SPROVË NË KRIJIMTARI LETRARE
Prof. Ass. ENVER ISUFI
Në fermën agroturistike "Mrizi i Zanave" |
Prof. Ass. Enver ISUFI |
Prof. Ass. Enver Isufin kam rreth 50 vjet që e kam njohur, qysh në bankat e auditorëve në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Madje kemi qenë edhe shokë dhome në konvikt. E mbaj mend si një njeri serioz, këmbëngulës, i dalluar në studime dhe shumë i dashur e bashkëpunes me shokët. Në përfundim të studimeve unë mora rrugën për në qytetin tim, Gjirokstër, ndërsa ai në qytetin e tij, Kavajë, për të vazhduar më tej në Durrës në Institutin e Mbrojtjes së Bimëve, duke ju përkushtuar tërësisht aktivitetit shkencor në bujqësi.
Lindi më 17 shkurt të vitit 1952 në fshatin Lështej-Çollakë, Kavajë. Shkollën fillore e kreu në vendlidje, ndërsa atë 8-vjeçare në qytetin e Kavajës. Në vitin 1971 diplomohet si agronom i mesëm nga shkolla e mesme bujqësore Golem, Kavajë. Ndoqi studimet e larta dhe në vitin 1975 diplomohet si agronom i lartë në Universitetin Bujqësor të Tiranës në specialitetin e Mbrojtjes së Bimëve.
Gjat viteve 1976-1978 ka punuar si agronom i mbrojtjes se bimëve në ish kooperativën bujqësore Kryevidh, Kavajë. U dallua për një punë të mirë, racionale e shkencore në drejtim të organizimit të punëve në mbrojtjen e bimëve, sidomos në përdorimin e kontrolluar të pesticideve. Kjo ra ne sy të ish drejtuesave të këtij shërbimi të asaj kohe dhe e emëruan në Institutin e Mbrojtjes së Bimëve, Durrës, për ta përhapur këtë pervojë në të gjithë Shqipërinë.
Në Institut, gjatë viteve 1979-2001 organizoi shërbimin e prognozë-sinjalizimit duke e shtrirë në rreth 80 përqind të vendit. Në këtë nismë kishte mbeshtetjen dhe bashkepunimimin e drejtorit të insitiutit Prof. dr. Andon Papingji, drejtorit të Mbrojtjes Bimëve në Ministrinë e Bujqesisë Doc. Gjergj Hajnaj, si dhe të Doc. Avdulla Kapidanit nga Universiteti Bujqësor. Metodat e mbrojtjes së bimëve që vuri në zbatim Enveri ishin nga më të përparuarat, sepse kursenin pesticidet që kishin nje kosto të lartë në valutë, ishin efektive për luftimin e objekteve dëmtuese të bimeve dhe rrjedhimisht rezultonin edhe me efektivitet ekonomik, ndaj u përkrahën dhe u zbatuan gjerësisht nga të gjitha ekonomitë bujqësore. U zbatua si një hallkë e luftës së integruar ndaj objekteve dëmtuese të bimëve bujqësore (sëmundjet, dëmtuesit dhe barishtet e këqija), zbatuar për herë të parë në Shqipëri. Për këtë organizoi simpoziume dhe hartoi një sërë broshurash, metodikash e udhëzues fushorë bashkëkohorë për prognozën, shkallët e infeksioneve të disa semundjeve dhe demtuesve të rëndësishëm të bimëve. Për problemet e mbrojtjes së bimëve ka botuar në të gjitha formatet si: artikuj, broshura, revista, libra, vidio profesjonale, transmetime televizive, etj. Gjithashtu ka edhe rreth 15 libra të profilit bujqësor
Në vitin 1997, Enveri me një grup specialistësh nga Ministria e Bujqësisë, Universiteti Bujqësor dhe nga disa Institute të tjera të vendit, krijuan ‘’Shoqatën e Bujqësisë Organike’’, si pioniere e bujqësise biologjike në Shqipëri. Kjo shoqatë, në vitin 2005 formoi “Bioadria” me qendër në Tiranë, hartoi një projekt i cili mbështetej nga Qeveria zvicerane, dhe si partner shkencor ishte Instituti i Bujqësisë Biologjike në Zvicër (FIBL). Gjatë kësaj periudhe Enveri ngriti fermat e para biologjike në Shqipëri si dhe filloi çertifikimin e fermave organike dhe filloi eksportimin e vajit të ullirit bio. Në këto vite ështe bërë edhe anëtar i Shoqatës së kërkuesëve të Bujqësisë Biologjike, me qendër në Gjermani dhe Zvicër.
