- NJË JETË KUSHTUAR BUJQËSISË DHE SHKOLLËS TË VENDLINDJES -
Të shumtë janë ata që kanë shkruar për
shoqërinë dhe për shokët e tyre,
sidomos për shokët e fëmijërisë,
të rinisë shkollore, të punës, si dhe
për bashkëpunëtorët e tyre në rrjedhën e
jetës.
E ndjej detyrim qytetar dhe intelektual që nëpërmjet këtij shkrimi të flas e të
evidentoj diçka në faqet e gazetës
“Libohova” nga jeta dhe puna e shokut
dhe mikut tim që nga vegjëlia e deri sot, Besnik Ismailati, i cili tërë jetën dhe veprimtarinë e vet 65
vjeçare, ia ka përkushtuar vendlindjes së vet, Libohovës. Edhe pse tashmë në
pension, që në fillim dua të theksoj se
puna dhe veprimtaria e tij e palodhur dhe plot pasion dyzetvjeçare në fushën e
bujqësisë, arsimit, kulturës, administratës publike dhe në mjaft veprimtari të
tjera shoqërore, përbëjnë një kontribut të spikatur dhe të dallueshëm në personalitetin e tij si qytetar dhe intelektual.
1. Besnik Ismailati dhe Ismail Shehu ne
Libohovë 2. Takim në
Libohovë me shkrimtarin Xhevahir Spahiu,
viti 1988.
|
Me një
karrierë të pasur në disa fusha
të jetës, Besnik Ismailati njihet si një njeri punëtor i mendjes, mësues,
drejtues shkolle dhe specialist agronom i lidhur fort me bujqësinë dhe mjedisin.
Po cila është jeta dhe veprimtaria e tij ?
Besnik Hajredin Ismailati lindi në
Libohovë më 21 korrik 1952. U rrit, u edukua dhe u arsimua me dashurinë dhe kujdesin e veçantë të gjyshes së tij Merushe
Ismailati dhe xhaxhait Hidajet Ismailati. Arsimin 8 vjeçar e mbaroi me
rezultate shumë të mira në Libohovë në
vitet 1959-1967.
Qëndron një vit në shtëpi, pasi nuk i jepet e drejta e studimit për arsye të
kota biografike dhe vitin tjetër pas shumë përpjekjesh shkon në Teknikumin
Bujqësor Delvinë, dega e agronomisë, ku për periudhën kohore 1968-1972 mbaron
shkollën e mesme me rezultate shumë të mira. Këtu dallohet për aftësitë dhe
dëshirën e tij për punët e bujqësisë. Falë mbështetjes dhe inkurajimit të
mësuesve të vet, Jorgo Dhimpali drejtor shkolle, Qerim Bejleri nga Libohova,
Esat Kardhashi nga Gjirokastra dhe Pavli Gjati nga Delvina, për dy vjet rresht,
në pranverën e vitit 1970-197, Besniku
merr pjesë aktive në bërthamën
shkencore të punës së shkollës për
prodhimin e farës hibride të domates me pjekje të hershme “10 x Bizon”, e cila
në atë kohë shpërndahej në ekonomitë e ndryshme bujqësore të vendit. Në këto vite ai fillon të mësojë gradualisht në mënyrë të pavarur e në heshtje
gjuhën italiane.
Kolektivi
i matures në Teknikumin Bujqësor Delvinë
|
Në vitet 1972-1976 mbaron studimet e larta në degën e agronomisë
në Institutin e Lartë Bujqësor të Korçës me rezultate shumë të mira dhe
diplomohet agronom i përgjithshëm me temën studimore “Përbërja mekanike e tokës
në fushën e Drinos”, me udhëheqës teme
pedagogun Stavri Kreshpanji dhe specialistin e laboratorit të tokave në Gjirokastër
Stavri Koça. Por edhe në shkollën e lartë Besniku vazhdoi të merrte pjesë aktive edhe me veprimtaritë jashtëshkollore,
veçanërisht në teatrin e shkollës dhe në
veprimtari të tjera letraro-artistike që zhvillonte shkolla në ato vite. Edhe
këtu ai vazhdon të studiojë më me ngulm
gjuhën italiane, duke shfrytëzuar në
maksimum materialet e ndryshme të Bibliotekës së qytetit të Korçës.
