Thursday, 27 April 2017

Skicë lakonike për Libohovën e pavdekshme

                                         nga Moikom Zeqo 
Është shumë e vështirë (entropi, gati titanike) të shkruash diçka siç duhet, meritore, për gjërat, që do më shumë, që janë padyshim, më emblematike dhe eterne.
Kështu më ndodh kur dua të shkruaj për Libohovën, vendlindjen e babait tim.
Si arkeolog kam përgjegjësinë që nuk kam hulumtuar ende historinë e kryehershme dhe gjenezën antike të Libohovës. Ç’paraqet Libohova në histori?
Sa e lashtë është Libohova?
Pse nuk është shkruar historia e saj e antikitetit dhe mesjetës? Pse vallë? Si ka mundësi?
Banorët e Libohovës e duan me gjithë shpirt dhe mrekullisht Libohovën.
Libohova është edhe Jerusalemi edhe Meka e libohovitëve.
Njerëzit i takojnë substancës, pra banorët e Libohovës janë ngjizur nga struktura materiale e Libohovës në shekuj dhe kështu janë sinkronizuar bashkë! Përjetësisht!
Libohova si qendër urbane është shumë e hershme, të paktën që nga shekulli IV-III para Krishtit! Pse e them këtë? Në luginën e Dropullit të sotëm, në Jugun e Shqipërisë që është edhe e Epirit iliro-shqiptar, qendra kryesore urbane, si thelbi organizues dhe administrativ është qyteti i rëndësishëm antik i Antigonesë, i ndërtuar nga Pirroja i Madh, për nder të gruas së tij Antigonës!
Qyteti i Antigonesë i ndërtuar në mal dhe i fortifikuar shpreh situatën e luftërave të kohës dhe të mbrojtjes.
Antigonea është sekreti i madh i një vargu qytezash ilire të quajtura si qyteza asteroide” si Libohova, Labova, Melani etj, që qenë shumë të rëndësishme për kryeqendrën Antigonea në të gjitha kuptimet.
Në këtë periudhë antike Libohova ka patur një emër fillestar, antik.
Studiuesi i madh i hartave të vjetra, Kiperti, në bazë të gradëve dhe dimensionimit real gjeografik, me pozicionin e sotëm të Libohovës vendos një qytet të lashtë me emrin Orestia, te tjere,ose qytetin Omfalion,madje edhe qytetin me emrin Elaeus.
Kush eshte emri i vertete?
A është kështu? Kjo duhet vërtetuar.
Një gjë jam i sigurtë që emri fillestar antik i Libohovës ka qenë ndryshe nga toponimi i sotëm sllav, që për mendimin tim del i fiksuar si ndrim emërtimi topononimik, mbas 12 shekujsh, pra nga shekulli VIII ose IX gjatë pushtimit të perandorisë bullgare.
Kështu mbeti ky toponim sllav deri më sot.
Në shekullin II pas Krishtit jeta administrative e Antigonesë vdes dhe perandori romak Adriani ndërton në fushë të Dropullit, kryeqendrën e re, zëvendësuese, qytetin me emrin e vet, Adrianopolin ( nga vjen edhe toponimi Dropull) në epokën e Pax romanas të Paqes romake, ndaj ky qytet nuk ka mure fortifikuese.
Libohova është gjithashtu një “qytezë asteroide” e Andrianopolit sigurisht.
Në shekullin VI pas Krishtit, pra mbas 4 shekujsh në epokën e trazuar plot luftëra të perandorit ilir të Bizantit, Justinianit të Madh, Andrianopoli vdes si kryeqendër administrative dhe këtë rol madhor e merr qyteti hijerëndë i Gjirokastrës.
Për emrin e qytetit janë shtjelluar teza nga më të ndryshmet. Është shtjelluar teza se Gjirokastra vjen nga emri Pirrokastra, që lidhet me emrin e Pirros së Epirit.
Një tezë tjetër e lidh emrin e Gjirokastrës me emrin e princeshës Argjiro sipas një balade.
Këto nuk janë shkencore.
Gjirokastra në shekullin XIV ka qenë një kryeqendër e princit të famshëm Gjin Bue Shpata.
Muzeumologu patriark i Gjirokastrës, miku im i ndjerë Lefter Dilo, flet për ekzistencën e një kronike në pergamenë, që i takonte si kohë shekullit VI pas Krishtit. Ku ndodhet kjo kronikë?
