Monday, 6 March 2023

ÇELJA E MËSONJËTORES SË PARË SHQIPE NË KORÇË

nga: Koço MOSKO

Boston, MA - SHBA

Hapja e shkollës shqipe në Korçë është një vepër monumentale e përpjekjeve titanike nga të gjithë Rilindësit. Pas pesë shekujsh në errësirën otomane, po jo vetëm kaq, se dhe romakët e ndalonin shkrimin shqip, Kombi shqiptar merr frymë, jeton, u ngrit sërish në këmbë, nga errësira doli në dritë. Shqiptarët sfiduan shekujt dhe nga thellësia e tyre nxorën gjuhën shqipe, xhevahirin më të shtrenjtë, armën e mbijetesës së tyre. Bazën teorike - pedagogjike të shkollës e përpunuan Naimi, Samiu, Jani Vretoja, etj, me tekstet e librave, që hartuan ata vetë. Edhe Pandeliu ka dhënë ndihmesën e tij në hartimin e teksteve shkollorë. 

 

Kjo shkollë do të ishte kombëtare e laike, shkollë për të gjithë shqiptarët: myslimanë e të krishterë, të varfër apo të pasur, fshatarë e qytetarë, vajza e djem, së toku. Kjo ngjarje do të përbënte një eveniment të shënuar për të gjithë shqiptarët. Lajmi për hapjen e saj në Korçë mori dhenë, patriotët shqiptarë, të gëzuar, me letra lajmëronin  njëri-tjetrin, kudo ku ndodheshin e jetonin, në të katër anët e botës. Patrioti Efthim Marko do të shkruante: “Mësojmë se shkolla u çel, se pema që u mboll dy vjet përpara, sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla”. 


Së toku, myslimanë e të krishterë, në ditën e parë të shkollës, çfarë gëzim i papërshkruar për nxënësit, prindërit e qytetarët e tjerë korçarë, të cilët morën pjesë në këtë ditë të shënuar gëzimi e krenarie për gjithë shqiptarët. Ndërtesa ku u çel Mësonjëtorja u fal nga vëllazëria Terpo. Pandeliu, së bashku me vëllanë e tij, Koçon, sollën ato ditë në Korçë 150 abetaret e para, të cilat iu dhanë falas nxënësve.

 

Ditën e parë të shkollës ishin 35 nxënës, deri në fund të vitit të parë u bënë 60. Ilo M. Qafëzezi e përshkruan kështu atë ditë: “Nxënësit e parë ishin nga shtresa të ulëta, çirakë dyqanesh, zanatçinj, kallajxhinj, nxënës gunëbardhë me shishanet në supe, nxënës me dolloma, me veshje prej shajaku, me opinga me xhufka, të etur për të mësuar gjuhën amtare. Nga ana tjetër Pandeliu me atë buzëqeshjen qe e karakterizonte atë ditë, në fjalimin e shkurtër frymëzues, që mbajti tha: Ju e keni më të lehtë nga nxënësit e shkollave të tjera se ju do mësoni gjuhën që flisni në shtëpitë tuaja45. 

 

Në ditën e parë të shkollës, kur ra zilja në orën 8.00, mësues e prindër në oborrin e shkollës ishin të betuar për të mbrojtur fëmijët, sepse armiqtë e shqipes ishin zotuar të mos lejonin të fillonte mësimi e të hapej shkolla. Pandeli Sotiri, Koço Sotiri, Risto Vodica, ishin të gjithë të armatosur, por çdo gjë shkoi mirë e bukur  atë ditë. Vëllai i Pandeli Sotirit, Koço Sotiri, ishte jo vetëm mësues i shkollës, por dhe badigardi i vëllait të tij dhe Mësonjtores. Ai e shoqëroi një vit vëllanë, se situata në Korçë nuk ishte e mirë, ishte e komplikuar, prandaj u vonua një vit edhe hapja e shkollës në Pogradec. Shumë vite më vonë, në vitin 1908, në Kongresin e Manastirit, Çerçiz Topulli shoqëronte vëllanë e tij, Bajo Topullin në këtë kongres. Eh, sa kohë të vështira për shqiptarët, sakrifica për të mësuar gjuhën e tyre. Por shqiptarët nuk u ndalën që nuk u ndalën ... 

