nga: Edmond BROZI
Ulliri mendohet të jetë dru frutor aq
i lashtë sa dhe prania e njeriut në tokë. Origjina e tij vjen nga pellgu i
Mesdheut dhe mendohet që zanafillën e ka në Palestinë apo Sirinë e sotme.
Ulliri historikisht ka simbolizuar paqen. Në Romën e lashtë ulliri ishte i
shenjtë dhe konsiderohej si pema frutore më e rëndësishme në historinë e
agrikulturës. Pellgu i Mesdheut sikurse dihet ka klimën ideale për rritjen e
kësaj peme, e cila dallohet për frutet e shijshme dhe vajin e prodhuar prej tyre
të një cilësie mjaft të lartë. Rreth 90% e ullinjve në të gjithë planetin
prodhohen në këtë zonë, ku prodhuesit më të mëdhenj janë Spanja, Italia dhe
Greqia. Mjedisi gjeografik në të cilin gjendet Shqipëria ka bërë po ashtu që
edhe, ilirët paraardhësit e shqiptarëve në këto troje që në lashtësi të jenë të
lidhur ngushtë me këtë pemë.
Këtë fakt na e vërteton pa as më të
voglin dyshim jo vetëm gjetjet e zbuluara nga gërmimet arkeologjike të mbushura
më vizatime me motive prej gjetheve apo fruteve të këtij druri dhe sidomos enët
që shërbenin për ruajtje e ullijve dhe vajit të nxjerrë prej tij. Po ashtu
dokumentet historike të mesjetës dhe në vijim dëshmojnë të faktuar praninë e
ullishteve në të gjithë zonën kodrinore të vendit nga veriu në jug, përballë
bregdetit Adriatik dhe atij Jon. Hershmëria e kultivimit të kësaj peme mund të
vërtetohet edhe përmes vreshtave të vjetra dhe sidomos ekzemplarvë të rrallë
midis të tillvë veçohet njëri prej tyre. Ulliri në Fshatin Gjorëm të Kurbinit.
Ky është një ulli me përmasa gjigande i cili kalon çdo parashikim apo
imagjinatë normale nga sa mund të mendojë dikush që nuk e ka parë, për
rrjedhojë dhe i duket e pabesueshme. Dihet që pema e ullirit rritet shumë
ngadalë, por që jeton shumë gjatë nëse terreni dhe kushtet klimatike janë në
parametrat e duhura. Njihet tashmë fenomeni i zhvillimit industrial, pasojë e
të cilit ka ardhur ngrohja globale, së cilës nuk i ka shpëtur edhe ulliri i
cili është i rrezikuar. Perimetri i trungut të ullirit në fshatin Gjorëm është
afërsisht 11 metra (11. 3m) e që sipas përllogaritjeve i bie që diametri i tij
të jetë rreth 3.6 metra. Nga ky këndshikim nuk është e lehtë të përcaktosh
moshën e kësaj peme, por nisur nga përmasat gjigande të trungut, specialistët e
fushës mendojnë qe ky ulli në mos më i vjetri duhet të jetë një ndër
ekzemplarët më të vjetër jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjërë në Ballkan dhe
Europë. Në një shtet normal ku funksionon si duhet ligji për mbrojtjen e
monumenteve të natyrës, ky ulli duhet të gëzonte mbrojtje dhe kujdes të
veçantë. Kush e di sa luftërave, zjarreve apo stuhive të kohëve të ndryshme u
ka mbijetuar ky ulli përgjatë shekujve?! Kujtojmë që kjo zonë ishte qendër
kryesore e luftimeve të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), kundër pushtuesve
osmanë, madje tek sa shëtit nëpër ullishten e Gjormit dhe më tej atë të Zhejës,
lehtësisht mund të hasësh në sipërfaqe copa të ndryshme qeramike mbetje enësh
të përdorimit shtëpiak, tulla, tjegulla etj.
Kjo tregon që kjo zonë ka qenë e
banuar që në lashtësi, por që fatkeqësisht me të nuk është marrë thuajse
askush në mënyrë të organizuar për të realizuar kërkime të specializuara
arkeologjike. Shumë sivëllezër të këtij ulliri të cilit kishin mundur t’i
rezistonin kohërave, luftrave dhe zjarreve, këto 20 vitet e fundit, si shumë
vepra të tjera të artit janë trafikuar abuzivisht duke u përdorur për të
zbukuruar oborret e hoteleve apo vilave lluksoze të politikanëve, njerëzve me
pushtet dhe biznesmenëve të ndryshëm, të cilët as e kanë idenë se ç’është
ulliri, vetëm se ua kanë thënë dhe i janë vërsulur ta pronësojnë vetëm falë
faktit se kanë para dhe mund të livadhisin si u do qjefi me pasurinë kombëtare.
Nuk është e vështirë të dallosh se përreth rrënjëve të këtij ulliri janë bëre gërmime
ose të paktën kështu dukej.
Nuk duam as nuk duhet ta besojmë që
është tentuar të shkulet, pasi kjo do ishte një përpjekje e kotë, thuajse e
pamundur për vetë përmasat e tij. Ne urojmë që dikush mbase do jetë kujtuar për
t’i ndërtuar një mur, duke qenë se dhe terreni është i pjerrët, për t’i
siguruar mbrojtje nga rrëshqitja e mundshme e terrenit apo rrjedhja e ujërave
sipërfaqësore kur ka reshje shiu, të cilat mund t’i rrëmojnë dhe nxjerrin në
sipërfaqe sistemin rrënjor. Të mos harrojmë dhe një fakt tjetër mjaft të
rëndësishëm se ky ulli dhe pas mijëra vitesh jetë vazhdon ende të prodhojë
kokrra. Do ishte e kotë t’i bëjmë apel organeve të qeverisjes vendore,
drejtorisë rajonale të bujqësisë dhe asaj të bashkisë, por edhe ministrisë
përkatëse dhe drejtorisë së shërbinit pyjor, pasi fjalët bien si përherë në
vesh të shurdhët.
Marre nga gazeta "Kurbini"
No comments:
Post a Comment