Nga
jeta në ILB Korçë
|
Besniku e nisi punën si stazhier në
vitin 1976 si brigadier bujqësie, në N.Bujqësore
“M.Asqeri”, në sektorin e Nepravishtës. Këtu kryen edhe studimin e vet shkencor për mbrojtjen e temës së diplomës “Përbërja mekanike e tokës në fushën
e Drinos”, i cili në vitet pasardhëse shërbeu si bazë për sistemimin, punimin dhe përmirësimin e
kushteve prodhuese të tokës arë të kësaj
zone në një sipërfaqe prej 350 ha. Efektet e këtij studimi u ndien menjëherë
pas disa vitesh në rritjen e ndjeshme të rendimenteve të drithrave të bukës dhe
kulturave të tjera bujqësore, duke e kthyer sektorin e Nepravishtës në pararojë
të të gjitha ekonomive bujqësore të rrethit të Gjirokastrës, por edhe në
shkallë Republike. Në këtë ndërmarrje ai
punoi si agronom nga viti 1976-1985, ku
dha kontributin e vet edhe në sektorin e Goranxisë, Odries dhe pranë degës se
bujqësise në Drejtorinë e Ndërmarrjes.
Gjatë ushtrimit të detyrës si agronom, Besniku
krahas punës si specialist i aftë dhe kompetent në zbatimin e teknologjive
bashkëkohore bujqësore, ka kryer dhe udhëhequr edhe disa punime studimore
shkencore për kulturën e grurit e
misrit, duke evidentuar në to përvojën e pasur të punonjësve të bujqësisë të
sektorit të Nepravishtës për marrjen e rendimenteve të larta (mbi 45 kv/ha
grurë dhe mbi 76 kv/ha misër), të cilat shërbyen si përvojë pune për të gjitha
ekonomitë bujqësore të asaj kohe të
rrethit të Gjirokastrës.
Gjatë kesaj periudhe dhe më vonë,
Besnik Ismailati si specialist bujqësie është karakterizuar nga pasioni dhe
optimizmi për të vënë në praktikë çdo mësim të shkollës së lartë në bujqësi dhe
sektorët e tjerë, në degën e frutikulturës dhe veçanërisht të ullishtarisë të
zonës së Libohovës, si dega më e pëlqyer dhe më e preferuar e tij, për t`u
pozicionuar pastaj në Shkollën e Mesme Bujqësore “11 Shkurti” – Libohovë, 5 vjet në
drejtimin e saj (1985-1990). Kjo periudhë
pune është e mbushur me plot veprimtari dhe arritje të shkëqyera në
procesin mësimor-edukativ në rrang rrethi e vendi, falë kjo punës të përbashkët
e plot pasion të të gjithë kolektivit mësues – nxënës.Shkolla e Libohovës në
këto vite me një staf pedagogjik të përzgjedhur e të pëgatitur, me një bazë
prodhuese të plotë e model për aftësimin
praktik të nxënësve, u bë qendër e rëndësishme kualifikuese për të gjitha
shkollat bujqësore të rrethit. Por ajo që është arritja më e madhe në këto
vite, është vendosja e shkollës së Libohovës si fituese e vendeve të para në
olimpiadat e kimisë në shkallë vendi për disa vite rradhazi, falë punës plot
talent e këmbëngulëse të mësuesit të palodhur të kimisë, Yzeir Poshi dhe kolegëve të tij me
nxënësit e talentuar të asaj periudhe Eli Lako, Inajete Isaraj, Dhimitraq
Dimareli, Dhimitër Kolonjari, Artan Zaimi, etj., por edhe në olimpiadat zonale
të matematikës, biologjisë, fizikës, etj., ku meritë të madhe kanë mësuesit e
këtyre lëndëve Thoma Polo, Thollori Pasko, Sofokli Kadhulli, Koço Pasko, Jorgo
Çati,etj. Në çdo rast e në çdo takim të shpeshtë që ne zhvillojmë me Besnikun si drejtues e
mësues, ai gjithnjë shprehet me respekt
e admirim për të gjithë kolegët e vet, për punën dhe arritjet e përbashkëta në
procesin mësimor - edukativ, të cilat edhe sot e kësaj dite mbeten krenari e
shkollës dhe e gjithë Libohovës.
