Monday, 30 January 2023

BANON NË BOSTON POR ZEMRA I RREF NË LUNXHËRI


nga: Illo FOTO

Studjues,  NJU JORK 

Illo FOTO
Këtë përsiatje ja kam kushtuar librit të  lunxhiotit Koço V.  Mosko  nga Selcka e  Lunxhësisë, që mban titullin:  “Udhëtim në shpirtin Lunxhiot”. Përpara se të   shtjelloj problemet, që trajton ky libër  me vlera gjithpërfshirëse,  le të ndalem, pse e   dëshiroj ta quaj shkencëtar, Agronomin e mbrojtejes se bimëve, Koço V. Mosko. Ky agronom   i shquar shqiptar, realisht  nuk  mban ndonjë titull  dhe mbititull shkencor, të  akredituar nga organet  përkatese shkencore, por  Ai ka kryer një punë shkencore   të mirfilltë, gjat gjithe  jetes aktive si  agronom i mbrojtjes  së bimeve të rrethit  Gjirokastër. 

     Duke shkruar këtë fakt, mu kujtua  një shprehje  e Dr. Myslim Selenicës, ish drejtor  qëndror në Ministri të bujqësisë. Pas disa  dekadash pune, në prag të pensionit, e  dërgojnë në ish fermën e Lushnjës. Në një  kuvëndim  zyrtar, dikush e pyeti  Doktorin:  Këtu  tek ne ka  shumë dr. profesorë juve pretendoni, për titullin profesor. Ata profesor – doktorë, u përgjigj hazerxhevap Myslimi, janë profesorë  me dekret, unë jam profesor me të vërtetë. Me një përvojë të gjatë të punës drejtuse  dhe shkencore, Dr. Selenica , ka lene pas një sirtar plotë me  libra  me vlere universale. Akreditimi i titujve shkencorë, meriton  respektin e gjithkujt, por vepra shkencore  kryejne  edhe specialistë  pa tituj . 

 

       Specialiteti i  mbrojtja e bimëve  është  një specialitet i  hollë i agronomisë,  është një punë, që nga volumi, matet me të gjithë shkencën agronomike, të marrë  në tërësi. Duhet të ketë informacion të freskët  e të saktë për  makro dhe mikrokozmosin.  Koço, për 17 vjet, ka punuar inspektor i mbrojtjes së bimeve, në rrethin e Gjirokastrës. Rrethi, që ka  operuar  Koço, është shquar në vend, për bujqësi e  bimësi të shëndetëshme  dhe për masa racionale, të parandalimit të sëmundjeve bimore si dhe luftimin e tyre, me preparate miqësore për gjallesat e shumta te tjera... 


Qysh heret, Koço ka qenë mik i  bibliotekave dhe i auditoreve  profesionalë.  Ka kryer disa  specializime jashtë e brenda vendit dhe ka shkruar që me fllimet e punës së tij në shtypin lokal  dhe  qendror. Është anëtar i Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë. Me këtë libër, që  kemi në dorë, shquhet dhe si historian  amator.  Ka krijuar portalin, me firmën e vet,  “Bota Bujqësore “, që grumbullon rreth vetes  shumë specialistë të   profesoineve bujqësore dhe më gjerë.  Njef me detaje të gjitha fshatrat e  Gjirokastrës. Po më shumë  e njohin bujqit  gjirokastritë  dhe të gjithë vendit, nëpërmjet botimeve teknike, që  sjell portali i tij.  Është studjus i mirfilltë, në fushën bujqësore, historike,  etno-kulturore, siç  e ka plotësuar veten, në librin, që botoi këto  kohët e fundit  dhe që e kemi në  analizë, në këtë  përsiatje modeste. 

