Përgatiti: Ing. Bexhet ÇOBANI
Gjirokastër
Në letrën që Lord Bajroni i dërgon nënës së tij më 12 Nëntor 1809, nga Preveza, ai përshkruan udhëtimin e tij nga Janina në Tepelenë, për tu takuar me “Pashain e Janinës”, Ali Pashë Tepelenën.
Rruga e asaj periudhe kalonte nga Janina në Zicë, Delvinaq, Peshkëpi, Nepravishtë, Libohovë, vazhdonte nëpër Urën e Zonjës, e me tej në Qestorat, Erind, Dhoksat, Labovë e Zhapës, Hormovë, Lekël, Ura e Beçishtit dhe arrinte në Tepelenë. Udhëtimi zgjati 9 ditë me kuaj
Gojëdhënat thonë se në Libohovë ka qëndruar një natë në sarajet e Shanishasë, motrës së Ali Pashës, dhe për këtë ka shkruar se “Në Libohovë kam ngrënë gjellët më të shijshme se në tavernat e Spanjës dhe Portugalisë, dhe kam parë vashat me të bukura.”
Ndër të tjera, Bajroni në letrën e tij shkruan: “Veziri më priti në këmbë, – veçori e madhe nga ana e një myslimani – dhe më uli në krahun e tij të djathtë. Kisha marrë me vete një terxhuman për raste të veçanta, por këtë herë, një mjek i Aliut, i quajtur Femlario, i cili e kuptonte latinishten, përmbushi funksionin e duhur.
Kërkesa e parë e Pashait ishte se përse unë kaq i ri, isha larguar nga vendi im. Shtoi pasandaj se ministri anglez, kapiteni Leake, i kishte thënë se unë vija nga një familje e madhe; dhe m’u lut të përcillja nderimet e tij për time më, dhe unë po ua paraqes ato në emër të Ali Pashait.
Më tha se ishte i bindur që unë isha njeri nga sërë e lartë, ngaqë i kisha veshët e vegjël, leshrat me bukle dhe duart të holla e të bardha; nuk e fshehu që sjellja dhe kostumi im i kishin pëlqyer. M’u lut ta konsideroja si një baba, për aq kohë sa do të isha në Shqipëri, duke më siguruar se më shihte si birin e tij. Në fakt, më trajtoi si një fëmijë, duke më dërguar njëzet herë në ditë bajame, sherbete, fruta dhe gliko.
Udhës kaluam afer dy qyteteve, Argjirokastrës dhe Libohovës, të cilat nga sa dukej, nuk qenë shumë më të vegjël se Janina dhe ska penë a penel që të mund ti bëjë drejtësi skenës piktoreske në afërsi të Zicës e të Delvinaqit.
Më datën 17 Tetor u nisëm për në Libohovë dhe arritëm më pas në Qestorat e në Erind. Prej Erindit u nisëm më 19 tetor ne orën 3.30 mbasdite. Pas tri ditëve si mysafirë të Ali Pashës u kthyem po në ate udhë. Shqiptarët, ose Albanezët, më ranë në sy më fort përmes shëmbëllimit që kanë me malësorët e Skocisë; në veshje, në fytyrë dhe në mënyrën e jetesës. Dhe vetë malet e tyre me duken si të Kaledonisë, veçse me klimën më të butë.
Fustanella e tyre e bardhë, trupi i tyre i hollë dhe i gjatë, dialekti i tyre, keltik në tingullin e tij, zakonet e tyre të rrepta, të gjitha këto më shpunë në Morven.
Shqiptarët, me petkun e tyre, më të bukurin në botë; me fustanellë të gjatë të bardhë, tallagane të qëndisura me ar, me anteri e jelekë kadife të kuqe, të qëndisura me fije ari, me jataganë e pisqollë të sermët, me feste të gjata.
Shqiptarët në përgjithësi kanë tipare të hijshëm. Gratë më të bukura që më kanë rënë në sy, në trup dhe në fytyrë, i pamë duke qëruar udhën e mbushur prej rrëkeve midis Delvinaqit dhe Libohovës.
Mënyra se si ecin Shqiptarët është vërtet teatrale; por ecja e tyre krenare ndoshta vjen nga bruca ose guna që mbajnë në një krah. Flokët e tyre të gjatë më kujtuan Spartanët dhe guximi i tyre në lugtë të shpejtë dhe të papritur s’mund të vihet në dyshim.”
Bajroni lindi në Londër, më 22 janar 1788, në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey.
Në Harrow studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18 vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po atë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë. Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, e veçanërisht në Janinë, Libohovë dhe Tepelenë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare).
Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë. Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Shtegtimi i Çajld Haroldit” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkron patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërrore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.
Muzeu Historik Kombëtar sjell një pjesë nga letra dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, ku midis të tjerash Bajroni shkruan: “…I dua shqiptarët shumë. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aq të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, siçilianë dhe anglezë. Nuk më vodhën gjësendë, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”
Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj, sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare.
SOT NË LIBOHOVË DUHET VENDOSUR NJË SHËNJË PËRKUJTIMORE PËR LORDIN QË KA FOLUR PËR LIBOHOVËN !!!!!!
Përgatiti Ing. Bexhet Çobani
No comments:
Post a Comment