Nga
jeta dhe veprimtaria në Shkollën e Mesme Bujqësore “11 Shkurti” , Libohovë
|
Në vitin tranzitor 1990, Besnik
Ismailati pas detyrës 8 vjeçare të zëvendëskryetarit, zgjidhet kryetar i
Këshillit Popullor të qytetit Libohovë, periudhë në të cilën ne si kolegë dhe
bashkëpunëtorë në drejtimin e pushtetit vendor në vitet 1982-1990, punuam me
ndërgjegje për kryerjen e shërbimeve dhe zgjidhjen e mjaft problemeve sociale
të të kohës për Libohovën dhe banorët e
saj.
Nga tetori 1990 - nëntor 1992, ai rikthehet mësues specialist në shkollën e
mesme Libohovë ku jep mësim lëndët e ndryshme të agronomisë.
Nëntor 1992 - shtator 1993 jep mësim lëndën e kimi - biologjisë në
shkollën 8 vjeçare Suhë. Gjatë kësaj kohe pranë kësaj shkolle organizon edhe
kurset e mësimit të gjuhës italiane me një grup prej 30 fëmijësh.
Në shtator 1993-shtator 1995, bazuar në
aftësitë e tij drejtuese e menaxhuese të arsimit profesional, emërohet
zëvendësdrejtor në shkollën e mesme Libohovë për arsimin bujqësor. Gjatë
këtij viti kryen edhe specializimin 3 mujor pranë Universitetit Bujqësor të
Tiranës për reformimin e shkollave
bujqësore sipas sistemit amerikan, dhe po atë vit mbron gjuhën italiane pranë
Universitetit Shtetëror të Tiranës. Por pasi mbaron këto specializime, kur
rikthehet në Libohovë, fati do ta sjellë që të mbyllet dega e agronomisë, fakt
që ndikoi negativisht si në përgatitjen e specialistëve të mesëm të bujqësisë,
por edhe në reduktimin e vendeve të punës.
Tetor 1995- janar 1996, Besniku punon
mësues i histori - gjeografisë në shkollën 8 vjeçare Nepravishtë dhe nga janari
1996 - shtator 1996 emërohet drejtor në
shtëpinë e kulturës “Kujtim Ruli”
Libohovë. Falë përpjekjeve dhe kujdesit të tij në këtë institucion, fillon
riorganizmin për ruajtjen, sistemimin dhe pasurimin e bibliotekës së qytetit, ruajtjen dhe mirëadministrimin e shtëpisë muze të Heroit të Popullit Avni Rustemi në lagjen
Marinë, e cila në atë kohë ishte akoma në gjendje të mirë funksionale për
vizitorët e ndryshëm vendas e të huaj.
Duke parë gjendjen e ecurisë të shkollës
së mesme në ato vite, falë përvojës dhe
aftësive të tij drejtuese në fushën e arsimit, në shtator 1996-shtator
1999, Besnik Ismailati rikthehet tashmë
drejtor në shkollën e mesme Libohovë. Këto janë vite pune plot përpjekje,
këmbëngulje, sakrifica dhe arritje, ku ai së bashku me kolektivin mësues –
nxënës, prindërit, por edhe me mbështetjen e
organeve qeverisëse vendore dhe arsimore
të asaj kohe, bën të mundur rikthimin e shkollës në normalitet në të
gjitha hallkat e procesit mësimor – edukativ. Gjatë këtyre viteve, Besniku
realizon edhe një prej dëshirave të tij më të mëdha, në këtë kohë ai bëhet edhe mësuesi i parë i lëndës së
gjuhës italiane i kësaj shkolle
me program të rregullt shkollor. Gjatë këtyre viteve ai nxit, organizon dhe inkurajon krijimin e kabinetit të
biologjisë me mësuesin e talentuar Gentian Hyka, organizon dhe realizon botimin
për herë të parë në historikun e shkollës
të gazetës të saj “Sfida”, falë
përpjekjeve dhe talentit të mësuesit të letërsisë Blerim Kore së bashku me stafin e shkëlqyer të mjaft nxënësve gazetarë të asaj periudhe. Po
kështu në ato vite të pazakonta shkolla organizon edhe një sërë veprimtarish të
tjera jashtëshkollore me karakter edukativ, si ekspozita pikture, konkurse
letërsie, aktivitete sportive e futbollistike me skuadrën e qytetit, etj., të
cilat u bënë edhe bazë e fuqishme
mbështetëse në mbarëvajtjen e procesit mësimor – edukativ. Këto vite pune
Besniku i kosideron edhe vitet më mbresëlënëse të jetës dhe veprimtarisë së
tij, pasi kjo periudhë u karakterizua nga një mbështejte dhe solidaritet i gjerë
dhe i padiskutueshëm i të gjithë banorëve libohovitë dhe organeve qeverisëse
vendore të atëhershme, por nga ana tjetër kjo periudhë tregoi edhe qytetarinë,
traditën dhe kulturën shumëshekullore
të Libohovës edhe para mjaft organizmave
europiane që operonin dhe vizitonin qytetin tonë e veçanërisht shkollën
e Libohovës. Pikërisht për këto cilësi dhe arritje, Besniku gjithnjë shpreh respekt dhe dashuri të madhe për Libohovën dhe bashkëqytetarët e vet.