 

          Vetë specializimi i hollë, për mbrojtjen e bimeve, nuk të  le asnjë çast të ndahesh nga librat  dhe studimet shkencore.  Praktika  na bind, se të merresh me shërimin e bimeve, kërkon dije shkencore, që lidhin jetën me shkencetarin. Me që jemi në këtë  argument, do  ta  illustroj me një  shembull. Ne vitet  e  pas luftës, në shtetin e madh të  Meksikës, prodhimi i  drithrave, po ulesh, nga viti në vit, derisa  shteti, u ndodh në pragun një kolapsi, të zisë kombëtare së  bukës.  Specialistat vendas, nuk po gjenin  mjetin  e duhur të luftonin  këto sëmundje në drithra.   Kjo situatë sensibilizoi agronomin  e mbrojtjes së bimëve, nga Dallasi i SHBA-ve, Norman Borlaug. Ky shkencëtar me ekipin e tij, ju përkushtua këtij problemi  dhe  shkoi  në Meksikë, ku ngriti kabinetin  e tij të punës. Në  bashkëpunim  me vendasit, studjoi problemin dhe pas një pune shumë të lodhëshme   dhe thellësisht  shkencore, krijuan varitete  të reja, me prodhimtari të lartë dhe që u rezistonin ndryshqeve, etj. Për pak vjet  gjendja u permbys. Prodhimi i drithit  i tejkaloi arritjet e parpara krizës. U eliminua  zija e bukës. Norman, u vlerësua me çmimin Nobel dhe  Meksika  e shpalli hero kombëtar. Norman, është  quajtur  babai i Revolucionit të Gjelbërt. 

 

        Problemi i ndryshkut të të lashtave, rendimenti ulët  i drithrave ka qenë  shumë dëmprurës  edhe në Shqipri në vitet 50-70 të shekullit kaluar. Me hyrjen e variteteteve  të reja e rezistente u reflektua, në rritjen e prodhimit të drithrave, prodhimi u rrit   tre-kater- herë e më shumë. Ne ate kohë shteti jonë mendonte të prodhonte bukë edhe ne guri., por ky është tjetër problem. Në shtetin  monist e të mbyllur në krye të punëve per rritjen e prodhimit të drithrave në atë kohë u vune specjalistat pasionantë të Shqipërisë si: Prof Mentor Permeti, A, Xhomo, etj.  Pjesë e kësaj plejade është  edhe autori i  librit, që kemi në dorë. 

 

        Me Koçon, jemi bashkëkrahinas, jemi njohur  në mesin e viteve  80-të të shekullit të kaluar, kur  Koçua operonte në rrethin e Gjirokastrës, për mbrojtjen e bimëve. Ish shefi i bujqesisë, i ndjeri, Rustem Dobi, ma prezantoi Koçon, si specialistin e Seksionit të  Bujqësisëte.   Njohjen e drejtperdrejtë dhe familjare, e patëm në Amerikë.  E ndjek  në shkrimet  e tij të  goditura, në organet e  shtypit  të shkruar dhe atë elektronik. Ndjek rregullisht  portalin e  tij “Bota Bujqesore “, portal me kulturë teknike dhe  gazetarie. 

 

      Koço është produktiv në  publicistikë dhe  portali i drejtuar prej tij, renditet midis të larmishmëve  dhe cilësorët, që botohen në  Diasporë, jo vetëm, për  bujqësinë, por  për të gjitha problemet. Portali i Koços, ka vlera referance. Koço nuk shkruan duke ecur, por  u qëndron shkrimeve përmbys. Të gjitha shkrimet  i kalon në dorën e vet. Në atë portal nuk ka llafollogji, por vetëm shkrime cilësore  të ç’do  profili të dijes dhe të praktikës. Perpara  se të  niste botimin e këtij portali, në  zonën NY-Boston funksionuan dy portale te tjerë, ku Koço ishte  aktivi më cilësor i shkrimeve. Me pak fjalë, pasioni, për të shkruar dhe për të  vëzhguar   jetën njerëzore  ka vijuar  të ushtrohet me  vëmendje të shtuar, në këto dy dekadat, që Koço është  pjestar i  Diasporës. 

