- Ata që janë rritur në fshat, ose kanë kaluar aty vitet e adoleshencës, do të gjejnë diçka nga vetja në këto skica, të cilat, në fakt janë sinopse përjetimesh -
Petro MEJDI |
1 - Mësimi edukativ nga një vjershë për dhinë makute.
Se ena psillopigadho
Fitrose hortari
Mia kacika lemarji
Pije na to pari.
Në një burim të lartë
Mbiu një fije bar.
Një dhi e pangopur
U ngjit për ta marrë ...
Kaq vargje mbaj mënd nga kjo vjershë, të cilën e mësuam përmëndesh nga libri i Këndimit(Anagnostiko), ndoshta në klasën e dytë. Vargje të tjerë nuk më kujtohen, por kam të gjallë atë ilustrim të vjershës: burimin, një si mur i ngushtë në krye të tij dhe dhia që bëhej gati që të ngjitej që të kapte fijen e barit, por mbaj mënd fundin, ndaj dhe e kishin vënë në librin e Këndimit, mbaj mënd se ç'ndodhi me dhinë që ishte lemarji, ajo ra dhe theu këmbën. Pra mësimi edukativ ishte i qartë : mos u bëni makutër, se e pësoni si dhia!
Ishin vitet 1963 - 1964. Nuk mbaj mënd as autorin e poezisë. Ndoshta e ndonjë poeti grek, kishim dhe tregime nga letërsia greke, si "Pse ra Jani nga kati i katërt", vonë mësova se ishte i shkrimtarit grek Arjiris Eftaliotis, ishte një pseudonim, ndoshta vjersha për dhinë ishte dhe e Pavllo Shutit, ngjante me stilin e tij. Më vonë pjesët nga letërsia greke përtej kufirit u rralluan, deri sa humbën fare.
2- Kur lindëte lopa e shtëpisë.
Baba Rakoja me kokën pak mënjanë dhe me zë të ulët i thoshte mana Ksenit :
- Ti les më, ekace?(a ndënji, a zuri )
Plaka pasi mendohej pak i thoshte se është herët akoma, por e shoh që është qetësuar. Dhen psahni voidhi, otan tis zigoni kanena fevji( Nuk kërkon më dem, kur i afrohet ndonjë , ikën). Këto ishin muhabete të vështira dhe të turpëshme për një fëmijë, sidomos të kohës sonë. Por e kuptova se flitej për lopën, gabimi i tyre ishte se e dhe pse thoshnin fjalë të ndaluara, ata shikonin lopën.
Nuk kaloi shumë kohë dhe na këshilluan që të mos i binim lopës me shkelm në bark dhe në dimër i jipnin ujë të ngrohtë me kripë, alisiva.
Tani e dinim se lopa do të bënte viçin e rradhës, pra do hanim kulloshtër, do të kishim qumësht për të njomur misërniken e verdhë të pjekur në furrën e shtëpisë.
Dhe kjo ditë erdhi, vërtet vonoi shumë aq sa ne e haruam fare, nuk e kishim më mëndjen tek lopa, se kështu ditët na dukeshin muaj. Lopa “filloi lejen e para lindjes", vërtet disa ditëshe, por ishte për të një regjim shtëpie. E dhe "mamia", mana Kseni dy tre ditët nuk shkonte në punë. Që do të lindte atë ditë e kuptuam nga nervozizmi i plakës, dhe nga që tek shkallët kishte vënë dy vandakë me bar të thatë, ai do të ishte shtrati i lopës. Kur lopa filloi të pëllasë ne fshiheshim pas njeri - tjetrit. Në oborr nuk kishte njerëz të huaj, vetëm ne, dhe dita mbahej si sekret, të mos e dinin komshinjtë se kishte dhe nga ata me sy të keq.
Mana Kseni nuk ishte besimtare, por ditën që do të pillte lopa shkonte tek kamarja ku ishte vendosur ikona e Shënmërisë dhe diçka mërmëriste. Në ato çaste sublime për të, ajo nuk donte asnjë pranë. E dhe vëllanë e vogël e largonte.