Të shumtë janë udhëtarët që kanë folur për Gjirokastrën. Disa studiues e identifikojnë me Andrianopol, nga rrjedh dhe emri i Dropullit të sotëm. Kryekalaja e Gjirokastrës është një kryevepër ndërtimore e Ali Pashë Tepelenës.
Gjatë vitit 1996 kur unë studioja në Dumbarton Oaks në Washington D.C. shfletova librin e botuar nga dijetari i madh Zef Valentini me titull: “Contributi alle Cronollogia Albanese” Romë 1957.
Në këtë libër në faqen 109 mbështetur në burimet bizantine thuhet se kështjella e Gjirokastrës është ndërtuar me 565-579 nga një funksionar bizantin gjysëm i pavarur, i quajtur Livaton Argjiri (Argyro Livatone), i cili ka jetuar në kohën e Justinianit të Madh dhe ka ndërtuar dhe bazilikën e quajtur Pantakrator dhe Nëna e Zotit.
Në disa dokumente në vitin 578-582 Livaton Argjiri, quhet Zot i Gjirokastrës, Guvernator i Drinopulit dhe Kaonisë.
Këto dokumente, që unë do t’i shtjelloj më gjerësisht herë tjetër, bëjnë të qartë se emri i Gjirokastrës lidhet konkretisht me emrin e një figure historike në shekullin e gjashtë pas Krishtit. Kjo tezë thuhet për herë të parë në shkencën historike shqiptare. Unë mendoj që Zef Valentini na ka ndriçuar përfundimisht të vërtetën e emrit të Gjirokastrës.
U zgjata pak për Gjirokastrën sepse paralelisht me të Libohova (e cila në shekullin VI nuk kishte fare emrin sllav) ekzistonte si qendër urbane dhe banorët e saj kanë ndikuar drejtpërdrejtë në formimin e Gjirokastrës.
Libohova në pikëpamje kronologjike, dmth kohore, është gati 10 shekuj më e lashtë se qyteti i Gjirokastrës.
Në shekullin XIX Ali Pashë Tepelena ndërton kështjellën për motrën e tij Shenishane në Libohovë.
Libohova kurrë s’ka qenë fshat. Nuk ka fshat me kështjellë kaq të madhe. Kështjella, ku ishin dhe sarajet e Shenishasë qenë një kryevepër ndërtimore, e bërë nga ndërtues vendas dhe francezë.
Prishja e sarajeve qe një tragjedi.
Gjendja e mjeruar e ruajtjes së kështjellës është një turp i madh.
Ruajtja ndërkohë e sarajeve të Myfit bej Libohovës, të paktën ruan një pamje qytetase të Libohovës.
Figura më e madhe e Libohovës është Heroi i Popullit Avni Rustemi.
Kujtimi i tij është një flakadan drite i pashuar, një fener i vetëdijes dhe dinjitetit. Sa pak, sa pak kemi bërë për Avni Rustemin e pavdekshëm.
Për Libohovën kanë shkruar Bajroni në shekullin XIX dhe sidomos Elvia Çelebiu, dy shekuj më parë, në shekullin XVII.
Të dy e meritojnë nga një monument në qendër të qytetit të Libohovës.
 Rrapi i Libohovës është monument i jashtëzakonshëm i natyrës. Një mrekulli e parrëfyer!
***
Diçka për familjen time.
Stërgjyshi im i shekullit XIX quhej Zeqirja, dmth shkurt Zeqo, qe i diplomuar për jurisprudencë në Stamboll dhe ka qenë kryekadi në qytetin Kozhan të Greqisë, ku edhe vdiq.
Prej tij ruhet vetëm një fotografi.
Djali i tij Jaho, i mbiquajtur si i Zeqos, në rini qe në Stamboll, u kthye në Libohovë, ku u martua me Faika Rustemin, që e kishte Avni Rustemin, djalin e xhaxhait.
Bënë dhjetë fëmijë, nga të cilët rrojtën shtatë.
Djali i madh Zihniu (babai im) i lindur në 1918 mbaroi shkollën shqipe në Libohovë, në 1938 është ushtar në Shkodër. Nga ky vit ruaj një fotografi të Marubit, ku Zihniu është muzikant, klarinetist, mes bandës muzikore ushtarake të Shkodrës. Pra ka patur një kualifikim muzikor.
Në 1939 Italia Fashiste pushtoi Shqipërinë. Zihniu qe në Shkodër dhe u lidh që herët me lëvizjen komuniste me Manush Alimanin.
