Tuesday, 15 August 2017

Mall që rrjedh si ujëvarë

-Shënime për vellimin e fundit poetik të Jani Plasës-

nga Fuat Memelli

Jani PLASA
         Një dhuratë tjetër për lexuesit e poezisë, ka bërë kohët e fundit, shkrimtari e poeti Jani Plasa. Është një vëllim poetik ku nëpër vargje rrjedh mall emigranti, ndaj edhe vëllimin autori e ka titulluar ”Ujvarë malli”. Ky është botimi i pestë i tij, pas dy romaneve, një vëllimi me tregime si dhe një me poezi. ‘Ujvara e mallit” numuron në faqet e saj 100 poezi, të ndara në kapituj sipas tematikës që përmbajnë. Unë kisha lexuar edhe poezitë e vëllimit të mëparshëm, të cilat më kishin pëlqyer mjaft, por këto të këtij vëllimi më “ngjitën” edhe më shumë. Më “ngjitën” dhe, siç e kam zakon kur lexoj një libër, nënvizoj pjesët që më pëlqejnë. Kur mbarova së lexuari, pashë se pjeset e shënuara ishin të shumta. Mbresat që përjetova, më nxitën edhe të shkruaj këto rradhë.
 Libri nuk ka parathënie, siç ndodh në shumë botime. Në vend të saj ka poezinë ”Parathënie” ku ndër të tjera poeti thekson:”Lapsin e mpreha në grijën e ashpër të jetës/ me të rrëmiha kopshtin e bardhë të letrës/ në lehe vargjesh/ fara mendimesh e ndjenjash mbolla”….
Siç theksohet edhe në titullin e librit, shumë poezi kanë “mbirë” prej mallit, janë “ushqyer” e janë “rritur” prej tij.
         Poeti Jani Plasa, ka shkruar poezi vite më parë, qysh kur ishte mësues në fshatrat e Korçës, etj, por numuri i tyre është shtuar në këto 18 vite të emigracionit që jeton në Quincy të Amerikës, qytet afër Bostonit. Kështu ka ndodhur me shumë poetë të tjerë, pasi poezia lind nga brenga, nga malli për njerzit e dashur, malli për atdheun, për vendlindjen, për natyrën, për … Poezitë me temën e mallit, që janë ndër më të bukurat, autori i ka mbledhur në ciklin “Kam dy zemra”, të cilën njërën e ka lënë në Shqipëri dhe tjetrën e ka me vete këtu në Amerikë.
         Siç thotë Volteri:”Atdheu është vendi ku robërohet shpirti”. Malli për atdheun, për Korçën e tij, për shokët dhe miqtë, për shtëpinë e braktisur, e kanë kapur “rob” dhe nuk e lëshojnë. Por, megjithatë, ai e gjen një zgjidhje: ”plagët i mjekon me kujtime/ i lidh me ylbere dashurish”.
 Gjurmë të pashlyera në krijimet e tij poetike, kanë lënë vitet e punës si mësues i gjuhës dhe letërsisë. Krijimet me këtë tematikë, janë mbledhur në ciklin ”Ditari i mësuesit”. Aty në fshatin e largët të rrethit të Korçës “tulatur në gjirin e malit/ ku drita humbet rrugën”, autori ka qëndisur plot vargje të bukur. Aty “ me zjarrin e dijes e ngrohim klasën e ftohtë/në shkollën e ndërtuar me plitharë e gurë/ ndërtesë e vogël kapur me thonj pas shpatit”.. Shumë poezi me këtë tematikë, janë shkruar në regjimin e kaluar dhe për hijen e trishtimit që i mbulonte, siç thotë autori, ishin të mbyllyura në “kuvli”, ndërsa tani në qiellin e demokracisë, i ka lëshuar të fluturojnë si zogj.
         Një nga poezitë e bukura të këtij cikli, është ajo me titull:”Djali i kulakut”: Si t’ja gremis trishtimin/ nxënësit tim të zellshëm e të mirë/ djalit të kulakut që vjen në shkollë që pa gdhirë?”Ai “asnjëherë nuk qesh/ asnjëherë nuk qan/Çfarë bluan?/ çfarë përtyp?/Çfarë tjetër veç dëshpërimit”. Kjo poezi, është një aktakuzë për regjimin e kaluar që me luftën e klasave, dënonte edhe fëmijët, siç ishte edhe ky nxënës “i dënuar nga urrejtja me heshta”. Gjëndjen e tij e vuan edhe mësuesi- poet, prandaj nuk mund t’i flasë për “lumturi”.

         Një “stacion “ tjetër ku ndalet autori, është ai i shtëpisë ku është lindur e rritur, i nënës e vëllajt që kanë ndruar jetë. Pikat e lotëve që pikojnë për nënën dhe vëllanë, janë “përrenj dëshpërimi” dhe ia grryejnë shpirtin, por poeti i fshin lotët me dhimbjen e tij. Shtëpia tashmë e braktisur, është “tkurur prej heshtjes” dhe ai bën para saj “fotografinë e braktisjes”. Mijra shtëpi shqiptare u braktisën këto 25 vjet nga migrimi dhe emigrimi. Ato janë plagë të hapura në shpirtrat e të zotërve.
         
Kujtimet e dashurisë së parë, buisin në një cikël tjetër, të cilin autori duke përdorur dialektin e Korçës, e ka titulluar “Zoçka e dashurisë së parë”. Megjithëse poeti i ka kaluar të 70-at, dashuria, ky motiv i përjetshëm poetik, zbret edhe në “livadhin poetk” të Janit, sepse “një zoçkë e tulatur fle në zemrën e tyre dhe “ i fshin lotët me një pendë krahu”. Në pak vargje, flet shumë poezia”Letra e vonuar”. Dhe kjo ka një arsye:”duke e mbajtur në gji”. Poeti ”ka falur dhe ka marrë një qiell me dashuri”.
         
Motive të tjera me mesazhe për paqen dhe dashurinë mes njerëzve, kundër egos, smirës, kundër njerëzve me dy fytyra, përcillen në ciklet e tjera të poezive. Poeti “godet” me vargje njeriun hipokrit, pasi ”në fjalët e tij me një cipëz sheqeri/ lëvrin smira dhe vreri”. Ai “qëllon” me “armën” e poezive edhe politikën shqiptare, të cilën e quan “një mushkë me huqe”. Shpirti i tij delikat, si i gjithë poetëve, preket nga gjaku që derdhet nëpër botë si dhe për refugjatët e ikur nga lufta e varfëria që “dremitin mbi gjemba/ dhe jastëkë prej gurësh”.
Ja, për vlerat e “Ujvarë së mallit” për të cilat fola më lart, por që ka edhe të tjera, bëra mjaft nënvizime, njëkohësisht iu riktheva për ta lexuar. Ky është “magneti” i artit: të të bëjë për vete e mos të lëshojë, njëkohësisht edhe të të shtier në mëndime…

No comments:

Post a Comment