Në Maj të vitit 2009 stafi i shoqatës “Bioadria” u kthye në Institut i Bujqësisë Biologjike (IBB). Ky Institut u vendos në ndërtesën e Institutit të Mbrojtjes së Bimëve, Shkozet, Durrës, ku vazhdon edhe sot. Instituti ka si objekt pune kërkimet për bujqësinë biologjike në Shqipëri, trajnime dhe asistencë teknike, zbatim projektesh, si dhe botime në fushën e bujqësisë biolgjike. Ka ndihmuar në zbatimin në nivel ferme të standartit të prodhimeve bujqësore biologjike. Për disa vite ai drejtoi edhe një revistë periodike me titull ”Bujqësia Biologjike”.
Prof. Ass. Enver Isufi vazhdon punën për ngritjen e fermave biologjike në zonën e Zadrimës, që përfshin rrethet Lezhë dhe nën Shkodër. Janë gjithësejt 20 ferma, gjysmat e të cilave janë çertifikuar si ferma bio në kalim.
Ka kryer një sërë specializimesh në institucionet shkencore agronomike më të specializuara të Europës.
· Ne vitet 1990 specjalizim për mbrojtjen e integruar të bimeve 13 muaj në disa institute gjermane, Myni, Mainz, Freiburg, Drezden
· Studime 2,5 muaj në Gjermani në Institutin e Mbrojtjes së Integruar në Vreshtari (Freiburg dhe në Mosel) fituar me konkurs nga Akademia gjermane(DAAD)
· Studime 2 mujore për Mbrojtjen e Integruar të Bimëve në Ullishtari, Firence, Itali.
· Studime 2,5 muaj në Institutin e Mbrojtjes së Integruar të Bimëve në Pemëtari në qytetin Heidelberg ( zona Dosenheim).
· Studime e specjalizime të ndryshme të shkurtra ka kryer ne Hollandë, Spanjë, etj.
· Pjesmarrës në shume koferenca e kongrese ndërkombetare në fushën e mbrojtjes së bimëve dhe bujqësisë biologjike.
Në vitin 2001 gradohet Profesor i Asociuar në specialitetin e Patologjisë Bimore.
Zotëron gjuhën gjermane dhe angleze.
Krijimtari artistike – letrare
Qysh në vitet e shkollës së lartë Enveri kishte prirje për letërsi. Ai shkruante vjersha të shkurtëra, shpesh satirike që përcillnin një mendim të thellë filozofik. M’i lexonte disa herë, duke përfshirë edhe rregullimet e herëpashereshme që u bënte atyre. Unë e inkurajoja se më pelqenin në të vërtetë dhe e porositja vazhdimisht që t’i ruante se do të vinte një ditë që do të botoheshin. Dhe kjo ditë erdhi. Ai botoi jo një, por tri vëllime me vjersha me titullin “Thellësia e thjeshtësisë”, që kanë lënë gjurmë e pëlqehen edhe nga rrethet letrare. Enveri për këto vjersha thotë:
“Duke ndenjur me shokët, sa herë diskutohej për probleme të ndryshme, unë gati çdo gjë e ilustroja me vjershat e mia. Mund të them gati pa përjashtim të gjithë më kanë këshilluar që t’i hedh në letër këto dhe t’i botoj një ditë. Nuk isha i bindur, por kur të gjithë më këshillonin, pse thashë me vete, të mos i botoj. Thashë me vete “Amatorët janë trima, profesionistët janë frikacakë”. Boll jam frikacak si agronom, ku kam frikë të gaboj, në vjersha edhe më falet. Kështu vendosa t’i botoj këto vjersha.”
Në vjershat e Enverit zbulohet shpirti human dhe rebel ndaj padrëjtësive të jetës. Ka një zemër të madhe ku kostumi i një agronomi qoftë dhe i një punonjësi shkencor i rri ngushtë. Ja si shpërthen në një nga vjershat e tij:
“Kur jam në një mbledhje
Ose në takime të ngjashme
Dhe nuk më pëlqen
Çfarë thuhet dhe si thuhet;
Përgjithësisht më shkruhet.
