Bajamia, kjo mrekulli që “sakrifikon”
“Ra dielli në bajame, xhan moj bajame!
Ja rritu ja thahu fare, xhan moj bajame…!”
Popullore
Këto vargje
të kësaj kënge polifonike më sillen ende në mendje edhe pse kanë kalur shumë
vite. I dëgjoja shpesh në këngët e trapezeve të burrave me ndonjë gotë rraki
përpara, në dasma e gëzime. Këngët
e dashurisë janë refleksjone edhe pasqyrime artistike të bukurisë së
natyrës ku ato kanë lindur, bukuri që rrezëllehen edhe prej ngjyrave të ylberta
të luleve të bimëve. Në këngën e mësipërme krijuesi me filozofinë e pa
gabueshme popullore, natyrshëm e krahason bukurine e vajzës, e cila i ka
rrembyer zemrën me bajamen e avllisë, bukuri qe ai e ka konstatuar qysh herët dhe
ashtu si një bajame do kohë që të rritet e të zaptojë kopshtin apo
oborrin e shtëpisë por, lulet e saj janë të bukura e të bëjnë që të ëndërosh. Në
një këngë tjetër popullore të kultivuar thuhet:
“Rritu moj bajame
se ta shkoj selvia,
Më morre në qafë moj
Me këto marzira..”
Në këngët e shqiptarëve bima e bajames
është përshkruar si një bukuri e brishtë, delikate. Shpesh këtë bimë populli e
quan “naive”, gënjehet shpejt, çel lulet që në muain janar në qoftëse moti
ngrohet edhe për një periudhë shumë të shkurtër. Me sa duket ndoshta kjo përbën
dhe një problem për kultivimin e saj. Në gjuhën hebrej bajamia quhet “shakad” që shqipërohet “zgjim i nxituar”. Bajamia si një bimë
mesdhetare e veçantë i ka tërhequr vëmendjen shkrimtarit dhe filozofit grek me
famë botërore, Nikos Kazanzaqis(1883-1957). Në shkrimet e tij ai ka thënë: “I
thashë bajames: mike tregomë diçka për Zotin dhe ajo lulëzoi". Bajamja çel e para në pranverë, sikur mezi pret të
prishi atë monotoninë e zymtësinë e dimërit, akoma bora pa ikur mirë, ringjall
shpresën dhe bukurinë e jetës në tokë por, shpesh ngricat ja dëmtojnë lulet dhe
ashtu si Krishti sakrifikohet për të na
përcjellë mirësinë e vazhdimësinë e jetës ëngjëllore në tokë.
Emëri në gjuhën shqipe “bajame”
sipas gjuhëtarëve rrjedh nga gjuha turke. Në turqisht bajamia quhet “badam”. Kështu quhet dhe në gjuhët e
tjera të Ballkanit(në Bosnjë, kroatisht,
maqedonisht, sërbisht, bullgarisht). Me sa duket kultura e bajames nga Lindja e
Afërme né Ballkan ka ardhur së bashku me emërin.
Në Shqipëri
ka pasur një traditë të lashtë për kultivimin e bajames. Zakonisht ajo mbillej
në vreshtat, kopshtet, ledhet e arave, vende të kultit si në manastire e teqe por edhe rreth e rrotull
shtëpive. Vështirë që në zonën e ullirit dhe fikut të gjeje një shtëpi ku në
kopshtet e saj të mos lulëzonte një bajame dhe jo vetëm në fshatra por shpesh
edhe në qytete. Në fillim të shekullit të kaluar bajamet në Çamëri konkuronin
me ullirin( R. Osmani). Gjithë
bregdeti i Jonit është një zonë me kushte të përshtatëshme për bajamen dhe gjat
shekujve është kultivuar më shumë se kudo tjetër në Ballkan. Gjat periudhës së
diktaturës në Shqipëri u mbollën edhe në blloqe të veçantë por këto nuk patën efektivitet
dhe jetë të gjatë pasi kishin mangësi dhe u lanë pas dore, si dhe u prishën e u dëmtuan gjat perudhës
së tranzicjonit në vitet 90-të të shekullit që sapo kaloi.
