Tuesday, 13 May 2014

Agronomi që mënjanoi krizat botërore

Norman E. Borlaug
Çmimin Nobel për Paqe
(1914-2009)

Kaluan kater vjet nga 12 Shtatori 2009,  kur në një shtëpi modeste, në Dallas të SHBA-ve, u nda nga jeta në moshën 95 vjeçare, i rrethuar me dashurinë e familiarëve të tij, njeriu që është përshkruar gjerësisht si babai i Revolucionit të Gjelbërt në Bujqësi, Dr. Norman Ernest Borlaug, Agronomi humanitar amerikan, që guxoi t’i mësoi mbarë njerëzimit, si duhet të punojë për të siguruar ushqimin e vet. Gjithë jetën e tij, ja kushtoi Shkencës Agronomike, zonave rurale, fermerëve dhe njerëzve të thjeshtë e në nevojë, ai shpëtoi jetën e miliona njerëzve të uritur në botë.
            U lind në një familje fermerësh me origjinë norvegjeze në Lutheran, rrethinat e Cresco të shtetit Aiova të SHBA-ve, më 25 Mars  1914. Që në fëmijëri, u mësua me punët e rënda në bujqësi si dhe me aromën e bukëve të ngrohta, kur nëna i nxirte nga furra. Arsimin fillestar dhe të mesmën e mori në vendlindje.  Aftësitë e tij në sportin e mundjes i hapën dyert e Universitetit të Minesotës, ku në vitin 1937 mori BS. në Pylltari. Gjat viteve të shkollës dhe pas diplomomit punoi në Idaho dhe Massachusetts në një program Federal për pyjet. Më von ai u rikthehet studimeve, në vitin 1939 mer Masterin dhe në vitin 1942 Doktoraturën nga Universiteti Minesotës për fitopatologji ose patologji gjenetike bimore. Pas kësaj, 1942-1944, Dr. Borlaug punoi  mikrobiolog tek EI Dupont de Nemours, një kompani kjo për prodhimin e kimikateve bujqësore. Ai drejtonte prodhimin e bakterieve industriale dhe bujqësore, fungicidet dhe kimikatet e konservimit. Pas sulmit në Pearl Harabor të ushtrisë amerikane në ishujt Havai gjat Luftës së Dytë Botërore, laboratori i tij u angazhua në hulumtime për të ndihmuar forcat e armatosura amerikane.
            Pasi kryen me sukses këtë misjon, në vitin 1944, Fondacioni Rokfeler në bashkëpunim me qeverinë meksikane e dërgon në krye të një ekipi shkencëtarësh në Meksikë, për të ndihmuar fermerët që të mbjellat me grurë u shkatëroheshin nga sëmundjet. Për të luftuar urinë e madhe që kishte pllakosur këtë shtet, ku fermerët nuk siguronin dot grurë, as për të plotësuar nevojat e tyre. Dr. Borlaug u ndesh aty me sëmundjet e ndryshqeve që shkatëronin të mbjellat me grurë, veçanërisht kur pranvera ishte e lagët, si dhe me varfërinë e madhe të vendasve.
-  "Unë nuk e di se çfar mund të bëjmë për të ndihmuar këta njerëz, por ne kemi ardhur këtu për të bërë diçka", - i shkruante në letër gruas shtatëzanë të tij në atë kohë, sapo u njof me gjëndjen në Meksikë.
           
