Thursday, 10 April 2025

ME AGRONOMIN Prof. Dr PETRAQ SOTIRI

 


nga: Prof.  Sokrat JANI

Tiranë  


Sokrat Jani majtas, Petraq Sotiri djathtas 
Sot pata një mëngjes kafeje me Prof. Dr. Petraq Sotiri. Me Petraqin kam shumë kujtime, sepse ka qenë një nga miqtë dhe kolegët e mi më të mirë gjatë gjithë karrierës time si specialist dhe kërkues shkencor në Tiranë. 


Në ato vite të vështira, Prof Petraqi ishte modeli i një specialisti jo vetëm të ditur, por edhe stoik, që nuk ju nënshtrua kurrë sloganeve dhe dogmave të kohës. Ai ishte modeli i një specialisti aktiv dhe shkencëtari të thelluar, që hynte pa frikë në diskutime akademike, por edhe diskutime për probleme të praktikës së prodhimit, për të përballuar kërkesat e kohës. 

 

Ishte i kudondodhur, jo vetëm në auditorë me studentë dhe në ngastrat eksperimentale, por edhe në masivet e vreshtave, në takimet trajnuese me specialistë të rretheve, në ekonomi dhe fshatra të ndryshme të vendit, ku kryhej një aktivitet intensiv bujqësor. 

 

Nuk iu nda asnjëherë motoçikletës së tij “Jawa”, në dimër e verë. Prof Petraqi ishte një përfaqësues i denjë i intelektualit dhe specialistit të shquar të bujqësisë. Bënte një punë të mirë e të thelluar shkencore, jo vetëm si i pavarur por dhe në grupe pune ku shquhej për bashkëpunimin dhe idetë e tij racionale e shkencore.

 

Për herë të parë Prof Petraqin e kam njohur kur isha student i Fakultetit të Agronomisë në ILB Kamëz, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Leksionet e Prof Petraqit edhe sot pas 50 vjet na kanë ngelur të ngulitur thellë në mendjen tonë. 

 

E kujtojmë shpesh me shokët e mi ish-studentë. Na bënte shumë përshtypje, stili dhe metoda e mësimdhënies, komunikimi miqësor e i veçantë i tij me studentët dhe respekti i thellë që kishin ata për pedagogun e tyre. 

 

Më vonë me Prof Petraqin u bëmë kolegë dhe miq të mirë.

Prof. Petraqi ka vite që ka dal pension, por kurrë nuk e ka ndalur aktivitetin shkencor dhe kontributin në dobi të vreshtarisë dhe verëtarisë shqiptare. 

 

I uroj Prof. Petraqit jetë të gjatë


marre nga fb 10 maj, 2025 


**************









No comments:

Post a Comment