Tuesday, 20 September 2022

VANGJEL & KOSTANDIN ZHAPA: TESTAMENTI QË NA KANË LËNË



nga: Andrea LLUKANI

Tiranë




Andrea LLUKANI
Vangjel Zhapa njihet si një ndër bamirësit epirotë me zemër të madhe. Aktiviteti i tij ekonomik shtrihej në disa shtete: në Rumani, në Greqi, në Shqipëri, në Bullgari dhe në Turqi. Me gjithë kontributin e madh në zhvillimin kulturor shqiptar, grek, rumun, bullgar dhe turk, filantropi Vangjel Zhapa nuk ka marrë atë që meriton në vendlindjen e tij. Madje shtëpia e tij në qendër të Labovës, një vepër e përkryer arkitekturore është lënë e braktisur. 


Vangjel Vasil Zhapa (1800-1865) ka lindur në fshatin Labovë e Madhe, më 23 gusht të vitit 1800. Që në moshë të re ishte i dhënë pas bimëve medicinale. Në moshën 14-vjeçare ai shkoi në Janinë tek kushëriri i tij Vangjel Meksi. Kur ishte në moshën 21-vjeçare ka marrë pjesë në Revolucionin Grek të vitit 1821, ku u shqua për trimëri të rrallë dhe aftësi drejtuese. 


Më 1831 Zhapa u vendos në Rumani, ku ka punuar si mullixhi. Njëkohësisht ushtronte mjekësinë me barna popullore, që e kishte pasion. Duke ushtruar profesionin e mjekut popullor ai arriti të shëronte të bijën e princit Maruzi të Rumanisë, që vuante nga një gangrenë në këmbë. Si shpërblim ju dhurua mulliri ku punonte, si edhe disa toka bujqësore. 


Vite më vonë ato toka qenë burim nafte, prej nga u pasurua së tepërmi. Ai bleu një çiflig në Broshten të Rumanisë, në të cilin përfshihen toka, pyje, magazina, mullinj etj. Së bashku me kushëririn e tij Kostandin Zhapa, për 34 vjet zotëroi një pasuri kolosale. 


Në Athinë, më 1888 ka ndërtuar pallatin Zapion, përveç shumave të mëdha që derdhi për Universitetin, Bibliotekën Kombëtare, Akademinë e Athinës, Politeknikun, Konservatorin, shkollën “Arsaqio” etj. “Pallati Zapion” është ideuar nga Vangjel Zhapa.


Projekti u hartua nga arkitekti francez Bullanzhe dhe u zbatua nga inxhinieri danez Hansen. Pallati ka 15 salla të mëdha, të cilat zënë një sipërfaqe rreth 2420 metra katrorë. Punimet për ndërtimin e “Pallatit Zapion” zgjatën rreth 14 vjet. Shiritin e përurimit e preu vetë Kostandin Zhapa i ardhur nga Rumania. 


Në Kostandinopojë ka pasur në pronësi 80 dyqane, disa godina banimi, shkollën femërore “Zapion”, si edhe kishën e Shën Triadhës. 


Në Rumani ka kontribuar për ndërtimin e Akademisë së Rumanisë, Universitetit dhe Teatrit të Bukureshtit, kishën e Vangjelizmoit në Broshten etj. 


Më 1884, në Shqipëri ka ndërtuar manastirin e Tërbuqit, shkolla, biblioteka, rrugë, vepra publike etj. 


Pas vdekjes së Vangjel Zhapës më 19 qershor 1865 administrator i pasurisë së tij u bë Kostandin Zhapa, që ishte njeriu më i afërt i Vangjelit. Kostandin Zhapa e ka administruar pasurinë e Vangjel Zhapës për 27 vjet që nga 19 qershori i vitit 1865 kur vdiq Vangjeli deri më 1892.  Testamenti i Kostandin Zhapës daton më 18 janar 1891 dhe është nënshkruar në Broshten të Rumanisë.


Testamenti që na kanë lënë Vangjel & Kostandin Zhapa

Pasuria e bamirësve Zhapa, sipas testamentit që kanë lënë administrohej nga një fondacion në Athinë, i njohur si “Komisioni i Zhapës”, në të cilin bënin pjesë personalitete të njohur të jetës publike. Kohët e fundit nga hulumtimet që kemi bërë nëpër arkiva kemi mundur të gjejmë testamentin e Kostandin Zhapës. Ai e çel testamentin e tij me fjalët “jam epirot” dhe i krishterë ortodoks. 