Vitet e para në Meksikë për Dr. Borlaug ishin tepër të vështira, ai nuk kishte stafin dhe mjete e duhura. Fshatarët vendas çfaqeshin armiqësorë e mosbesues ndaj programit, pasi gjat viteve 1939-1941 kishin pasur humbje katastrofike në prodhimin e grurit, për shkak të infeksioneve nga sëmundjet, kryesisht ndryshqet. Tokat ku mbillnin grurin fshatarët ishin të varfëra nga permbajtja e elementëve ushqyes. Duhesh një punë e mirfilltë shkencore, e shpejtë dhe efikase. Duheshin evidentuar e seleksionuar llojet vëndase rrezistente, dhe ato me prodhimtari të lartë, duhej projektuar një teknikë e re kultivimi. Nën rrezet e diellit përvëlues meksikan, fermer më fermer, arë më arë, përrua më përrua, duke fjetur dhe jashtë në tendat, Dr. Borlaug filloi të mendonte e të projektonte se çfar duhej të bënte. Për të krijuar lloje rrezistente ndaj sëmundjeve dhe me prodhimtari të lartë, grupi i tij për 10 vjetët e para kryejti 6.000 kryqëzime individuale të grurit. Njëkohësisht duhej shkurtuar koha e krijimit të llojeve të reja. Për këtë ai realizoi dy mbjellje brenda vitit, duke shfrytëzuar vende të ndryshme larg njeri-tjetrit dhe në lartësi të ndryshme. Kjo bëri që llojet e reja të krijuara nga Dr. Borlaug të përshtateshin në të gjitha zonat klimaterike e gjeografike, kjo teknikë u quajt "shuttle breeding". Gjat punës së tij intesive hasi në kundërshtimin e vendosur të kolegëve pasi gruri siç dihet duhet të kalojë një periudhë  të caktuar qetësie, si dhe shpenzimet rriteshin. Konflikti arriti deri në tërheqje nga programi por më pas palët ranë dakort me arsyetimet bindëse e këmbëngulëse të Dr. Borlaug.
   
