nga Fiqri SHAHINLLARI
gazetar, shkrimtar
Washington DC
Fiqri SHAHINLLARI |
"Me lejë shokë, se dua të them edhe unë nja dy llafe lidhur me dekorimet e fletëlavdërimet që u dhanë sonte këtu, në këtë mbledhje. Nuk është ashtu siç thotë brigadier Sefiu. Jo, jo nuk është ashtu. Se këtu, more vëllezër, bie erë hileje, kundërmon erë korrupsioni si i thonë nëpër qytete. Kjo është e vërtetë si një e një që bëjnë dy. Ua thotë Zydiu ju, shkoqur fare, me zemër të hapur, me fakte konkrete, pa gënjeshtra…"
Ky që sapo mori fjalën e që u prezantua me emrin Zydi ishte një mesoburrë, trupmadh e i fortë i cili seç kishte një inat brënda vetes që e bënte të turfullonte. Nën sqetull mbante torbën prej leshdhije e prej andej nxorri një bllok të vogël shënimesh. Donte të lexonte diçka për të vërtetuar ato që sapo tha në mbledhjen e fshatrave të kooperativës së bashkuar. Salla e shtëpisë së kulturës e mbushur plot u bë kurioze e po dëgjonte me vëmëndje, paksa e çuditur. Me që ra fjala, nga që salla nuk nxinte shumë njerëz, mjaft burra qëndronin jashtë saj. Vjeshtë ishte e koha qe e bukur. Ata bisedonin me çibuk në gojë jo aq për kënaqësitë e jetës se sa për hallet e saj. Por edhe ata, kur e mori fjalën Zydiu, zgjatën qafën e i bënë veshët bigë në drejtim të dritareve nga dëgjohej zëri i diskutantit Zydi. Deri në çastin kur u ngrit Zydiu, diskutimet në mbledhje po shkonin birinxhi, avash-avash por, ama, plot lezet e me bereqet. Nuk i thoshin shaka. Këtë radhë nuk diskutohej, si herët e tjera, për të korrat e motin, për ujitjen e bagëtitë, për traktorët e autokombajnat. Jo. Këtë radhë diskutohej për një ngjarje të veçantë. Për këtë arsye kishin ardhur edhe të deleguar nga Tirana. Kooperativa ishte shquar në rreth po e po por edhe në Republikë, si një ndër ekonomitë më të mira në zbatimin me përpikmëri të inisiativës revolucionare për grumbullimin, kavaletimin e kompostimin e fekaleve të njerzve të cilat duke u përzier me glasa pulash e rosash, me fushnji të bagëtivë të imta e me bajga lopësh e kuajsh, prodhohej një pleh organik shumë i ushqyeshëm për bimët. Fekalet grumbulloheshin me tezga apo fuçi nga ato që përdornin traktoristët për të mbajtur naftën. Për këtë qëllim ishin krijuar skuadra të posaçme që shkonin shtëpi më shtëpi të fshatit për të grumbulluar fekale. Ç’ta zgjatim? Punët në këtë drejtim kishin shkuar shumë mirë. Dhe ja fruti i tyre. Kooperativa ishte shpallur ndër më të dalluarat, kryetari i saj hero, disa brigadierë u gëzoheshin flamujve të emulacionit socialist e disa nga përgjegjësit e skuadrave kënaqeshin me fletëlavdërime. Këtë e tregonte më së miri fytyra plot kënaqësi e presidiumit po edhe e sallës, fjalët që thuheshin në mikrofon nga podiumi.