 

       Si bashkëkrahinas, i përkasim dy  fshatrave  ekstreme të  Lunxherisë.  Fshati im, ndodhet në skajin  verior të krahinës. Unë i kam shkelur fshatrat, deri në Krinë.   Nuk kam   kaluar në  Laboven e Kryqit, Suhë- Stegopul, as në Selckë, që  ndodhet në skajin  jugor të krahinës  tonë. Një gjë është  e përbashkët, për të tëra fshatrat  e kësaj krahine. Kanë  ndërtuar  jetesën, mbi bazën e  ekonomive të vogla fshatare, në toka skeletike  kombinuar me blegtori  bravare, kopshtari dhe pak pemtari  në kushtet  e mungesës të  tokave të  gjëra bujqësore. Këto kushte i kanë  detyruar lunxhiotët  të emigrojnë  dhe të krijojnë  një simbjozë funksionale, midis   jetës bujqësore dhe asaj kurbetore. Në vitet e luftës  dhe  në Diktaturë  u prenë rrugët e kurbetit. Ishin vitet më të vështira të jetesës.  Mbas viteve  90 të shekullit të kaluar kjo simbjozë është  përmiresuar ndjeshëm, por  po bëhet shkak i shpopullimit,  një problem emergjent  aktual. 

 

         Banorët e Lunxhërisë, për  mënyrën  e vështirë  të jetesës, për kushtet klimatiko-tokësore dallohen, për ndjenja  humanitare, tolerancë fetare dhe  inteligjencë natyrore. Në ç’do fshat gjen   pleq, të pa shkolluar, por njohin me hollësi, zanatet fshatre. Njohin tokat, blegtorinë, bimët.  Kanë njohuri nga historia, nga  situata në vend  dhe më gjerë. Këto veti të  këtyre zonave, na i ka sjellë shumë të fresketa, libri i Koço Moskos, që jemi duke analizuar. 

 

      Unë, si lunxhot, i kam lexuar po thuaj të tëra  librat, që janë shkruar, për krahinën tonë, që është nga më  të emancipuarat në Shqipëri, qoftë nga e kaluara dhe në kohët e reja. Libri i Koços, për Lunxhërinë, është  më i plotë  dhe i argumentuar  shkencërisht. Këto janë  njëra anë e analizës, tjetra  është se Koçua   ka arsimim të përshtatshëm, për analizat ekonomike. Mbi të gjitha, Kocua i ka dhenë shpirtin Lunxhërisë, atë pjesë të shpirtit, që nuk arriti tja jepti lunxhioti i shquar, Jorgo Bllaci. 

 

         Ajo, që dua të nënvizoj është fakti, që Koço Mosko, e ka  analizuar dhe  e ka parashtruar, me aftësi profesionale, historinë  krahinës tonë. Unë  e kam ditur  përciptazi dhe me shumë pasaktësi  historinë   e krahinës, ku kam lindur  dhe kam kaluar pjesën më të rëndësishme të jetës. Libri i Koços, më bëri të  qarta shumë momente historike  dhe  figura lunxhiotësh  të shquar, që nuk i kam ditur, si  kanë punuar, për gjuhën dhe lirinë dhe sa janë vleresuar. 

 

         Midis burimeve historike, që përmban libri në analizë është dhe  emri i  Koço Mosko-Stegupollotit.  E kujtoj me respekt emrin e tija të ndritur. Më ka dhënë  letërsi në shkollën unike. Sado ngjashmëri, që kane letersia me historinë,  nuk janë  e njëjta gjë.  Nuk mund të  pranoi historia fantazitë, që  letërsia  i ka pjesë përbërëse të ndodhive, që shtjellon. 

 

Historia  e Lunxhërisë, që na paraqet autori, Koço V. Mosko  është  e bashkërenduar   me veprimtarinë  e vëllëzerve frashëri. Këtë veprimtari kaq intensive atdhetare, libri na  i përshkruan me penelata  të  natyrshme dhe me saktësi  shkencore historike.   Ndihesh mirë kur  e lexon edhe si  Lunxhot  edhe si shqiptar. Per ta ndriçuar këtë fakt  historik, po shkëput një citat nga libri : “ Komiteti, i cili u themelua në 12 Tetor 1879, kishte 28 antarë, nga të cilët  5 ishin nga  Lunxhëria. Më von ky Komitet mori emrin  Shoqëria  e të shtypurit të shkronjave shqipe “       ( Libri f 21 ).