 

Në dëshmitë e nxënësve të Mësonjëtores së Korçës, Pandeliun e kujtojnë si njeri të mirë, diturak, orator dhe erudit, që dinte shumë gjuhë të huaja. Ata mburreshin me mësuesin e tyre para shokëve të shkollave të tjera të Korçës. Pandeliu, për sharjet, presionet dhe kërcënimet që u bëheshin nxënësve të tij nga antishqiptarët, u shkonte në shtëpi dhe i qetësonte. I këshillonte të mos mërziteshin dhe se kjo situatë do të kalonte shpejt. Polikseni Luarasi, ish-nxënësja e Pandeliut, kujton se ai vinte shpesh në shtëpinë e tyre: “Mua më deshte shumë e më përkëdhelte dhe më thoshte shpesh: Jemi nga një vend, nga Gjirokastra me vulë”. Ajo kujton dhe të vetmen vjershë, që ka lënë Pandeliu, se krijimtarinë tjetër, që mund të kishte, ia dogjën ose ia grisën, kur shkuan xhandarët turq për kontroll ose për ta arrestuar në shtëpinë e tij në Stamboll. Polikseni kujton se si Pandeliu na tregonte shumë vjersha të tij. Të dielat, në një sallë mblidhte fëmijët dhe u mësonte vjersha e këngë shqip, ftonte dhe prindërit t’i dëgjonin kur recitonin e këndonin fëmijët e tyre. Sytë e tyre mbusheshin me lot gëzimi. Një nga këto vjersha është edhe kjo: 


Vëllezër shqipëtarë. 
Lidhuni me dashuri, 
Erdhi koha e mësimit. 
Të fitojmë dituri. 


Mos mënoni, mos mënoni 
Punën tuaj mos harroni

Epni sot me dorë plot

Në mos mbjellçi, s’korrni dot. 


Pandeliu dhe shkolla shqip, që ai drejtonte, shpejt e fitoi besimin dhe admirimin e gjithë qytetarëve korçarë. Mësonjëtorja u bë një çerdhe atdhetarizmi dhe model i mirë për shkollat e tjera. Kjo ishte e gjitha meritë e drejtorit të saj, Pandeli Sotirit. Ai ishte njohës i mirë i mendimit filozofik, letrar, shkencor e pedagogjik francez46. Fëmijët korçarë filluan të largohen nga shkollat turke e greke dhe të frekuentojnë Mësonjëtoren shqip. Duhet theksuar këtu se Pandeliu, me shkollën e tij, po u merte nxënësit shkollave të tjera greke e turke. Në fund të vitit të dytë Mësonjëtoren e ndiqnin 200 nxënës, por vitin tjetër mund të bëheshin edhe 400. Ndaj, drejtuesit e këtyre shkollave, të shqetësuar, po luftonin, me intriga e presione, si dhe të ndërhynin tek autoriteteve vendase e turke dhe klerit ortodoks, që kjo shkollë, me drejtor Pandeli Sotirin, të mbyllej, sepse përbente rrezik që këto shkolla të mbylleshin. ...


Nga dita e parë e Shkollës së Pare Shqipe në Pogradec, hapur nga Koto Sotiri,
vëllai i Mësuesit Popullit Pandeli Sotiri më 14 Mars  1887. ( pikturë nga A. Kostandini)


Shkëputur nga libri "Udhëtim në Shpirtin Lunxhiot"  Tiranë 2022

 

4 comments:

  1. Pandeli Sotiri qe anëtar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare të krijuar në Stamboll më 1877 dhe degëzimin e tij Shoqërinë e të shtypurit shkronja shqip. Pandeli Sotiri ne Korik të vitit 1881 shkoi në Bukuresht, organizoi një mbledhje të atdhetarëve shqiptarë dhe krijuan Shoqërinë “Deg’ e Shoqërisë së Stambollit”.

    ReplyDelete
  2. Frida Lici Guga
    Hap i madh drejt dijes dhe ruajtjes se gjuhes.Ne kushte armiqesore me mesues te vendosur .
    Përgëzime për shkrimin !

    ReplyDelete
  3. Zija Basha
    Te lumte ajo dore e ano pene qe shkrove keto radhe me fjale e fjali te zgjedhuta me shpirtin tend atdhetar per keta martire e fatosa te kombit,qe me guxim e sakrifice hapen per shqiptaret e shqiptarkat porten e madhe te ndriteshme te arsimit shqiptar!Gezuar e per shume vjet gezuar,Koco Mosko Selcka!

    ReplyDelete
  4. Gligor Zeridhi
    Celja e Mesonjetores se pare Shqipe ne Korce ishte nje drite e dijes per te mesuar shaiptaret
    gjuhen e Atedheut te tyre te dashur ne kushte te veshtira ne ate kohe !!

    ReplyDelete