Pirja e çajit të malit është një nga traditat më të mira në vendin tonë. Ai nuk duhet të mungojë asnjë ditë nga shtëpia dhe jeta jonë. Serviret dhe në ditët e ftohta dhe në ditët e nxehta. Në përdorim nuk ka kufi, se nuk ka tanin. Para çajit jeshil që na vjen nga Azia( plotë tanin), qëndron shumë më lart nga vlerat. Aroma dhe cilësitë e tij të përfshijnë në një magji të vërtetë plot emocione.
nga: Kristo KAURI
Sarandë
Përshkrimi:
Çaji i malit është bimë barishtore shumëvjeçare me gjelbërim të përjetshëm. Bën pjesë në familjen Lamiaceae, në gjininë Sideritis. Përhapet kryesisht në zonën malore të Shqipërisë jugore dhe Shqipërisë se Mesme. Deri tani njihen mbi 300 lloje, që rriten kryesisht në vendet e Mesdheut. Emri i tij shkencor është Sideritis raeseri. Sideritis, vjen nga fjala greke sidhiros( σιδηρο), që ka kuptimin hekur. Pra është një burim natyror që ka në përbërje të tij shumë hekur. Këtë e dëshmojnë dhe analizat kimike që janë bërë.
Sideritis raeseri është kultivari më i zakonshëm i sideritis në Shqipëri, Greqi dhe Republika e Maqedonisë. Hibride të avancuara të tij ekzistojnë dhe në vendin tonë. Ka një system rrënjor të dobët, jo të futur thellë në tokë. Lartësia e bimës arrin 20- 50 cm. Bima është e veshur me pushë të bardhë në të hirtë. Gjethet kanë përmasa 10-60 mm të gjata dhe 6-20 mm të gjera. Ato kanë formë gjatore deri në të ngushta, vezake, të përmbysura, të plota ose me dhëmbëza. Kanë ngjyrë jeshile të hapur në të bardhë. Lulesa është e përbërë nga 5-20 qerthuj të rënë, ku secili ka 6-10 lule të verdha deri në të verdhë të çelur. Lulet janë hermafrodite dhe pllenohen nga insektet dhe bletët. Lulëzon në muajt Qershor-Korrik, në varësi të kushteve klimatike dhe lartësisë nga niveli i detit. Lulëzimi zgjat gati 20-30 ditë. Formimi i farës fillon nga fundi i Korrikut, vazhdon nga Gushti dhe rrallë shkon deri në 15 Shtator. Lulet e tij të thata, të thara në hije, përdoren për prodhimin e çajrave të ndryshme. Lulet përmbajnë vaj esencial dhe lendë tonike.
Përhapja :
Çaji i malit rritet në shpatet shkëmbore dhe kullotat në lartësinë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit. Parapëlqen shpatet e thata, por të rahura nga dielli. Origjina e çajit të malit është Mesdheu Lindor. Gjëndet me shumicë në Mesdhe, në Europen qëndrore, Azi jugore, në Ballkan, etj. Ai, konsiderohet si specie autoktone dhe endemike e Ballkanit. Shqipëria, Kosova, Greqia, Bullgaria dhe Maqedonia, e kanë përdorur prej shumë kohësh çajin e malit. Kjo është një bimë shumëvjeçare e këndshme, aromatike. Nuk ka shumë pretendime ndaj tokës.
Preferon toka shkëmbore, haliqe, me shkëmb gelqëror, ku ai rritet në të çarat e shkëmbënjve. Duron thatësirën, kushtet ekstreme klimatike dhe temperaturat e ulta deri -10 Oc. Uji ,dielli, por sidomos mjedisi i pastër, janë elementet kryesor për të patur një çaj cilësor dhe plot aromë.
Shumëzimi :
Të gjitha llojet shumëzohen me dy mënyra, me farë dhe me llastarë.
Kur e kultivojmë, që të mos bien vlerat dhe cilësia e tij, duhet që mjedisi t’i përafrohet kushteve natyrore ku rritet, në lartësi, përbërja e tokës dhe e shkëmbit amnor.
Shumëzimi me farë :
Bimët nga të cilat marrim farën, duhet të jenë të shëndetshëm dhe fara të jetë e pjekur mirë. Lulësat mblidhen, thahen në hije dhe me një goditje të lehtë veçojmë faren . Ky proçes që të kemi rezultate të mira bëhet në drekë. Një gram farë ka rreth 600 fara. Shtatë gram janë të mjaftueshme për të mbjellur një dynim. Realisht duke llogaritur dhe humbjet që pëson fara nga zogjtë, gjallësat e tokës, milingonat, rekomandohen 15 gram/dynim.
Kjo sasi fare, mbillët në farishtore në pesë m2 në muajin gusht deri në fillim e tetorit. Fidanet transplatohen kur formojnë 4-6 gjethe.
Shumëzimi me ndarje :
Një bimë çaji pas një përiudhe dy vjeçare jep shumë llastarë, me rënjë në bazë. Me kujdes bejmë ndarjen e tyre dhe e mbjellim .