 

      Kur  lexon këtë fakt   historik  shume   domethenës, lexusi  bën një përllogaritje të thjeshtë, nga ku rezulton afërsisht: Në 3% të popullsisë së Lunxherisë, në komitet u zgjodhen  20 % e antarëve. Janë këto  fakte historike  dhe të tjera të ngjashme, që e rendisin   Lunxherinë, në një krahinë  atdhetare me   emancipim të lartë europjan. 

 

         Autori përmend një fakt , që ka ndodhur  në  dekadën 1870. Hoxha  shqiptar, Myftar Kallarati, duke sjellë libra shqip nga Stambolli, u sëmur dhe vdiq në Selckë. Banorët e varrosën  me nderimet  e meritura. Varri i hoxhës ruhej nga fshatarët, për 150 vjet. Vendi  u emërtua  dhe ashtu flitet edhe sot, “Varri i Hoxhës “.  Eshtrat  e këtij  hoxhe i morrën bashkëfshatarët  e vet, në vitin  2007. Këndohet dhe një kengë, për këtë event, që përfundon me  vargjet: Të percollëm si babanë / Për ty tri kambana ranë. / 

 

       Populli ynë, që falet në 4 besime fetare,  ka qenë dhe mbetet  me tolerance  fetare të lindur.  Kjo edukatë  e bën  mjedisin  shqiptar  paqësor dhe  arsimdashës.. Deri von, nuk e kam ditur se Kallarati është fshat  dhe mbiemër në Vlorë. Nga fshati Kallarat ishte hoxha, qe vdiqi, në Selckë. 

    

   Eshtë shumë sinjifikativ një kritikë, që autori i lIbrit, i drejton  Akademise së Shkencave, autore e botimit të  “Fjalorit  enciklopedik shqiptar “. Në këtë  fjalor, që  veçohet  si  më korrekti   i  librave të një shteti , shkruhet  e zeza mbi të bardhë: Pandeli Sotiri është  nxenës i Koto Hoxhit, në  Gjimnazin e Qestoratit. Kjo shkollë u hap, në 1874, kur vëllezerit  Sotiri, patën mbaruar shkollat e larta në Vjenë dhe ishin kthyer në Stamboll. Pasaktesi të  këtij niveli nuk lejohen as në  librat  e anekdotave, sepse librat e femijëve, shquhen, për saktësi. 

 

       Autori, na ka dhënë  një tabllo të gjerë, të shprehur lakonikisht dhe saktësisht të  figurave   që kryen “Lidhjen e Prizendit “, hartuan  alfabete  dhe u therorizuan, për gjuhën. Krahas   frashellinjve, u përkushtuan  vëllezrit  selicote, Pandeli dhe  Koço Sotiri. Ishte periudhë  historike e rëndë  dhe shumë  e ngarkuar me punë atdhetare, nga më intensivet, që njef historia e Kombit. Gjuha  shqipe u ndalua. Shkollat në gjuhët e huaja  lulëzonin në Shqipëri. Të dhënat  e  shprehura në libër, nga  autori, janë të plota dhe gjithpërfshirëse. Njohja  e këtyre vështiresive të mbinatyrshme do të kushtonte, jo vetëm shumë  faqe libri, por dhe mund të  shpëtonte ndonjë  pasaktesi  historike. Për ta lehtësuar librin dhe vetë lexusin, autori i  referohet shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, i cili   e ka përshkruar situtën, për  formimin e shtetit  dhe  martirizimin e gjuhës, si vijon:

 

“ Nuk ka pasur  asnjë  gjuhë  tjetër në botë marteririzimin, prej pesë shekuj, që ka pasur  gjuha jonë.  Në 1887, Shqiperia kishte tremijë shkolla, prej të cilave njëmijë   e dyqind  ishin shkolla turke. Po kaq kishte edhe shkolla private  greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe  vllehe. Shkolla shqipe ishte  vetem një, me drejtor, Pandeli Sotirin. Lejohej të mësohej ç’do gjuhë, me përjashtim  të  gjuhës  shqipe. Pandeli Sotiri vritet . Shkolla shqipe mbyllet . Kjo është  e verteta, që ende nuk është shpalosur  përpara popullit shqiptar.”( F 8) Ismaili  sqaron se këto të dhëna i ka marrë nga studjusi  francez Serge Metais, botuar ne 2006. Nuk e kemi  hasur, në ndonjë shkrim tjetër, këtë tragjedi, që ështe luajtur mbi gjuhën shqipe. 

