![]() |
ILB Kamëz sot Universiteti Bujqësor i Tiranës |
nga: Profesor Dr. Llukan TASE
Tiranë
![]() |
Llukan TASE |
Profesor Aleko kishte një jetë të gjatë
në shërbim të Institutit Universitar, që u krijua në vitet e pasluftës në
Kodër- Kamëz, pranë Tiranës. Jeta e tij është e lidhur ngushtësisht me hapat e
parë që u bënë për Arsimin e Lartë Bujqësor Shqiptar. Ai ishte dhe pedagogu më jetëgjatë i
I.L.B.-së.
U njoha me Alekon në vitet gjashtëdhjetë,
kur më emëruan në Katedrën e Perimekulturës. Ai ishte një ndër figurat që
dallohej dukshëm nga neve më të rinjtë, sepse kishte përvojë shumë më të gjatë
nga ne të tjerët në mësim-dhënie.
E kujtoj me mall këtë njeri të mirë dhe pedagog të mrekullushëm. Figura e tij dallohej menjëherë, sepse kishte karakteristika të veçanta nga neve ish kolegët e tij. Ai kishte pamjen që binte në sy, sepse mbante një palë mustaqe, që e dallonin nga pedagogët e tjerë të I.L.B,( me përjashtim të Skënder Rusit që mbante mjekër).
Alekua me pamjen e tij sportive nuk i mungonte për asnjë ditë mjediseve të bukura të Universitetit tonë. Çdo ditë vinte në mësim me çantën e librave në dorë dhe me paraqitjen sportive te një njeriu të qytetëruar, shembull edhe për ne më të rinjtë.
Por ajo që e dallonte Alekon ishte puna e tij pedagogjike, e cila ishte e një niveli shumë të lartë. Shkruante bukur si shkrimtar dhe shprehej rrjedhshëm si gojtar. Leksionet e tij ishin tepër cilësore e tërheqëse për studentat. Nuk besoj se gabohem po të them që Aleko Xoxe ishte nga pedagogët më të mirë të I.L.B.-së.
Përveç shembullit të lartë të mësim-dhënies, Alekua dallohej edhe për ligjëratën tij brënda dhe jashtë procesit mësimor. Ai me thëniet e tij në marrëdhënie me neve dhe me studentët ishte gazmor dhe kurdoherë i këndshëm e i ëmbël në bisedime.
Çdo ditë në kohën e pushimit pinim
kafenë së bashku dhe ngaherë gazmor na tërhiqte në botën e tij të bukur. Kur
mbaronte procesi mësimor, atë kohë ishte problem kthimi me autobuzat ' viberti'
për në Tiranë. Shpesh, ai vinte me vonesë dhe me seriozitetin e tij
karakteristik lëshonte batutën:
- "Mos
u shtyni djema, ka vend për të gjithë, me rradhë, në fillim e kanë rradhën dhe
do të hyjnë ata me mustaqe ( e kishte fjalën për vehte), pastaj ata që skanë
qime në faqe(e kish për femrat) dhe pastaj juve, djema."
Alekua gjatë kohës së provimeve lodhej,
si të gjithë pedagoget gjatë fundvitit, kur bëhej provimi i studentëve..
Tregonin, se në një provim, njëri nga studentët, që kishte mbetur në fund, si
zakonisht kërkoi të merrte tezën e pyetjeve. Aleku që ishte i lodhur i propozoi
të përgjigjej pa tezë, vetëm për një pyetje. I drejtohet studentit duke i
thënë:
- " Mu përgjigj kimikisht, përse e kam këtë vrragën në mustaqe.? dhe do ta marrësh provimin pa pasur nevojë të tërheqësh tezën. Mendohu, po të duash del edhe jashtë ne korridor".
Kur doli nga salla, studentët e tjerë e rrethuan dhe deshën ta uronin, por ai u tha se profesori i kishte bërë një pyetje të vështirë. Rastësisht aty pari kaloi pedagogu tjetër simpatik i Institutit - Lefter Veshi që pasi e dëgjoi ja pëshpëriti përgjigjen:
- "Thuaj Profesor Alekos se kur ishte i vogël aty i vareshin qurkat".
Studenti tërë frikë hyri dhe me shumë vetëpërmbajtje i tha fjalët e pedagog Lefterit. Alekua i vuri notën kaluese dhe i ktheu librezën, duke e përcjellë dhe me një sharje -'vënçe'.
Aleko Xoxe ishte dhe një bashkëshort e familjar shumë i dashur, E shoqja - Henrieta, edhe ajo arsimtare ishte tepër e dhënë pas kafesë.
Një ditë e thirrën Alekon në redaksinë e gazetës " Zëri i Popullit" dhe i thanë të shkruante urgjent një artikull për të këqijat që sillte kafeja në organizëm, duke e trajtuar problemin kimikisht. Alekua që shkruante shumë bukur, i veçantë edhe në botimin e librit "Dimë të hamë, por a dimë të ushqehemi" kishte spikatur (ishte dhe vëllai i shkrimtarit të shquar - Jakov Xoxes), bëri dy kolona me pasojat negative të pirjes së kafesë dhe në fund shtoi edhe një rrjesht domethënës :
" KAFEJA i kushton buxhetit shumë para" . (faktikisht kafja importohej dhe ky ishte edhe qëllimi pse e kërkonte publikisht dhe e botoi redaksija).
Artikulli doli, Alekos i dhanë shpërblimin dhe u kthye në shtëpi, ku e priste e shoqja me potere dhe hundë e buzë.
- " Çfar bëre mor burrë me atë shkrim në gazetë. Na le pa kafe". Ai qetësisht ju përgjigj:
- "Mos u mërzit grua, se 600 lekët që mora nga artikulli i bleva kafe për ty" dhe paskëtaj merret me mënd, midis tyre pati vetëm përqafime. Ky ishte kurdoherë në çdo situatë Alekua ynë.
Alekua tashti nga qielli po na dëgjon në përjetësinë e tij, ndoshta gëzohet dhe duket sikur na thotë: mos u vononi, se në të gjallë, apo në të vdekur, Ju jeni kurdoherë miqtë e shokët mij.
Aleko Xoxen do ta kujtojmë të gjithë me dashuri e mirënjohje për atë kontribut të vlefshëm që i dha arsimit universitar bujqësor dhe për dashurinë e respektin që gëzonte nga të gjithë miqtë e tij .
Me shumë respekt.
Prof.Dr. Llukan Tase
No comments:
Post a Comment