Thursday, 6 June 2024

MËSUESIT E MI GJIROKASTRITË :



Tajar Kokalari Mësues i Popullit” dhe Taxhedin Sako --

 


nga : Petro MEJDI
Athinë, Greqi

1.Një fjalim dhe një sihariq ....

Ishte viti i largët 1968. Isha nxënës në shkollen 8-vjeçare "Teli Ndini" të Poliçanit. Edhe një vit vajtje - ardhje nga Skorea në Poliçan, në shi e në deborë. Tetë kilometra rrugë çdo ditë. Ashtu si çdo vit shkollor ishim kurioz për klasën tonë,(në ç' kat) dhe mësuesin kujdestar.

Atë vit flitej shumë për një fjalim të Enver Hoxhës për shkollën. Ishte herët për ne që të kuptonim thelbin e atyre që tha Enveri në atë fjalim të gjatë. Që ishte i gjatë e pamë në gazetat e kohës. Por jehonën e këtij fjalimi, sihariqin që na solli ai, e dëgjuam dhe e mësuam pas disa muajsh. Në fshat qarkulloi lajmi , se dhe në Skore do të hapet shkollë 8-vjeçare. U gëzua i madh e i vogël. Lamtumirë Poliçan! Tani do të të shohim nga kodrat e Skoresë, duke kullotur qingjat, kecat dhe...viçin .

 Skorea filloi nga puna për kthimin e ndërtesës së shkollës fillore në tetëvjeçare, duke shtuar katin e dytë. Na erdhi keq që ndërtesa e fillores, e ngritur që para Luftës, ndryshoi pamje, na erdhi keq për oborin dhe sidomos për dy të ngritura me dhè, ku ne mbillnim lule dhe në mës nga një yll me pluhur tullash. Ndërtimi i katit të dytë solli dhe prishjen e kambanarjosë, kumbanores, e ndërtuar aq bukur dhe aq solide .

2.Taxhedin Sako....

Mësuam se cila do të ishte klasa jonë dhe shkuam të marrim librat.  Ai që na i shpërndante ishte nje burrë i gjatë, pak i shëndoshë dhe ajo që na bëri përshtypje në trupin e tij, ishin forma që merrnin këmbët , sidomos kur ecte, nga gjunjët e poshtë. Duhet të ketë luajtur futboll,  tha dikush. Kishte një zë të trashë, por të ngrohtë si të baritonëve, që nuk krijonte largësi me bashkëbiseduesit, përkundrazi , e bënte më të afërt. Kur dolëm nga klasa me çantat, shumica të qepura me beze të trashë, pyetëm se ç lëndë do të na japë ai që na shpërndau librat.

-       Gjuhë dhe lexim, tha dikush.

Koridoreve përmendej dhe emri i mësuesit, Taxhedin Sako, nga Gjirokastra ....

Intermexo 

Mua më tërhoqi vëmendjen mbiemri Sako. Kishte të njëjtin mbiemër me atë burrin e gjatë me mustaqe, portretin e të cilit e shikonim në çdo katër vjet të ngjitur mureve dhe dyerve të fshatit.  Ishte deputeti i krahinës sonë ,Zihni Sako, Xhaxhai, siç i thërrisnin. Në bibliotekën e sallës së leximit kishim tërhequr libra të tij për fëmijë. E kam parë vetëm një herë. Gjatë fushatës elektorale e dëgjuam të fliste para popullit dhe për çudinë tonë, në greqisht! Ai kishte kryer studimet në Janinë.

Ne fëmijët u afruam nga kurioziteti, se e dinim që nuk do të kuptonim dhe shumë gjëra ato që do të thoshte deputeti. Ai vinte nga qyteti dhe për ne të gjithë ata që vinin nga poshtë grykës së Selckës dinin vetëm shqip. Por burri me mustaqe na befasoi me greqishten e tij të bukur.  Kisha lexuar dhe një libër të vogël me vjersha për femijë. Tani mbaj mënd vetëm ballinën, të cilën e zbukuronte një moshatare e jona me rroba partizane, ku binte në sy kapellja me yllin e kuq. Më nuk e pamë në Skore. Na thanë se punonte në ca zyra të mëdha, atje larg në Tiranë,  dhe për ne që në atë kohë s' kishim parë as Gjirokastrën,

 Tirana na dukej e dhe më e largët.  Vonë u bëra lexues i krijimtarisë letrare dhe shkencore të tij, ai ishte një nga folkloristët më në zë të kohës, për shumë vjet ishte drejtor Institutit të Folklorit.