 

         Në këto kushte  martirët e  gjuhës, u përballën me një   diskretitim  që nuk e ka njohur bota. Megjithëse në këto kushte    të rënda, herojtë   e   gjuhës, u martirizuan dhe  mundën, që të  krijojnë alfabetin  pa hieroglife,  të ngrenë shkolla, në gjuhën  amtare, të botojnë revista, të nivelit europjan. Këtë revistë bashkëkohore numurin e parë të saj redaktoi dijetari lunxhot, Petro Poga, ndërsa në vazhdim 11 numra të tjerë i redaktoi Pandeli Sotiri.  Shkollën e parë  shqipe e krijoi, në Korçë dhe e drejtoi, selicjoti Pandeli  Sotiri. Shkollën e dytë shqip, e krijoi, në Pogradec, vëllai i tij Koço Sotori.  Dijetarët, që vunë në jetë  mesimet e Lidhjes se Prizrendit, krijuan klimën  e duhur, për të  ngritur shtetin e pavarur, pas  500 vjet robëri. 

 

       Kjo eshte periudha   e  Rilindjes  Shqipëtrare, qe u arrit me shumë gjak e sakrifica nga shqiptarët e shquar, një pjesë të rendësishme të tyre  i përshkruan  autori i librit.  Gjat shtjellimit të librit, janë  kritikuar  pasaktësitë, që nuk janë pak. Përmendim këtu vdekja e P. Sotirit, ishte përshkruar jo saktësisht. 

 

        Po thuaj se gjysma e dytë e librit, i kushtohet specifikave bujqësore të  krahinës, veçmas të  Selkës, vendlindjes të  atdhetarëve të shquar Pandeli & Koço Sotiri. Nuk mund të thuhet me siguri, cila është pjesa më  e rëndësishme  e këtij libri; pjesa historike, apo ajo bujqesore. Të dyja pjesët plotësojnë  natyralisht  njëra tjetrën dhe janë punuar me merak. 

Autori Koço Mosko( Selcka ) është racional, në kufijtë  e përpikshmënisë. Të dy pjesëve nuk mund tu heqesh as ç’ke ç’u shton, për t’u bërë të besushme. Janë të zhvilluara besnikërisht, sipas karakteristikave  etnokulturore të kalendarit, kur kanë ndodhur. Autori është origjinal, në përshkrimet  e objekteve dhe ngjarjeve. Libri është një  kontribut  me vlera historike dhe gjuhësore, aq dhe  bujqësore. 

 

          Le t’i  drejtohemi një përshhkrimi, atij të “Grykës së  Selckës “.  Ai është përhkrim, kaq i saktë dhe origjinal, që e kam ndjerë veten  se udhëtoja  brenda gufave të shpellave shekullore. Eshtë vështirë të gjesh  një  çift tjetër përshkrimi, në atë nivel. Me i saktë do të ishte ai përshkrim, po që se Gryka e Selkës, do të merrte formën e njeriut të gjallë  dhe të na fliste, për florën dhe faunën  e atyre shpellave, që nuk kanë vetëm  vlera turistike, por  kanë vlera thelleisht shkencore, kur kemi parasysh, që ka një  shkencë  të pavaruur, që e ka emrin spelologji. Në këto vende mund të kultivohen  myshqe dhe  alga të dobishme, në një të arthme shumë të largët.  Kjo shkencë studjon shpellat, dunat, shkretetirat. Kohët e fundit, kjo shkencë, po vlerësohet, me një të arthme  optimiste, sepse sipërfaqja  tokësore bujqësore, për njeri shënon  një ulje nga viti në vit. 