Qe ndër partizanët e parë të Batalionit “Perlat Rexhepi” dhe në Betejën e Reçit në 1943 u plagos për vdekje. Në mënyrë ilegale u fut në Shkodër, tek një familje shkodrane, ku u mjekua për shumë muaj dhe shpëtoi nga vdekja.
Vëllai i tij Mehdiu, me Brigadën e Parë luftoi në Betejën e Çlirimit të Tiranës dhe qe heroi i një sulmi me granata mbi një fortino gjermanësh në Laprakë të Tiranës.
Për heroizmin e tij kanë shkruar Mehmet Shehu dhe shkrimtari partizan Haki Stërmilli.
Të lidhur me lëvizjen Antifashiste Nacional-çlirimtare qe edhe xhaxhai tjetër më i vogël Zeqoja, si dhe hallat e mia Engjelli, Nurija, Bukurija dhe Bajamja.
Pra shtatë antifashistë, që unë s’mund t’i harroj dot dhe asnjëherë.
Ndaj edhe unë jam një antifashist i përjetshëm.
 Deri sa të vdes!
Gjyshi im Jaho qe një njeri i famshëm në Libohovë. Ai kishte hapur një gjellëtore në Libohovë. Ishte plot humor dhe zgjuarsi të hatashme.
Në 1924 qe në Revolucionin e Qershorit me Fan Nolin. Ruaj një fotografi të tij me armë si fanolist.
Jaho qe i çuditshëm dhe mjaft inteligjent. Ai dinte të rregullonte orët si dhe qe njeriu më kryesor që bënte synet djemtë e rij sipas ritit.
Në shtëpinë tonë në Libohovë ruheshin një Kuran, që Jaho e lexonte në arabisht dhe një Bibël, në greqisht, që gjithashtu e lexonte në këtë gjuhë!
Gjyshja ime “aneja” Faika qe një grua trupvogël por mjaft e autoritetshme.
Në sëndukun e saj ajo ruante rrobat e saj “për çastin e vdekjes”, një shami e bërë me gjak nga trupi i Avni Rustemit të vrarë, si dhe kopja e parë e “Milosaos” e De Radës. Avni Rustemi kishte studiuar në kolegjin deradian të Shën Adrianit. Këtë “Milosao” të vitit 1836 e kam trashëguar unë tani dhe e ruaj me një kujdes idolatrik.
Babai im Zihniu vdiq më 1960, në moshën 42 vjeçare nga kancerizimi i plagëve të luftës.
Qe dy herë i plagosur.
25 vjeç Zihniu qe invalid i Luftës Nacional-Çlirimtare. Dhjetë vitet e fundit të jetës punoi në ekuipazhet e anijeve transoqeanike “Partizani” dhe “Liria” të Flotës Tregtare të Shqipërisë.
Vdiq menjëherë, mbas udhëtimit të fundit detar, stoik dhe i heshtur, i sfilitur dhe i tretur tmerrësisht nga dhimbjet e mëdha. Diçka tjetër për familjen e babait tim.
Emri më i hershëm i familjes është Zako.
Zeqo është sipas stërgjyshit Zeqirja, shkurt Zeqo, që u bë mbiemri i Jahos, gjyshit tim.
 Zako është një emër që del edhe në Zagori.
***
Përsa i përket jetës time, unë linda në Durrës.
Mbas vdekjes së babait u bëra më shumë i vetëdijshëm për origjinën e pashlyeshme nga Libohova.
Shtëpia dykatëshe e gjyshit dhe babait tim është edhe sot në Libohovë.
Unë shkoj shumë shpesh atje. Me mall përvëlues.
Para ca muajsh vajza ime e madhe Arnissa, që punon si historiane arti dhe jeton e martuar në Amsterdam të Holandës, erdhi me të shoqin Vincentin, në Libohovë, qëndroi e mallëngjyer te shtëpia ime prindërore, vajti tek Rrapi i Libohovës, dhe kur u kthye më solli një shishe me ujë nga burimi i madh mes rrënjëve të Rrapit shekullor.
***
Tani jam 67 vjeç. Qytetar Nderi i Gjirokastrës, Durrësit, Mallakastrës,Beratit, por së pari Qytetar Nderi i Libohovës.
Kam botuar mbi 100 libra. Edhe libra jashtë shtetit, në disa gjuhë të huaja.
Por fama nuk më intereson fare.
Por nuk do rresht të mendoj dhe të nderoj Libohovën e pavdekshme./Dita&Libohova online

No comments:

Post a Comment