Në pikën 1, 2, 3 4 të testamentit përmend pronat që ka zotëruar në Greqi dhe në Rumani. Në pikën 7 të testamentit bamirësi i madh flet për pjesëtarët e “Komisionit Zhapa”, ndër të cilët ka qenë Kryetari i Gjykatës së Lartë, Kryetari i Gjykatës së Arbitrazhit, Zëvendës Kryetari i Komisionit për Çështjet Olimpike të Greqisë etj. Komisioni përbëhej nga pesë anëtarë, të gjithë me vota të barabarta ndërmjet tyre. Në komision gjithnjë ka pasur vend edhe për dy anëtarë të fisit Zhapa. Selia e përhershme e “Komisionit Zhapa” ka qenë “Pallati Zapion” në Athinë. Nga testamenti mësojmë se zgjedhjet e anëtarëve të “Komisionit Zhapa” bëheshin çdo tre vjet. Zgjedhja e kryetarit, zëvendës kryetarit, sekretarit dhe arkëtarit bëhej me shumicë votash. Sipas testamentit “Komisioni Zhapa” ka pasur edhe një sekretar të posaçëm me pagë, i cili nuk ishte anëtar i komisionit, por kryente rolin e arkëtarit, duke mbajtur regjistrat në dy kopje për të gjitha transaksionet bankare. Paga vjetore e secilit prej anëtarëve të komisionit ka qenë tre mijë franga. Në përfundim të çdo viti kalendarik komisioni mbyllte llogaritë e të gjitha transaksioneve bankare, emër për emër deri tek qindarka e fundit që ishte shpenzuar. Raporti i komisionit i nënshtrohej auditit të ministrisë së Financave. 


Nga testamenti që ka lënë mësojmë se shkolla në mes të fshatit është ndërtuar me shpenzimet e Zhapës dhe ka shërbyer për të arsimuar breza të tërë labovitësh. Në testament është shkruar: 


-Të mësojnë vajzat dhe të punojnë të gjitha llojet e thurrjes së tekstileve në përputhje me nevojat e vendit, të tilla si rrobaqepësi dhe endje dhe gjithashtu tu mësohen vajzave shkrim e këndim. 


Komisioni të depozitonte kapitalin përkatës për blerjen e lëndës së parë, penj, lesh dhe materiale të tjera të këtij lloji, me të cilat do të punonin vajzat. Punimet shiteshin në stinën e përshtatshme me anën e ankandit. Nga produkti i shitjes për secilin punim zbritej vlera e lëndës së parë dhe pjesa që mbetej i përkiste vajzës, që kishte realizuar atë punë. Në rast se punimet nuk shiteshin, atëherë ato depozitoheshin në depo, duke i iventarizuar me numrin përkatës sipas emrit të vajzës që kishte realizuar punimin. 


Për mbarëvajtjen e shkollës komisioni kishte caktuar një arkëtar, i cili mbante rregullisht llogaritë dhe regjistronte çdo gjë. Madje komisioni kishte parashikuar, që nëse punishtjtja do të dilte difiçit, do të kompesohej nga “Komisioni Zhapa”, por që ky difiçit nuk duhej të qe më shumë se 500 franga.


Në pikën 6 të testamentit bëhet fjalë për një donacion rreth tre mijë franga për të mbajtur shkollën e fshatit Lekël në Epir. Një mijë e pesëqind franga për shkollën e vajzave në fshatin Dhrovjan të Epirit. Një mijë e dyqind franga në shkollën e Delvinës së Epirit. Një mijë franga për shkollën e fshatit Qeparo, të Himarës së Epirit etj. 

Në pikën 10 të testamentit ndër të tjera thuhet se “Komisioni Zhapa” do të kujdeset që të ndërtohet nga themeli kisha e Ipapandisë dhe pranë saj të jetë varreza familjare. 


Komisioni do të caktojë një mjek të mirë, i cili do të kujdeset për banorët e fshatrave Labovë, Lekël, Hundëkuq, Karkan, Tërbuq etj. Gjithashtu komisioni do ti jepte çdo vit një mijë e dyqind franga shkollës së trajnimit në fshatin Nivan të Zagorisë.


Në pikën 15 të testamentit është shkruar që pas vdekjes së Kostandin Zhapës, komisioni të kujdesej për ceremoninë dinjitoze të varrimit dhe mbi varrin e tij të shkruhej “Këtu prehet trupi i mëkatarit të Perëndisë, Kostandin Kristo Zhapa, i lindur në Labovë të Epirit në vitin 1814”. Në zbatim të testamentit çdo vit më 25 mars, në ditën e Vangjelizmoit mblidhej komisioni, i cili analizonte si qenë shpërndarë donacionet për atë vit dhe bënte planin për vitin që pasonte. 

