nga: Profesor dr. Llukan TASE
Tiranë
Kam ardhur në Tiranë në vitin 1941 Prof. dr. Llukan TASE
Origjina ime është nga Zguraleci -një fshat i Leskovikut (në buzë të malit të Lipecit), pra me origjinë jam Kolonjar. U shpërngulëm nga vendlindja sepse e kishim të pamundur jetesën pa tokë bujqësore të mjaftueshme.
Vitet e para edhe në Tiranë jetesa e pesë frymëve ishte e vështirë, sepse kishim për të jetuar vetëm me rrogën e babait, që ishte punëtor marangoz.
Vitet e para të shkollës i kam kaluar në Lagjen e Dibranëve në periferi të qytetit, që aso kohe ishin popullata më e civilizuar e Tiranës.( Bekteshët, Tominët, Kastratët, etj. në lagjen e sulmit siç quhej atëherë ).
Aty qëndruam deri në mbarimin e luftës. Në vitin 1945 si fëmijë shkolle, u aktivizova edhe unë me pionerët e kohes. (shtëpia e pionerit )
Dëshira për tu bërë agronom për mua ishte e lindur-sepse isha bir fshati dhe i rritur me fukarallëkun e kohës.
Dëshirën time për të ndjekur shkollen bujqësore ma inkurajoi atë kohë edhe nje udhëheqës pionerësh në Shkollën e Kuqe i quajtur A. Anadolli, i cili më tha se po te shkosh në bujqësi, ushqimet i ke të garantuara.
Si adoleshent mendova se kjo na duhej. U regjistrova ne Teknikumin Bujqësor të Kamzës, që në atë perjudhë ishte e vetmja shkollë e mesme e bujqësisë. Shumica e nxënësve të teknikumit vinin nga fshati, kurse unë vija nga kryeqyteti dhe shkollën 8 vjeçare e mbarova me rezultate të mira, pra, kisha mundësi të zgjidhnja një degë tjetër.
Në moshën 18 vjeçare mbarova shkollën e mesme dhe në vitin 1953 u emërova në Stacionin e Kërkimeve Bujqësore, që ishte e para bërthamë e shkencës bujqësore shqiptare ( me pastaj u quajt Instituti Kërkimeve Bujqësore " Ivan V.Miçurin." Në qendër në Lushnjë. Stacioni më dërgoi përgjegjës i qendrës së Korçës, pranë NB. Maliqit, ku eksperimentonim problemet e panxharit, grurit dhe misrit në kushtet klimatike të zonës.
Isha vetëm 18 vjeç por si edhe shokët e moshës sime atëherë ishim më të pjekur dhe të gatshëm per pune (ndërsa sot 18 vjeçari në përgjithësi se ka atë dashuri për jetën siç e kishim në atë kohë).
Mbas tre vjet pune të suksesshme në fermën e Maliqit, më doli bursa për agronomi në Bullgari. Kam studiuar pesë vjet në Akademinë Bujqësore "Gj.Dimitrov" në Sofje. Ja dimë për faleminderit popullit bullgar, pedagogëve dhe bashkëstudentave tanë bullgarë, të cilët na ndihmuan për tu përgatitur për jetën tonë në shërbim të bujqësisë shqiptare.
Mbas kthimit në Shqipëri, meqenëse isha specializuar për perimet u emërova në NB. Sukth, aty kam punuar përgjegjës i sektorit të perimeve që në atë kohë ishte sektori më i madh në republikë, kishte afro 1000 punonjës. Furnizonim çdo vit 50 -55 mijë kuintalë perime për dy qytetet kryesorë: Tiranën dhe Durrësin. Për rastesi në Ndërmarjen Tregëtare të Tiranës në atë periudhë ishte drejtor i mirënjohuri miku ynë Sabri Godo, me të cilin kemi punuar shumë për tregun e Tiranës, që në atë kohe ishte problemi numër një për drejtuesit e pushtetit.
Në vitin 1964 papritmas më dërgojnë Drejtor të Teknikumit Bujqësor në Kavajë të rrethit të Durrësit. Për mua kjo ishte drejtim krejt i ri dhe i panjohur më parë. Gjeta nëKavajë një kolektiv arsimor të përgatitur dhe njerëz të mrekullushëm që ma bënë detyrën time të suksesshme duke përgatitur agronomë të mesëm shumë të nevojshëm për rrethet e ndryshme të vendit.
Në vitin 1967 pata një shkëputje të shkurtër nga profesioni. Si njohes i gjuhës bullgare më derguan në ambasadën tonë në Sofje. Për shkak të
politikës antiruse në prag te festivalit te rinise që u zhvillua në Sofje na dëbuan nga Bullgaria si persona "non grata. Më vonë bullgarët kërkuan falje, duke ardhur ne Ministrinë e Jashtme në Tiranë vetë ministri i punëve të jashtme bullgare dhe nofka për të gjithë punonjësit e ambasadës na u hoq, pra u bëmë prapë miq.
Në vitet gjashtedhjetë, djemve tanë të Teknikumit të Kavajës bashke me shumë të tjerë fëmijë të përkushtuar, pata rastin tu sherbeja me modesti për përgatitjen e tyre profesionale. Kjo ndodhi mbas kthimit në Atdhe, kur u transferova në Institutin e Lartë Bujqësor.
Këta studenta djem dhe vajza, bashkë me ne, pak më të moshuar, përbënim atëhere brezin e punës dhe të dashurisë, per ta transformuar bujqësinë. E gjetëm me parmendë, pa kanale dhe investime. Shpesh punohej me zakonet dhe mendësitë e kaluara, kur toka lëvrohej akoma me kafshët e punës. Per kultivimin e perimeve as që kishte haber(me përjashtim të kopshteve të vogla fshatare). Shteti, megjithëse akoma i varfër, investoi duke bërë kanalizimin e tokave. U arrit te puna me traktorë e kombajna, u bënë me qindra hektare sera qe sfidonin kushtet e klimes.
