1. Ndërzimi artificial.
( Thuajse të gjithë burrat e kësaj historie më vonë rranë në burg, tekniku i ndërzimit ndoshta jo .)
2. Triori.
(Triori i vogël i sopiqotit, ishte ndoshta puna e fundit e bërë privatisht në vitet e socializmit .)
3. Patatet kineze.
(Natyrisht ngjyra e patateve nuk kishte asnjë lidhje me baletin kinez " Detashmenti i kuq i grave ".
nga: Petro MEJDI
Athinë, Greqi
Ndërzimi artificial
Ndoshta do ta kisha haruar atë ditë të fëminisë së largët në Skore, po të mos ndodhnin ato që ndodhën. E mbaj mënd shumë mirë. Duhet të ishte gusht. Vajta pas babait në Halikarja, mbi fshat, aty ku merr e përpjeta e shpateve që të çojnë në Nëmërçkë. Në fillim ndënja vetëm. Hodha nja dy gurrë mbi një arrë dhe duke i goditur i hapa nja 3 - 4 që rranë në tokë. Lëngu i lëkurës së gjelbërt të karidhjave, kaçkave ( siç u thonë andej nga anët e Përmetit) më pikluan bluzën.
Ndaj dhe i lashë të tjerat. Iu afrova tendës së mbuluar me fier (vrahlla). Të gjithë ata burra ishin të njohur, veç njerit, që me sa duket duhet të ishte specialisti gjirokastrit i asaj që po shikonin sytë e mi me shumë habi. Më tërhoqën vëmëndjen ca epruveta, ca hinka, ca si pjesa e fundit e një shiringe, një tub llastiku, deshë të mëdhenj, me brirë të frikshëm, të cilët turfullonin dhe kishin marrë pozicion sulmi, gati - gati si atëhere kur ndeshen midis tyre dhe bëhen terë gjak e brirë të thyer, dele që blegërinin nga frika, ndoshta mendonin se do t' i therrnin. Por jo! Ai veprim ishte shumë i shkurtër dhe ato, pasi shpëtonin nga ajo mengene duarsh, dilnin nga tenda e hapur gati duke vallzuar. Ndoshta gëzimi nga fekondimi, ndoshta nga që shpëtuan nga thika, ndoshta, ndoshta se do të bëheshin përsëri nëna.
E dhe këto mund t'i haroja, po të mos qe ai fjalor ( Në klasën e katërt kisha ngrenë dru vënçe nga Jermanoi për një fjalë të tillë, të cilën, burra të mëdhenj e thoshnin pa të keq). Dhe jo vetëm kaq, por ngacmomin njeri- tjetrin me aq fjalë ( të ndaluara), na thoshnin në shkollë, (vomolloga, atahta llojia ), për të cilat Jermanoi na porosiste se nuk duhet t'i përdorim), dhe qeshnin, disa nga e qeshura me gjithë shpirt, që të mos binin, mbështeteshin në murin prej purtekash dhe veshur me fier.
Më aktivi ishte T.D. Në fakt i thoshte me lezet dhe kur i thoshte qeshte bashkë me të tjerët që i dëgjonin, bile, ata, përgatisnin fytyrën për të qeshur që më parë, se e dinin fjalorin e T- së, ndërsa disa i thoshnin duke shkrirë së qeshuri:
- Na se pari o dhjavollos ore T , poso orea ta les!( Të marrtë dreqi or T, sa bukur i thua !)Por T. nuk e vazhdonte më historinë kur i vëllai, pasi kishte qeshur dhe ai pak i rezervuar, e shikonte me fytyrë të ngrysur dhe T. heshtëte.
- Stamatiste, akui qe o mikros( Ndaloni se na dëgjon dhe i vogli .)"
"O mikros " isha unë, me pantallona të shkurtra e me tiranda të kryqëzuara, me fytyrën e kuquremtë në të zeshkët nga dielli dhe kokën e qethur, me sandale, të cilat i kishte bërë cangari ( këpucari ) i fshatit, Nasho Bei, i karfoste rrypat me tel në anë të shuallit dhe kur anët e telit ngriheshin, më gërvishnin ta matia podharion, çoket e këmbëve, të cilat, thuajse gjatë gjithë beharit e deri vonë në vjeshtë i kisha të gërvishura dhe me gjak, vizatoheshin në atë mënyrë çoket, sa që të krijohej përshtypja se ndonjë infermier më kishte bërë ndonjë vaksinë. Në kohën e fëminisë time vaksinat bëheshin me një age, duke të gërvishur .
