( Rit nga dita e dasmës në Lunxhëri)
Plloskat e verës bëheshin me dru të
veçantë si lis, arrë, bli, panjë, etj. dhe punoheshin me kujdes e me finesë nga
mjeshtrat popullorë të krahinës ose dhe të zonave për rreth. Në to, shpesh gdhëndeshin zbukurime, ku dallohej shqiponja dykrenore, vilet
e rrushit, fruta pemësh, lule, etj. Rrypi mbajtës i saj mund të ishte prej
meshini specjal, ose një rryp apo gajtan i trashe mëndafshi shumgjyrësh. Nuk
mund të them se çdo familje e kishte një plloskë të tillë, por çdo fshat kishte
disa të tilla dhe ata që nuk kishin e huazonin për ditën e dasmës. Këto plloskat
mbaheshin nga të zotët në shtëpi të varura në mur në vende të dukshëme, rëndom nuk shërbenin për
përdorim të përditshëm. Kur afronte dita e dasmës, plloska lahej e pastrohej me
kujdes, sepse duhej të shkëlqente, të ishte vërtet e mirë.
Rëndësi të veçantë
i kushtohej cilësisë së verës. Kur vera prodhohej në familje, zgjidhej më e
mira, “për sebep” thuhej, dhe ruhej me
kujdes në qilar apo thollo[1], së
bashku me verën tjetër për ta pirë në dasëm. Shpesh ky rit në dasma shërbente,
ose ishte një rast për të ekspozuar mjeshtërinë e bërjes së verës. Kur familjet
dasmore nuk bënin verë, e blinin, por gjithmonë verë të cilësisë së mirë, “brusko”,
të kuqe dhe të trashë”. Kjo verë është ta përsheshësh me bukë”, thuhej për
verën që zgjidhnin, duke mos lënë pa përmendur edhe emërin e vlerat mjeshtërore
të verëbërsit nga ku e blinin, ose pse jo dhe atë që e kish dhuruar, shpesh të
afërmit. Në dasmat lunxhiote të afërmit çonin si dhurata për dasëmën: dru
zjarri, bukë bogaçe, ndonje bagëti për ta therur, por dhe një kanë ose plloskë
me verë cilësore, nga të cilat zgjidhej më e mira.
Plloskat për
ditën e dasmës zbukuroheshin me kordele mëndafshi shumëngjyrëshe, ku
mbizotëronte ngjyra e kuqe të cilat lidheshin në mbajtësen, rrypin. Përgatitja
e plloskës së verës ishte një nga punët e dasmës dhe kryhej në kujdesin e të
zotit të shtëpisë ose nga vëllezërit e tij, ditën e dasmës ose disa ditë më
parë.
Ndërrimi i plloskës
me verë bëhej nga vëllamërit ditën e dasmës, të cilët mund të ishin një nga
vëllezërit e nuses dhe të dhëndrit, por nuk përjashtohej edhe ndonjë kushëri
ose i afërm. Zgjidhej më i shkathëti, më trimi, më besniku, i cili duhej të
zgjidhte në dasmë situata të vështira, të ishte edhe kalorës i mirë. Vëllamërit
ishin mbrojtësit deri në vdekje të nuses apo të dhëndrit. Flitej, se ata mund të vriteshin midis tyre, kur gjërat nuk
shkonin mirë gjatë dasmës. Një situatë të vështirë të cilën e zgjidhi vëllami,
në këtë rast ishte vëllai i madh i dhëndrit, e ka pershkruar Koço Vasili në
librin e tij “Dasma Lunxhote”, ai e përshkruan kështu:
Zakoni e do që para se nusja të dali nga shtëpia e saj,
vëllami duhet ti veshi nuses një palë këpucë të reja, dhuratë nga dhëndri. Në
rastin në fjalë kohët ishin të vështira,
kohë luftrash e skamjesh, familja e dhëndrit qe e varfër dhe këpucet i kish
marrë hua. Njerëzit e nuses e kuptuan dhe nuk dëshironin që nusja të vishte ato
këpucë, po bëhej një zhurmë e madhe. Vëllami u ndodh në një situatë të keqe. Të
gjithë ishin të nevrikosur. Çfar të bënte!? I erdhi në mendje se ishin rritur
jetim, dhe ja mori këngës:
“Pashmaqet[2]
që të dërgova
Vishi
moj për hatrin tim”.