Por shfaqja më emocionuese, a thua se ajo ishte në rolin e një aktoreje profesioniste, ishte në oborrin ku lopa do të pillte. I afrohej lopës, e përkëdhelte dhe i fliste me një zë të ngrohtë, i thoshte fjalë kurajoze, lopa e shikonte në sy, dhe shtrihej ngadalë në duke mbuluar gjithë sipërfaqen e pllakave me bar të thatë.
Kur pamë viçin mbi kashtë dhe lopën duke e lëpirë, ajo, lopa, kthente sytë e qelqtë nga mana Kseni, sikur e falenderonte për asistencën e saj në këto çaste të vështira për të, ne filluam të marrim veten pas bulurimave të lopës. Nuk kaluan pak minuta dhe viçi, pasi iu morrën mëndtë nga një ritual si ai qëndrimit të parë më këmbë, u ngrit. Dhe ishte aq i bukur. Tani ne e kishim mëndjen se kur do të hanim kulloshtrën. Më kot bënim si të babëzitur, sikur do të bënim kërdinë mbi kulloshtër, as 5 lugë nuk hanim dot.
3 -Kur ktheheshin dhëntë për dimërim në shtëpi.
Një nga kujtimet më të bukura të fëminisë në fshat.
Na merrte malli për to. Sipas rradhës shkonim në nome për të marrë djathin, por dhentë tona nuk i shikonim. Atë mëngjes pranvere, pas të cilit ato nuk do të ktheheshin më në oborrin e shtëpisë, dhe sikur ta ndjenin këtë mungesë disa mujore larg qingjave, atë ditë ishin më të dashura dhe më të durueshme me dëshirat dhe lojërat e qingjave të tyre me gjinjtë. Takonin turinjtë dele dhe qingj dhe kishe përshtypjen se po putheshin si para një ndarjeje. Të gjorat dele nuk i gjenin të gjitha të pjellat e tyre kur ktheheshin , se gjatë kohës së mungesës së tyre kremtoheshin festa fetare dhe politike, Pashkët dhe 1 Maji, në të cilat bëheshin Kurban qingjat. Të tjerët i mbldhte Tolo Kasapi. Me fat ishin ato pjellat e të cilave ishin zgjedhur për të riniuar dhe shtuar brënda statutit.
Kthimi në shtëpi ndodhte në vjeshtën e tretë, sipas kohës, sipas parashikimeve të barinjve meteorologë, një javë më herët ose më vonë ato ktheheshin. Gjithmonë, gati gjithmonë, fshati zbardhte nga dëbora, në ato vite binte shumë dëborë. Nga malet zbriste dhe një mjegull e ftohtë, si një tis i hollë, e cila e bënte më spektakolare atë mbrëmje fshati.
I shikonim që larg kur hynin në rrugën e ngushtë të Miçurkos ose nga e tatëpjeta e Ajio Nikollës. Dilnim në eksoporta dhe i prisnim, a thua se po vinte nusja e shtëpisë. Ato tonat, në ato vite ishin mbi 20 , shkëputeshin dhe vraponin duke blegëruar hynin në oborr. Dhe fillonin kërkimet, na shikonin në sy sikur donin të mësonin të reja për qingjat që kishin lënë kur ikën. Kështu i zbërheja ato vështrime dhe nervozizëm të tyre. Ishte një pabesi, sikur thoshnin sytë e njomur, ne u dhamë djathin, ju nuk na tregoni qingjat. Midis fshatarit dhe bagëtisë së shtëpisë ka gjithmonë marrëdhënie njerëzore, që ngjajnë si hyjnore. Të gjorat, kërkonin qingjat, muajt larg shtëpisë nuk mundnin që të haronin pjellat e tyre. E çuditëshme me delet, sa hynin në rrugicat e fshatit vraponin për në shtëpitë e tyre duke blegëryer. Mbushej fshati me korin e blegërimave, të cilat na emociononin.