Janë këto çaste me mërzira
Që shpesh kam skicuar ide të mira
Kështu qenka njeriu
Po nuk përjetoka momente të vështira
Nuk realizon dot punë të mira”
Ndonse edhe unë rrallë shkruaj skica apo ndonjëherë vjersha, nuk ndjehem i aftë për të bërë një studim për vjershat e tij. Për këtë arsye po paraqes me shkurtime në vijim disa mbresa nga poetë, gazetarë, botues e miq të tij:
Demir Gjergji (poet,Tiranë):
Vargjet e tij (Enver Isufit) të befasojnë me thjeshtësinë e tyre. Dhe, pikërisht, në plazmën e kësaj thjeshtësie gjallojnë mençuria, praktika njerëzore, përvoja e njeriut të shkencës. Përmes kësaj thjeshtësie ndizet një dashuri e madhe për njeriun, dashuri e cila mund të kthehej në hipokrizi, nëse nuk do të mbështetej në adhurimin për natyrën, në nderimin për çdo gjë që gjallon në këtë univers: Rasti i këtij vëllimi poetik, është ndër ato raste unikë, ku poeti nuk ka lindur, por është “formatuar” gjatë jetës dhe përvojës së studiuesit të pasionuar gjithë fantazi e intuitë…..
Jorgo Papingji (poet, Tiranë):
Sot rrallë lexon vjersha të tilla që i kupton, i shijon dhe ke dëshirë t’i rilexosh. Më pëlqen filozofia që përçon çdo vjershë. Këto vjersha nuk kanë nevojë për përkthyes, sepse sot shumica e autorëve nuk i kuptojnë as vetë vjershat që shkruajnë. Ti Enver Isufi ke shkruar një libër për të tjerët dhe jo për vehten.
Vazhdo të shkruash me këtë stil se unë e shikoj që ju e shisni shumë mirë idenë duke përdorur rimën.
Myzejen Konduri (poete, Durrës):
Muajt e fundit më ka rënë në dorë një libër me vjersha të Prof. Ass. E.Isufi. Fillimisht librin vendosa ta lexoj sepse autorin e njihja shumë vite më parë kur ai shkruante në gazetën e dikurshme ADRIATIKU prognozën mujore për sëmundjet e bimëvë. Si specialist, agronom me kontakte të vazhdueshme, me mendje e kisha ndjekur shpesh. Edhe si botues i librave e revistave shkencore e dija, por libri me vjersha më befasoi. Opinioni në hyrje të librit, dhënë nga poeti Demir Gjergji i cili fliste me superlativa për vlerat e librit ishte një tjetër shtysë që librin e lexova deri në fund. Ky libër me vetëm 100 faqe me 86 vjersha lexohet me një frymë dhe ke dëshirë t’i rikthehesh e t’i rikthehesh për ta lexuar. Çfarë e bën kaq të lexueshëm këtë libër me vjersha? Pikërisht thjeshtësia dhe thellësia e mendimit dhe domethënies së fjalëve. Disa nga këto fjala të librit po i botoj për lexuesit në Gazetën “Durrësi Bulevard”
Veli Hoxha (gazetar,Tiranë):
Librin tuaj me vjersha “Thellësitë e Thjeshtësisë” (autor Enver Isufi) e kam lexuar dhe rilexuar edhe si redaktor. Sa herë e lexoj, kënaqem. Thjesht një libër i veçantë.
Fuat Memeli (gazatar, Boston, SHBA):
Vjershat tuaja janë si guida të vogla, me plot shprehje popullore që do të mbahen mend dhe do të përseriten gojë më gojë, pa ja ditur se cili ka qenë autori i parë i tyre. Kishte të drejtë zonja Myzejen Konduri (poete nga Durrësi) që botoi në gazetën e Durrësit shtatëdhjetë shprehje të zgjedhura nga libri juaj.
Fiqiri Shahinllari (gazetar, Washingon DC, SHBA)
Prej vitesh të jam lutur që t’i botosh ato vjersha që m’i recitoje mua. Më kënaqe që i hodhe në një libër. Kam nostalgji kur i lexoj se disa prej tyre m’ke lexuar 20 vite më parë. Vazhdo e shkruaj i dashur Veri, të paça!
Ulliri
Të ishim jetëgjatë si ulliri
Paqësorë si ulliri
Modestë si ulliri
Rezistentë si ulliri
Mjedisorë si ulliri
Prodhues si ulliri
Kurues si ulliri ...
Po nuk patët afër
Një kishë ose xhami
Shkoni e faluni
Tek një ulli
Do ndjeni të njëjtën qetësi!
Dekoratat
Kur personave të pameritur
U jepen Dekorata,
Eshtë e njëjtë sikur
Të vadisësh një bimë
Me gjethe të thata.