Bajamia
tradicionalisht nga shqiptarët mbillej kryesisht për të plotësuar nevojat
vetiake, për të ngrënë dhe për gatimet e shumta në guzhinë, sidomos për ëmbëlisirat,
si dhe për një pamje të hijëshme të oborreve dhe kopshteve. Ne kishim dy bajame
në kopshtet e shtëpisë tonë. Mbaj mend nga fëmijëria se sapo fillonte të
formohej fruti e deri sa fortësohej guaska, frutin e bajames e hanim me një
shije të veçante sa na mpiheshin dhëmbët. Kur nevoitej prisnim dhe ndonjë degë
me gjethe si ushqim për bagëtinë. Në trungun e bajames së egër dhe të butë shpesh
formohej një masë viskoze si rrëshirë të cilën ne quanim dilimaç. Këtë shpesh e gjurmonim dhe e hanim si
çimçakëz, pavarësisht se prindërit na porositënin: - Mos hani se do të ju ngjiten zorrët, - ndërsa disa e mblidhnin për
t’a përdorur si ngjitës.
Frutat e thata përdoreshin
për t’u ngrënë gjat periudhës së dimrit, u bëheshin dhurata fëmijëve, të afërme
e miqëve gjat Krishtlindjeve ose ne festa të tjera si dhe në pakot e Vitit të
Ri. Me Bajame shpesh nuset gostitënin fëmijët e fisit të dhëndrit ditën e
dasmës. Gjithashtu përziheshin me oriz e karamele duke ja hedhur çiftit që
martohej para se te hynte në shtëpinë e dhëndrit. Një pjesë e prodhimit tregëtohesh në qytete. Në Çamëri bajamia quhet “Mirgladhë” dhe sipas një tradite: ana e dhëndrit një
ditë para dasmës, nuses i shpinin dhuratë stolitë dhe një kanavetë(valixhe) të
mbushur me arra, bajame, lajthi dhe karamele, që i quanin “armegane” ose
“kokanika”. Këto ndaheshin midis dasmorëve të cilit para se t’i hanin luanin
ose vinin baste me tek a çift. Sipas mitologjisë shqiptare fruti i arrës është konsideruar si simbol i pjellorisë, bajamia simbol i bukurisë dhe lajthia simbol i mënçurisë.
Krahas
bajames së kultivuar në ledhet e arave dhe vendet e thepisura, në pjesët
shkëmbore, afër rrugëve dhe qëndrave të lashtësisë, rritet spontanisht edhe
bajamja e egër, sidomos në pjesën jugore të Shqipërisë si në Gjirokastër,
Vlorë, Berat, Fier, Sarandë, etj. Fruti i kësaj bajame nuk haet sepse ështe
toksik për njerëzit, madje shkakëton dhe vdekje, por kjo bimë ka gjetur një
përdorim si nënshartesë për bajamen e butë. Frutat e saj përdoren për
përgatitjen e likerërave dhe pijeve të tjera komerciale, përdoret si aromatike
në ushqime të ndryshme, si bimë zbukuruese dhe gjethet e saj çfrytëzohen si
ushqim nga bagëtia. Por bota ecën, dhe ecën shpejt! Çfar po ndodh me bajamen sot
në botë?
Mite, tradita
Bajamja
është një nga bimët e para që njeriu ka domestikuar që në lashtësi e cila ka
zbukuruar edhe kopshtet e famëshme babilonase. Vetitë e saj si bimë zbukuruese,
shëruese ndaj disa sëmundjeve dhe si ushqim për njerezit, ka bërë që të
pasqyrohet e të zerë vend në etnokulturën e shume popujve në: mitet, folklorin,
legjendat, art, etj.
Në
vendorgjinën e saj Siri, Irak, Palestinë, etj. është përmendur që në shkrimet e
lashta si një nga pemët frutore më të mira në e vendit të Kananit, ose “frutat më të mira të tokës në kohën e
Jakobit”, si dhe ka shumë referenca biblike për të. Në biblën hebreike
bajamia është simbol i vigjilencës dhe premtimit. Shkopi Aronit(vëllai
Moisiut), që kishte një fuqi magjike, ishte prej drurit të bajames. Hebrejtë në
SHBA edhe sot në muain shkurt festojne “Ditën e Pemëve”( Tu BiShvat) me një degë bajame të lulëzuar në Sinagogat e tyre,
ndërsa në Izrael kjo ditë festohet si “Dita
Ekologjike” ku aktiviteti kryesor është mbjellja e pemëve.
Në mitet
greke Servius(578–535
PK), mitin mbi vdekjen tragjike nga hidhërimi të Phylisit për shkak të
braktisjes nga i dashuri i saj Demophon, e zhvilloj më tej duke thënë se zotat
e transformuan Phylisin përjetësisht në një pemë bajame. Pas shumë vjetësh, kur
kthehet Demophoni dhe gjeti Memorialin e Phylisit si një peme të mjerrë, pa
gjethe e pa lule, ai e përqafoi dhe Phylisi bajame shpërtheu në lulëzim e
gjethe. Një emblemë e dashurisë së vërtetë e pamposhtur edhe nga vdekja.
