Wednesday, 30 April 2025

GRIMCA JETE NË FSHATIN SELCKË NË VITET 192

 

 

 

(Sipas kujtimeve te aktorit Andon Pano, "Artist i Merituar" ) 

 

Andon PANO
( 1921 - 10993)


"Shpesh në Selckë unë shkoja për të lojtur dhe te Kseno Todhua (Kseno Mosko). Ky e kishte shtëpinë pak më tej, afër kroit të Kunjit. Në Selckë kishte dy kronje; secili kishte nga dy rubineta të mëdhej. Kronjet ishin të mbuluar me çati dhe kishin një ndërtim të veçantë si arkitekturë. Unë s’kam parë më të tille veç atyre të Selckës.

Me Ksenon luanim lojna të ndryshme. Ai djalë ishte me i ditur se unë. Fliste për ndonjë Koço Kote a Pandeli Evangjeli, për të cilët unë vonë e vonë degjova se kush e qysh ishin.

Ksenoja siç duket këta emra i kishe dëgjuar nga bisedat e më të rriturvet, që bënin me babanë e tij, Miço Todhon(Mosko). Ky kishte një dyqan në fshat, ku sheste artikuj ushqimorë e industrial, pra të përzier. Por Miço Todhoja ishte edhe terezi, do me thënë rrobaqepes për kostume kombetare, kostume lunxhe.

 

Me qé ra rasti është mirë të përmendet se Selcka kishte në këtë kohë katër terezi. Miço Todhoja me te vëllanë Nasen, dhe vëllezërit Vasil e Kiço Duka. Këta të fundit jetën e tyre e mbyllën duke u bërë prift, njeri Papa Vasili dhe tjetri Papa Kristoja, por dhe duke punuar edhe zanatin e tereziut. Keta ishin mjeshtra artiste.

 

Veshje lunxhe nga terezinjtë
vëllezërit MOSKO


Une shpesh e shihja Basho Miçen tek punonte në hijen e një kumbulle, që kishte aty jashtë portës, apo Basho Nasen tek punonte në hijen e një trendafili, që kishte në oborr. (Basho Nasen e kishim edhe gjiri, se gruaja e tij Nicoja ishte motra e gjyshes sime, jajakës).

 

Keta qendisnin me durim herë me fije ari e herë me ibërshime gjithë ato zbukurime mbi cohë e fermele që u ngjanin herë luleve e herë bisqeve të hardhisë dredha dredha.

 

Me bujqësi në Selckë merreshin gratë. Bujkesha te përmendura kanë qenë Lekso Bitia, Spiro Buçkëla, Micë Buçkia, Tase Dukla, Micë Minia, etj.

 

Vendi është guran, por aty në mes të gurëve, gratë e Selckës hidhnin soroje me pleh të bagëtive dhe hi nga të vatrës. Njerezit jetonin me mundime. Edhe kurbetllinjte dergonin rrallë ose  hiç fare. Kurbetlli në atë kohë kanë qenë Lame Buçka, Siko Duka, Kiço Sulltana, Qiro Telua, Foto Sotiri, Mina Tavua e të tjerë plot. "

 



Kroi i Madh Selckë

No comments:

Post a Comment