Thursday, 12 January 2023

KOÇO MOSKO në librin e tij “UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT”

"Aq realisht është përshkruar kjo jetë e vështirë, sa autori, duke hyrë thellë deri në shpirtin e saj, të duket sikur Selckën, Lunxhërinë dhe Gjirokastrën e tij të dashur, i ka marrë me vete dhe jetojnë së bashku atje në Bostonin e largët, këtu e njëzetë vjet që ka emigruar atje".                                                                                                                                .

 nga:  Spiro XHAVARA

Athinë, GREQI


Koço Mosko, “amerikani” nga Selcka e Lunxhërisë, specialisti i bujqësisë dhe një intelektual mjaft i njohur në aktivitetin e tij në Gjirokastër e më gjerë, doli me librin e tij të parë “Udhëtim në shpirtin lunxhiot”, të cilin ia solli si dhuratë lexuesit në festat e fundvitit 2022. Libri bëri udhëtim të gjatë, që nga Amerika ku u konceptua, në Tiranë ku u shtyp, në Gjirokastër ku u përqafua me personazhet e tij të shumtë e, deri në Athinë ku më erdhi me porosinë dhe autografin personal të autorit, që e falënderoj përzemërsisht për këtë dhuratë kaq të veçantë e të bukur. 

 

Më tepër se një udhëtim për prezantimin dhe shpërndarjen e tij, ai është një udhëtim shpirtëror i autorit në kujtimet më të spikatura të jetës së tij dhe b/krahinasve të tij të Lunxhërisë, të Selckës së tij me zë të madh në historinë dhe kulturën tonë kombëtare. Aq bukur është përshkruar ky udhëtim, me aq vërtetësi e realizëm, sa jo vetëm të emocionon, por në tregime të veçanta edhe të përlot, duke të mbërthyer në rrjedha ngjarjesh e historish të njerëzve të thjeshtë, plot fate të trazuara, dhimbje e mall. Aq emocionalisht ringjallen në libër kujtimet e një jete, vërtetë të mbushur me punë e përkushtim për kryerjen sa më mirë të detyrave, por edhe aq të vështirë, për t’u përballur në mes një shoqërie tejskajshmërisht të politizuar, ku dhe me shokun më të ngushtë duhej të paraqiteshe i dyzuar dhe në mes të një shoqërie që përjetonte një varfëri të tejskajshme ekonomike. Aq realisht është përshkruar kjo jetë e vështirë, sa autori, duke hyrë thellë deri në shpirtin e saj, të duket sikur Selckën, Lunxhërinë dhe Gjirokastrën e tij të dashur, i ka marrë me vete dhe jetojnë së bashku atje në Bostonin e largët, këtu e njëzetë vjet që ka emigruar atje.

 

Lunxhëria është një thesar i paçmuar vlerash e kontributesh në historinë dhe kulturën tonë kombëtare. Lunxhiotë të shquar janë unikalë në luftën dhe përpjekjet e tyre për shqiptarizmën, shkollën dhe gjuhën shqipe, për ndërtimin e shtetit shqiptar, etj. Rilindasi Koto Hoxhi nga Qestorati u martirizua për përhapjen e abetareve shqip, për gjuhën shqipe dhe mëvetësinë e Shqipërisë. Petro Poga nga Erindi ishte ministri i parë i drejtësisë në qeverinë e Ismail Qemalit. Urani Rumbo nga Stegopuli ishte luftëtarja e pashëmbullt e emancipimit të gruas shqiptare, ajo me luftën e saj u shkrua në librin e artë të 100 grave të shquara të shekullit të 20-të.