Në këngët e
shqiptarëvet kudo ku jetojnë pema e bajames është përshkruar si sinonim i të
bukurës, i bukurisë femërore. Emëri “Bajame” ëshë përdorur shpesh edhe si emër
për gratë e vajzat. Kinezët e konsiderojnë bajame si një simbol i përjetshëm
trishtimi dhe i bukurisë femërore.
Për të
krishterët një degë bajame e lulëzuar në ikonat shërben si simbol i virgjërisë
së Shën Marisë. Në piktura shpesh paraqitet Jezusi fëmijë me një degë bajame.
Gjithashtu fjala "Luz", e cila shfaqet në Bibël, është përkthyer si
"kalter", në të vërtetë mund të rrjedhë nga gjuha aramaike ku “Luz” i thonë bajames. Në arabisht bajames i
thonë “laoz”, ndërsa në disa pjesë të Lindjes së Afërme thonë “Loz”, këto fjalë janë shumë afër me origjinën
aramaike. Bajamia përdoret dhe ne ceremonite fetare të përshpirtjeve së bashku
me kokrat e grurit.
Sot në
vendet të cilat prodhojnë bajame organizohen “Festivalet e lulëzimit të bajames” të cilat konsiderohen dhe si
dita e verës. Festivale të tillë organizohen në: Itali, Gjermani, Marok,
Kaliforni SHBA, Spanjë, etj. Në Albufeira të Portogalisë nga Shoqata e
Atletikës organizohen gara vrapimi ndërkombëtare me emërin “Blossom Cross
Country Almond”, lulëzimi bajames në gjithë vendin. Kjo veprimtari organizohet në
muain mars për të promovuar turizmin kur kanë çelur edhe lulet e bajames.
Në festivalin e lulëzimit bajames në Kaliforni |
Origjina, përhapja dhe
prodhimi
Bajamje
mendohet se ka evoluar nga e njëjta bimë me pjeshkën dhe kajsinë miliona vjet më parë. Megjithëse akoma është
e errët paraardhsja e bajames lloje të egra gjënden ende midis shpateve
perendimore te maleve Tian Shan(Kinë) deri në Kazakistan e Iran nga ku mendohet
të jetë dhe origjina e saj. Nga kjo vatër bajamia e egër si rrjedhojë e lëvizjeve
nomade të popullsisë, veçanërisht me rrugën e mëndafshit është përhapur në në
një territor më të gjërë, në pjesën lindore të brigjeve të Detit Mesdhe dhe
Veriun e Afrikës. Në këto vende bajamia e egër spontanisht dhe sot gjëndet
kryesisht afër qendrave të banuara dhe buzë rrugëve të lashtësisë.
Origjina dhe vendet ku
bajamja konsiderohet vendase, rritet spontanisht
bajamja e egër. Sipas: G. Allen & J. Haas (2000) |
Domestikimi
bajames së butë mendohet të kete ndodhur 4-5 mijë vjet më parë, ndoshta edhe më
herët. Eshtë nga bimët e para që është domestikuar nga njeriu. Diamond(1999)
spjegon se spontanisht është çfaqur një mutacjon i bajames së egër që nuk e
përmbante amigdalinën glukoside(acid prusik), lëndë e cila u jep toksicitetin
frutave, këto bimë u veçuan nga kultivuesit e lashtë dhe më pas ato i mbuall në
kopshtet e tyre. Bajamia e egër më parë se të domestikohej bajamia e butë duhet
të jetë kultivuar e përdorur si ushqim nga njeriu duke e ngrënë të përpunuar,
si të pjekur etj. (Diamond 1999). Në Greqi arkeologët kanë zbuluar farëra të
bajames së egër që datojnë 5000 vjet më parë. Rreth 4000 vjet më parë bajamia e
butë ishte e kultivuar pothuajse në të gjitha qytetërimet e lashta. Të dhënat e
para për këtë bimë vinë nga të shkruarat në gjuhën hebreisht, persisht dhe
egjyptianët e lashtë që 2000 vjet PK.
