Friday, 18 October 2019

NJË JETË SI PRUSH DUSHKU

 Portret

nga: dr. Selman MËZIU
Firence, Itali           
Selman MËZIU
            E dua tej mase. E njoh mirë dajen tim. Nuk peshohet me flori.  Jeta e tijë kishte nis siç formohet orteku. Ajo ishte mbushur me dhimbje. Që e thernin në shpirt. Që e mpakën fizikisht. Ai që i vogël u rrit si krimbi në gur. Nana mbeti e vetme. E kishte një djal për rmall. Si dritën e synit. Burrin ia vrau gjaksori në Xharxhisht. Aty ku bari rritej e lulëzonte pa pushim. Aty ku delja e lopa kullosnin të lirshme. Ku kusiat mbusheshin me qumështin që avullonte. Ndihesh aroma e luleve e barëra malesh. Nën erën e freskët të bjeshkëve shkëmbore gëlonte jeta baritore e malsorëve. Ku dielli lindte e falesh me bukuri të rrall. Ai dhe vetem ai iu ngrohte zemrat e ngjallte shpresat. Tre lule, u rritën si në bjeshk. Ato, motrat, zemër mira e shpirt dlirtave iu erdhi mosha për martes. E ashtu u ba sipas zakonit, dullaku në kok e krushqia i çuan te burrat.
            Ai filloi shkollën. Nuk kishte abetare. As bishta e maje penash. Jo shkruanin me thengjillat e dushkut marrë në voter të oxhakut. Ose lluksi i madh ishte kur një laps mësuesi e priste me frushk në tre copa. Shkamat prej drrase ishin karriket e atëhershme. Pse jo, ulur kam kryq mbi lëkura delesh. Zyberi arrriti rezultate të mira. Ai dhe e motra e vogël filluan të japin mësim, më të vegjëlve. Ishte koha kur shqiptarët ishin analfabet. I dhan bursë studimi në bullgari për inxhinier pyjesh, por ia përdrodhën varfanjakut të Çidhnës së poshtme. 
            Ai dhe motrat, Nazja, Zarja e Liha, hanin përshesh me kos. Buka e misrit e mbuluar me kosin e deles, mbushte lugët e drujta dhe barkun e fëmijëve të Nilk Matreces. E ardhur nga një fis i vnjeshëm e me za të Sinës. 
            Por, një ditë prej ditësh policia e arreston. Jeta e tij njomzake hyri në çeli. Ishte e ngusht. Me lagështi. Një erë mbytëse të shtërngonte në fyt.  Pa drita. Një sup e hollë orizi ku shikohesh fytra dhe kokrrat e tij notonin në ujë. Muaj të tanë pa u rruajtur. Pa lamun shtatin. Trupi u hollua duke i  mbetun vetëm kockat. ‘’Uji më dukesh në fyt kur kalonte, se ai fryhej. Shkonim edhe në punë. Me kazma me bishta që të gjakosnin pllamën e dorës. Pyesja veten- tregon Zyberi- a do të dal i gjallë. Nana më takonte shpesh, më sillte ushqime. Ajo ishte tretun si qiriu. Vetëm qante. Lotët sa një grusht i shqisnin faqeve. Burrnesh ishte. Por dhimbja të ligshton, të dobson, të përgjëron.,,
            U lirua nga burgu. Me shpirt të dhunuem prej vuejtjeve. Me trupin e pakët e kamët si shkopinj. Sa shkoi në shtëpi. E këputi kolli. Ai ishte i thatë. Mushkritë i dhimbnin bashkë me fytin. Dhimbja e torturonte pa kufi. Zyberi, i riu me plotë enrgji po fikej. Doktori i dha menjehere fletën e shtrimit. Në sanotariumin e Tiranës. Fytyra e verdhë, sytë e skuqur, vetullat të ramuna posht e duart si karthia i trembën mjekët. Filloi rregjimi i rreptë me ilaçe e ngrënjen e përzgjedhur. Nana e ndiqte pas duke i çuar gjalp deleje e mjalt nga bletët e shtëpisë.  Ajo nuk i hoqi shpresat. Një ditë djali do te më shërohet, mendonte nën za.