.....Mësuesi i ri, Taxhedini, ishte shpirt njeriu për ne nxënësit. Nuk të godiste, nuk të bërtiste pse s' kishe bërë detyrat, do t' i plotësosh nesër , thoshte me zë të qetë. Të tjerët na mbanin pasdite, të kryenim detyrat, pa të iknim në Skore. Ai nuk e bënte këtë. Të afrohej në bangë, përkulej dhe me zë të ngrohtë të thoshte: 

-       Do të kontrolloj fletoren nesër të shoh a i ke bërë detyrat.  

Ndoshta një drejtor shkolle , sidomos ndonjë inspector,  mësuesve të tillë u thoshnin indiferent, menefrego. Ai nuk ishte i tillë. Dallonte se nuk kishte zgjedhur një metodë sjelljeje të ashpër dhe pedante me ne. .

Ne të Skoresë dhe të Selckës na mbante më afër,  ndoshta nga që bënin gjithë ato km. për në shkollë dhe fletoret dhe librat tanë binin dhe erë djathi e turshi patellxhani , nga buka që merrnim me vete. 

Mbaj mend që të hënave i shpetonim orët e tij, pasi kthehej nga Gjirokastra me korierë, aty nga ora 11- të. Kishte ditë që nuk vinte fare. Bile nuk e mbaj mënd në e mbylli vitin shkollor në Poliçan.  Ishte strehuar diku dhe nuk ishte vetëm. Mbaj mënd vetëm se kur vinin për në shkollë, ose kur dilnin në qëndër të Poliçanit, zbrisnin nga lagja rrëzë Nemërçkës .

3. Tajar Kokalari ....

Dhe nuk ishte vetëm. Ai tjetri vinte shumë i gjatë,  fytyrëmprehtë, me flokët me onde, që i shkelqenin. I veshur me sqimë. Gjithmonë me kostum, me këmishë të bardhë dhe gravatë. Kishte një ecje të qetë, me hapa të gjatë dhe trupin të drejtë si basketbollist. Kur kalonim përpara tij, qëndronim për një çast, e përshendesnim dhe vraponim tutje. Kur dëgjuam mbiemrin,  Kokalari,  kujtuam se ishte nga Dropulli. Ndoshta nga greqizmi kokalaris. Por jo! E quanin Tajar Kokalari. E mbaj mënd si tani , kur dy poliçaniotë thoshnin me njeri -tjetrin : 

 - Po këtë pse e sollën tek ne!?

Ai është për profesor në Tiranë. Pra, mësuesi tjetër nga Gjirokastra, të cilët i kishte kapur fushata e lëvizjeve,  e vajtjes në zonat malore, lëvizje kjo që shpërtheu pas Fjalimit të Enver Hoxhës për revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës, ishte dhe ai gjirokastrit .

Tajar Kokalari ishte krejt tjetër njeri dhe si mësues nga ai i gjuhës. Ishte nga ata mësues që ne nxënësit i kishim frikë, jo sa ata të matematikës, por i kishim frikë.  Dhe nuk ishte se ai na godiste, jo, ai të “godiste" me pambuk, goditje që të dhimbte më shumë. Ai nuk mungonte , ishte shumë kërkues, nuk të falte notë, të kërkonte që të zbatoje të gjitha këshillat dhe detyrat në fletoret përkatëse. Më vonë,  shumë më vonë, e kam menduar se pse ai që kishte mbiemrin Sako ishte më liberal, më "i padisiplinuar" se sa ai me mbiemrin Kokalari. Ne në atë kohë nuk dinim shumë gjëra për luftën e klasave dhe sidomos për disa vëllezër dhe për një grua të cilët nuk i kishin patur mirë punët me qeverinë, bile me vetë Enverin. Megjithatë, edhe sikur të mos ishin ato probleme të mësuesit me shtetin, , në fakt të njerëzve të fisit të tij me shtetin, dhe jo për faj të tij, ai do të ishte po ai, serioz, i apasionuar,  i përkushtuar ndaj mësuesisë. Ai nuk mund të ishte ndryshe .

Ai kishte lindur për mësues, për pedagog. Ishte mjeshtër i mësimdhënies.  Me një zë tërheqës, pak të hollë, herë herë me intonacione, dhe pak të nxituar, u mëshonte disa fjalëve, sikur të na thoshte : 

 - Këto mos i haroni, këto janë thelbi. Na bënte që të ngulnim vështrimet tona në duart e tij, të cilat, sipas lëndës, do te mbanin ose nje bimë, ose një copë druri frutor,  ose një epruvetë. I  gjatë dhe simpatik, ashtu kishte dhe shkrimin, me shkronja të mëdha, pak me ornamente dhe e zeza e dërrasës mbushej me figura të bëra me shkumësa të ngyrosur.