Arkeologët
kanë zbuluar në varrin e Tutankhamun në Egjiptin e lashtë, 1325 vjet PK, fruta
të bajames së butë të cilat duhet të kenë ardhur nga Lindja e Afërme sepse në
atë kohë në Egjypt nuk kultivoheshin bajamet. Për përhapien e bajames së zbutur
persjane thuhet se Aleksandri i Madh(356- 323 PK) me ushtarët e tij e kanë prurë në shtëpitë e
tyre në Ballkan. Kjo duhet të jetë dhe koha kur bajamet e buta u kultivuan nga
ballkanasit për herë të parë masivisht. Prej këtej gradualisht më pas është shpërndarë në
të gjithë Mesdheun. Në vitet 600-900 bajamia pushtoi gjithë brigjet e Mesdheut
deri në Spanjë e Marok. Mendohet se Romakët e kanë shpërndarë këtë bimë edhe në
pjesën tjetër të Evropës, në shekullin e XVI u çfaq dhe në Angli. Që me rrugën
e mëndafshit u shpërnda edhe në Kinë, Indi e më gjerë.
Në vitet
1700 Priftërinjtë Françeskanë e shpunë bajamen në Kontinentin Amerikan por, u
mbuall në vende që kishte ngrica të vona dhe dëmtohej. Një zhvillim të madh
kultivimi i saj mori në vitet 1800 kur filloi të mbillej në Kaliforni në
luginën e Sakramentos dhe San Joaquin. Në shekullin e XIX u krijuan llojet e
bajameve guaskë hollë dhe pas vitit 2000, ose 30 vitet e fundit, mbjellja dhe prodhimi bajames u katërfishua. Sot
në Kaliforni është krijuar Industria e Bajames, 6500 fermerë kanë më se 400
mijë hektar me bajame nga të cilat përballohen të gjitha nevojat e SHBA-ve dhe furnizojnë
rreth 70-80 përqind tregut botëror(878 mijë ton, viti 2013). Këta fermerë sot janë
të pa konkurueshëm në botë për teknikat e kultivimit për të marrë rendimente të
larta, e për rrjedhojë të kenë një efektivitetit ekonomik të lartë(një
e ardhur 14-15 mijë dollarë/ha). Bajamia renditet e para në eksportet bujqësore të SHBA-ve, eksprtohet në 90 shtete si: Gjermani, Hong Kong, Japoni, Holandë,
Kanada, Angli, Kinë, Indi, etj.
Sipas të dhënave të fundit(viti 2013) në këtë industri
në SHBA thuhet se bëhet fjalë për një të ardhur rreth 5,7 miliard dollarë në
vit dhe ka tendecë në rritje(Almond Board
of California, 2013). Për ta mbajtur, fuqizuar dhe rritur këtë industri
gjigande, shteti Amerikan e subvecionon duke financuar punën kërkimore-shkencore dhe rritjen e prodhimin nga fermerët.
California Almond Almanac 2014(kliko mbi grafik për pamje më të qartë) http://www.almonds.com/sites/default/files/content/attachments/2014_almanac_final.pdf |
Plantacione me bajame në Kaliforni |
Në kontinentin
australian bajamia është çfaqur ne pjesën jugore me që ka kushte të
përshtatëshme për kultivimin e saj, që në fillimet e viteve 1800. Në fillim të
viteve 1900 filloi te marri një hov të ri kultivimi i saj. Që nga mesi i shekullit të kaluar kultivimi i
bajames në Australi filloi te ketë një rritje të shpejtë e të formojë edhe këtu
atë që quhet Industri e Bajames. Australia sot zë vendin e 2-3 të prodhimit të
bajameve në botë. Prodhimi i bajames
mendohet që t’i sjellë Australisë 520 milion dollarë të ardhura në vit. Sot
bajamet kultivohen kudo në botë si në Afrikën e Jugut, Amerikën Latine, etj.,
janë të mbjella me këtë kulturë rreth 1,8 milion ha.
Rajonet më të
përmendura me kushte të përshtatëshme
mesdhetare për kultivimin e bajames sot në botë.
mesdhetare për kultivimin e bajames sot në botë.
( sipas; Bordit të Bjames në
Kaliforni)
Prodhimi botëror
i bajames që nga viti 1961 sipas të dhënave të FAO-s ka ardhur në rritje. Sot
prodhohen rreth 2 milion ton. Nga prodhuesit më të mëdhej përveç vendeve ku
bajamia është autoktone si Irani, Siria, Turqia, etj., në Evropë shquhet Spanja
dhe Italia.