Kryesisht prodhohej për nevojat e vendit, por një pjesë perimesh e frutash shkonin për eksport, se shteti kish nevoje për valutë që të blinte fabrika, e pajisje të cilat na mungonin.
Brezi ynë ishte brezi i punës, i shoqërise dhe i marëdhnieve në mes të njerëzve, që e dashuronin këtë vënd. Nuk i kthehet më këtij vendi ai brez idealistësh dhe fisnikësh.
Në viti 1970 nga ILB.-ja u transferova në Komitetin Ekzekutv të Tiranes. Në fillim isha K\Specialist për perimet dhe më vonë shef i Seksionit të Bujqësisë në rreth. Shtatë vjet punë bashke me shokët e mij specialiste u përballëm me nje periudhë pune të vështirë, sepse në atë kohë komitetit së bashku me ndërmarjet vartëse ju duhej të zgjidhnin konkretisht çdo problem, në mënyrë operative dhe konkrete. Por punën tonë e lehtesonte bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe harmonia e njerëzve kudo ku punohej, e në veçanti në kooperativat bujqësore, ku Tirana relativisht kishte terren shumë të vështirë (Zallë Dajti, Zallë - Bastari, Shkalla, Kllojka, Bërzhita, Shëngjergji, Gurra, etj.)
Në Komitetin Ekzekutiv punova shtatë vjet. Marrrëdhëniet dhe bashkëpunimi ynë me Ministrinë e Bujqësisë dhe veçanërisht me të palodhurin dhe gojë ëmbëlin Loni Çukon ishin të veçanta.
Kam punuar me tre kryetarë komiteti. Njeri prej tyre, Ndue Marashi, u vra në rrethana te pa zbardhura deri më sot. Në atë perjudhë, pas helmimit të lopëve në Baldushk dhe pas vrasjes së N. Marashit u bë nje kontroll i veçantë dhe i gjatë i sektorit të bujqësisë drejtuesit e rrethit me përkrahjen e sekretarit të parë të PPSH.-se Manush Myftiu. Na derguan për të dhënë llogari për ato që ndodhën, në Keshillin e Ministrave. Përveç kryetarit të vrarë ata kërkonin të dënoheshim- unë si Shef i Bujqesisë dhe Zv/ Kryetari që mbulonte bujqësinë, gjë që nuk ndodhi, sepse nuk ishim ne fajtorët.
Pas kësaj ngjarje unë u sëmura nga stresi dhe u transferova në IPP
në motivacionin e transferimit, sekretari i ri i PPSH në rreth- Simon Stefani më tha, ndër të tjera ,se arsyeja ishte se kisha në biografi dhe ca kritika e vërejtje. Ju përgjigja se, ai që punon ka dhe vërejtje, ai që rri pa punë nuk merr vërejtje.
Në vitin 1976 fillova detyrën si Përgjegjës i Sektorit të parë Shkencor e më pas Zv/ Drejtor i i Institutit te Perimeve dhe Patates, në këtë institut punova deri në daljen në pension.
Aktiviteti im në Shkencën Bujqësore njihet nëpërmjet botimeve të shumta dhe bisedave shkencore në radjo dhe televizion. Në periudhen 15 vjeçare,
në kohën që punova në shkencë jam specializuar: në Bullgari (në Stacionin Shkencor të Perimeve për 6 muaj në "Negovanska Opitna Stancija" ), në Francë dhe Egjypt për farën e patates shkuam në vitin 1965 me të ndjerin Skënder Xhiku. Ne vitin 1972 në Hollandë (tre muaj) për teknogjinë e serave bashkë me agronomin e mirënjohur Nezir Konin, në vitin 1980 një grup i Instutit shkuam në Greqi dhe Turqi për kultivimin dhe punën shkencore të perimeve me grup pune, në vitin 1985 ne Itali dhe në Francë për punën shkencore në hortikulturë me Arben Hasanin.
Kam mbrojtur dhe kam fituar titujt shkencorë. Jam i pari që kam mbrojtur doktoraturën për hortikulturën në Shqipëri.(i ndjeri Avni Oktrova, Shefi kKtedrës aso kohe e mbrojti në bullgari).
Nga viti 2000 deri ne vitin 2024 bashkë me shokët e mi ish bashkëstudenta dhe me shume dashamirës si dhe biznesmenin selim hoxha, formuam Shoqatën e Miqësisë "Miqtë e Bullgarisë", 24 vite si kryetar dhe organizator i kësaj shoqate të gjithë se bashku ( një pjesë e madhe kanë ndërruar jetë – qofshin të pa harruar) zhvilluam shumë aktivitete në dobi të forcimit të miqësisë midis dy popujve tanë ballkanikë.
Në bashkëautorësi me profesor Abdurrahim Myftiun, kemi botuar librin “Bullgaria dhe Studentët Shqiptarë” që është i vetmi i këtij formati në Shqipëri.
Aktualisht jam në pension dhe gëzoj respektin e miqve të shumtë të punës dhe të shkollave ku punova për afro 36 vjet. I falënderoj të gjithë miqtë e mi, që më respektojnë dhe më japin optimizëm për të jetuar edhe mbas moshës nëntëdhjet vjeçare.
Pasuria më e madhe për mua ka qenë dhe mbetetet familja dhe Shqipëria , për ta bërë më të mirë e më të bukur se shoqet e saj -në kuadrin e evropës së bashkuar. Me shumë respekt prof. dr. llukan tase
No comments:
Post a Comment