Një nga aspektet e revolucionarizimit të shkollës, njera anë e trekëndeshit revolucionar, ishte konkretizimi i teorisë me menyra didaktike, me praktikën e gjallë. Poshtë shkollës,  në krah të rrugës automobilistike që vjen nga Gjirokastra,  (Ishin me fat ata nxënës që kishin për klasë mësimi atë dhomën në katin e parë, jo shumë e lartë nga toka, ngjitur me xhadenë, që sa herë kalonin makina gjatë kohës së thatë, pluhuri hynte dhe tek ne, jo vetëm pluhuri i bardhë, por dhe era dhe smogu i karburantit,  se ishte fundi i së përpjetës që niste nga kisha, shën Thanasi,  e kthyer tashmë në ofiçinë dhe makinat , shumica të vjetra, lëshonin shtëllunga tymi dhe një zhurmë si krisje, ne i duronim gjithë këto, vetëm të ndiqnim për pak çaste, aq sa e lejonte hapësira e dritareve.) ishin disa parcela, të cilat vinin njera pas tjetrës. Me siguri kopshtije të lëna djerr, pasi të zotët duhej të kishin ikur në qytete të medha të Shqipërisë, ose pak para mbarimit të luftës, ose në vitet e para pas saj, kishin ikur familjarisht për në Greqi. Ato kopshte dhe pjesa përpara shkollës, në të cilën dalloheshin konturet e themeleve të ndonjë shtëpie të djegur, brenda vitit , me planimetrinë dhe formën që u dha mëndja praktike e mësuesit tonë, dhe me punën vetmohuese të ne nxënësve, ato u kthyen në parcela eksperimentale model. Në pranverë dhe në vjeshte vilnim prodhimet, të cilat shiteshin në dyqanet e Poliçanit, ose ne mencën kooperativës. Lamtumirë orë të punës , siç i dinim. Mësues Tajari ishte shumë kërkues. E mbaj mënd me llërët përveshur tek punonte dhe vetë. I gëzuar dhe plot dinamizëm sillej mes nesh dhe drejtori, Theofan Zoto, drejtori i përjetshëm i Poliçanit, vetëm një vit , ndoshta gjysëm viti, na erdhi një drejtor andej nga anët e Përmetit, ndoshta nga Strëmbeci, me mbiemrin Jani, ndoshta Spiro. Ishte kjo një fenomen i revolucionarizimit të shkollës

Intermexo 

.... na bënte përshtypje një sy i qelqtë i drejtorit tonë, gjë që e bënte më të frikshëm për ne të padisilplinuarit, kur na afrohej " për të na përkëdhelur, ose duke tërhequr pak favoritet, ose kur faji ynë e kishte zemëruar shumë, na tërhiqte një copë lëkurë nga gusha. Syrin e qelqtë e kishte kujtim nga koha e luftës.T ani vonë është botuar një libër i tij ( Rrethuar me tela " ) me kujtime nga kampi i Selanikut, ku ai dhe të tjerë poliçaniotë ishin mbyllur nga gjermanët si pengje lufte, gati për t'u nisur për në kampet çfarosjes. Fati i tyre që rrjedha e luftës ndryshoi, bëri që të lirohen. Libri , veç të tjerash tregon dhe dhuntitë letrare të drejtorit tonë të paharuar, i cili prej natyre ishte një njeri që nuk i shfaqte hapur ndjenjat e tij, por kur shikonte punën artistike dhe me kritere shkencore të mësues Tajarit, i qeshte fytyra. Kishte ditë që largoheshim shumë vonë dhe ne të Skoresë kishim përpara 4 km rrugë dhe një të përpjetë, si ajo e Ulcës. Mesuesi i gjuhës iku herët. Mesues Tajari e mbaroi vitin shkollor .

Epilog 

A mund të mos ndihesh krenar, që ke patur fatin që të kesh mësues një pedagog të tillë si Tajar Kokalari?!  Më vonë kemi dëgjuar e lexuar për veprimtarinë e tij padagogjike dhe shkencore. Kohët që erdhën më pas vlerësuan dhe institucionalisht ndihmesën e tij në fushën e arsimit. Erdhën dhe titujt, të cilët ai i ka merituar që në kohën e viteve tona të shkollimit. Ato që shteti i bëri shumë vonë, populli, nxënësit, kolegët, dhe shumë aparatçikë partiakë, ia kishin dhënë të gjitha në kohën e duhur, duke e ndjekur hap pas hapi dhuntinë didaktike, pedagogjike dhe shkencore të Tajar Kokalarit. Populli e kishte dhënë me kohë verdiktin e tij për këtë mësues dhe veprimtar të shquar.





  Nga cikli : Kujtimet e Skoresë : ( shkruar në vitin 2018) 

 

 

No comments:

Post a Comment