Dr. Borlaug me Zv. Presidentin Amerikan H. Wallace
dhe Min. Bujq. Meksikës M. R. Gomez 
         Pas gjithë këtyre përpjekjeve, në vitin 1950, ai i jep Meksikës kultivarët e rinj të grurit, rrezistent ndaj sëmundjeve dhe me kapacitet të lartë prodhues si dhe një teknollogji të re kultivimi. Prodhimi i grurit në Meksikë me llojet që krijoi Dr. Borlaug, gjat viteve 50-të u rrit 6 herë në krahasim me vitin 1944. Kur në vitet 1960, ndryshqet kërcënuan Azinë, Amerikën Latine e gjetkë, dhe popullsia kërcënohesh nga uria e skajëshme, Dr. Borlaug e kishte zgjidhjen. Në këtë kohë, Meksika  nga një vend në prag të falimentimit e urisë kombëtare, u bë një eksportues i drithrave dhe i farërave të zgjedhura. Llojet e reja të sapo krijuara, nga Dr. Borlaug me një agroteknikë moderne që ai projektoi, jepnin një rendiment tre herë më të lartë. Në vitin 1963, Dr. Borlaug dërgohet në Indi e Pakistan sepse këto shtete kërcënoheshin nga uria. Aty ai organizoi e drejtoi punën për rritjen e rendimenteve në drithra e për ta shpëtuar këto vende nga falimentimi.
            Pavarësisht se ende nuk isha angazhuar në punët në bujqësi, por më kujtohet fare mirë se sa me shpejtësi hynë në Shqiperi këto lloje rreth viteve 1960, madje nuk kishte kohë as që t’i “pagëzonin” , por quheshin M1, M2, M3, e me radhë, dhe më pas u zëvëndesuan me ato italiane e shqiptare. Mbi përvojën e këtyre llojeve organizoi punën e tij agronomi pasjonant shqiptar Prof. Mentor Permeti e të tjerë. Para se të hynin këto lloje, fshatarët kishte rraste që rripeshin tërë vitin në arat e tyre, dhe kur vinte fundi i korrjeve, e korrënin grurin për bar të thatë dhe thuhej: “ta merr nga lëmi”.  Një miku im i nderuar, që e ka përjetuar atë kohë, para se të hynin llojet meksikane të grurit thotë: se deri në 7 kv/ha miresh nga bujqit, këtë e tregojnë dhe statistikat e kohës. Me hyrjen e këtyre llojeve në Shqipëri, dhe përmirësimin e teknollogjisë së kultivimit rendimenti u trefishua, u harrit që të miresh 20-30 kv/ha.
            Në 1964, Dr.Borlaug u bë Drejtor i Programit Ndërkombëtar për Përmirësimin e Grurit në El Batán, Texcoco, në skajet lindore te qytetit te Meksikos, si pjesë e sapo-formuar e Grupit Konsultativ Ndërkombëtar (Hulumtime Bujqësore Ndërkombëtare dhe Qendra për Përmirësimin e Grurit). Ai jetoi e punoi për 27 vjet në zonat rurale dhe shumë të varfëra të Meksikës. Dr. Borlaug, aty përgatiti dhe edukoi një varg shkencëtarësh, fillimisht në Meksikë dhe më pas në gjithë botën. Së bashku me këta shkenctarë, e përseriti këtë metodë dhe teknikat e reja të kultivimit, edhe për orizin, misrin e kulturat e tjera bujqësore. Ndodhi një bum bujqësor që u përhap në vitet 1970-1980, në Azi, Amerikën Latine e gjetkë. Ky u quajt në atë kohë, Revolucioni i Gjelbërt në Bujqësi. Këto metoda, po zbatohen gjerësisht edhe sot nga kompanitë e prodhimit të farërave, duke u siguruar atyre fitime të mëdha.
            Pas kësaj pune kolosale, në vitin 1970, Dr.Borlaug ju akordua çmimi Nobel për Paqe. Lajmin e mori nga shoferi tij që e dërgoi  gruaja në fushat ku punonte, 45 milje larg qytetit të Meksikos, …atij nuk i besohesh.  Në dhjetor të po atij viti, ai udhetoi në  siujdhesën e gjyshëreve të vet, tek skandinavët e Nobelit, për të marë çmimin. Aty ai deklaron:
-  “Është një luftë që sapo e kemi filluar, por nuk e kemi të fituar,… duhet të vazhdojmë”.
Puna e tij tregoi se: prodhimi bujqësor, mund që ta përballojë ritmin e rritjes popullsisë botërore.
            Në vitin 1968 bëhet anëtar i Akademisë Kombëtare të Shkencave Amerikane. Deri ne vitin 2004 Dr. Borlaug kish marrë  49 Diploma Nderi nga universitet e 19 shteteve, ishte anëtar nderi dhe i jashtëm  i 22 Akademive të Shkencave. Në vitin 1977 dekorohet me Medaljen Presidencjale të Lirisë, në SHBA.  Në vitin 2007 me pëlqimin unanim të Senatit Amerikan mer çmimin më të lartë civil “Medaljen e Artë të Kongresit” e cila ju dorëzua nga Presidenti Xhorxh W Bush. Në vitin 2006 ka marë çmimin e dytë më të lartë nga India. Puna e tij në vite, si dhe çmimet  dhe medaljet që ka fituar Dr. Borlaug nga e gjithë bota janë të shumta dhe nuk mund qe ti përshkruajme dot këtu në këtë shkrim modest. Eshtë i shtati në botë që ka marrë kaq shumë çmime e medalje, dhe i vetmi njeri në botë që ka shpëtuar kaq shumë njerëz të uritur nga vdekja.
