Saturday, 20 January 2018

Ikja e madhe… !

           Pas shkërmoqjes një nga një të ish vendeve socjaliste të Evropës Lindore, më në fund, në vitet 90të  , i erdhi radha dhe Shqipërisë. Që me fillimin e tollovisë së madhe ramiziane me arëzat dhe tufëzat, në fshatra gjërat filluan të qartësohen. Fshatarët i ndiqnin zhvillimet politike me qetësi, ata e ndjenin atë që po vinte më pas. Të rinjtë zbrisnin në qytete për të gjetur ndonjë mundësi për të mbijetuar. Rrugët dhe kafenetë e qyteteve gumzhinin nga njerezit si një koshere bletësh kur është në pikun e vjeljes së mjaltit. Puna në bujqësi qe shkrehur, në qytete mbylleshin për çdo dite ndërmarjet ku njerëzit punonin për të siguruar ato pak të ardhura për të mbajtur familjet e tyre me bukë. Partitë perlesheshin,  luftonin egërsisht për pushtet dhe nuk e çante njeri kokën për fatin e mijëra fshatarëve dhe punonjësve në qytete.

            Në atë kohë isha caktuar nga Seksioni Bujqësisë për mbikëqyrjen e ndarjes tokës sipas Ligjit të aprovuar në Kuvend. Fshatarët i ndajtën tokat midis tyre me një drejtësie shembullore, nuk pati asnjë ankesë e qejf mbetje. Me marrjen e tokës në pronësi pati përpjekje për selitjen tyre, por ato mbetën vetëm dëshira. Shteti nuk i ndihmojë, ose nuk i nxiti këto nisma. Nuk kishte mjete të punimit të tokës, ndonjë traktor i privatizuar nga ish SMT-ja ishte si ata qetë gërdallë që i numuroheshin brinjët. Ata mbaheshin në këmbë duke u riparuar 3-4 herë në vit në ofiçina. Nafta ishte e shtrenjtë. Për të blerë të rinj as që mendohesh, shteti ishte i cfilitur, gjëndja ishte e mjerueshme, fshatarët nuk përballonin dot nevojat imediate jetësore. Ndihmat e huaja me veshmbathje e ushqime që vinin, gjysmat treteshin rrugës.

            Nuk kishte as qe pune dhe mjetet e tjera për punimim e tokave. Imputet bujqësore si farërat, plehërat kimike dhe pesicidet, nuk gjëndeshin kollaj ose  ishin me çmime të larta. Kjo gjëndje ishte në gjithë Shqipërinë madje dhe sot pjesa më e madhe e tokave buqësore nuk seliten. Në këto kushte të rinjtë u detyruan të braktisnin fshatin dhe ta shesin krahun e punës së tyre shumë lirë. Një arsye tjetër qe, se këtyre banorëve shteti komunist jua kishte privuar të drejtën e lëvizjes për 50 vjet, madje, në vitet 60 disa familje që kishin mundur të ndërtonin jetën e tyre në qytete, shteti forcërisht i solli përsëri në fshat. 

            Me së shumti emigronin në Greqi dhe Itali. Në Greqi kishin dhe disa lidhje të vjetra, emigruan dhe brenda vendit në qytetet e mëdha. Të vjetrit në moshë e ndiqnin me dhimbje këtë braktisje biblike që nuk kish ndodhur asnjë herë kaq masivisht gjat gjithë kohërave. Nëpër fshatra ngelën edhe më pak se 40-50 banorë, kryesisht pleq e plaka. Diku në një fshat mu afrua një burrë i vjetër rreth të 80-tave. Mu kujtua se me këtë burrë të vjetër para ca kohe kishim pirë një kafe së toku në Gjirokastër. Ishte një miku i babait tim. Menjëherë më shkoi nëper mend çasti kur porositëm kafen. Po e riprodhoj siç ka ndodhur:

- Unë po marr një kafe ekspres, a don dhe ty një ekspres, apo dëshiron kafe turke më mirë?
- Jo, nuk i pi ekspreset tuaja unë, ekspreset jua kam lëne juve të rinjëve. - U hodh e tha menjëherë.
- Atëhere të porositim një kafe turke?
- Jo, mor Jo… - Unë u vura në vështirësi se ishte dhe kamarjeri në këmbë që po na priste, ishte një mësues, miku im. E vështrova ne fytyrë mësuesin, ai dukej sikur qe i kënaqur nga kjo bisedë, e sikur më thoshte “vazhdo të shohim ku do të dali”. Mu kujtua se disa njerez që kishin qenë në Greqi, kafes turke i thoshin “eleniko kafe”. Si për të dalë nga situata i thashë përsëri:
- Mos e do eleniko kafe?
- Jo, mor jo,… të thashë, - pse ç’më di ti mua, - mu përgjigj më një farë inati, dhe më hodhi një vështrim përçmues. U krijua një pauzë sepse mua me erdhi turp. Ai ju drejtua qetësisht kamrjerit duke buzëqeshur.
- Kafe vënçe dua! Keni ju kafe vënçe!?
- Kemi, si s’kemi, - I tha kamrjeri, - nga më e mira fare.
- Hë, nga ajo bëmë një mua. – Kamarjeri iku duke qeshur. Gjithashtu po qeshja dhe unë…. Ishte një farë revoltë e  këtij njeriu për ngjarjet që po ndodhnin në ato vite të turbullta, ai qëndronte si një shkëmb në atë karike me këmbë të holla e dukeshin sikur do të thyheshin nga çasti në çast. Për t'a mbyllur këtë bisede të çuditeshme mu kthye me një shikim që shprehte një kënaqësi dhe nje farë meshirimi.

- Ja kështu, mor djali i mikut tim!!

            Duke më shkuar nëper mend këto kujtime ai burri i vjetër i kafesë së “sikletëshme”po më afrohej dhe me një zë të butë kësaj radhe, më tha:
- Mirë u bë që u nda toka, mor djalë, por kush do t’a punojë? Këta po ikin të gjithë. E ku po venë? Disa unë i di ku janë, ja aty prapa malit, në Voshtinë me bagëti. I paguan më mirë greku. - Pas një pauze të gjatë shtoi:
- Të më kishin lënë të ndërtoja ekonominë time që kisha para 35 vjetëve, unë punësoja 30 vetë,  të vinte greku të punonte këtu. – Mbasi mori frymë thellë, vërejta një pikë loti në syte e atij 80-te vjeçari që u rrokullis në atë fytyrë të ashpër malsori, dhe shtoi:
- Po tani… me se…? Kooperativa na bëri që të gjithëve njësoj, na la fukarenj. Më dhemb shpirti  mor djalë kur shikoj djemtë e vajzat tona të lenë vendin e të punojnë shërbëtorë dyerve të botës për një krodhë bukë. Kush do ta bëjë këtë vend?
            Mbeta pa fjalë, nga që nuk e prisja një bisedë të tillë.  Ashtu si zënë në faj, për t’i dhënë fund kësaj bisede, pasi e ndjeja veten tërësisht të pa zot, pëshpërita nëpër dhembë:
-Ndoshta do të kthehen një ditë! – Plaku më vështroi nga koka në këmbë si me një keqardhje ose sikur desh të thosh “Gjeta dhe unë kishë të falem”
****
            Që atëhere rrodhën shume vite. Edhe unë u përfshiva ne valën e emigrimeve, që në atë kohë as më shkonte në mendje.. Emigrimet vazhdojnë edhe sot pas 28 viteve….. Partitë bëjnë sikur përleshen më ashpër në Parlament…
Me koleget e mi agronomë ne fund të viteve 1980

No comments:

Post a Comment