NËNË ATHINAJA
Nënë ATHINAJA |
Adresa e vjetër
- Merreni dhe këtë adresë se mund t’ju duhet, janë njerëzit tanë, - më tha një i afërm i fisit të gruas kur po përgatiteshim të emigronim në Amerikë. Ishte një zarf i vjetër, i zverdhur nga koha, me një adresë të qartë të viteve 1960. Kushdo e di, se sa shkel në Amerikë, duhet së pari të ingranohesh; puna, shkollat e fëmijëve, gjuha, etj. Megjithatë shpejt i erdhi radha dhe zarfit te vjetër. Adresa na drejtoi në Uster, një qytet afër Bostonit, ku ne u stabilizuam me familje. Kërkonim familjen Çuro nga fshati Stegopul. Me anën e një emigranti të ri në atë qytet, gjetëm një numur telefoni. E zonjë e shtëpisë, dhe ajo me origjinë nga Gjirokastra, por nuse në atë fis, na dha të njohur dhe na uroi mirëseardhjen në Amerikë, si dhe na ftoi për një vizitë në shtëpi. - “Por, ju pa tjetër duhet të takoni fëmijët e Mistos, ata jetojnë në Nju Jork, numrat e telefonave ua jap unë,” sqaroi ajo.
Misto Çuro nga fshati Stegopul rreth fundit të viteve 1800, në moshën 16 vjeçare kishte shkuar në Stamboll. Atje u martua me Ulinë nga fisi Kokosharjve të Nokovës. Në Stamboll lindën dhe fëmijët e tij që ne i kërkonim. Mistua kishte një motër të vetme, Zoicën, të cilën e la në fshat, e se pa më kurrë, mbesë e së cilës është gruaja ime, Lefteria.
Biseda e parë në telefon
Jo pa druajtje po formonim numrat në telefon të nënë Athinasë, vajzës së Mistos.. Do të mbajë mënd gjë vallë..? Flet shqip? Pyetjet të cilat na kishin mbërthyer e na mundonin. Disa të tjerë na kishin thënë se shqiptarët e vjetër shpesh janë të ftohtë. Këtu bëhej fjalë për një fis të ndarë më dysh, të lindur jashtë Shqipërisë dhe që nuk e kishin parë kurrë njeri-tjetrin.
Alo… dhe një “Alo” që na u duk si shqiptare nga ana tjetër e telefonit. Mbasi iu prezantova, ajo më pyeti: “ po ty nga je, nga anët tona?”…” Jam nga fshati Selckë, i thashë, e di?”…” Po si s’e di mor bir, është fshat i mirë, ka dhe njerëz të mirë atje. Keshë burrin nga Selcka, Koço Gjika, më ka molloisur”...
Kisha dëgjuar nga Dhosi Margariti që ka një Koço Gjikë në Amerikë por nuk e prisja të ishte burri i nënë Athinasë që unë kërkoja. Kur e pyeta nënën time në telefon, që atëhere ishte gjallë, ajo më tha: Një Koço Gjikë di unë, ai ka qënë në Tiranë. S’kishte si ta dinte nëna se ky Koço Gjikë, ishte nga gjysma tjeter e fisit Gjika, kish lindur në Stamboll, djali i Miçe Gjikës që kish emigruar edhe ky në moshën 15-vjeçare në Stamboll, nga fundi i viteve 1800.
Telefonin e mori gruaja. “Po si je moj vajzë”, gjëmoi zëri i nënë Athinasë. “I ke mirë ata njerëz andej? Babai im vdiq me merak të madh se la motrën e vetme në fshatin Stegopul, e nuk mundi ta shikonte, ai këtë më llafoste nga hera”.
Nënë Athinaja kishte të drejtë. Kur familja e saj me biznesin e vet qe kishte ngritur, “mbushte kasonat” me lira turke, motra e babait të saj, Zoica, si të gjithë shqiptarët, po kalonin kohë të vështira, luftra pas luftrash. Nënë Zoicës iu vra djali, Jani Mino në moshën 18 vjeç, në luftën e Tiranës, sot i vendosur në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, Tiranë. Si të mos mjaftonte kjo, i dogjën dhe shtëpinë në fshat duke i lënë jashtë në qiell të hapur, nënën me tri vajzat e saj. Ndonjë pako apo lekë që dërgonin shikoheshin me lupë nga shtetarët e asaj kohe… Biseda telefonike zgjati duke kujtuar e rikujtuar ngjarje të kaluara.