- Dhen kseri aftos ti leme emis, ( Nuk di ai seç themi ne ) iu hodh T, më aktivi në romuze, alla tha ta mathi otan erthi i ora.
( Do i mësojë kur t'i vijë koha ). Atëhere u binda se ata vërtet po bënin shkaka të turpëshme .Isha i vogël për të kuptuar tërësisht, pse ata burra të martuar, baballarë të shokëve të mi, qeshnin aq shumë me historitë dhe ngacmimet që i bënin njeri - tjetrit dhe fjalët e T- së. Dhe i gjithë muhabeti gazmor frymëzohej nga ajo që bënte tekniku me delet dhe deshët e racës.
Ata heshtën për një çast dhe unë dola .Sa pa bërë disa hapa T filloi prapë, por këtë rradhë me sa duket ka ngacmuar xha Kitën, Kita Markon. E kuptova nga zëri dhe nga shprehja " me demek" , shprehje të cilën e thoshte vetëm ai në fshat, sa që midis nesh i thoshnim" o Demekos". Diçka të rreptë i thoshte T- së xha Kita, komshiu im. Kur isha brënda nuk merrte pjesë në bisedë dhe as qeshte. Ika tutje në arën e korrur e të shkelur nga bagëtia i shoqëruar nga e qeshura e poterëshme e thio Koçit, e Koço Poçit. E njoha atë të qeshur, vetem ai qeshte kështu. Tani që i kujtoj shumica e atyre burrave që qeshnin atë ditë aty në tendën me fier, në ditën kur ndërzeheshin delet, më vonë shkuan në burg. Dhe xha Stoli, ai që bënte djathin, dhe vëllai i T - së, dhe xha Kita, dhe thio Koço Poçi dhe Miçi Kondolloli. Dhe dy xhaxhallarët e mi, barinj dhe ata.Një shtet që trembej nga disa barinj , shumica analfabetë! Naryrisht, lista është më e gjatë. Ne përmëndëm ata që u ndodhën tek tenda atë ditën e ndërzimit artificial.
Nuk e mbaj mënd sa kohë zgjati kjo metodë ndërzimi. Më vonë sollën deshë race, u jepnin dhe qumësht të freskët Për mua është një nga kujtimet më të çuditëshme nga mosha e fëminisë. Nuk isha më shumë se 6 vjeç.
Triori
Ishim duke luajtur tek oborri i kishës, natyrisht, kriftokuti, (kukamshefthi) kur dëgjuam zërin e një shoku që na thërriste, ishte një e thirur pas një vrapimi dhe ai zë me gulçima në fillim na trëmbi.
Po na thërriste që nga muri i sallës së leximit. Ai nuk u fut në lojë, hidhte gurë mbi sheftelanë, kajsinë stambollite, të Flenxuros, e vetmja pemë e tillë në Skore, ndoshta në të gjithë Pogonin. Ajo ka vite që është tharë ,por na ka marrë shumë orë nga lojrat tona të asaj kohe. Shoku na thotë më zë të mekur:
- Ellate na dhite kati sto spiti tu Koço Paspali.(Ejani të shikoni një gjë tek shtëpia e Koço Paspalit.) Kujtuam se kishte zbuluar ndonjë furik pulash. Të tillë furiqe gjenim nëpër lofata, nëpër mullarë dhe në kasollet e kashtës, por nuk i tregonim, i pinim vezët, ose i këmbënim tek dyqani i fshatit me llokume sovjetike dhe biskota.
Lamë lojën dhe vrapuam për tek shtëpia e pa banuar e Paspalëve, e cila ishte nja 150 m nga kisha, por ne i ramë shkurt duke kaluar në ca ngushtica midis shtëpive.
Nga disa metra larg vinte një zhurmë, herë si tik- tak, herë si gërvishje. Kur u futem " në hollin " e shtëpisë së Paspalit( Po, ngjante me një holl. Ajo ishte një shtëpi e padjegur nga dy bombardimet në të dy Opeacionet e gjermanëve kundër partizanëve. Shtëpitë arhondika të Skoresë kishin një arkitekturë moderne, në krahasim me shtëpitë e thjeshta të fshatit Më e bukura ishte shtëpia e Shutit.)