Përfundimisht mund të themi se në shumë pika të testamentit të tij përmenden donacione për Labovën, që ishte vendlindja e tij. Ndër to mund të përmendim: ndërtimi i krojeve të fshatit, ngritja e shkollës, rroga e arsimtarëve, pagesa e librave të nxënësve, rroga e priftit të kishës, mirëmbajtja e rrugëve të fshatit, shërbimi mjekësor, sigurimi i pajës së vajzave të vobegëta etj. 


Në dobi të lëvizjes kombëtare shqiptare Vangjel Zhapa ka sponsorizuar botimin në Rumani të dy abetareve shqipe të Naum Veqilharxhit. Gjithashtu ka sponsorizuar botimin e gazetës “Pellazgu”, e cila është botuar në Lamia të Greqisë në vitet 1859-1861. 


Shkolla që çeli Vangjel Zhapa më 1860 në Labovë, gjatë viteve 1910-1921 u kthye në shkollë shqipe. Në të është zhvilluar kursi normal, i cili përgatiste mësuesit për shkollat fillore të Shqipërisë së Jugut. 


Njeriu që ringjalli lëvizjen olimpike

Sipas burimeve historike në vitin 1856, Vangjel Zhapa i drejtoi mbretit të Greqisë, një propozim, për rilindjen e lojërave olimpike. Për të realizuar dëshirën e tij Vangjel Zhapa ofroi 3000 napolona floriri, si edhe 400 aksione, që zotëronte në një shoqëri lundrimi në Rumani. Mbreti Othon, në gusht 1856 publikoi dekretin mbretëror, me anën e të cilit e pranoi ofertën e bamirësit labovit, ndërkohë që në nëntor të vitit 1859, u bë realitet çelja e lojrave olimpike, të cilat qenë të harruara për më shumë se 1500 vjet. Lojrat olimpike u rikthyen, në sajë të zemërgjerësisë së filantropit Vangjel 


Zhapa nga Labova e Madhe. 

Në testamentin e Vangjel Zhapës është shkruar që eshtrat e tij të çvarrosen nga Rumania dhe të rivarrosen në Labovë. Kjo dëshirë e shkruar në testament u realizua në vitin 1887, pra 22 vjet pas vdekjes së bamirësit të madh.  Eshtrat e tij u sollën nga Broshteni i Rumanisë dhe u rivarrosën në sheshin para kishës së Ipapandisë në Labovë. 


Për kontributin e tij bamirës Vangjel Zhapa është nderuar me tituj të shumtë nderi: Në Rumani është nderuar me titullin “Këshilltar i Oborrit Mbretëror të Rumanisë”. Në Kostandinopojë është nderuar me titullin “I mirëprituri i Patriarkanës së Kostandinopojës”.  Në Shqipëri në vitin 2006 i është dhënë titulli “Nderi i Kombit”. 

Shoqata atdhetare dhe kulturore “Odria” ka organizuar një sërë aktivitetesh të larmishme për të përkujtuar filantropët Vangjel dhe Kostandin Zhapa. 


Dua të theksoj këmbënguljen dhe interesimin e veteranit Niko Zherdi, i cili nuk rreshti, duke trokitur derë më derë në instancat më të larta të shtetit shqiptar për të bërë realitet ndërtimin e Akademisë Sportive “Vangjel dhe Kostandin Zhapa”, në një sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Kasharit. Një ëndërr kjo që ka mbetur në sirtar, ndonëse ka qenë një projekt me vlerë për zhvillimin e aktiviteteve olimpike në Shqipëri. 


Vlen për tu përgëzuar talenti dhe përkushtimi i regjizores Donika Muçi, e cila pas shumë vështirësish financiare mundi të realizojë filmin dokumentar “Njeriu që kapërceu shekujt’, kushtuar bamirësit me zemër të madhe Vangjel Zhapa. 

Kohët e fundit disa intelektualë të shquar të kulturës shqiptare po përpiqen të grumbullojnë materiale dhe dokumente për bamirësit Vangjel dhe Kostandin Zhapa. Këto materiale do të shërbejnë për tu njohur dhe edukuar brezi i ri me ndjenjën e humanizmit dhe të patriotizmit, që ishte edhe motoja e jetës së filantropëve të mëdhenj Vangjel e Kostandin Zhapa.

----------------------

Marrë nga Foti Cici 

https://www.facebook.com/bibliotekaortodokse/posts/1133794370143936/ 

No comments:

Post a Comment