shfrytëzuar sa pyllin, apo fundin e arës, buzën e përroit ku e siguron drurin për ngrohje me minimumin e transportit. Ky sistem është arritur pas përpjekjeve pothuaj njëqindvjeçare, dhe bazën e suksesit e ka garantuar nga regjistrat korrekt të tokës te realizuar që në vitin 1871. Janë përllogaritur nevojat për çdo familje, dhe sipas traditave e kushteve konkrete, janë vendosur kufijtë midis komuniteteve apo familjeve, si dhe janë përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e tyre nëpërmjet një kuadri ligjor me përvojë mbi 160 vjeçare. Ata janë të brengosur, që megjithëse të ditur sistemi i tyre menaxhues nuk funksionon. Regjistrimi i tokës bujqësore ka filluar pas vitit 1992.
Ka rreth 10 vite që flitet për transferim e regjistrim të tokës pyjore e kullosore. Në fakt procesi nuk ka filluar. Askujt nuk i shkon në mëndje të bëjë një pyetje fare të thjeshtë, nëse është legalizuar  qofte edhe  një hektar tokë pyjore apo kullosore në përdorim të një familje!!! Rezultati u zerua shume thjeshte. Mjaftoi ndërrimi i emrit komune me bashki, dhe drejtuesit e sotem të thonë, ne njohim sitemin e bashkisë dhe jo atë të komunës. Gurët e vendosur për të njohur të drejta komuniteteve për 22 vite, u rrëzuan me një rënie të lapsit. Çadra e reformës territorial e mbuloi këtë mohim të investimeve e përpjekeje 22 vjeçare të donatorëve, institucioneve vendore e komuniteteve malore
Dihet që rezultati është zero dhe kështu do vazhdojë për shumë dhjetë vjeçare, derisa të vijë momenti që degradimi i tokës të jetë aq i mah sa njerëzit të kenë frikë të marrin përgjegjësi për tokë tërësisht të degraduar. Ne kryengritje duket se është edhe moti, ne dimrat e fundit ku lumenjtë daliun nga shtreterit  e shpat malet,  rrëshqasin, e së bashku  përmbysin vendbanime rrugë e fusha. Kokëfortësia e ballkanasve perëndimor, duket se do të ndëshkohet edhe nga ngjarjet natyrore, nëse nuk do e dëgjojnë ketë logjikë të thjeshte, të regjistrimit të tokës, vënies së kufijve pas njohjes të së drejtës së vendasve për të qenë zot të vendit të tyre dhe partner të shtetit të tyre për të ndërtuar të ardhmen.


No comments:

Post a Comment