Mbjellja :
Në dhjetëvjeçarin e fundit janë shtuar shumë kërkesat për çaj mali, prandaj lindi nëvoja e kultivimit të tij për të plotësuar këto kërkesa. Kultivimi përmirësoi situaten duke prodhuar dhe kultivarë të rinj. Me sukses është bërë kultivimi i çajit në fshatin Goranxi, në malin e Gjerë dhe në Pustec të Korçes.
Dy janë përiudhat me të favorshëm për mbjellje : Tetor- Nëntor dhe Shkurt- Mars. Për kushtet klimatike të vendit tonë, përiudha me e mirë është vjeshta. Mbjellja bëhet në rreshta, 50-60 cm rreshti nga rreshti dhe 40-50 cm bima nga bima. Pas mbjelljes i vadisim për të pasur rezultate të mira. Me vonë vaditja dhe plehërimët nuk bëhen, që të mos prishim cilësinë e çajit.
Mbas vitit të dytë të mbjelljes deri tek viti i pestë, prodhimi rritet dhe është i mire, pas vitit të pestë prodhimi bie. Pas vitit të shtatë dhe të tetë nuk rekomandohet të trajtohet, nuk ka leverdi ekonomike të menaxhohet çaji i kultivuar.
Grumbullimi:
Ka vite qe grumbullimi nuk disiplinohet, nuk kontrollohet. Kjo u është lënë në dorë individëve dhe subjektëve që nuk zbatojnë asnjë standart, për rrjedhojë e kanë dëmtuar dhe shkatërruar rendë. Çaji aktualisht është përfshirë në Librin e Kuq, si specie shumë e rrezikuar.
Grumbullimi bëhet në muajin korrik ku lulet kanë lulëzuar plotësisht. Me mjete të mprehta pritet gjithë lulësa dhe një pjesë deri 5cm poshtë saj. Nuk duhet të priten bimët që kanë lulëzuar me shumë seç duhet. Gjatë prerjes duhet të lihet 1/3 e bimës pa u korrur, që të sigurohet vazhdimësia. Grumbullimi ne të njejtin vend duhet lejuar vetëm pas dy vjetësh. Në vendet ku bima është e rrallë nuk duhet lëjuar grumbullimi.
Kjo masë vegjetative thahet në hije, në vende të ruajtura mirë , qe të ruajnë ngjyren jeshile në të verdhë. Mund t’i përgatisim dhe në tufa, duke lidhur 25- 30 kërcenj të vegjel. Këto varën në një mjedis të thatë me kokë poshtë. Tharrja në diell bën që çaji të mari një ngjyrë të shpëlarë dhe humbet vlerat e tij.
Historia dhe traditat :
Në Greqi, në Egjypt, Perandorinë Romake..njihet që nga lashtësia. Ai citohet për vlerat e tij, për efektet kurative nga Theofrasti ( 372-287 p.k) , nga Dioskuridi ( 10 P.e.s ), nga Plinio Plaku, Galinu. ..etj.
P. Genadio shkruante, se emrin Sideritis ja dha Dioskurides, për vetitë që kishte bima e çajit për të sheruar plagët e shkaktuara nga hekuri(shpata, shigjeta). Nga studjuesit më të rinj, përiudha e Hipokratit, ky mit ra dhe emërtimi Sideritis lidhet me faktin që bima është e pasur me hekur dhe bakër.
Sot, pas gati 3000 vite që u zbulua dhe u njohen vlerat, mbetet mbreti i bimëve mjekësore. Pa kafeinë dhe taninë, ai historikisht ishte miku ynë me i mirë, për të gjitha brezat, për qetësi dhe relaks, për stabilizimin e ankthit në ritmet e jetës.
Përdorimët:
Elementet aktivë përfshijnë diterpenoidin, flavonoidin dhe vajrat esenciale të tij. Hulumtime të rëndësishme të bëra për sideritisin konfirmojnë përdorimin e tij popullor për të parandaluar ftohjet, gripin, dhe alergjitë. Vlerat dhe efektet kurative të tij e bëjnë nga bimët me të rendësishme të Mësdheut.
Shumica e këtyre hulumtimeve janë bërë në universitete në Holandë, në Shqipëri, Turqi, Maqedoni, Bullgari dhe Greqi, ku bima është autoktone.
Çaji i Malit ka efektet e favorshme në organët e sipërme të frymëmarrjes, që e bën këtë çaj gjërësisht të përdorueshëm nga shqiptarët, si një pije e përdorur veçanërisht në mot të ftohtë, për rritjen e imunitetit.
Çaji i malit ndihmon tretjen, forcimin e sistemit imunitar, trajton të ftohtin e zakonshëm, gripin dhe viruset e tjera, alergjitë dhe astmën, kongjestionet e sinozitit, si qetësues nervash, madje edhe dhimbjet dhe ankthet e lehta. Shoqërohet me biskota të llojëve të ndryshme, me kek, torta etj. Doza e ekstratëve ndihmon në zgjerimin e enëve të gjakut dhe uljen e presionit ndaj zëmres.