Por ato mund të hynin në fshat nga ana e lagjes tjetër, nga rruga e Poliçanit ose e lumit. Atëhere pleqtë na caktonin detyra. Shkonim në lagjen tjetër dhe i ndiqnim me vështrim se mos gabonin rrugicat. Kam përshtypjen se bagëtia ka një kujtesë të fenomenale për të mos ngatërruar shtëpinë e saj, ndoshta instikti i amësisë është shumë i fuqishëm tek ato.
Natyrisht, nuk vinin të gjitha që në fillim. Ato që e kishin për herë të parë atë rit ngatëroheshin në atë vrapim dhe blegërima që i hutonim .Shkonin mekanikisht pas të tjerave dhe hynin në oborret e të tjerëve. Pastaj kalonim nëpër rrugica dhe thërrisnim me emër të zotin e shtëpisë se mos bashkë me të tijat ka hyrë në oborr dhe ndonjë e huaj. Me kalimin e orëve fshati binte në qetësi. Delet në katua kishin një ndarëse të përbashkët
Skorjadhiti Kita Fuqi, çobani i Hllomosë, njeriu me një histori jete interesante, ndoshta ndonjë ditë do ta shkruajmë. |
4- Ta ponovia
Gjithmonë e kujtoja këtë fjalë, pak e pa shpjegueshme etimologjikisht nga greqishtja. Vonë kur fillova të kuptoj nga gjuhët sllave dhe nga etimologjia, më shkoi ndërmënd se kjo fjalë duhet të jetë një sllavizëm, novi-novo (e re, i ri), kjo pjesë e fjalës më bindi për këtë. Dhe vërtet jeshilleku që dukej pas korrjes, ishte një bar i ri. Me korrjen u prisheshin jatakët dhe lepujve të vegjël që mezi vraponin midis kërcenjve të bimëve të korrura. Dhe kështu bëheshin pre e qenve dhe e njerëzve.
E prisnim si e si rrënien e drapërit të parë. Të gjithë në fshat, parti, pushtet dhe Rini, përgatiteshin për fushatën. Ishin vite të prishjes me sovjetikët dhe Hrushovi i ktheu nga rruga vaporët me drith. Çdo kokër gruri ishte flori. Kërkohej vigjilencë që armiku i brëndëshëm të mos na dëmtonte. Gjithë muajt, deri në Korrik, u shkonim aq afër parcelave të grurit, shpesh haroheshim pas bilbilave, trumbetave, mbledhjes së kërminjve, të cilët i piqnim në zjarr me gjithë guackat, qingjat, kecat dhe viçi, hynin në dëm. Në ato vite korrej vetëm me drapër, kështu që parcelat liroheshin ngadalë.
Na zgjonin herët ata të shtëpisë, u kishim thënë vetë, donim që të ishim ne të parët që do të zinim parcelat e liruara. Them "ne" se me Manthon i kullotnim bashkë qingjat. I vinim përpara dhe u binim me vica, thupër shkoze, gati e bënim rrugën deri tek parcelat e sapo korrura me vrap, përtej në parcelat e vogla që vinin njera pas tjetrës, dhe jo nga aksionet vullnetare ose nga brigadat, por ishin të vjetra, nga koha kur njerëzit, skorjadhitët me punën e tyre të krahut dhe parmendës së qeve shtonin tokën bujqësore, ne ndiqnim dhe ponovjat në Cigara, në Çurana dhe në Rezvania. Nuk shkonim në tokat në kufi të lagjes tjetër,u shmangeshim përplasjeve të mëdha. Parcelat gati jeshilonin, të imtat tureshin me vrap, sikur ta kishin kuptuar se ndaj i nxitonim rrugës.
Ditët e para grindeshin me të tjerë që i bashkonin tufat e tyre me tonat, sikur nuk kishte më poshtë. Jo rrallë fillonte gara dhe midis meje dhe Manthos, kushedi se përse ishim zëmëruar dhe të nesërmen nga aleatë na pushtonte ndjenja e konkurencës. Tani ishim të gëzuar. As dëme nuk bënim dhe gjithë kohës luanim në lëndinat përreth.