Gazetari i ndodhur në atë eveniment, kur pa se nuk kishte koleg tjetër nga gazetat e Tiranës, përveç reporterit të gazetës lokale e cila nuk ishte e përditëshme, ndjeu kënaqësi të thellë. Ishte i vetmi që do të pasqyronte në shtyp, të nesërmen, shpërblimin moral të këtyre kooperativistëve të devotshëm që nuk e ndanë fjalën nga veprat për zbatimin e inisiativës por edhe të direktivës që vinte nga lart, për grumbullimin e kompostimin e fekaleve. Ai ishte menduar një ditë më parë për këtë pasqyrim të entuziazmit në shtyp të fshatarësisë kooperativiste. Prandaj mbante shënim me përpikmëri çdo fjalë që thoshin ata që falenderonin partinë e shtetin për nderin që u bënë duke u dhënë sadifaksion moral të paparë! Gazetari ishte pregatitur të shkruante një reportazh ku të dilte në pah jo vetëm problemi e rëndësia e madhe e rritjes së rendimentit të bimëve nga përdorimi i fekaleve por-kjo duhej theksuar-në mënyrë të veçantë duhej vënë në dukje prodhimi i drithrave, frutave e perimeve organike, tek të cilat nuk është përdorur plehu kimik, nuk ka hedhur njeri pesticide apo preparate të tjera kimike për t’i mbrojtur bimët nga sëmundjet e dëmtuesit. Bota i çmon shumë prodhimet bio dhe blerësi kur shkon në dyqan të mbushë shportën me prodhime organike: bukë, perime, fruta, vezë, mish, qumësht etj, matet mire sepse ato do t’i kushtojnë sa frëngut pula. E, megjithatë, para shëndetit nuk vlen paraja. I pëlqente të shkruante përfytyrimin e tij sikur perimet e freskëta organike kërcenin nga bahçeja e bujkut e drejt e në tiganin e amvisës së shtëpisë. Për t’i dhënë rëndësi fjalës bio ai kishte menduar që, paçka se në mbledhje flitej për fekale e plehra organike, në reportazhin e tij të mos përmëndej, mundësisht, asnjëherë fjala fekale, dobarem kjo të zëvëndësohej me emrin pleh, kur ishte e nevojshme ose të përdorej ndonjë sinonim, ndonjë emër tjetër si fjala vjen:lëndë organike ushqyese për bimët. Kjo lëndë lind nga shkrirja e plehrave dhe e fekaleve-këtu ishte e domosdoshme përmëndja e emrit fekale-në kazanin e madh të Tokës. Nga kjo lëndë organike ushqehet fusha dhe fusha ushqen njerzit e kafshët. Kur bujku mbledh prodhimet ne verë e vjeshtë toka shkarkohet nga barra e rëndë e tyre dhe ndjehet e lehtë si një grua lehonë. Në imazhin e gazetarit fëlliqësirat e ndyrësirat, bajgat e fekalet, glasat e fushnjija, urina e plehrat kur treten në tokë ato shndrrohen e kthehen në livadhe të lulëzuar, në bar të gjelbërt, në grurë të praruar e misër të shëndetshëm, në perime e fruta, në bukë e qumësht, në gjalpë e djathë, në gëzim, në jetë.
Rrjedhën e mendimeve gazetarit ia ndërpreu vazhdimi i diskutimit të Zydiut i cili po shfletonte bllokun e vogël të shënimeve që sapo e nxori nga torba me leshdhije. Ka njerëz, siç është ky diskutanti i cili u prezantua me emrin Zydi, që nga mënyra se si flasin, nga toni që i japin zërit, nga shprehja e sigurisë për ç’ka flasin, arrijnë gjithnjë të të imponohen për t’u bërë kureshtar ndaj fjalës së tyre.
-Unë të nderuar të deleguar të Tiranës e ju o vëllezrit e motrat e mija kooperativiste që u njoh e më njihni mirë, po u them se ato që foli qëparë brigadier Sefiu janë mashtrime. Ai ka favorizuar skuadrën e Dilaverit, e mban atë me hatër sepse bie kushëri me të. Mirëpo gara është garë, drejtësia është drejtësi. Unë në këtë bllok kam shënuar se skuadra ime, ku unë jam përgjegjës, ka shpënë në kavaletë, vetëm dje, 37 tezga muu, më falni, fekale, ndërsa brigadieri lexoi në qitapin e tij për 35 të tilla. Dy tezga janë eksiq. Eksiq për skuadrën time por janë tepër për skuadrën e Dilaverit. E kuptoj që diferenca është shumë e vogël por se është e tillë prandaj kujdesi duhet të jetë më i madh në vlerësim nga ana e brigadierit. Se këtu, për mendimin tim, nuk kemi të bëjmë vetëm me numëra arithmetike, hiq nga ana ver në samar, si i thonë llafit, nuk kemi të bëjmë thjesht me fakte por këto fakte duket se kanë lidhje logjike. E këtu duhet ndalur. Normistët dhe ekonomistët tanë dinë të marin evidenca por nuk dinë të meren me to. Në rastin e parë kemi të bëjmë me veprime arithmetikore, në të dytin me logjikë. Këtu fle lepuri i hiles, se me që ra fjala, po e themi midis nesh, Sefiu bën hile edhe kur luan me letra në lojën spathi. Hilja qëndron te tezgat eksiq për skuadrën time dhe te ato tepër te skuadra e Dilaverit, kushëri me brigadierin. Ja më thoni a ka logjikë në këtë rast?
Zydiu e kishte marë seriozisht. Dukej që atje tutje se ishte i xhindosur, inati i tij me spirale ngjitëse shkumbëzonte nga brënda. Sedra krenare ishte fshikulluar keq dhe geni i tij kapriçioz turfullonte e shkumbëzonte. Ai me gjith skuadrën kishin punuar aq shumë sa u kishte rënë kërkënia, këllqet u dhimbnin natën dhe përse, dreqi ta marë? Ja për këtë të shkretë fletlavdërimi për të cilën ishin të bindur se do të ishte skuadra e tyre e dalluar, se do ishin ata fituesit e fletlavdërimit e jo dikush tjetër. Gazetarit po i bënte përshtypje seriozitetei me të cilin fliste Zydiu. “Ja ç’bën nepotizmi që futet edhe nëpër tezga fekalesh pale në gjëra të tjera më të koklavitura e më të rëndësishme”-tha ai me vete. Ky rast ishte ndër të rrallët që i përforconin mendimin atij se atje ku ka mosmarëveshje të mëdha, atje ka shanse të pakta për të rënë në ujdi, atje ku nuk përputhen faktet, atje gjen diskutime më të zjarrta. Mendimin ia ndërpreu vazhdimi i diskutimit të Zydiut të cilin gazetari po e shkruante në bllokun e shënimeve.