Një burrë flokbardhë ishte ulur tek pezuli (në prak), dhe me njerën dorë rrotullonte një manivelë, dhe vetë ajo rrotullonte dy si kosha, si kusi të stërmëdha alumini, të gjëra, të rrumbullakta, të cilat në fillim na ngjanë me centrifugen, me të cilën, e dhe atë e lëviznin me dorë, nxirrnin mjaltin nga tellarot, nga hojet. Ato vinin të rrumbullakta, të fryra dhe kur pamë vrimat mbi sipërfaqen e tyre, na gjanë me një drimoni gjigand ( shoshë). Mbulesa e teneqenjtë ishte gjithë vrima dhe me një dalje për së brëndëshmi. Bënte një zhurmë nanuritëse që të ndillte gjumë. Poshtë atyre boshteve që rrotulloheshin, sopiqoti kishte vënë korita, brënda të cilave, gjatë rrotullimit binin me madhësi të paracaktuara nga teknologjia, ato mbusheshin me kashtëra, egjër(ερα , ιρα ), kokra të zeza si të thjerzës, ose të rumbullakta si të urovit, kokra, të cilat ngjanin me të grurit, por të vyshkura, dhe në njerën grumbullohej fara e pastër gjithë shëndet e grurit kokëmadh me vijën ndarëse e të dukëshme në mes. Dikush tha : " Ine o sporos ja tu hronu" ( Është fara për vitin tjetër). Ne, pasi morrëm guxim, vinim pëllëmbën mbi sipërfaqen me vrima dhe atëhere na dridhej gjithë trupi.
Sopiqoti na vështronte, rrotullonte manivelin dhe balli i mbushej me bulëza djerse. E la manivelin dhe pas disa rrotullimesh triori ndaloi. Ne kujtuam se do të na dëbonte,
- - Ella edho esi vllahe, fenese o megaliteros ( Dhe vërtet kisha hedhur shtat herët), ja pare to heruli qe ferto jiro.( Pa eja këtu ti, merre dorezën dhe rrotulloje ) U çudita si më njohu.
Me sa duket, më kishte parë në Sopik, kur kam shkuar ndonjëherë me kinemanë lëvizëse me babain, i cili, e merrte kinemanë të ngarkuar mbi mushka nga Poliçani në Skore dhe të nesërmen e çonte në Sopik. Pas disa dështimeve për të gjetur ritmin dhe kohën e lëvizjes së manivelit, ai, triori, filloi të rrotullohet.
- Tha fate katharo katharjo, dhen tha methisete apo tin era, na thoshte sopiqoti.( Do hani bukë të pastërt gruri, nuk do të deheni nga egjëra.)
Këto që tha më kujtoi një shtëpi në fshat, ku disa pjesëtarë kishin ngrenë bukë me egjër dhe rrinin shtrirë, se u merreshin mëndtë.
Nuk e mbaj mënd mirë vitin, por, triorin sopiqoti më duket se e kishte privat. Duke rilexuar " Historinë e P.P të Shqipërisë" mësova se qeveria kishte lënë të paktën deri në 63 -në disa profesione dhe zanate që të ushtroheshin privatisht. I tillë, privat ka qënë dyqani i Jani Rexhos në fshat, me sa duket dhe triori i tillë do të ishte.
Ja pra nga viti në vit në Pogon po ngjitej " industria". Në fillim traktorët, makinat e SMT- së, kinemaja, koriera e famëshme, më vonë dunavat (makinat shitëse që i vinte në punë një rryp transmisioni i cili lidhej me një zetor) dhe, më vonë motokorset e vogla, të cilat mbushën fshatin me spango, dhe në fund kombajnat "Fochstrit ". Të gjitha këto për ne ishin si një përrallë.
Nuk e pamë më në fshat as triorin, as sopiqotin. Me sa duket ndonjë vendim tjetër i qeverisë i kishte ndaluar. Pastaj erdhi korenti, në fillim nga centrali i fshatit, aty nga 1966. Pastaj erdhën triorët e mëdhenj të UMB- së së Durrësit. Por ai triori i vogël, të cilin e prekëm me dorë dhe e rrotulluam me manivelin e tij dhe ne djemtë e fshatit, nuk e haroj kurrë.