Ne i gëzoheshim asaj që në fund të gushtit kecat, qingjat dhe viçi do të vlerëoheshin nga Tolo Kasapi me mish të kategorisë së parë, pra do të merrnim më shumë lekë.
5-Fishkëllima që ftonte kopetë e dhënve për kripë dhe zëmërimi i barinjve.
Kjo ndodhte kur shkonim në shkollën e Poliçanit, në vëndin e quajtur Kamenica, kur kopetë kishin zbritur nga pllajat e Nëmërçkës për të shkuar në Ksamil dhe në Libohovë, për të dimëruar. Ka një fishkëllim të veçantë për të thirrur delet për kripë, ato, kriporet, ishin në vënde të sheshta, me pllaka të natyrës ose të vendosura nga barinjtë që i ndërtonin.
Ne fishkëllenim që poshtë rrugës të fshehur nëpër gëmusha dhe ia fillonim me rradhë. Në fillim ngrinin kokën nga kullota disa dele dhe pas blegërimave të para të tyre kori i zërave shumëfishohej, kur shikonim që delet e para me ndonjë cjap në krye, turreshin tatëpjetë për andej nga vinin fishkëllimat tona, ecnim dhe fishkëllenim, por kur dëgjonim barinjtë, të cilët, nga njera anë na shanin dhe bërtisnin neve, njëkohësisht u dilnin përpara dhënve dhe me thirje qetësuese dhe duke valvitur në erë xhaketa kadife, bruca dhe llabana, mundoheshin që t'i ndalnin në startin e një vrapimi marramendës.
Në fillim ua bënim këtë lojë kopeve të Sarandës. Këtyre u trembeshin, kishin në brez ca thika të mprehta të futura në myll briri që shkëlqenin si prej ebaniti .
-An mas piasun tha mas sfaksun afti ,ine çamidhes qe labidhes, thoshnim me njeri -tjetrin ( po na kapën do na therin ....).
Sapo ndonjëri nga ata merrte të tatëpjetën për tek ne, vraponim dhe ky vrap ndalej tek përroi, pas së cilës dukej shkolla e Poliçanit.
Por nuk linim rehat as barinjtë e kooperativës së Poliçanit, në të cilën ishte dhe Skoreja. Dhe këta ishin thuaje të gjithë tanët, i kishim të afërm, xhaxhallarë, kushërinj, të njohur. Dikush u ankua tek të mëdhenjtë e lokalitetit në Poliçan, ata thirrën Fani Zoton, drejtorin. Nuk e mësuam se cila palë u ankua. Me siguri ata të Sarandës.
Zëmërimi i drejtorit ishte i madh. Nuk pati ndëshkim individual, pasi ata nuk na njihnin, nuk dhanë emra. U trëmbëm se mos drejtori do të na vinte që të fishkëllenim për të kuptuar se kush ishte më mjeshtri për të krijuar atë melodi të veçantë, e cila ishte e njejtë për të gjithë, a thua se atë e kishte hedhur në pentagram ndonjë kompozitor. Unë për vete e kisha gati justifikimin .
- Drejtor Fani, unë nuk di të fishkëllej me gisht, mund të fishkëllej gjithë ditën dhe gjithë natën me buzë, të riprodhoj me dhjetra melodi këngësh, por me gisht jo.
Dhe këtu do të isha i sinqertë me drejtor Fanin. As tani nuk di që të fishëllej me gisht, se kështu fishkëllima çan malet dhe qiejt.
E dhe tani, kur kaloj në atë pjesë të rrugës Poliçan - Skore, më kujtohet loja e fishëllimave që ftonte dhëntë në kripore. E pranoj. Ishim fëmijë të prapë.
Zuri bora Nemërçkën dhënte zbresin nga mali |
Nga cikli : Kujtimet e Skoresë
( 3 Prill 2022 )
Bravo Petro, e ke shkuar shume bukur, me vertetesi, emocion dhe letersi, urime!
ReplyDelete