Monday, 14 November 2022

DY XIBUNË NGA DARDHA NË AMERIKË

“ Tradita nuk konsiston në ruajtjen e hirit, por në mbajtjen ndezur të zjarrit."
                                                                                                       Jean Jaures


nga: Fuat MEMELLI 

Boston, SHBA

I PARI PËR FËMIJË DHE…

Në gjurmët e këtij xibuni, rrashë rastësisht. Para një muaji e ca në Boston u organizua një festival (kështu i thonë këtu) por në fakt është një veprimtari argëtuese me valle, këngë, ushqime, pije, artikuj të ndryshëm për shitje, etj, ku njerëzit mblidhen e festojnë. (Festivale të tillë janë organizuar më shumë në Uster, pranë kishës shqiptare.) Te veprimtaria e Bostonit u takova me dardharen Sofika Glozheni (Papargjiri). Atë ditë Sofika më tha se stërmbesën e saj me moshë 5 vjeçare, prindërit e kishin veshur me xibun.

Robaqepsja duarartë
Nume Peçi

- Sa mirë, do t’i bëj një fotografi !- i thashë .

- Do ta sjell këtu bashkë me prindërit e saj, tha Sofika.

Pas disa minutash ajo mbriti me Anën dhe prindërit e saj. Pasi biseduam pak, i bëra fotografi Annës me prindërit , Angjelina dhe Joan Myzyri, si dhe me stërgjyshen Sofika. I mora pak të dhëna kalimthi por më vonë Angjelina, vajza e Sofikës, më dërgoi informacione më të plota. Dhe ja si është historia e xibunit dardhar që kishte veshur atë ditë Anna.

Këtë kostum e kishte qepur në vitin 1925, rrobaqepësja e shquar dardhare, Nume Peçi për mbesën e saj me emrin Athina, që atëherë ishte 8 vjet. Siç dihet Nume Peçi ka qënë rrobaqepësja e shquar e cila ka qepur sa e sa xibunë për vajzat dardhare. Tradita ishte që çdo vajzë kur martohej, duhet të kishte xibun.(Theksoj se xibuni ka qënë i përhapur edhe në fshatrat Sinicë e Dardhë të asaj zone.) Familja e ruajti me kujdes atë xibun , i cili lidhej me emrin e njeriut të tyre të dashur, Nume Peçit. Pas viteve ’90, mbesa e Numes, Elsa Gjino Peçi, erdhi në Amerikë nga i jati Pandi Peçi ( i biri i Numes) pasi ai kishte patur nënshtetësi amerikane. Kjo familje u vendos në qytetin e Usterit, që ndodhet një orë larg Bostonit.

Për mos i ngrënë “hakun” kësaj familje e cila është trashëgimtare e vërtetë e xibunit, fola në telefon me Elsën e cila më dha informacion më të plotë. Gjatë bisedës mësova se Elsa ishte gruaja e gjeneralit të shquar Vaskë Gjino, i cili pësoi fatin e keq nga Enver Hoxha, bashkë me disa  gjeneralë të tjerë të ushtrisë shqiptare. Por, le të kthehemi te xibuni. Elsa e mban mend fare mirë gjyshen e saj, Nume Peçi, për të cilën thotë se ishte shumë e lidhur me të dhe e deshte më shumë se nënën e vet. Numja duarartë e kishte qepur atë xibun për ,mbesën e saj, Athina Peçi ose motrën e Elsës. Krahas kostumeve që qepte për vajzat të cilat kur martoheshin duhet ta mernin xibunin në pajë, Numja qepte edhe rroba prej shajaku. Me kostumin e Numes u vesh edhe vajza e kryetarit të komunës së Dardhës, Qamil Quku, i cili ishte me origjinë nga Shkodra. Fotografia e vajzës së tij u bë kartolinë dhe shitej në Shqipëri. Elsa më tha se në familjen e Athinasë, motrës së saj në Tiranë (tashmë e ndarë nga jeta) ndodhet makina qepse e Numes. Solla kështu një “copëz” të vogël të historisë të xibunit për fëmijë që tani ndodhet në Uster. 


…I DYTI PËR GRA 

Një xibun për gra i sjellë nga Dardha, ndodhet në shtëpinë e Andrea Panit në Boston. Kostumin e kishte sjellë i ndjeri Sotir Pani, babai i Andreas e Vaskës si dhe miku im i veçantë. Xibuni ishte i nënës së Sotirit, Viqit. Edhe këtë xibun e ka qepur Nume Peçi. Andrea e ruan atë si një gjë të çmuar, ashtu siç ruan edhe dëshmi të tjera të  sjella nga baba i tij. Me nismën e Sotirit në kishën shqiptare Shën Trinia ku shërbente Mitropoliti i ndjerë, Ilia Ketri, disa vjet më parë u hap një ekspozitë me fotografi nga Shqipëria. Sotiri kishte sjellë foto të vajzave e grave dardhare me xibun, ndërsa unë  foto  të grave e vajzave sinicare po me xibun. 

Duke biseduar  me dardharin Vaskë Bruko i cili jeton në Amerikë e që është mjaft aktiv për veprimtaritë e dardharëve në Uster ( te ky qytet është një Dardhë e dytë) më tha se ngjyrat e xibunit janë zgjedhur bardh e zi, për të qënë të njëjta me ato të flamurit tonë, ndërsa bizhuteritë që duheshin si gjerdani, kapsat, etj, dardharët i kanë sjellë nga Austria.

Sinicaret me xibun para kishës së fshatit

Solla kështu disa copëza mbresash për dy xibunët e bërë në Dardhë gati 100 vjet më parë nga Nume Peçi e që emigrantët dardharë i kanë sjellë në Amerikë. Jam i bindur se edhe emigrantë të tjerë dardharë, do ta kenë marë këtë kostum aty ku jetojnë. Sa shumë fije i lidhin emigrantët me vendlindjet e tyre! Siç ka thënë një filozof ”qiellin por jo shpirtin, ndryshon ai që shkon përtej detit.” 

 

 

 

 

No comments:

Post a Comment