U vendos një qetësi e madhe. Njerzit e nuses u habitën, por
vëllami vazhdoi:
“Vishi
moj për hatrin tim
Se
jam rriturë jetim…”
U tund divani nga kënga e vëllamit, po këndonin të dy palët,
dasma vazhdoi.[3]
Vëllamin e
palës së dhëndrit e quanin dhe “Siariar”,
sillte sihariqin-lajmin se dasma po vazhdon mirë. Ndërsa partneri me të cilin
ndërronte plloskën me verë nga ana e vajzës, quhej vëllam. Në një dasmë më
kujtohet se, kur erdhi siariari në sheshin afër shtëpisë së nuses, bëri
“shfaqje” me kalin e tij., duke kryer disa rrotullime dhe hedhje përpjetë, për
të na treguar se kalëronte mirë.
Ditën e
diel, që në mëngjes herët, në shtëpinë e nuses dhe të dhëndrit, krahas
përgatitjeve të tjera për dasmën, bëheshin gati edhe siariari e vëllami.
Visheshin me rrobat më të mira, jo rrallë edhe me veshje popullore dhe të mbanin
armë me vete. Po kështu, behej gati edhe kali; vendosej shala, freri,
yzengjitë, kashaisej e pastrohej, vendoseshin velenxa të bukura me flokë mbi
shalën, etj. Në qafën e kalit vendosej një rrip i gjerë me karkale, zile të
vogla, që kur tundëte kokën, bënin një lloj tringëllimi të veçantë. Kujdes
tregohej edhe për ushqimin e kalit, me tagji të zgjedhur dhe bar të thatë. Nga
disa thuhet se ndërmin e plloskës me verë vëllamërit e kryenin në të hyrë të
fshatit hipur mbi kalë, ose në mesin e rrugës ndërmjet dy shtëpive, kur dy
familjet në krushqi ishin brenda fshatit. Por le të përshkruajmë kur këto
ndëroheshin tek porta e shtëpisë së nuses, ashtu siç e kam përjetuar si dhe kryhet
ende sot.
Në shtëpinë
e nuses, kur afronte ora e paracaktuar, siariari pritej nga çasti në çast.
Fëmijët, nën drejtimin e ndonjë të rrituri, dilnin tek porta dhe vrojtonin. Me
ta diktuar që po afrohej, shkonin brenda në shtëpi me vrap duke thirrur:
- "erdhi, erdhi, erdhi". Shpesh me të marrë këtë
lajm një i autorizuar nga i zoti shtëpisë gjuante dhe me pushkë, që donte të
thoshte të trashëgohet çifti, ashtu siç bëhej edhe gjat fejesës. Ndërsa grupi
këngëtarëve të fisit “mirrënin zjarr” nga që punët e dasmës po shkonin mirë. Aty
ku ishin: në divan, çardak apo oborr, mblidheshin e ja fillonin këngës:
Këndon një birbil në portë,
Mbani vesh se ç’këngë thotë:
I zoti shtëpisë rroftë
Dhe vajza ju trashëgoftë.
I zoti kësaj shtëpie
Bën dasmë siç i ka hije
Mu si dielli kur bie…
Për të
pritur siariarin, nga ana e vajzës, tek porta e jashtëme e shtëpisë, dilnin vëllezërit
apo disa kushëri si dhe vëllami i nuses me plloskën e verës. Siariari, në disa
raste zbriste nga kali përpara portës dhe i binte derës me çokun që kishte
porta. – Urdhëroni, urdhëroni- përgjigjeshin njëzëri njerëzit e nuses që kishin
dalë për ta pritur. Por, zakonisht siariari këmbimin e plloskës me verë e bënte
hipur mbi kalë.