 

Koço Mosko në librin e tij na sjell një studim të plotë të dy b/fshatarëve të tij të nderuar, vëllezërve Pandeli e Koto Sotiri, themeluesve të shkollës së parë dhe të dytë të gjuhës shqipe në Korçë e Pogradec. Është rast i veçantë në historinë jo vetëm të vendit tonë, që këta vëllezër, këta patriotë të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare, lanë mënjanë profesionet e tyre, Pandeliu mjek e Kotua jurist, për t’iu përkushtuar arsimimit të gjuhës shqipe. Pandeliu çeli shkollën e parë shqipe në Korçë, ndërsa Kotua të dytën në Pogradec, duke hapur kështu rrugën e mësimit të gjuhës shqipe, në kushtet kur si Perandoria Osmane, ashtu edhe reaksioni serb e grek, e luftonin këtë me çdo mjet e mënyrë e deri duke vrarë luftëtarët e parë të saj, si Papa Kristo Nedovanin, etj. Në këtë studim të mirëfilltë, K.Mosko përveç rivlerësimit imtësisht të fakteve e dokumenteve të kohës, lidhur me shkollat e para shqipe ngritur nga vëllezërit Sotiri, ngre zërin dhe vë theksin me forcë edhe në mjaft pasaktësi e opinione të gabuara shtjelluar rreth tyre. Këto janë objekt i historiografisë shqiptare dhe është e pafalshme për të të lihet në harresë një figurë e tillë emblematike e arsimit shqiptar, me vepra e kontribute të mëdha, si ajo e Koto Sotirit. Nëse për Pandeliun është bërë njëfarë vlerësimi, për vëllanë e tij, Koto Sotirin, që hapi jo vetëm shkollën e dytë shqipe në Pogradec, por edhe mjaft të tjera në Kolonjë e fshatrat e Korçës, nuk thuhet asgjë, nuk përmëndet asgjë nga lufta dhe përpjekjet e tij për shkollat dhe gjuhën shqipe, në kushtet e tmerrshme të obskurantizmit të kohës kur u hapën ato. 

 

Koto Sotiri dha gjithçka për arsimin shqip dhe e mbylli jetën e tij në varfëri të plotë, në një azil në Manastir, nuk gjendet varri i tij, nuk ka një bust të thjeshtë a një shenjë sado të vogël mirënjohjeje për jetën e tij martire dhe kontributin e tij të paçmuar. Autori i librit, duke e ngritur zërin me forcë për këto padrejtësi të theksuara historike, u bën njëkohësisht thirrje gjithë institucioneve, për të koregjuar të kaluarën dhe mangësitë e saj, duke rivlerësuar dhe ngritur në vendin që u takon figurave të tilla me kontribute të shquara kombëtare.

 

Koço Mosko sot drejton dy faqe të rëndësishme të internetit, Blog spotin Bota Bujqësore dhe Blog spotin Lunxhëria. Është meritë e tij përkushtimi i pandalshëm profesional në studimet për historiografinë dhe vlerat e rëndësishme jetësore të mjaft bimëve, si thana, dardha, lajthia, çerçemi, manat, meditimi brilant për trëndelinën, etj, të cilat jo vetëm nga mënyra e bukur e të përshkruarit të tyre, por edhe nga pikpamja e efikasitetit, janë mjaft interesante, mjaft tërheqëse.

 

Trajektorja e krijimtarisë së Koço Moskos nuk endet orbitave bosh dhe kozmosit pa gravitet. Ajo është një rrethrrotullim mbi vendlindjen e tij, tek vlerat dhe thesaret e saj, tek b/fshatarët dhe b/krahinasit e tij të thjeshtë, atje ku pikërisht ruhen këto vlera e thesare. Në një kulturë të lashtë, tradita e zakone që mbruhen thellë zemrave dhe shpirtit lunxhiot dhe që transmetohen mrekullisht brez pas brezi. 

 

Tregimet për basho Foton, Milton, monologu i kako Dhoqinës, që vjen në këtë libër aq bukur, origjinal e emocionant si qershia mbi tortë, përshkrimi i Grykës së Selckës dhe legjendat rreth saj, si dhe mjaft tregime e episode të tjera, të lënë mbresa të pashlyeshme dhe të çojnë atje, tek burimet që rrjedhin nga mali, tek sokakët e shtruar me gurë, tek pragjet e portave me qemer, tek shtëpitë dy-tre katshe ndërtuara me gurë të gdhendur e mbuluar po me dërrasa guri. Tek kisha e Shën e Premtes, tek Kroi monumental i Selckës, e ku jo tjetër, atje ku gëlonte një jetë e bukur dhe që duhet të rizjejë përsëri në ato vise.