Besnik Ismailati si mësues dhe drejtues shkolle, kudo ku ai ka
dhënë mësim , gjithnjë është karakterizuar nga shkalla e lartë e përgjegjësisë, duke siguruar
vazhdimisht tregues të lartë dhe realë të njohurive të nxënësve. Krahas
plejadës së madhe të mësuesve libohovitë, edhe Besniku radhitet me dinjitet në armatën e mësuesve më me zë të kësaj
treve. Ai punoi me pasion të veçantë, kishte vullnet dhe ego të madhe, në kuptimin më të mirë të
fjalës. Për një periudhë gati 18 vjeçare si drejtues shkolle dhe si mësues i
mjaft lëndëve të ndryshme profesionale bujqësore në shkollën e Mesme Bujqësore
“11 Shkurti” Libohovë, atyre shkencore në fushën e biologjisë, kimisë, e deri
në mësimdhënien e gjuhës italiane në shkollat e arsimit 8 vjeçar të Libohovës,
Suhës e Nepravishtës, Besnik Ismailati është dalluar si një drejtues i aftë dhe profesional, falë kjo edhe formimit të
shkencor dhe profesional me pretendime të larta për vete dhe punën. Nxënësit e tij gjithnjë janë dalluar për ruajtje njohurive dhe aftësive mësimore.
Pamje nga aktivitete të ndryshme të promovimit të
librave në gjuhën italiane me shkollat e Libohovës
|
Në rolin e mësuesit dhe edukatorit Besnik Ismailati vazhdimisht
është paraqitur si njeri serioz,
me karakter të fortë, me një figurë të lartë morale, studiues dhe hulumtues i
apasionuar, modest e shumë punëtor. Gjatë jetës së tij në punë ai është
karakterizuar nga thjeshtësia dhe maturia
në të folur, por edhe për aftësitë
në fushën pedagogjisë e
psikologjisë, të gjuhës, të letërsisë dhe të problemeve të ndryshme shoqërore të kohës. Edhe pse tashmë në
pension, pasioni i tij bazë është libri, të cilin nuk e shqit kurrë nga duart. Në biseda me të,
ai sjell mjaft shembuj e fakte të
përpjekjeve të tij dhe të kolegëve për shkollën dhe edukimin e brezave në vite
si dhe pengesat që sillte koha.
Nga shtatori 1999-janar 2010, Besniku emërohet
përgjegjës dhe inspektor i Agjencisë të Shërbimit Kombëtar të Punësimit për
qytetin e Libohovës. Edhe në këto vite ai i kushtoi vëmendje kryrjes sa më të mirë
të shërbimeve të ndryshme të qytetarëve
të vet.