Për
Shqipërinë FAO që nga viti 1961 nuk ka statistika në prodhimin e bajames. Nuk
është raportuar nga Ministria e Bujqësisë prodhimi i bajameve. Natyrisht mendoj
se duhet të ketë të dhëna por, për deri sa nuk janë raportuar shifra, prodhimi
duhet të ketë qënë i pa përfillshëm si rjedhojë e nënvleftësimit të kësaj
kulture. Shqipëria sipas FAO-s këto vitet e fundit importon rreth 150 ton bajame në vit.
Shqipëria
dhe i gjithë Ballkani ka kushte të përshtatëshme për kultivimin e bajames.
Qeveritë duhet që ta shohin me përparësi këtë mundesi si një rezervë të madhe
për zhvillimin e zonave rurale, popullimin e këtyre zonave e për të përmirësuar
treguesit ekonomikë në tërësi.
Dobitë
e bajames
Bajami sot
në botë ka një rëndësi të veçantë. Kultivohet kryesisht për frutin e saj, për
të cilin kërkesat janë në rritje por, disa lloje përdoren edhe për zbukurime të
parqeve, shëpive e kopshteve. Druri është
i fortë dhe mund të përdoret në zdrukthari, për skulptura, objekte artistike,
etj. Druri bajames digjet mirë në zjarr, çliron shumë nxehtësi, mban gjat dhe ka
nje erë të këndëshme në oxhaqet ose guzhinat gjat djegies. Bajamia është
gjithashtu një bimë mjaltëse e mirë por ka të nevojshëm gjithashtu dhe
polenizuesit. Edhe gjethet e bajames kafshët i pëlqejnë dhe i hanë.
Fruti
bajames konsumohet i thatë shpesh dhe i kripur. Bajamia haet dhe frut jeshil pa
u forcuar lëvozhga. Në disa vende përdoret nga guzhinierët në restorante për të
përgatitur pjata delikatese, me gusto e shumë të shijëshme(high-end dishes). Në
Iran fruti jeshil shitet në rrugë i shoqëruar me krypë. Në mjekësinë popullore Sipas
Hartwell (1967-1971), frutat ose vaji i bajames janë përdorur për të luftuar kancerat
e ndryshëm si: të fshikëzës urinare, të gjirit, gojës, shpretkës, mitrës, etj. Eshtë përdorur si qetësuses për nervat, për të
luftuar të ftohtin, kollën, urthin, egzemat e ndryshme, plagët, spazmat,
ulçerat, etj. (Duke and Wain, 1981).
Ka një praktikë popullore se: konsumimi i disa kokrave të bajames të parandalon
dehjen nga rakia ose vera, këte e përmend dhe Plutarku.
Fruti i
bajames ka një përdorim të gjerë në guzhinë, veçënarisht për përgatitjen e
ëmbëlsirave të ndryshme si: karkanaqet, keke të ndryshme, pasta, çokollatave, biskota,
akulloreve, në shumë prodhime të rostiçerive, si miell për prodhimin e disa
llojeve të bukeve me shije, etj. Me bajamet përgatitet gjalpë dhe qumësht
bajame me një shije të veçantë. Bajamia përdoret edhe për përgatitjen e
likerërave të ndryshëm dhe pijeve komerciale sepse, u jep një aromë të veçantë.
Bajamja ka përmbajte të lartë vajrash (kryesisht acid oleik). Vai i bajames
përdoret në kozmetikë, nga fizio-terapistët për masazhet e lëkurës si dhe për
të pastruar veglat muzikore frymore si oboe e klarinetë, në përgatitjen e
medikamenteve, në kremërat, etj. Në Kaliforni lëvozhgat e bajames përdoren
ushqim për blegtorinë dhe guaskat e saj si
shtresë në stallat.
Fruti i
bajames është i pasur në vlerat ushqimore si: vitamina, proteina, fibër, etj. Që
nga kohët e lashta e deri në kohët
moderne, për popujt e besimeve të ndryshme bajamet kanë qenë gjithmonë një
përbërës për ushqimin e pergatitur nëpër guzhina e tyre për shijen që u jep,
vlerat ushqimore dhe ndikimet në përmirrësimin e shëndetit të njeriut. Mbi këto
të dhëna shkenca sot po punon për ti evidentuar këto vlera. Përfitimet shëndetësore
nga bajamia sipas të dhënave të shkencës
janë:
1. Parandalon infraktet e zemrës.
Dieta
me bajame dhe arra, 5 ditë në javë, mundësojnë një ulje në 50 përqind të
rrezikut nga ataku në zemër sepse përmirësojnë nivelin e lipideve në gjak. Lëndët
flavonide që gjënden në bajame në sinergji me vitaminën E reduktojnë rrezikun e
sëmundjeve të zemrës( Tufts Univesity).