Një vizitë në shtëpinë e nënë Athinasë
Mezi e prisnim një vizitë në shtëpinë e nënë Athinasë 76-vjeçare. Harritëm shpejt në Astoria NY, buzë Atllantikut, ku ajo banonte për 50 vjet, që kur kishin ardhur në Amerikë. Makinën e parkuam në rrugë, nën hyrjen e saj. Ajo po na priste në dritare..:
“- E mor bir erdhët”, foli që nga sipër. Në atë rrugë të zhurmëshme njujorkeze na kujtoi për një çast nënat tona, të cilat na prisnin e na përcillnin nga dritarja, na ruanin me sy deri sa të zhdukeshim në horizont. Të gjitha nënat lunxhote të jenë njësoj!? Po,të gjitha nënat shqiptare janë njësoj. Ato i përfaqeson nënë Tereza, nënë e dashur e botës mbarë. Nuk është rastesi! Kujtoj, që nënat tona na thërrisnin “Jeto”. Këtë fjalë mistike shqipe me rrënjë kushedi se ku, që nuk e gjen në asnjë fjalor, e kanë veçuar nënat shqiptare për të shprehur dashurinë për bijtë e tyre, për njerëzit. (Jeto=Jeta ime.)
“- E mor bir erdhët”, foli që nga sipër. Në atë rrugë të zhurmëshme njujorkeze na kujtoi për një çast nënat tona, të cilat na prisnin e na përcillnin nga dritarja, na ruanin me sy deri sa të zhdukeshim në horizont. Të gjitha nënat lunxhote të jenë njësoj!? Po,të gjitha nënat shqiptare janë njësoj. Ato i përfaqeson nënë Tereza, nënë e dashur e botës mbarë. Nuk është rastesi! Kujtoj, që nënat tona na thërrisnin “Jeto”. Këtë fjalë mistike shqipe me rrënjë kushedi se ku, që nuk e gjen në asnjë fjalor, e kanë veçuar nënat shqiptare për të shprehur dashurinë për bijtë e tyre, për njerëzit. (Jeto=Jeta ime.)
- “Rrini si në shtëpinë tuaj”, vazhdoi nënë Athinaja, sa mbaruam përshendetjet e rastit. Shtëpia ishte e mobiluar mirë, binte ne sy rregulli e pastërtia lunxhiote. Në muret përreth ishin vendosur fotografitë e nipërve e mbesave, burrit të saj, nënës nga Nokova si dhe të vjehrit seliciot e të babait stegopulot. Po nuk mungonin dhe pamje nga Shqipëria dhe qyteti i Gjirokastrës. Shqipja qe fliste nënë Athinaja nuk bënte dallim nga ajo e nënave tona. Ajo fliste rrjedhshëm edhe greqisht, turqisht e anglisht.
“- Në Stamboll kemi jetuar mirë, por u shtrënguam të vimë në Amerikë në vitet 1960, për fëmijët. Mbase këtë herë mbaruan emigrimet tona. God bless America. Nipërit e mbesat i kam doktorë, jurist, inxhinjerë. Kemi bërë krushqi me tërë dynjanë: amerikanë, grekër, gjermanë, etj…” Por një nip nënë Athinaja e thoshte me “mburrje” se nusen e kishte marrë shqiptare, nga brezi i ri i emigrantëve.
Dreka ishte një drekë lunxhiote. Na dukej sikur ishim në shtëpitë tona në Shqipëri. “Kam gatuar të vendit por dhe gjellë turke, se dhe ata kanë gatime të mira”, tha nënë Athinaja. Tavolina u mbush me gatimet e shumta të kësaj nëne të mirë, fisnike e bujare.
Nënë Athinaja kishte marrë një kartë telefonike të fliste me njerëzit në Shqipëri. Vëllai i gruas në Gjirokastër, e hapi spikerfonin e telefonit për të dëgjuar të gjithë. Zëri i nënë Athinasë për një çast mbretëroi në dhomë, në shtëpinë e Gjirokastrës, ku e dëgjonin me vëmendje e gjithë familja…” Një nënë fisnike që na mallëngjeu, na kujtoi nënat tona”, tha Mrika, nusja e shtëpisë.
Në albumin me fotografi që na tregoi veçova një foto. Dukej sikur qe një valle lunxhiote e kënduar. E pyeta nënë Athinanë ju hidheni dhe valle lunxhiote!? Po jemi në Stamboll, unë jam në ballë të valles. Tani si kendojme më. Ju luta në se i kujtohesh një këngë dhe ajo pasi u mendua pak tha:
Më martoj babaj në Vlorë
Vajzë e vogëlo, shumë vogëlo
Më dha një burre doktor
Vajzë e vogëlo, shumë e vogëlo…
Telefonatat, për aq sa qëndruam atje, nuk munguan nga vëllai i nënë Athinasë, i cili tha:“ Ne shqiptarët kemi gjak të ëmbël, tani u shtuam”, si dhe nga motra Kostandina, ndërsa një vëlla, kishte vdekur. I gjithë rrethi familjar sot është plot me fëmijë e me shumë nipër e mbesa. – “Jemi një fshat i tërë.” Përseriste shpesh Nënë Athinaja.