Shkurt 2010- tetor 2010, ai kthehet përsëri në
profesionin e vet, agronom i fara fidanave në Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë Gjirokastër, vend pune të cilin e
shfrytëzoi për t’i dhënë shtysë dhe përkrahje shtetërore financiare e profesionale fermerëve të zonës për shtimin e
sipërfaqeve me ullinj dhe pemë frutore. Falë kësaj pune në këtë periudhë në
zonën e Libohovës dhe Nepravishtës u mbollën mbi 2000 rrënjë ullinj në blloqe dhe mbi 500
rrënjë pemë frutore. Po kështu ai pas shumë përpjekjesh gjatë këtij viti
organizoi në Libohovë edhe Panairin e Agrobiznesit me prodhimet bujqësore e
blegtorale të zonës e më gjerë, aktivitet i cili bëri të mundur rritjen sadopak të njohjes dhe interesit të prodhimeve tona
bio me mjaft vlera matanë kufijve të
rrethit e më gjerë, i cili tashmë është bërë traditë, duke u organizuar çdo vit
në periudhën e verës në qendrën e Libohovës.
Nëntor 2010- shtator 2011, Besniku emërohet specialist në laboratorin e bujqësisë
pranë Drejtorisë Rajonale të AKU Gjirokastër, ku vëmendje të veçantë i
përkushtoi ndihmesës së fermerëve të rajonit në përzgjedhjen e farave dhe
fidanave cilësore, të pastra e të
shëndosha për të garantuar prodhime me rendiment e qëndrueshmëri, falë
kontrolleve dhe analizave laboratorike periodike të materialit mbjellës pranë
çdo framacie bujqësore të qarkut në bashkëpunim
dhe mirëkuptim të plotë me të gjithë specialistët e tjerë agronomë.
Puna
me ullirin dhe organizimi i panaireve të produkteve bujqësore në Libohovë dhe
Tiranë
|
Shtator 2011 - shtator 2015, Besnik
Ismailati zgjidhet sekretar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Libohovë me votat
e plota të këshilltarëve nga i gjithë spektrit politik, detyrë të cilën e kreu
me ndërgjegje e përgjegjshmëri.
Gusht 2016- korrik 2017, emërohet inspektor bujqësie dhe mjedisi në Bashkinë Libohovë, ku vëmendje dhe
kujdes të veçantë ai i kushtoi problemeve të ruajtjes së mjedisit në të gjithë
territorin e Bashkisë. Për mbarëvajtjen dhe menaxhimin sa më të mirë të këtij
mjedisi me vlera të mëdha natyrore, ai hartoi për herë të parë edhe studimet e veta me mjaft vlerë për të
ardhmen e tij si: “Raport mbi vlerësimin e problemeve të zhvillimit të planit
të mjedisit në Bashkinë Libohovë” ; “Raport mbi gjendjen e grumbullimit dhe
përpunimit të mbeturinave në Bashkinë Libohovë”, si dhe “Plani për menaxhimin e
mbeturinave në Bashkinë Libohovë”, me shpresë dhe besim se këto materiale në të ardhmen do të
shërbejnë për përmirësimin dhe shëndoshjen
graduale të mjedisit tonë.
Besnik Ismailati ka edhe eksperienca të
tjera pune: vitet 1998- 2005 bëhet
drejtues i kurseve jashtëshkollore të mësimit të gjuhës italiane me fëmijët
libohovitë. Në vitin 2007, zhvillon kurset e mësimit të gjuhës italiane me pjesmarrjen e mbi 150 kursantëve të
moshave të rritura pranë Drejtorisë Rajonale të
Formimit Profesional Gjirokastër, falë kjo edhe ndihmesës dhe
dashamirësisë të drejtorit të saj dhe mikut të tij, shkrimtarit dhe gazetarit
të njohur Thanas Dino.
Tetor 2004- qershor 2007, ai është mësues i jashtëm i gjuhës italiane në klasat e ciklit të ulët në shkollën 8 vjeçare"
A. Rustemi" Libohovë. Gjatë këtyre viteve, në bashkëpunim dhe
mbështetje të ngushtë me nxënësit më të
talentuar, prindërit, kolegët e vet dhe
miqtë e dashamirësit vendas e të huaj, organizon në Libohovë dy
veprimtari letraro – artistike me poezi
italiane të krijuara nga fëmijët libohovitë, të titulluara “Parliam
anch’italian”, me pjesmarrjen në to edhe të autoriteteve konsullore italiane,
të cilat përbëjnë një nga arritjet më me vlerë të Basnikut si mësues apasionant
autodidakt i gjuhës italiane, por edhe të Libohovës si vendi i rezatimit të
qytetarisë, dijes dhe kulturës mbarëkombëtare.