2. Mban nivel të ulët të
kolesterolit në gjak.
Sipas
një studimi të kryer në Universitetin Loma Linda, Kalifori, një dietë me bajame
për 4 javë bën që kolesteroli në gjak të ulet 5-7 % . Ella Haddad, DrPH, RD,
një autore e studimit, nënvizon: "Një dietë me bajame mban trupin të
shëndetshëm sepse mund të rritë ndjeshëm nivelet e vitaminës E dhe qarkullimin
e gjakut. Vitamina E është një antioksidant i fuqishëm që mbron qelizat nga
dëmtimet në dhe parandalon arterie-sklerozën oksidimi i kolesterolit."
3. Parandalon kancerin.
Prof.
Ch. S. Fuchs nga “Harvard Medical School”, ka vrojtuar se një dietë me bajame ka ulur 11 përqind
vdekjet nga sëmundjet kanceroze.
4. Ndihmojnë në funksionin e
mirë të trurit.
Bajamet
përmbajnë riboflavin dhe L-carnitine, që ndikojnë për të rritur aktivitetin e
trurit gjithashtu mund të zvogëlojë rrezikun nga sëmundja e Alzheimerit. Ndihmojnë
në rritjen e një nivelit të lartë intelektual dhe për jetëgjatësi.
5. Ndihmojnë në rritjen e
fortësisë të kockave dhe dhëmbëve.
Përmbajtja
e lartë e fosforit në frutin e bajames ndikon në fortësinë e kockave.
6. Ndihmojnë për të ulur
peshën.
Përmbajta
e lartë e fibrave në frutin e bajames ndikon për te mos patur një rritje në
peshë. Ata që hanë dy here në javë bajame ulin mundësinë për të shtuar peshë
rreth 30 përqind.
7. Bajame ndikon për të ulur
rritjen e sheqerit në gjak. Bajamet nuk përmbajnë nisheshte dhe përdoren si miell për
përgatitjen e biskotave dhe tortave për diabetikët.
8. Ndihmojnë për të
përmirësuar alkalitetin.
Kur në
trupin e njeriut nuk janë të mjaftueshme lëndët alkaline, rrezikohet nga
osteoporoza, funksionon dobët sistemi imunitar, energji është e ulët dhe ka
shtim të peshës trupore.
Prodhimi i bajameve si të gjitha prodhimet
e frutave të thata janë të ndjeshme të preken nga myqet Aspergyllus sp., të cilat prodhojnë një lëndë që e dëmtojnë shëndetin e njeriut, aflatoksinën. Këto infeksione
mund të vinë nga toka, dëmtuesit, bajamet e infektuara, etj. Nivelet e lejueshme të ndotjes së bajames nga aflatoksina duhet të jenë brenda parametrave dhe standarteve të lejushëm.
Pllenimi i
bajames në Kaliforni
Bima e bajames si
pjesa më e madhe e bimëve, për të marrë rendimente të larta kërkon pjalmim të
kryqëzuar. Bajamia në Kaliforni të SHBA-ve, Australi e ndonjë vend tjetër,
është kthyer në Industri ku mirren rendimente rekord dhe rrjedhimisht përfitohet një fitim i madh.
Edhe pllenimi i saj është kthyer në një industri më vete prandaj po e trajtoj
në veçanti, si dhe për të paraqitur zhvillimin e madh që ka arritur kultivimi i
bajames sot në botë.
Lulja e bajames është një lule hermafrodite(dyseksore),
që përbëhet nga pistili(organi femëror me vezoren, ku kryhet pllenimi) dhe
thekët(organi mashkullor që përmbajnë pjalmin) por, për disa arsye pllenimi i bajames ashtu si
edhe tek disa bimë të tjera, për një prodhim të mirë duhet që vezorja e
pistilit të pllenohet me pjalmin e luleve të bimëve të tjera. Shkenca ka
arritur të veçojë bimët që janë pllenuese të mira me njëra tjetrën duke i
mbjellë në rreshta ose në pjesë të caktuara të ngastrave si dhe të krijojnë
edhe lloje vetpllenuese por, rrezultatet kanë treguar se këto deri tani nuk
janë dhe aq të kënaqëshme e të mjaftueshme për zhvillimin e Industrisë së
Bajames. Me efektivitet të lartë rezulton pjalmimi i kryqëzuar që realizohet me
anë të erës dhe insekteve pjalmëzuese. Një nga këto insekte që këtë punë e bën
mirë, siç dihet, është bleta. Nga disa studime thuhet se në Kaliforni bleta e
rrit prodhimin e bajameve mbi 3 herë ose jep një fitim të përgjithshëm në këtë
industri mbi 2,3 miliard dollarë. Janë rreth 90 bimë bujqesore sot në botë në të cilat polenizimi komercial kryhet me bletë.