Vëllami i nuses, i shoqëruar edhe nga të tjerë; mbasi
përshëndeteshin, këmbenin një shami shumëngjyrëshe, që duhej ta dorëzonin të dy
në të njëjtën kohe. Po ta mirrte njëri më përpara, do të thuhej se "i a
hodhi", ose “fisi ynë është më i zoti". Flitet se për këtë janë bërë
edhe grindje, deri në prishjen e dasmës. Duhej bërë çmos, që shamitë të
këmbeheshin në të njëjtën kohë. Në disa raste shamia këmbehej së toku, e lidhur
tek plloska, pra ndërrohej në të njëjtën kohë, shamia dhe plloska. Kur është
martuar motra, rreth viteve 1960, unë e kam kryer këtë rol. Atëherë isha 10
vjeç dhe me porositnin "se mos ta merr"; isha i përqëndruar i gjithi
në atë veprim, që të dilte mirë.
Në disa
raste, si në fshatin Labove e Kryqit, shamia dhe plloska nuk ndërrohej tek
porta e shtëpisë, por vjehrra e dhëndrit ose gjyshja e nuses, më e madhja në
moshë, kur siariari hynte në shtëpinë e vajzës dhe gostitej, i vinte një shami
në qafë. Plloska e verës zbazesh dhe në
të hidhesh vera e familjes së nuses. Tani, siariarit i bëheshin dy shami sepse
një të tillë rreth qafës, e kishte qysh kur ishte nisur nga shtëpia e dhëndrit.
Siariari
mbas ndërrimit të plloskes së verës mund të hynte ose jo në shtëpinë e nuses,
varej nga koha ne dispozicjon. Në qoftë se do të vendoste të bënte një vizitë,
në shoqërimin e vëllamit të nuses dhe dasmorëve të tjerë, siariari hynte në
shtëpinë e nuses ku e presin me nderime e respekt të madh. Ne rastet kur ishe i
armatosur, njëri nga familjarët i merrte armën, për ta vendosur në vend të
sigurt, një tjetër merrte kalin për ta strehuar dhe ushqyer. Siariari gostitej
me gliko, raki, etj.
Në rrastet
e krushqive me fshatra të tjerë, kur krushqit afroheshin afër fshatit të nuses,
në një hije pranë ndonjë burimi bënin një pushim, ndërkohë siarjari nisesh për
në shtëpinë e nuses. Krushqit kryenin sherbimet e rrastit si ndonje pastrim e
tualetet e rrastit dhe me padurim prisnin siariarin. Në çdo rast, siariari
duhet të programonte kohën për të shkuar në afatin e paracaktuar tek pala e
nuses, të kthehej e të lajmëronte krushqit që ishin nisur për të marrë nusen se
gjithçka është në rregull, se plloskat me verë u ndërruan, se dasma vazhdon më
së miri. Shpesh, krushqit që ishin nisur për të marrë nusen, plloskën me verë
që sillte siariari, e kalonin buzë më buzë duke bërë ngjërimin e verës dhe në
këto raste nuk mungonin lëvdatat për verën cilësore. Krushqit, ku i printe siarjari vazhdonin
pjesën e rrugës së mbetur deri tek shtëpia e nuses, sepse duhet të ishin atje
në orën e paracaktuar. Çdo gjë ishte programuar deri në detaj sepse nusja duhet
të hynte në shtëpinë e dhëndrit para perëndimit të diellit.
Çfarë na
paraqet ky rit i veçantë në dasmat tona? Ndoshta përbën një objekt studimi per antropologët
dhe etnografët. Diku thuhet e shkruhet se ndërrimi i shamisë nënkupton shenjat
e fisit, ndërsa ndërrimi i verës nënkupton se "u përzie gjaku, për të
fuqizuar krushqinë". Lidhur me këtë, dëshiroj të plotësoj nga pikëpamja
agronomike. Këmbimi i plloskës me verë përbën një rit të lashtë shqiptar që
dëshmon më së miri se selitja e hardhive dhe mjeshtëria e bërjes së verës, kanë
qenë veprimtari të rëndësishme dhe jetësore për të parët tanë.
Dasma e Gaqe Mihalit nga Krina në vitin 1931. Vargun e
krushqëve e prijnë sazexhinjtë dhe hipur në kalë siarjari, Siko Qurku, i veshur
me kostumin popullor të krahinës dhe nuni(me kapele republikë) Tolo Londi.
Përgatitur nga:
K. Mosko Boston, SHBA
No comments:
Post a Comment