Besniku ka botuar dy libra me poezi
italiane "Parliam anch' Italian – Flasim dhe
italisht"; ka përrkthyer nga gjuha shqipe në gjuhën italiane librin me novela të shkrimtarit Izet Culli, " Fajin nuk e ka pasqyra- Davanti a uno
specchio"; librin e autorit të
shquar libohovit Moikom Zeqo " Bota
e krijuar nga Onufri- Il mondo creato da Onufri", si dhe disa vepra
teatrale të Nobelistit Italian Luigi Pirandello, etj.
Është
anëtar i redaksisë të gazetës “LIBOHOVA”
ku vazhdimisht ka botuar artikuj me tematika të ndryshme për Libohovën dhe
njerëzit e saj.
Që prej vitit 1998 është kryetar i shoqatës kulturore “AGIMI”,
dega Libohovë, e cila merret me shkëmbimet
kulturore italo- shqiptare. Në bashkëpunim të ngushtë me sekretarin e saj Bexhet Çobani dhe
koordinatorit për rajonin e Jugut, Teodor Bilushi, ata vazhdimisht si brenda Libohovës, ashtu edhe në takimet e përvitshme të organizuara
në Itali me shoqatat e tjera simotra, kanë përcjellë me dinjitet e krenari
vlerat shkëlqyera trashëguese të kulturës dhe qytetarisë libohovite.
Si veprimtar shoqëror i vendlindjes së vet,
Besniku ka marrë pjesë aktivisht në mjaft emisone televizive kushtuar
Libohovës, siç mund të përmendim
emisionin televiziv “RRUGËTIM”, të
gazetarit Fatos Baxhaku në Top Chanel
“Në këmbë të Buretos"; " Udhëtim në Libohovë " të TV Jon
Sarandë, si dhe në shumë reportazhe të
realizuara për Libohovën me kanalet
televizive locale TVGJ, ALPO TV, etj.
1 1.Takim me aktorin e madh Kadri Roshi në Libohovë 2.Takim në Libohovë me aktorët e filmit “Koncert në vitin 36”
Si intelektual dhe
si kontribuues në fushën e dijes e të
kulturës, Besnik Ismailati gjithnjë ka
punuar me pasion e përkushtim
për Libohovën e zonën përreth. Kontribut të veçantë siç e kam theksuar
edhe më lart në veprimtarinë e tij zë përhapja dhe të mësuarit e gjuhës e kulturës italiane në
shkollat e Libohovës e jashtë saj
me mbi 500 fëmijë e nxënës të
moshave të ndryshme shkollore, apo edhe me të rinj e të reja brenda e jashtë
Libohovës, ku falë përpjekjeve e bashkëpunimit edhe me mjaft organizma
shtetërore dhe shoqërore italiane, ka bërë të mundur që 12 të rinj e të reja
libohovitë të ndjekin studimet e larta
në auditoret e universiteteve të ndryshme italiane të Leçes, Materës, Padovës
e Kaliarit të largët.
Nga
veprimtaritë e ndryshme të Shoqatës Kulturore “AGIMI”, në Libohovë e Itali
|
Duke parë veprimtarinë , kontributin dhe
punën e tij shumëplanëshe drejtuese, studiuese dhe krijuese, përfshi këtu edhe botimet e ndryshme me autorësinë e tij, natyrshëm
lind pyetja se si është formuar e
konsoliduar sistemi i punës së tij si
intelektual, specialist dhe qytetar. Në
sintezë përgjigjen e kësaj pyetje mund ta shprehim në këtë mënyrë: Në sistemin
e punës së tij mësimore edukative, Besnik Ismailati gjithnjë ka ruajtur me
fanatizëm parimin se çdo arritje në jetë e shoqëri varet nga puna që bën njeriu në jetën e vet.