Dr. Borlaug me Presidentin Xh.W. Bush
në 17 Korrik, 2007
            Në vitet 1980 Revolucioni Gjelbërt u kritikua fort nga  kritikët mjedisorë, sociale si dhe rrymat e tjera të krijuara brenda shkencës bujqësore.
- Ju keni krijuar më shumë vështirësi se ato që keni zgjidhur, - ju tha atij në atë kohë.
Dr. Borlaug u përgjigj: - se problemi i vërtetë nuk ishin teknikat e tij bujqësore, por ritmi i rritjes së popullsisë botërore, ( sot: rreth 80 milion në vit, ose 1,14 %), e kishte bërë këtë mënyrë të kultivimit të bimëve bujqësore të nevojshme dhe më se të domosdoshme.
Që nga viti 1984 dhe deri sa vdiq, Dr. Borlaug, ka  hulumtuar ne Unversitetin A & M, në Teksas. Gjat këtyre viteve, ai njëkohësisht përkrahu dhe u angazhua në programet dhe lëvizjen për përdorim të kontrolluar të plehrave kimike dhe pesticideve në bujqësi.
            Si rezultat i këtij presjoni të madh, në mesin e vitetve 1980, fondet për zbatimin e teknikave të kultivimit të bimëve që Dr. Borlaug rekomandonte, u pakësuan ndjeshëm.
- Mungesa e ushqimeve do të shkaktojë kriza dhe trazira globale, -theksonte ai,- në qoftë se ju do të pakësoni fondet dhe ndihmat për bujqësinë.
            Në vitin 1980, 17% e ndihmës që vinte nga vendet e zhvilluara ndaj atyre të varfëra shkonte në bujqësi. Në vitin 1985 e më pas kjo ndihmë ulej për çdo vit, dhe në vitin 2006 ajo  u reduktua deri në 3.8%.  Pasojat  u ndien që në vitin 1995. Filloi rënia e prodhimit bujqësor dhe në vitet 2007-2008 ariti kulmin me trazirat që ndodhën në shumë vende të botës dhe u pasua me krizën ekonomike që po kalon sot bota. FAO  ka deklaruar se numëri i të uriturve në botë ka kapur shifrën 1 miliard, ose një të gjashtën e popullsisë së planetit.
            Administrata e Presidentit Obama ka inicuar nismat për zhvillimin e bujqësisë për të ulur  numurin e të uriturve në vendet në zhvillim. Nismës  Fondacioni Rokfeler, ju bashkua dhe Bill & Melinda Gates, etj.  Dr. Borlaug gjat nje interviste në shtëpinë e tij në Dallas, në moshën 95 vjeçare tha me zë të lartë para kamerave:  “...duhet të isha 40 vjeç më i ri”. Energjitë dhe angazhimet e Dr.Borlaug nuk shterën gjat gjithë jetës së tij. Në moshën 90-vjeçare ai mendonte se si duhej të luftohej uria që kish pllakosur kontinetin Afrikan dhe në Paqësor. Kur ai ishte 92 vjeç zgjidhet President i Projektit Kërkimor Global Afrika 2000.
            Dr. Borlaug ka lënë pas një sërë botimesh e ligjëratash si për kultivimin e grurit, mbi perspektivat botërore të bujqësisë në shekullin e 21-të, etj., si dhe janë botuar e po botohen me dhjetra libra nga shumë institucjone kërkimore shkencore në të gjithë botën.
Në vlerësim të punës dhe kontributeve që ka dhënë Dr. Borlaug në bujqësi institucjone, organizata e programe bujqesore kanë marë emërin e tij. Në muain tetor organizohet një simpozium ndërkombëtar i përvitshëm me emërin “Dialogu Borlaug” ku mbahen kumtesa e shqyrtohen problemet ushqimore që ka sot bota si: zhvillimi global i bioenergjisë, sfidat e dyfishtë ndaj kequshqyerjes dhe mbi pesha, mos-sigurimi i ujit dhe ndikimi tij në zhvillimin e stabilitetin e vendeve te Lindjes së Mesme dhe mundësitë e përsëritjes të Revolucjonit të Gjelbërt, etj.
            Puna dhe përpjekjet e Dr.Borlaug në angazhimin e tij për të ushqyer njerëzimin, janë një trashëgimi e vyer që ai ka lënë pas, e që do të frymëzojë shkencëtarët dhe veçanërisht ata të  Shkencës Agronomike në breza.

Përgatiti:
Koço Mosko
Boston, MA - SHBA


Monumenti Norman E. Borlaug në shtetin meksikan Sonora është një vend i përjetshëm pushimi.
The statue of Norman Borlaug stands overlooking a planting of "Siete Cerros" wheat. Borlaug’s hands are extended, and holding wheat heads.







No comments:

Post a Comment