Gruri
Bota është ndërtuar në shekuj
Me tulla e gurë
Por në shekuj është ushqyer me grurë
Me kohë edhe materialet e ndërtimit kanë ndryshuar
Por ushqimi me grurë gjithmonë ka vazhduar
Nëse bota do kishte një flamur
Pa tjetër që në logo nuk do të mungonte
një kalli me grurë.
Këshilla e tim ati
Zgjidhe shokun
Kurrë mos rri me shokë të këqij
I keqi është si qymyri
Po s’të dogji do të nxijë
I keqi po të ra për pjesë
Këshilloje, të mos veprojë si më parë
Po nuk ndërroi rrugë
Thuaji “Rrugë të mbarë”
Shejtani
Shejtanin s’ka pse ta mallkojmë natë e ditë,
Shejtanin e solli Zoti midis nesh që ta kemi opozitë.
Tufëzimi Bagëtive
Në sistemin e kooperativizmit të detyruar
U bënë punë të mira por u bënë dhe shumë marrëzira.
Kulmi marrëzisë ishte tufëzimi I bagëtisë
Tufëzimi bagëtisë për ata që nuk e dinë
Dhe e kanë vështirë pér ta kuptuar
Ishte marrézia që çdo lope e pulë duhej tufëzuar
Të gjitha kafshët familjare të krahinës
Futeshin të gjitha në dy tre stalla
Dhe kjo çoij që si mbretëresha e gjellëve
Të shpallej dhalla
Kjo sot duket sip ér të qeshur dhe për tu tallë
Por ishte e vërtetë që gjella e pare quhej “dhallë”
U gjet një argument I “hollë”
Tufëzimi na duhet
“Sepse nab ënë shtëpitë pis
dhe lane fëmijët pa shkollë”.
Po fëmijët në këtë kaos
Mbetën pa një lugë kos
Argumenti më I mire
Ndoshta ishte xhelozia
Që kafshët shtëpijake në atë kohë
Ishin diçka më të lira se vetë njerëzia.
Italiani Xhuzepe
Me italianin Xhuzepe
Shpesh pimë kafe
dhe një gotë raki
Eshtë një italian
Nga ata të mbarët
Por ka një zakon që i shan keq shqiptarë:
Ata janë dembela, ca dhe kriminela.
Shumë të tjerë vjedhin,
Ne na thonë se italianët janë mafiozë,
Për këtë edhe ne na e hedhin,
Gjithmonë gënjejnë dhe duan ta dredhin.
Një ditë i përgatita lojën
Qysh nga ajo ditë ai e mbylli gojën:
Mora një letër të bardhë format
Bëra në mes fletës një pike të zezë
Një pike të zezë sa një kokërr bizelë
Dhe e pyeta Xhuzepen se çfarë ai shikon,
Një punto nero, u përgjegj Xhuzepja
Unë prap e pyeta edhe disa herë
Ai prap përgjigjej “punncto nero, punncto nero”
Xhuzepe i thashë, non a vero, non a vero
Pse fokusohesh vetëm në pikën e zezë
Dhe e injoron gjithe fletën e bardhë?!
Pjesa e bardhë janë mijra shqiptarët,
Punojnë në ndërtime dhe në bujqësi,
Edhe në industri punojnë shume fort,
Drejtojnë biznese, merren me art edhe me sport
Pejsazhin e Shqipërinë e kanë ndryshuar,
Pikërisht ata që në Itali janë punësuar.
Xhuzepja nuk foli, por vetëm qeshi,
Letrën me pikën e zezë ma rrëmbeu nga dora
Do ta marr me vehte, më tha dhe ta fotokopjoj,
Në Itali shokëve të mi, dua t’ua tregoj e komentoj.
Kur e pashë që Xhuzepja e kuptoi mesazhin dhe u prek shumë si njeri,
Për ta qetësuar i thashë kamarierit:
Kamarier, për zotin Xhuzepe, një doppio raki!
Shqiptarë që ikin, shqiptarë që vijnë
Shqiptarëve që kanë ikur ose ende lënë Shqipërinë
Gjithmonë u kam uruar fat të bardhë
Kurrë nuk i kam sharë dhe urryer,
Të them të vërtetën gëzohem shumë,
Kur dëgjoj dhe shikoj shqiptarë që janë kthyer
Ndjej dhimbje kur shoh territore shqiptare
Që janë braktisur
Them me vehte:
Këta shqiptarë që po kthehen
do të arnojnë ato pjesë të trupit të Shqipërisë që janë grisur.