Triorat që prodhonte UMB Durrës |
Patatet kineze
(Kishin një ngjyrë të kuqe të zbehtë, të trëndafiltë në të verdhë, me nuanca drejt së kuqes, një ngjyrë e papërcaktuar, si vetë maocedunideja, nuk kishin asnjë lidhje ideologjike me baletet kineze "Lindja është e kuqe " dhe "Detashmenti i kuq i grave")
Si të rritur në fshat kishim parë dhe kishim ngrënë patate, dhe në gjellën me mish, por dhe të pjekura, kur i mbulonim me prush e hi në buhar (vatër). Ishim në pushim të mësimit, kur nga rruga që të sjell nga Poliçani, hynë në fshat shumë mushka të ngarkuara me kasona, arka. Kaluan në krah të shtëpisë së Badove, një shtëpi dhe ajo nga arhondikat, kaluan përpara rradhës së disa ndërtesave rradhë dhe të ulta, njeri ishte dyqani, το μαγαζί, i cili ndrronte emër sipas shitësve, në supkoshiencën time ka mbetur, kur na thoshnin:
- Pijene stin Cija tu Bei na paris zahari ( Shko tek Cija Bei të blesh sheqer), dhe tek mani i kuq, i cili nuk është më, por përsëritet shpesh në biseda si toponim dhe mbahet mënd për kurorën dhe manat e kuqe, morrën të përpjetën për tek depoja e kooperativës. I mbaj mënd kështu, se ne, kureshtarë siç ishim, lamë lojën dhe vrapuam për të parë.
Që larg ndrisnin ca shirita alumini që i mbanin të mbyllura arkat, deri atëhere ato i kishim parë të ngarkuara nëpër thasë, shkëlqenin kur mbi to binin rrezet e diellit. Kujtuam se kishte ardhur ndonjë kurbetlli për fare, ose do të ishin arka me fishekë. Ndoshta për në postën e Sopikut. Kërshërinë na e zgjidhi dikush që tha:
- Ine patates apo tin Kina tu Mao Ce Dun. Ine koqines.( Janë patate nga Kina.Janë të kuqe) Fjala e fundit na bëri më shumë kureshtarë.
Pak amballazhimi, pak largësia, që nga Kina vinin ato, dhe më shumë ngjyra, bënë që të shkonim t'i shikonim në vend. Karvani i mushkave u shkarkua tek shtëpia e Paspalit tjetër, e Nasho Paspalit, i cili si u arratis me gjithë familjen, ishte vendosur në Amerikë, pra shtëpi e braktisur si disa në fshat, të cilat i administronte kooperativa. Erdhi dhe një herë në mes të dimrit me dëborë, mori dy fëmijët dhe gruan dhe iku.
I pamë arkat nga afër. Zverdhonin dhe zbardhnin dërrasat, dy nuanca druri, dhe ndrisnin shiritat e zingatos( ndoshta i tillë ishte ai metal). Kur u hapën arkat, cipa mbështjelëse do të na zbulonte ngyrën e vërtetë, kur dikush preu në copa një patate të madhe. E bëri prerjen në atë formë, që në çdo copë të kishte të paktën një të thelluar, që duhet të ishte sythi, i cili me të takuar lagështinë e tokës së punuar e plehëruar krijonte formën e sythit. Ai e dinte se si duhej, ishte agronomi. Dhe vërtet zhardhoku i patateve ishte i kuq, në ngjyrën e një panxhari të vogël. Disa thoshnin se nuk hahen, disa thoshnin se janë me ilaçe. Ndoshta i thoshnin këto që të mos vidheshin. Megjithatë, pas hezitimeve të para, ato dhe i poqëm dhe gjellë i bëmë në fshat. U mbollën nëpër arat e brigadave të Skoresë, por u panë dhe në kopshtet private. Ristelat e gjera të dërasave i shikoje nëpër katoje, qilare, ose të ngulura për të zënë ndonjë të çarë në dyshemetë e shtëpive, dhe ata shiritat e ndritshëm, i pamë në gardhet dhe ovorotë e druve.
Kishte tani dhe fshati ynë diçka kineze. Sjellja e tyre shoqërohej dhe me propagandën për Kinën motër të Mao Ce Dunit. Nuk e mbaj mënd se si shkoi rendimenti i tyre. Si na iku dhe kurioziteti për ngyrën e tyre, si u mësuam dhe me shijen e tyre pak të veçantë, si u lodhëm së drejtuari dhe luajtur me shiritat e hollë të metaltë që ndrinin, i haruam fare. Më vonë haruam dhe vetë Kinën e madhe të Maos, kur na thanë se nuk e kishim më, as motër, as aleaten e madhe.
No comments:
Post a Comment