 

        Të kesh fatin të udhëtosh në Grykën e Selckës, në  brigjet  e burimeve të Labovës,  në shpatet e gurrës së Hosit, në Skotini, nuk është  thjesht kuriozitet  dhe lodhje fizike, por është  përfitim i mendimit të thellë se natyra  vijon të jetë  e kursyer, në  resueset e saj  të dobishme, për jetesën me kërkesa në rritje.  

 

     Autori Mosko  ka ditur, ku na ka shëtitur, ne lexusve  të tij.  Na ka marrë me vete, brenda shpirtit  lunxhiot  dhe na ka  udhëhequr  an’e mbanë Lunxherisë  “ Plot lezete “ , pa na u penguar këmba asgjëkundi. Ndodh keshtu, se vete  autori, nuk flet nga kabineti i mbyllur, por qëndron në krye të  karvanit, drejt të njohurave  dhe të panjohurave të Lunxhesisë, që i mëkoi dashurinë dhe përkushtimin, për tokën amtare.

 

       Dy shkrimet , “Ne mulli “ dhe “Lëmenjtë  “, janë tregime të mirfillta letrare që tregojnë mënyrën  më racionale të  organizimit të jetës, nëpërmjet një bujqësie  specifikisht të lidhur me  mjedisin  ku mbizoteron puna  e krahut     Eshtë  bujqësia  racionale  e prones së vogël, që  ushqen pasionet e dashurisë  për pronën dhe natyrën dhe, në të njëjtën kohë  e vlereson prodhimin e drithit, baraz me jetën. Gjat leximit të këtyre tregimeve, ndihet britma migjenjane, për drithin.  Kjo bujqësi, është  duke falimentuar, sepse nuk i reziston ligjit të hekurt të kerkesë-ofertës. Bujqësia ka  hyrë në  erën e mekanizimit   dhe  drithi  blihet i bluar dhe i standartizuar nga industria.

 

      Këta  të dy  tregime, nuk do të mund të shkruhen më, veç do të lexohen. Vlera e tyre i është dorëzuar  nostalgjisë, për fshatin  dhe  për  bujqësinë bio, në mbështetje të turizmit. Brezat kanë nevojë  të  mësojnë   bujqësinë  pararendëse. Këta  tregime nuk e humbasin vlerën  historike dhe letrare.  Autori i ka  trajtuar  këto dy tema  me aftësi të spikatur  letrare. Të kësaj natyre   janë dhe shkrimet, që pasojnë, që nga “Plloska me vere”, deri te ” Kënga dhe mjeti mbrojtës ndaj hajduteve “, si dhe  dhe shkrime, që përmbahen në sythyn “ Gjaku i arbërit nuk bëhet ujë “. Perveç vlerës  së përmbajtes, tregojnë se autori  ka dhunti të spikatura  dhe   frymëzim, për tregime  publiçitare dhe letrare. Të tëra tregimet  e këtij sythi,  vërtetojnë  se Lunxhëria  e vjetër nostalgjike,  po ja le vendin  Lunxhërisë të  zhvillimit bujqësor të mekanizuar dhe turistik, duke trashëguar të tëra virtytet  e një të kaluare   me histori bujqësore e atdhetare. Autori midis rreshtave  na thotë: Tek tradicjonalja e gjejmë edhe modernen.  

 

       Libri na  paraqet  tabllonë  e  zhvillimit të   kopshtarisë, pemtarisë dhe te traditës  baritore Lunxhote. Do të veçoja  kujdesin e  bujkut  lonxhiot, për frutikulturën  dhe, veçanërisht   kulturën e  fikut. Në ç’do qytet të botës  do të ishe me fat, nëse  merrje një shportë  me  fiq lëkureshkruar  të  ç’do fshati të  Lunxherisë. Aq sa kam parë  unë, nuk ka  fiq si të Lunxherisë, as brenda as jashtë  Shqiperisë. Eshtë një tregus, që meriton  vëmendje, për ta zhvilluar ketë drufrutor, në përmasa sa më të gjera si sasi dhe si teknikë  të transportit me shporta, që ruajnë freskinë.