-Ja, më thoni ju të nderuar pjesmarrës në këtë mbledhje-po fliste akoma Zydiu- a është e drejtë që të shpallet si skuadra më e dalluar në këtë proçes pune ajo e Dilaverit?”
- Dale, dale o shoku Zydi, mos e mer rrëmbyer –foli kryetari i kooperativës që drejtonte mbledhjen- Ja të dëgjojmë edhe Sefiun një herë për të na sqaruar se si qëndron kjo punë.
Në çast u ngrit Sefiu, brigadieri, dhe hapi edhe ai bllokun e tij të shënimeve. Tha, si i zënë në grackë:
- Unë po të doni po e filloj që nga dita e parë e tremujorit kur filloi fushata e grumbullimit të fekaleve. Më datën...
- Ouaaa! Nuk do të rrimë gjith natën këtu e të numërojmë tezgat e fekaleve-tha njëri prej të deleguarve-na thuaj shoku brigadier janë apo nuk janë të vërteta ato tezgat eksiq të skuadrës së Zydiut që janë shtuar tepër për skuadrën e Dilaverit?
- Po lere o shoku i deleguar ta shkoqitë mirë mashtrimin, lere-e mori fjalën Zydiu. Se ju, më falni që po u them, nuk e dini se sa kemi hequr ne duke shkuar hale më hale të fshatarëve për të mbledhur fekale për të mos përmëndur atë fjalën, të cilën ju, nëpër qytete, kini turp ta shqiptoni me emrin e vërtetë. Bile juve gjoja nga shpejtësia shkruani nëpër nevojtore vetëm dy gërma “WC”. Pse nuk i përmbysni dy gërmat V që së bashku formojnë W-në për të krijuar gërmën “M” e cila thotë açik se çfarë përfaqëson dhe tjetra gërmë-“C”-ja do të thotë Çiçi?
Mbledhja po shndrrohej në tjetër gjë por kryetari e futi në vijë karakterin serioz të saj:
- Vazhdo ti, Sefi-foli ai.
- Unë, si të betohem-filloi të justifikohej brigadieri-me vetëdije nuk kam bërë asgjë, por nuk ve dorën në zjarr se edhe ndonjë gabim mund të jetë bërë...
Zydiu kur pa se Sefiu filloi ta dridhte, kërceu përpjetë sikur ta kishte pickuar grerëza e, gjith inat, duke i drejtuar gishtin tregues brigadierit tha :
- Leri llafet o Sefi Dëllinja se ma ke bërë borxh disa herë e ma ke sjellë shpirtin në majë të hundës. Ja po ta them këtu, përpara këtyre shoqeve dhe shokëve: Ti or tungjatjeta më ke ngrënë tri jo dy, por tri tezga mut, se tani e pashë më mirë këtë bllokun tim, more vesh apo jo?! Pse m’i ke ngënë tri tezga me mut, pa më thuaj, pse? Të kesh turp e të turpërohesh. Më le mua eksiq tezgat e ja shton t’it kushëriri, ma bën skuadrën e tij të dalluar. Kësaj i thonë kush pordhi e kush mori groshin. T’i jep ti tri tezga të Dilaverit e të m’i shenosh mua? Nac, t’i jep-përfundoi ai duke ngritur gishtin e madh te dorës në kohën kur përmëndi fjalën “Nac”
Zydiu i bërë prush në fytyrë nga inati nuk po e kontrollonte fjalorin. Si e zbrazi barkun u ul në stolin e sallës dhe diçka po i thoshte normistes që e kishte në krah. Ajo mbante duart para syve e fytyrës për të fshehur gazin. Salla mbante brinjët me dorë nga të qeshurat. Nuk bënin përjashtim edhe personat e presidiumit te mbledhjes. Gumëzhima e hareshme kaloi dritaret e kapërxeu avllinë.
–Mos e mer me yrysh o shoku Zydi se vetëm mjekra e qoses nuk rregullohet pa çdo gjë ka zgjidhje -u mundua ta qetësonte Zydiun kryetari i cili mezi po i shkoqitëte ato fjalë pasi bullçinjë plasën nga gazi i papërmbajtshëm. Ndërsa gazetarit i kishte ngrirë maja e lapsit në mes të fletës së bllokut të shënimeve.
No comments:
Post a Comment