Juli
Juli, vajza e nënë Athinasë, trashëgonte emërin e gjyshes Uli, kishte ardhur të na uronte mirëseardhjen. E mallengjyer për njerëzit që ia kishin përmendur shpesh në bisedat…”Kuptoj shqip po nuk e flas dot mirë. Kam ikur 9 vjeçe nga Stambolli. Mbaj mend kur gjyshja bënte byrekun e fuste ne furrë e thoshte …. Ajo e filloi por ia plotësuam ne: “Hyftë për dhjakonarë e daltë për pashallarë”. “Dua t’i shkel njëherë ato anë. Nga Selcka babai bëhej shumë me fisin e Kiçi dhe Qirici”, thote Zhuli. Fise këto që nga fshati nuk besoj se i di njeri , por ata e mbajnë fort emrin e fshatit nga kanë ardhur.” Ishte dhe fisi Lena, që kemi të bëjmë, të gjithë sot janë këtu. Më vjen keq për nënën që tani nuk mund t’i shohë dot…ato anë” fliste Juli duke u munduar të kujtonte ngjarjet dhe njerëzit.
Vizitës tek nën Athinaje po i vinte fundi sepse na duhesh të bënim një vizitë tek një lunxhot tjetër, Illo Foto që banonte aty afër me familje. Ndahemi duke i uruar: jetë të gjatë nënë Athinase, për të transmetuar fisnikërinë arbërore në nipërit e mbesat e saj të shumtë.
Në mbyllje të vizitës tek Nënë Athinaja
“Të shkruajë gazeta për ty?”, e pyeta nënë Athinanë kor po largoheshim. “Të shkruajë, pse mos të shkruajë, po dua ta shoh edhe unë!”, u hodh e tha menjëherë. “Unë nuk di të lexoj shqip”, shtoi nën zë, pas një pauze, si për të shprehur një peng të madh të jetës së saj. Unë dëshiroja që t’i shkruaja këto peripeci të jetës së familjes së Nënë Athinasë, sepse mendoj se jane te dobishme për emigrantët e vjetër e ri si dhe për gjithë shqipëtarët kudo që ndodhen.
Miliona shqiptarë që ndodhen në gjithe botën, vuajnë mallin dhe dashurinë për vendorigjinën e tyre, pra thjesht identitetin shqiptar. Shoqëria, shteti shqiptar duhet të bëjë diçka. Shpresojme që Qeveria Rama-2 me vendosjen e Ministrisë për Diasporen ta marri në dorë këtë punë. Bie fjala, pse të mos organizohen vizita në vendlindje apo në vend origjinën prindërore. Të ndihmojë per hapjen e shkollave shqipe në diasporë, etj, etj. Kështu ne kemi bërë afrimin e njerëzve dhe kontribuojme për një lobim të fuqishëm të shqiptarëve në botë. Ashtu, të ndarë “me forcat e veta” e provuam për 50 vjet. Nipërit e mbesat e nënë Athinave do të jenë turistët në Shqipëri. Këta do të jenë turistët e Lunxhërisë sepse më mirë u bie së pari të shikojnë e të eksplorojnë vendorigjinën e tyre, se sa diku gjetkë. Bota, siç thuhet tani, është sa një fshat.
Epilog
Premtimin për të shkruar në gazetë për Nëna Athinanë unë mbajta. Ky shkrim u botua te gazeta “Illyria” që del në Nju Jork. Po prisja që të kishim një rrast për t’ja çuar vetë. Por, na erdhi lajmi se ajo ndërroi jetë, nuk e përballoi dot sëmundjen e rrëndë. Shkuam për ceremoninë mortore, duke marrë me vehte dhe gazetën për t’ua dhënë fëmijëve të saj.
Në ceremoninë që u mbajt në Kishë prifti gjat fjalës së tij tha:
-“Shikoj këtu shumë shqiptarë që i kanë sytë me lot, Athinaja i deshte shumë patriotët e saj, ajo i ka ndihmuar të gjithë”
Gjat drekës që organizuan familjarët unë nxorra gazetën Illyria me shkrimin për Nënë Athinanë. Një djalë i Nën Athinase i befasuar e mori dhe gazeta kaloi dorë më dorë në sallë. Mbi mua u ngulëm dhjetra shikime. Nuk më njifte njeri, por me atë gjest u bëra i “rëndësishëm”.
Pas pak me gazetë në dorë më afrohet një mesogrua. Unë jam një emigrante e re nga fshati Luzat i Tepelenës. Kam qenë mësuese, dhe vazhdoi – Keni bërë shumë mirë që keni shkruar për Nënë Athinanë, ajo e meritonte, qe një grua fisnike, nëne e dashur për gjithe shqiptarët, i ka ndihmuar për tu integruar … Une shkoja shpesh tek shtepia e saj. Kur vonohesha nga punët ajo më thosh me dashuri:
- Po çu bëre moj vajzë, ku humbe?
Më shkuan në mendje pikturat dhe fotografitë në murret e shtëpisë së Nën Athinasë me subjekt nga Shqipëria. Ishte dora dhe mendja e kësaj mësuese fisnike, që nuk ja mësova dot emrin.
- Unë ju falenderoj Ju, ju përgjigja, - për këto fjalë të mira dhe rrespektin që keni për njeriun tonë.
Koço Mosko
Boston, MA-SHBA
(Shkrimi është shkruar dhe botuar në Gusht, 2010
Me Epilogun dhe ndonjë ndryshim të vogël Shtator, 2017)
No comments:
Post a Comment