Për këtë arsye pllenimi i bajameve
në Kaliforni përbën ngjarjen më të madhe vjetore në botë në menaxhimin e pllenimeve
në bimët bujqësore. Kjo veprimtari e përvitëshme organizohet në muain Shkurt.
Bazuar në të dhënat, për të kryer mirë pllennimin në një hekar me bajame duhen
4-5 zgjoje me bletë. Sipas kësaj llogarie në Kaliforni gjat muait Shkurt për
pllenimin e bajames nevoiten gjithësej 1,5 milion zgjoje bletësh. Vetë Kalifornia
ka rreth 500 mijë zgjoje, pjesa tjetër rreth një milion zgjoje(gati gjysma e
zgjojeve të bletëve të SHBA-së) sillet nga 49 shtete të SHBA-ve, me kamiona të
mëdhej dhe trena. Ka përpjekje për të sjellë zgjoje bletësh edhe nga Australia
ose shtetet e tjera me avionë.
Për
të menaxhuar drejt dhe në kohë gjithë këte aktivitet janë ngritur zyrat e
menaxhimit(rreth 100 të tilla) me disa qindra agjentë të pllenimit të bimëve me
bletë. Çmimi për një bletë të marrë me qera për shekullin që kaloi ka lëvizur
nga 45- 80 dollarë për koshere. Vitet e fundit si rrjedhojë e shtimit të
sipërfaqes së mbjellë me bajame kërkesave në rritje, ky çmim është rritur,
varion nga 150-200 dollarë për një zgjua bletësh. Çmimi i një zgjua blete me
qera për pjalmëzimin e bajames është 10 herë më i lartë se në bimët e tjera
sepse ndihet mungesa e tyre gjat kësaj periudhe.
Shtimi i pandërprerë i sipërfaqe së
mbjellë me bajame, përqëndrimi i madh i bletëve në Kaliforni ka nxjerrë dhe
probleme si për kultivuesit e bajames ashtu dhe për bletritësit. Shpesh ndodh
që bletët e marra me qera nuk e kanë ushtrinë( numurin e bletëve punëtore) në
stadartet e kërkuara. Një problem për kultivuesit e bajames është dhe rritja e
çmimit për një zgjua blete të marrë me qera për pllenimet. Ndersa për bletritësit
grumbullimi i bletëve nga i gjithe vendi bën që të përhapen sëmundjet, këto
vitet e fundit bletëritësit kanë humbur shumë zgjoje bletësh. Problemet e
menaxhimit dhe ato shkencore e të zhvillimit të kësaj industrie drejtohen e
ndiqen nga Bordi Bajames së Kalifornisë(Almond Board of California) dhe Qëndrat Shkencore të Kërkimeve
Bujqësore, Universiteti i Kalifornisë, etj.
Veçoritë
botanike dhe biollogjike
Bajamia
është një bimë mesdhetare që kërkon një klimë të butë. Shkon mirë në zonën ku
ritet ulliri dhe fiku deri në lartësitë 500-600 m. nga niveli detit. Kurora e
bajames zakonisht është në formë piramidale, rritet deri në 8-10 m. e lartë.
Jeton 70- 80 vjet por bimë të veçanta jetojnë deri në 100 vjet e më shumë. Frutifikon
4-5 vjet pas mbjelljes, në prodhim të plote hyn pas 10 vjetësh. Duron gjat
dimrit temperaturat deri në -15o C. Ndërsa gjat lulëzimit temperatur
nuk duhet më e ulët se 7o C. Ka sistem rrënjor të fuqishë boshtor që
shkon deri në 6 m., rrënjët anësore zhvillohen më vonë të fuqishme.
Trungu
zakonisht është i drejtë, në moshë të re të bimës eshtë i lëmuar, ndërsa kur
vjetërohet plasaritet dhe është i ashpër, trashësia e trungut harrin deri në 70
cm.