Gjatë bisedave të ndryshme të zhvilluara me shokë e miq të
shumtë brenda e jashtë Libohovës, unë
vazhdimisht kam dëgjuar të shprehin vetëm fjalë të mira dhe respekt
për Besnik Ismailatin si mësues, edukator
dhe veprimtar shoqëror. Në punën e vet ai gjithnjë ka bërë ç‘është e mundur që ta kryejë më së miri
detyrën e mësuesit dhe edukatorit të vërtetë, pasi ai vazhdimisht ka ditur të futet në botën e brendshme të
nxënësve, t’i mbajë ata afër e me dashuri njerëzore dhe të ecin bashkërisht në
udhën e vështirë të dijes, duke ndihmuar të kuptojnë të fshehtat e shkencës dhe
të jetës, duke zgjuar tek ata energjitë e tyre të brendshme dhe duke i drejtuar
me durim e dëshirë në fushat e begata të paqes, qytetarisë, mirësisë, dashurisë
dhe humanizmit. Ai vazhdimisht ka punuar dhe akoma vazhdon të punojë pa kursyer asgjë nga vetja në shërbim të
shoqërisë dhe komunitetit.
Ne bashkëqytetarër, shokët dhe miqtë e tij të shumtë, por edhe
banorët e fshatrave përreth, ruajmë
respekt dhe konsideratë të veçantë për Besnikun, jo vetëm si edukator dhe
krijues, por edhe për karakterin e tij njerëzor, i cili me natyrën e tij njerëzore
ka luajtur me mjeshtëri rolin e
edukatorit dhe të prindit në çfarëdo lloj situatash e problematikash shkollore
e familjare. Edhe se shpesh herë i lodhur
nga ngarkesa e punës, ai gjithnjë në punë shfaqej i
gatshëm, serioz dhe
kompetent në kryerjen e detyrës, nuk dinte kurrë të ofendonte
njeri, nuk krijoi asnjëherë probleme me kolegët e tij të punës.
Besnik Ismailati është tip shoqëror dhe
i perpjekur për të ndarë me të tjerët çdo shembull dhe përvojë pozitive.
Optimizmi është në natyrën e tij. I tillë është ai edhe në jetën dhe marrëdhëniet
e veta familjare, i dashur dhe i kujdesshëm, njeri i një jete të thjeshtë e
normale. Me njerëzit është i hapur dhe
këmbëngulës në zbatimin e ideve, veprimeve e iniciativave në dobi të zhvillimeve të reja dhe rritjes së
mirëqënies së tyre.
Edhe pse tani në pension, Besniku gjithçka të mirë që di dhe mëson nga
zhvillimet e reja të shkencës bujqësore e fushave të tjera të ekonomise dhe
kulturës, e ndan dhe e shpërndan me pasion e dëshirë me të tjerët. Ai është njeri modest, pasi akoma mendon dhe shpreson se ka shumë gjëra për të kryer, ndjehet mirë dhe i
respektuar e i vlerësuar nga
bashkeqytetarët e vet, për aq sa ka bërë
dhe vazhdon të bëjë për ta.
Për të gjitha këto cilësi, kontribute
dhe arritje në veprimtarinë e gjithanshme jetësore, ai ka marrë edhe vlerësimet
e nevojshme e të merituara si: në tetor 1984 medaljen nga Presidiumi i Kuvendit
Popullor të RPSSH “Për punë të shquar në
ekonominë bujqësore” me motivacionin “ Për aftësi të mira drejtuese dhe
organizuese dhe për zbatim të të rejave shkencore në prodhim. Sektori ku punon
për 5 vjet me rradhë ka plotësuar planin e prodhimit 115 përqind. Me punën e
tij është bërë shembull edhe për specialistët e tjerë”; qershor 2008 me rastin
e 100 vjetorit të çeljes së shkollës së pare shqipe në Libohovë, titullin
“Aktivist i shquar në fushën e arsimit”, akorduar nga Bashkia Libohovë me motivacionin: “ Organizator, drejtues i
shquar dhe i përkushtuar në edukimin dhe
arsimimin e brezit të ri” dhe në vitin
2013 Shoqata Atdhetare Kulturore “Avni Rustemi” dhe Redaksia e Gazetës “Libohova”
e nderon me titullin “Aktivist i dalluar" me motivacionin:” Për ndihmesë
të veçantë në botimin e shumë shkrimeve cilësore në gazette”
Unë, si shok dhe mik i tij i ngushtë nga fëmijëria e deri më sot,
i uroj Besnikut jetë të gjatë dhe pension
të mbarë !
Përgatiti: Ismail SHEHU
Libohovë- Shkurt, 2018
No comments:
Post a Comment