Saturday, 10 September 2016

Pietro Porcinai dhe mjedisi gjelbërt

(Vila Mbretërore-Pallati i Brigadave)

nga Gjon FIERZA
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Tiranë

Pietro Porcinai
(1910-1986)
            Që në vitet e Shkollës Mesme Pyjore, por dhe në Fakultetin e Pyjeve, tek mësonim lëndën e Dendrologjisë (që studion morfologjinë dhe ekologjinë e drurëve dhe shkurreve pyjore), pedagogët na shpjegonin se disa lloje pyjore ekzotike me shumë vlera, në numër të paket, të mbjellë në mesin e viteve ‘30, gjendeshin vetëm në mjedisin e gjelbër te “Pallati i Brigadave”, të sjella nga Italia. Këta drurë ishin: dy lloje sekuo-je, një cedër, bambu, disa shkurre, etj. Gjelbërimi, llojet dhe arkitektura e mjedisit, që qarkon atë që u nis për Vilë Mbretërore, janë unikale, mund të konsiderohet nga realizimet më të mira dhe të pa arritura në vendin tonë. Sot, gjendja lë për të dëshiruar, nga pamundësia e mirëmbajtjes dhe e trajtimit.
            Prej kohësh dëshiroja ta shihja këtë mjedis, pikërisht të shikoja me sytë e mi ata drurë dhe atë mjedis të gjelbër, që e kemi shumë pranë por për fatkeq e njohim shumë pak. Para viteve ’90 jo e jo, por edhe sot është disi e vështirë ta vizitosh ketë mjedis, ndonëse një vit më parë u fol për hapje dhe një projekt restaurimi!? U mundësua që së bashku me kolegun, inxhinier Hajredin Muçën, specialist i parqeve në Bashkinë e Tiranës, ta vizitonim këtë peizazh. Me aparat fotografik në dorë, për më se dy orë e shëtitëm këtë mjedis. Në këto radhë nuk kam qëllim të evidentoj vlerat, pasi ato i kanë thënë shumë emra të njohur të fushave përkatëse. Por, sipas meje, ato nuk mund të quhen të tilla (Vlera), sa nuk vihen në shërbim qytetarëve, studiuesve, turisteve, nxënësve të shkollave, etj. Tek sheh mjedisin e gjeneruar  dhe veprat arkitekturore, që harmonizohen në të, lind pyetja: Kush i ka realizuar ato?
            Shfletova dokumente, shkrime të kohës, dhe arrita t’i jap një përgjigje kësaj pyetjeje: Skulpturat, kryesisht janë vepra të italianit Antonio Maraini dhe skulptorit shqiptar Odise Paskali; ndërsa arkitekti i peizazhit ka qenë Pietro Porcinai. Të dy skulptorët, janë emra të mëdhenj e të njohur të këtij arti në Itali, Shqipëri e më gjerë. Por edhe Pietro Porcinai është një emër mjaft i njohur i fushës s peizazhit, autor në disa projekte të njohura në Evropë po edhe më gjerë. Ai, 30 vite më parë, më 9 qershor 1986, është ndarë nga jeta. Si homazh për këtë personalitet, që dhe në Shqipëri ka lenë një vepër monumentale gjelbërimi, siç është mjedisi i Pallatit të Brigadave, “më detyruan” të përgatis këtë shkrim. Kush është Pietro Por- cinai, çfarë përfaqëson në arkitekturën e peizazhit, kur e realizoi gjelbërimin e Vilës Mbretërore (Pallati i Briga- dave), cilat janë disa nga veprat dhe botimet e tij, etj.?
            I vlerësuar për veprat, studimet dhe botimet në fushën e peizazhit, ai konsiderohet si më i shquari i kësaj fushe në shekullin e kaluar  1900 në Itali, por jo vetëm aty. Në mesin e 1000 projekteve të peizazhit natyralistik (kopshte ku njeriu duket se nuk ka bërë asgjë), të realizuara në vende të ndryshme të botës, veçohen edhe kopshtet e realizuara nga Pietro Porcinai. Këtë cilësi mund ta dallosh lehtë edhe tek ne, në Tiranë. Tek gjen të listuar projektet e mëdha te realizuara nga Porcinai, shohim se i pari listohet në vitin 1935 në Tiranë (Kopshti i Pallatit Mbretëror) dhe ka përfunduar më 1981-1986, me projektin Toscana - Liguria–Umbria (kopshte dhe parqe private).
            Pietro Porcinai u kthye në Institutin e Bujqësisë në Firence, ku vazhdoi studimet deri sa u diplomua në vitin 1935, ndërkohë që punonte dhe në Pistoia. Ne vitin 1941 filloi Institutin e Lartë të Arkitekturës në Firence, por e braktisi në vitin 1945, pa u diplomuar. Ai u ngrit kundër  Institutit, pasi, sipas mendimit të tij, Instituti nuk ishte në gjendje për të kryer rolin social, për të formuar e dhënë njohuritë e të bukurës te studentët; nuk arrinte të edukonte modelin e krijimtarisë, arti kryesor i të cilit është Natyra. Më pas nisi të punonte jashtë Italisë, në Austri, Gjermani, etj., në kopshtet më të rëndësishme të Arkitekturës Evropiane, ku iu krijuan mundësi për t’u përballur me metoda e teknika të reja dhe me disa zgjidhje e koncepte të rëndësishme të peizazhit. Gjatë jetës profesionale ka krijuar shumë organizata për peisazhi dhe lulet  me asistencë teknike mjaft biznese, që janë marrë me lulëtarinë dhe me peizazhin në Itali dhe më gjerë. Janë aktuale dhe duhet pasur parasysh edhe tek ne ato që thoshte Porcinai 30- 40 vite më parë: “Degradimi i peizazhit tonë, transformimi gjithnjë e më shumë në mjedise dhe në zona monotone, të barabartë me njëritjetrin, që kanë humbur  bukurinë natyrore, dikton kri-jimin e hapësirave të mirëprojektuara, që përcjellin emocione, gjë që është re-
zultat jo vetëm i respektit dhe dashurisë për tokën, natyrën e traditat, por edhe sintezën e ideve të ndryshme krijuese dhe disiplinave të tilla, si pikturë, skulpturë, arkitekturë, kopshtari, dizajn, etj.”.
            “Nëse mbretëron vetëm dogma e ekonomisë, pa meditim dhe poezi të kopshtit, natyra do të shkatërrohet nga dora e njeriut. Ky shkatërrim do të mbulojë gjithë natyrën, duke përfshirë edhe vetë njeriun”.(Pietro Porcinai)
             Së bashku me një numër të madh projektesh, Porcinai ka lënë mjaft botime profesionale, disa ese të vlefshme për të kuptuar veprimtarinë në fushën e peizazhit të gjelbër. Shkrimet e tij janë të botuara në shumë revista me emër të kohës. Janë disa libra dhe udhëzues praktik, që edhe sot kanë gjetur përdorim në projektet e parqeve dhe lulishteve.
Gazeta "Kurora e Gjelbër" (Ftot nga Autori)









No comments:

Post a Comment