Gjethet janë te ngjashme me të pjeshkës, por pak më të
vogla. Në pjesën e sipërme janë të lëmuara. Lulja ka 5 petla, në bajamet e
egëra kanë ngjyrë të bardhë, në bajamet e buta kanë nuanca rozë, ndërsa në
bajamet për zbukurime petlat janë të dyfishta. Lulet zakonisht çelin para
gjethimit. Lulëzimi sipas llojeve fillon që në muain Janar e deri në muain
Prill.
Fruti
përbëhet nga epikarpi që është mishtak me ngjyrë jeshile dhe me push. Në kohën
e vjeljes ndahet nga kokra. Endokarpi përbëhet nga guaska e fortë në të cilën
dallohen vrima dhe vjaska. Thelbi i bajames përbëhet nga dy pjesë të shkruara
nga ana e jashteme. Në muajtë qershor- korrik frutat harrijnë madhësinë
maksimale.
Veçoritë
agroteknike
Bajamia nuk
rritet në toka argjilore, moçalishte ose me ujëra fratike të larta dhe në tokat
me taban të cekët dhe me pH acid. Të përshtatëshme për bajamen janë tokat gëlqerore(
me pH bazik), të lehta dhe të përshkueshme.
Shtim I
bajames bëhet me farë dhe me shartim. Mbjellja me farë ështe një mënyre e
përdorur nga shqiptarët. Kosiston në mbjelljen e farës ne vendin e përhershëm.
Kjo metodë jep pemë që nuk prodhojnë mirë dhe nuk kanë karakteristikat e pemës
mëmë nga është marrë fara. Shpesh këto pemë shartoheshin më von.
Llojet e bajames në Shqipëri janë të shumta por disa prej tyre janë me interes. Një nga këto bajame është Bajamia e Melçanit, që rritet në Korçë në lartësitë 600 m. Jane futur dhe llojet e huaja si: Nonparelli, Teksas, etj. Ne Kaliforni llojet me të përhapura janë: Nonparelli(40%), Carmell, Butte, Monterey, etj. Gjat mbjelljeve te reja duhet të kihet parasysh pllenimi i kryqëzuar që do të thotë llojet e bajameve të alternohen në rreshta sipas kohës lulëzimit.
Llojet e bajames në Shqipëri janë të shumta por disa prej tyre janë me interes. Një nga këto bajame është Bajamia e Melçanit, që rritet në Korçë në lartësitë 600 m. Jane futur dhe llojet e huaja si: Nonparelli, Teksas, etj. Ne Kaliforni llojet me të përhapura janë: Nonparelli(40%), Carmell, Butte, Monterey, etj. Gjat mbjelljeve te reja duhet të kihet parasysh pllenimi i kryqëzuar që do të thotë llojet e bajameve të alternohen në rreshta sipas kohës lulëzimit.
Sot
mbjellja e bajames bëhet me fidana të shartuar në fidanishtet. Fara për
nënshartesën zakonisht zgjidhet nga bajamet me guajad të fortë ose nga bajame
të egra për tu përshtatur sa më mirë kushteve të tereni ku do të mbillen. Për
bajamen si nënshartesë mund të shërbejé dhe pjeshka, kajsia dhe kumbulla.
Fidani përgatitet për mbjellje në vendin e përhershëm për 2-3 vjet në
fidanishtet.
Mbjellja
bëhet me gropa si të gjitha pemët e tjera frutore në muajtë Nëndor-Dhjetor ose
Shkurt-Mars, me pleh organik 10
-20kg/gropë e më shumë. Distanca e mbjelljes në blloqe varet nga relievi,
largësia midis rreshtave8-9 m., ndërsa midis bimëve 5-7 m.
Shërbimet
agroteknike që i behen janë punimet, krasitjet dhe mbrojtjen nga sëmundjet dhe
dëmtuesit. Nga sëmundjet e bajames janë: gomoza, kalbëzimi i rrënjës,
gjethepërdrethsja, gjethebirusja, kanceri bakterial, etj. Ndërsa dëmtuesit e zakonshëm jane: Drungrënësi
i vogël i pemëve, Brumbulli zi i pjeshkës, breshkëza e Kalifornisë, etj.
Ndaj këtyre sëmundjeve dhe dëmtuesave kryhen vrojtime dhe
mirren masat mbrojtëse sipas udhëzimeve të specjalistave ose Qendrave
Këshillimore.
Bajame moj zemërë
Përgatiti:
K. Mosko
Shkurt, 2015
No comments:
Post a Comment