            Edhe pse u deshën vite, daja Zyber më se fundi e kaloi vorrin për së gjati. Por, jo, se këtu mbaroi lufta për jetën. Jo, se pikërisht  nana nuk i jepte ajkën e qumshtit, hojet e mjaltit e mishin e freskët në çdo stinë. Ai filloi bari në bjeshkë verës. Dimrit në kasolle i ushqente me bar nga  mullarët ose në stan, korrun në pllai, me gjeth dushku, shkoze, jonxhe dhe kashtë misri. Mushkat  i ndërronte çdo pesë gjashtë vjet. Patkonjt, thumbat i bante në farkën e tij.  Barin e kosiste me qejf, e tokte vetë kosën.  Kosharin të thurur me thupra frashni e bani të ri. Në vjesht e mbushte plotë me kalli misri.
            Një ditë prej ditësh nana i thote: ‘’Tani biri im, mbarove ushtrinë të ka ardhun mosha me u martu, me u fut në rradhë me moshatarët e tu.- Mire  nanë, - I përgjigjet Zyberi, 
-  fjala jote asht ligj për mua. Dasmën  e bani të madhe.  Kuptohet ishte djal deshiri.  Nusja e tij Xhibe Bucja nga Zall Dardha, fytyr kuqe si molla, trupin si cung lisi. E zonja si nga fisi i saj, sa nuk shahesh. Filluan të lindni zogjt. Po e vërtet, kështu i thonë nga anët tona.  Të shpesht si qershitë në degë. Të pashëm si mollat në pemë.  Punët për nanë Xhiben e gjyshen ishin kaq shumë sa nuk merrshin frymë. Fëmijët, blektoria, ara, punët e shtëpisë.  
            Babait të shtatë fëmijëve i duhesh me punue, ma fort, pa me pushue një minut. Me u dashuru me natyrën. Me e njohur atë cep më cep, shkurre më shkurre, zabel më zabel. Me njoft prodhimet e saja. Me i vumun ato në shërbim te vetes e familjes. Vetë ai filloi të përdori zdrukthin., tesken, mistrine.  Të bahej mjeshtër i bamjes se shekave, vozave, bucelave, sofrave, dyerve dritareve etj. Të njifte drunin, dobitë, fortësinë, cilësitë, përdorimet.  Shtëpisë i duheshin tava për bukën, shporta, kosha, ai dinte t’i thurte me thuprat e lajthise të shenjeve, te zbardhura ose jo. Eshkën për farkën e pregatiste me djegjen e drurit të dushqeve ose dëllinjave. Në shtëpi deri vonë nuk përdorni çibrit për të ndezun zjarrin, por, eshkën dhe unurin. Ndriçimin me çiri, kandil ose kunja pishash deri në vitin njëmijë e nandëqind e shtatëdhjetë e një.
            Mendja e Zyberit ishte femër, gjithe kohërat e plleshme. Ai nuk lodhesh pse bante pesembëdhjet ore pune. Dilte nga shtëpia kur hana e yjet dukeshin qart në qiell kurse kur kthehesh rrezëllonin rilindjen me shkëlqim. Kujdesesh për bletët, për kingjat, viçat për qenin që e runte tek stanet në bjeshkët e pllaut. Ai bante lugjet për të pimun ujë blektoria, por, edhe krojin prej druri lajthie ose thane për të pirë e freskuar bariu.  Jo jeta nuk mabaronte me kaq, ai njihte si një botanist i mirë bimët aromatike, mjeksore sherebelën, trumzën, kokrrat e dëllinjave të murrizit të cilat i mblidhte dhe njihte teknologjite e tharjes e përpunimit.  Këto gjendeshin në pyje, livadhe, brinja, bjeshkë, atje ku që i vogël kishte kullotur dhitë, dhente, lopët... Kjo pune lindi kur blektoria u tufëzua. Zyberi i lindur me njëzet gusht 1930, fatmirësisht udhëton për  nantëdhjetë vjetshin, nuk pin ilaçe farmacie as me gjilpana nuk e shpon trupin, derën e siptailit nuk e din nga është. Ai përdor çaijin e malit, kokrrat e murrizit, kaçat, lulet e blinit apo langun e thanve etj., kur  semuret ose e kap gripi.