 

“Udhëtim në shpirtin lunxhiot” është një libër me mjaft vlera, si një regjistër i plotë e i domosdoshëm i një kulture popullore masive, me tërë origjinalitetin dhe ndriçimin e saj, që imediatisht duhet të transmetohet në breza: Edhe nëpërmjet këtyre radhëve e falënderojmë autorin për këtë dhuratë kaq të bukur dhe e urojmë shumë përzemërsisht të na japë edhe të tjerë libra si ky, mjaft të domosdoshëm për lexuesin e sotëm.

******************************








SPIRO XHAVARA poet, shkrimtar, publiçist 

U lind në fshatin Qestorat të Lunxhërisë, Gjirokastër në maj 1952. Shkollën fillore dhe shtatë vjecare e kreu në vendlindje. Ndoqi shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” dhe të lartën Shkollën e Bashkuar të oficerëve në Tiranë në vitet 1966 - 1972. Punoi oficer nga viti 1972 deri në vitin 1993. Në vitin 1994 emigroi familjarisht në Athinë, Greqi. 

Është një figurë e njohur në emigracionin shqiptar në Greqi, është zgjedhur vazhdimisht në kryesinë e Federatës së shoqatave shqiptare e, sidomos në Shoqërinë Lunxhiote të Athinës, ku jo vetëm është bashkëkrijues i saj, por edhe e ka drejtuar atë për shumë vjet. 

Spiro Xhavara ka filluar të shkruajë qysh në rininë e tij, ku krijimin e parë e ka botuar në vitin 1969 . Ka botuar librat: 

1.     Toka ime – poezi, 1993 

2.     Në shkretëtirën e dashurisë – poemë, 1999 

3.     Loti i shpresës – poezi, 2000 

4.     Trëndelinë Lunxhërie – poemë, 2004 

5.     E besova Eseninin – lirika, 2004 

6.     Udhë dhe monopate – rrëfime, 2007 

7.     Qoshku i rrëzuar – poema, 2007 

8.     Katarakti i puthjeve – tregime, 2012 

9.     Do you speak shqip? – tregime satirike, 2008 

10. Shkolla jopublike për publikun – komedi, 2013 

11. Shërbimi funeral special – komedi, 2006 

12. Balada e murgeshës – poemë, 2014 

13. Spiro Dhiamandi, një lunxhot i nderuar -monografi, 2014 

14. Guxim Mukli dhe futbolli beratas, - monografi, 2015 

15. Një jetë plot ndjenja e frymëzime Maestro Thoma Papa – monografi, 2016 

16. Elegjia e kritikës – esse, 2018 

17. Dora, Dora ... – poemë, 2017 

18. Vazhdoj të jem i blertë – monografi, 2016 

19. Br14K nga Melesini në Shpirag – monografi, 2019 

20. Violina e poetit – poezi, 2020 

 

Spirua ka një publiçistikë mjaft të gjerë, ka botuar qindra artikuj të ndryshëm, reportazhe, skica, portrete, tema shoqërore, etj në organet e shtypit të kohës, si para ’90-tës, edhe pas saj në shtypin shqiptar të emigracionit dhe gazetat e ndryshme në Atdhe. Ka redaktuar e përgatitur për botim mbi 90 libra të autorëve të tjerë dhe ka në proçes përfundimtar krijimi shtatë libra, mes të cilëve ata për vlerat dhe kulturën e Lunxhërisë “Mrekullia e jugut – Lunxhëria, Rrëza” dhe “Trokitje në portat lunxhiote – portrete”

 

 Jeton familjarisht me dy djemtë e tij në Athinë, Greqi.

 

 

No comments:

Post a Comment