 

      Ne kushtet aktuale, industria e turizmit, mbetet një nga  alterrnativat që  sot ka marrë vlerësimin  me të  madh të mundeshëm, duke u krahasuar me industritë  e tjera, që shoqërojnë  ekonominë e shumicës së trevave  me det dhe me shume diell. I tillë është  vendi ynë dhe specifikisht  Lunxhëria, veçuar nga Antigoneja. Pse? Sepse  Antigoneja   është bërë pjesë e guidës së Republikës. Antigoneja  moderne(Lunxheria)   ndodhet ne shpatullat e malit  të Lunxhërisë dhe të Buretos. Aty jetojnë njerzit, që trasformojnë natyrën dhe me pasuri të larmishme shpirtérore.

 

Në liber do të njohin mitin e kryqit të Kishës së Shën Marisë  së Labovës, qe i ka dhënë mbiemrin fshatit  të famshëm, jo vetëm në  Shqipëri.  Mbasi te kemi mbaruar, këtë shëtitje  aerobike, njerzit, që na presinë, në  finish, do na pyesin: E njohët  Lunxhërinë e K. V. Moskos? Nuk mund të  pohoi njeri të kundertën. Konkluzioni është  një i vetëm: “Lunxhëria e sotme,  është  Antigonea moderrne!

 

       Libri na shtjellon bujqësine krejt specifike e tradicionale, për krahinën. Jemi mesuar të   lexojmë  bujqësi me  traktorë, triorë, magazina  pa fund, autokombajna.  Libri, që anlizojmë, ka sjellë në kujtesë bujqësinë tradicionale, që ishte   ndërtuar nga bujq me  përvojë jetesore  dhe kanunore shekuj me radhë, por  që prodhonte vetëm  ushqime bio. Eshtë bujqësi e shëndetëshme në aleancë totale me natyrën. 

 

      Askush nuk ka arsye të mjaftushme të jetë kundër bujqésisë moderne, të ndërtuar mbi baza  shkencore, por tradita krijon bazën  mbështetese. Autori na jep sinjale të bujqësisë bio, si pararendëse  e  kësaj bujqësie, që kemi sot dhe jo vetëm kaq, por të ruajmë  shumë tradita, që harmonizohen natyrshëm me  bujqësinë bio, për një siguri ushqimore të kontrolluar dhe  te shëndetëshme .  

 

         Ne librin e Koço Moskos, gjejme të  dhëna   agronomike  dhe    dekustative, për llojet  e ndryshme te maneve, me ngjyrë dhe pa ngjyrë. Pershkruhet në mënyrë të zgjeruar kopshtaria lunxhote,  llojet e dardheve dhe shartimet , lajthitë, thanët, caracat. Përshkruhen  karakteristikat  e imta te pemeve të veçanta të krahinës. Sejcila përban  materjal e resuese gjenetik shume te çmuara. 

 

    Për të na sigururuar, për orgjinalitein e   tregimit të  pemeve frutore tradicionale, autori  shprehet: “Une i shkrova  ashtu sic i kanë  kryer lunxhotet e mi" . Rëndësi të veçante  u japin prodhimeve, bio, që do të thotë se puna, për prodhimin e frutave  dhe perimeve, duhen mbështetur në praktikën tradicionale . “ ( F 139 ) 

 

      Të përshkruash një gamë kaq të gjerë të pemëve  gjysëm të egra, që rriten në Lunxhëri është një praktikë  agronoimike me qitje të largët. Këto pemë, japin prodhim të shëndetshem, krejt të garantuar. Kanë kërkesa minimale, për punë,  ushqim dhe investim. Janë një  bazë e shendoshë  gjenetike, për  bujqësinë  e të arthmes, që shkencëtarët, nuk dihet si do ta zhvillojnë. Mbi të gjitha, ato lloj pemësh i do  toka dhe klima, pa shpenzime, për punë dhe bazë materjale. 