            Femijët filluan të rriteshin. Kishte jetuar të kaluarën me njëmijë e një sakrefica por e kuptonte dhe pregatiti të arrdhmen e fëmijëve duke i çuar nëpër shkolla profesionale e universitete.  Ndërsa vete vazhdonte jetën me njëmijë e një zanateve. Djepet ku përkundeshin fëmijët, nipërit e mbesat i bante vet, biles edhe me gdhendje me motive natyrore, gjethe, lule, fruta, bisqe etj.  Shtrungën në pllaj e vathën e thurte vete me hunj e thupra. Ku i priste me të zgjedhur e trasportonte mushka e cila ishte bashkëvuajtëse, shoqerueseja e përhershme dhe besnike. 
            Askujt nuk i shkonte ndërmend se do të ndodhte shpopullimi i fshatit. Sa filloi levizja studentore  ku sistemi socialist po dridhesh me mure e themele,  ishte ndër të parët që kufizoi tokën në kodër Kamëz dhe ndërtoi vetë shtëpinë e parë. Une nuk iu besoja syve dhe më dhimsesh kur me hunj, teneqe, hekura kufizonte tokën dhe flinte jasht e më pas  në shtëpinë e ndërtuar e projektuar vetë.  Tani aty ngrihen shtëpi dy, tre katështe të djemëve të tije acgan.
            U rrokullisën orteqe jete mbi këtë njeri të fortë si çeliku. Të papërteushëm e të sakreficës. Që u dashurua pas familjes, nanës, tokës, misrit, grurit e theknës, duke u gëzuar kur i shinte në lam me mushkën e tij. Ai mbillte rrrushin, mollën, ftonjt i priste e pregatiste reçel,  uthull thanash bante gjithashtu. Krenari, kokuluri në punë, askujt, kurr, nuk i shtriu dorën. Zyberi ose Beli i thirrin bijtë e tij, kur ulesh në krye të vendit fliste pak, në kohën e duhur. Ai me diplomaci e zgjuarsi e njihte mirë udhën se ku duhet të godiste me fjalën që thoshte.  Shpesh më rikujtonte shprhjen: Plumbi shpon mishin, trupin, fjala godet shpirtin. Të gjashtë djemtë  dhe vajza tani e gëzojn me nipër e mbesa, me punën e familjet e tyre që janë shpërndar nëpër botë siç thotë ai: Si dhitë e veles.
Zyberi me djalin në parcelat që ka mbjellë me sherebel (Salvia oficinalis)
            Ai nuk ka lexuar shume libra. Por kjo nuk ban fatkeqësi për mbarvajtjen e jetës. Zyberi lexoi me kujdes, shkronjë për shkronjë, rrokje për rrokje, fjalë për fjalë, librin e jetës. Ai nuk u përgjum, nuk ju hap goja, nuk dremiti mbi atë, por e mësoi shkëlqyer,  e zbatoi në praktikën e përditshme. Ai u ba vetë heroi kryesor i këtij libri, një hero i gjallë, i pazashëm, i thjeshtë, me duart plot kallo, me fytyrën e hequr  e dy sy që i shkelqejn. Zyber Krrashi është sot gjeograf i mirëfillt, se njeh gjithë toponomistikën e çidhnës, botanist se njeh bimët, mjek popullor se shëron veten dhe të tjerët, mjeshtër i dhjetra zanateve. Për rininë e sotme ky plak pothuajse nantëdhjetë vjeçar i papërkulshëm, është si ato burimet e shtigjeve të maleve e bjeshkëve, që shuajn etjen e gjithe udhëtarëve. Këto janë margaritarët me shkëlqim të gjelbërt për rininë e fshatit edhe pse nuk e mposhtën as sakerficat e panumurta në udhëkalimin jetë, as nga forcat e natyrës. Prushi i druve të lisit lëshon mjaft nxehtësi, shuhet me shume ngadal në thengjij të fikun, mbulue me pak hi.
  Firence 08.10. 2019                                    
Selman Meziu




No comments:

Post a Comment