Shteti dhe individi
Kur shteti sillet si cub
Dhe individi i pa faj,
Struket si pulë,
Eshtë një shfaqje e keqe.
Por të paktën respektohet një vulë.
Kur individi i pa drejtë sillet para shtetit si cub
Dhe shteti struket si pula,
Është pamje më e frikshme,
Kur shtetit i ka humbur vula.
Në këto raste nuk flitet më
as për Diktaturë, as për Demokraci
Në këtë rast zotëron hibridi i tyre,
I quajtur Anarshi.
Komentatorët politikë
Ekonomia e tregut të lirë,
Krijoi biznese të reja,
Parti të reja
Zakone të reja
Sjellje të reja
Shkenca të reja
Profesione të reja
Mes profesioneve
Lindi edhe komentatori politik
Të marrë në tërësi
Skuadrat e komentatorëve politikë
Kanë shërbyer në demokraci
Më shumë se sa disa parti
Një analist-komentator politik
kaluaka në tre faza:
Në fazën e pare komentet e tyre të drejta u shërbenin dëgjuesëve
Dhe ishin deri këtu shërbyes të vërtetë;
Në këtë fazë vunë re se kishin pak para në kuletë.
Fazën e dytë kur u shërbenin vetëm njërës parti,
Vunë re se bëheshin me pasuri.
Faza e tretë: filluan të mbronin vetëm një njeri,
Vunë re se se kështu shtonin më shumë pasuri.
Sot është shtuar shumë doza e delenxhillikut,
Rrallë gjen analistë që i përkasin publikut.
Sot nuk është fare vështirë,
Ta kuptosh se çfarë ata do të thonë,
pas çdo pyetje të bërë nga moderatori
Shumica e bëjnë të bardhën të zezë pa një pikë zori.
Sido që argumenti mund të jetë shumë i fortë,
Ata gjuajnë gjithmonë po në të njëjtën portë.
Profesioni i tyre po bëhet gjithnjë e më pa shpresë.
Analistët-komentatorët politikë janë kthyer
Në fallxhorë me pagesë.
Roli i shumicës
Një kokërr rërë s’të bën asgjë
Një grusht me rërë mund të të lerë qorr
Një saçme mundet të mos vrasë një çerr
Një grusht me saçme lë në vend një derr
Një kokërr gruri s’të bën dobi
Një thes me grurë të bën me miell
Një dorëtrokitje s’të bën asgjë
Një sallë plot të ngre në qiell ...
Kardiologu
Kardiologu në skaner
I bën zemrës çdo diagnozë
Por nuk është në gjendje të diagnostikojë
Njerëzit zemërbardhë
Dhe ata zemër blozë.
E dimë që patologjinë e zemrës
E mbulon sektori i kardiologjisë
Por kush e mbulon sektorin e zemërziut dhe
Sektorin e zemërbardhësisë.
Administrata
Shteti është si motorri
Pjesët janë administrata
Që motorri të tërheqë
Dhe te bëjë rrugë të gjata
Nuk mjafton që pjesë e mirë
Të jetë vetëm testato
Motori në vend ngelet
Dhe kur lagen kandelet
Kur pjesët vendosën
Këtu një mik, atje një shok
Motorri nuk shkon gjatë
Mund të thyejë kollodok,
Mund të thyejë kollodok
Bën zhurmë e të bën pis
Për të shmangur aksidentet,
Çoje më mirë në servis
Këshilla nga miqtë e Shqipërisë
Ekonomia e tregut është prakticitet,
S’është ideologji
Ndaj ruani ekspertët me plot zotësi
Ekonomia e tregut, shkencë ekonomike
Përdorni eksperët me zotësi teknike
Ekonomia e tregut ka shumë energji,
Ajo ecën shpejt
Nuk ecën ngadalë
Ndaj kërkon kalorës që kanë pasur kalë
Demokracia është një sistem i artë,
Po u keqpërdor, del me kosto të lartë.
Ne ju duam shumë, ndaj ju këshillojmë qartë:
Nesër, pasnesër, mos t’ju vijë thartë…
Përgatiti:
KOÇO MOSKO
agronom i Mbrojtjes se Bimëve
Boston, MA-SHBA
KOÇO MOSKO
agronom i Mbrojtjes se Bimëve
Boston, MA-SHBA
No comments:
Post a Comment