Provat moderne kanë treguar, se çaji ndihmon në parandalimin e osteoporozës, ndërsa vetitë e tij anti-oxidante ndihmojnë në parandalimin e kancerit. Çaji me elementet përbërëse që ka do të jetë baza e krijimit të ushqimëve kundër osteoporozës. Pas mbi shtatë vitesh studime dhe eksprimentime, shkencëtari 38 vjeçar gjerman Jens Pahnt, zbuloi se çaji mbron trurin nga dëmtimët dhe lufton sëmundjen e Alzhamerit. Sideritis është i njohur shkencërisht të jetë anti-mikrobial, anti-inflamator, dhe anti-oxidant.
Vetitë e çajit gjëjnë përdorim dhe në industrinë e bukurisë, në prodhimin e kremrave kundër plakjes se qelizave, në prodhimin e shampove etj.
Shumë popullore në Shqipëri, kjo bimë është përdorur si një barishte, ose për përgatitjen e çajit ,ose për vetitë e saj aromatike në kuzhinat lokale.
Disa nga përdorimët:
• Rrit sistemin imunitar dhe lufton infeksionët.
• Ndihmon në parandalimin e sëmundjeve kanceroze.
• Lufton alergjitë dhe ndihmon në lehtësimin e simptomave të astmës.
• Largon aciditetin e stomakut dhe parandalon ulçerat.
• Zbut fytin, largon gëlbazën, qetëson dhimbjen e fytit dhe kollen.
• Lufton viruset, mikrobet, kërpudhat, mykun e grupit candida albicon.
• Lufton radikalet e lira dhe plakjen e qëlizave.
• Ndihmon tretjen dhe largon diarenë.
• Ndihmon në luftimin e simtomave të sklerozës.
• Qetëson sistemin nervor dhe lufton stresin.
• Ndihmon gratë shtatzëna në largimin e të vjellave dhe përzierjes.
• Lufton aneminë(prezenca e Fe).
• Lufton krijimin e gurëve në veshka, krijimin e kataraktit ne sy.
Përgatitja e çajit :
Përgatitja e çajit bëhet në këtë mënyrë: Pasi pastrohet, hidhet në ujë të valuar. Mbulohet me kapak dhe si të marrë valë hiqet duke e lënë të mbuluar me kapak, që të mos i dalë aroma deri në momentin e servirjes. Kur serviret mund t’i hidhet mjaltë dhe limon dhe jo sheqer.
Pirja e çajit është një nga traditat me të përhapura në vendin tonë. Ai përdorët si caj, si ilaç, por në çdo shtëpi është e pamundur që të mos shijosh bukën e thekur me djath dhe çaj mali të nxehtë.
Të huajt, në vendin e tyre nuk i njohin mirë vlerat, por kur vijnë në vendin tonë, ata mbetën të mahnitur nga kura qe i bëhet shpirtit dhe trupit me çaj të ngrohtë mali. Aroma dhe cilësitë e tij të përfshijnë në një magji të vërtetë, të ngjall nostalgji, ndjesi dhe emocione.
Çaji i malit nuk duhet të mungojë asnjë ditë nga shtëpia dhe jeta e jonë. Ai duhet të serviret dhe në ditet e nxehta dhe në ditet e ftohta. Në servirjen e tij nuk ka kufi, se nuk ka taninë. Para çajit jeshil që vjen nga Kina, Azia, India, çaji i malit qëndron shumë lart. Çaji jeshil është plot kafeinë, taninë, mund ta cilesojmë një bimë e vogël toksike.
Përgatitja e çajit të malit nga bima e freskët kërkon përdorimin e luleve, kërcenjve dhe gjetheve të plota të të gjithë bimës. Llogariten dy degëza mesatare për një gotë deri 100 ml. Ju i hidhni ato në ujë të nxehtë , duke mundësuar zierjen e lëngut për 5 deri në 10 minuta. Ena mbahet e mbuluar me kapak që të mos largohet aroma. Shija e këtij çaji është e mirë, por nëse përdorni lulet, do të ndjeni edhe aromën e tyre. Këtij çaji mund t’i shtoni mjaltë, qumësht ose limon sipas dëshirës.
Peter Furth, një ekspert amerikan i bimëve mjekësore shpjegon, se çaji ynë është tipar dallues , tradicional i Shqipërisë. Kjo, falë mikro-klimës së vendit që i jep çajit, një cilësi unike , superiore në krahasim me vendet e tjera..
Peter Furth shkruan, se në Amerikën e Veriut, çaji shqiptar i malit është më i kërkuari nga të gjithë çajrat e bimëve të tjera të varietetit Sideritis.
Literatura që u konsultuam :
Mustafa Demiri “Flora ekskursioniste e Shqipërisë” botim 1983.
Kolë Paparisto “Flora e Shqipërisë” Botim i Akademisë se
Shkencave viti 1988.(Grup autoresh)
“FLORA “ Enciklopedia Shqiptare, Greke, Italiane.
No comments:
Post a Comment