        Fshatrat  lunxhote  jane shquar, për kultivimin  në kopshtari. Veçanërisht jane shquar: Karjani, Dhoksati,  Mingulli, Krina, Suha, Labova  etj. Tregu i “Baçese së  Teqesë"  zotërohej tradicionalisht, nga këta  prodhues perimesh dhe frutash . 

 

       Libri i Kostandin  V. Moskos  është punuar  me  përgjegjësi nga  autori. Kam gjetur vetem tre gabime  shtypshkrimi, që nuk ndryshojnë konteksin e  fjalisë.. Libri, për mendimin tim, duhet te  ribotohet, për ta patur në dorë  të tërë lunxhiotet, banojnë ose jo në Lunxhëri, perveç lexusve të tjerë, me të njejtat interesa. Kjo shpërndarje, kërkon punë  të organizuar, por nuk është  e pa mundur. Lunxhiotët, lipset ta kenë në shtëpi Lunxhërinë historike dhe  turistiko–bujqësore, që ka shkruar lunxhoti, shkencetari i bujqësisë, Koço Mosko. 

 

        Me ka lindur  mendimi se  ky libër duhet të kishte një syth, që të emërtohej: “Rrugët, për ripopullimin e  Lunxhërisë “. I propozoj autorit  të  shkruaj  një libër tjetër, me titullin që lartpërmenda. Natyrshëm ai liber do të jetë i cilësive, të librit, që analizuam. Lunxheria  e së arthmes. Brenda fjalës bujqësore  përmbahet dhe kuptimi blegtoral, për stane si të  Bogaraj  dhe te kohës së Timo Muçit, inteligjentit  Kostë  Karamani   dhe  labovitit, Sevo  Ciko.   Këto  stane, shtegëtonin deri në Bisejin prallor, ku simbas një studimi të BBC- së,   llojet  e bimeve në këto treva  arrijnë  deri në  50 mijë. Lunxhëria , mund ta zhvilloi pa sforcime edhe turizmin e staneve , shumë të kërkuar. 

 

 Illo Foto , Studjus ne NY – Janar  2023 

 

 


 

 

5 comments:

  1. Avdulla Kënaçi
    Librin e ri qe ka botuar miku im selciot, Koco Mosko e njoh kapitull per kapitull, rresht per rresht dhe jam duke pergatitur nje opinion timin rreth tij, mirepo patrioti Illo Foto, sikur te ishte djale i ri lunxhiot qe u qepet rripave e harcave, ma kaloi. Ai ka bere nje vleresim profesional, tradicional dhe teper dashamires. Shkrimi qe lexova, eshte bere me pasion dhe plot dashuri, i ka evidentuar gjithe vlerat e Kocos si njeri, si agronom dhe si atdhetar i zjarrte. Shume qarte prof Illua ve ne dukje korektimet rreth dy figurave te Rilindjes, Pandeli dhe Koto Sotiri. Zakonet, tradita lunxhiote, frazeologjite e lashta, kenget rituale dhe ato te dasmave vleresohen lart, ashtu edhe si pervoja ne perime dhe frutikulture, shoqeruar me bimet e vecanta te Lunxherise.

    ReplyDelete
  2. Liber me shume vlera njohese te jetes ne krahinen e Lunxherise. Me kujton vegjeline time ne Laboven e Zhapes. Koco eshte specialist i mirefillt i bujqesise , me aftesi te nje letrari me talent e historiani studjues.

    ReplyDelete
  3. Thoma Voda
    Respekte per Ilo Foton , njeriun e mire ,euridit e teper fisnik.Nje patriot i vecante e teper dashamires.

    ReplyDelete
  4. Spiro Xhavara
    Studimit analitik të pedagogut të shquar Illo Foto nuk ke ç'i heq apo shton asnjë fjalë. Respekte për të dy, autorin e këtij shkrimi dhe autorin e librit "Udhëtim në shpirtin lunxhiot"

    ReplyDelete
  5. Luan Shehu
    Respekte per Illon , megjithe peshen e viteve ,kurdohere eshte gjendur per te thene fjalen dhe vleresimet e vlefshme te tij. I uroj shendet e sa me shume aktiv te jete.

    ReplyDelete