Përgatiti: Andre LLUKANI
Tiranë
Sipas traditës së lashtë dikur në Libohovë dhe nëpër fushën e Dropullit kalonte një gjarpër i madh me dy krerë. Përbindëshi rrinte pranë burimeve dhe përpinte njerëz të gjallë.
Vendi i preferuar i përbindëshit ishte burimi i Zërës më malin e Muzinës, ku dilte Uji i Shenjtë. Heroi i legjendës, Petriti, i cili jetonte larg vendlindjes, kur mësoi këtë gjë u nis menjëherë për në Libohovë.
Sapo mbëriti, morri heshtën, ngjeshi shpatën dhe i hypur në një kalë të fuqishën, vajti në shpellën e përbindëshit. Qeni, që e shoqëronte sapo pa përbindëshin që dremiste iu hodh për ta kafshuar, por u gëlltit si një kafshatë buke. Atëherë Petriti e qëlloi përbindëshin me heshtë dhe në vijim ia preu të dy kokat me shpatë. Këtë rrëfenjë e thonë vargjet e këngës:
Libohova një qitet,
të zezënë se çe gjet,
hata e madhe, kiamet,
një lubi, një ezhdërha,
çdo ditë një njeri ha,
si në djem dhe vashëza.
Gjith’ qiteti në zi ra’,
dasëm do, e nuse s’ka.
mëmatë i zuri gjëma,
s’qe mëmë, po gjeraqinë,
që bëri djalë Petritnë,
vrau ezhdërha lubinë
dhe shpëtoi njerëzinë!
Gjatë udhës së kthimit, kali sapo mbërriti në lagjen Loçan, plasi, ndërsa Petriti vdiq pas gjashtë muajsh. Kjo këngë popullore ka marrë motive nga jeta e Shën Gjergjit, i cili u ndesh me përbindëshin dhe doli fitimtar.
Shën Gjergji ka lindur rreth vitit 275 pas Krishtit, prej prindërish të krishterë. Kur u bë 18-vjeç u mobilizua ushtar dhe e shpunë në Nikomendi. Në luftën e Dioklecianit kundra persëve, Shën Gjergji u shqua për trimëri. Kisha jonë ka thurur himne shumë të bukura për jetën dhe veprën e tij. Ja se ç’na thotë përleshorja e shenjtit:
Si çlirimtar i robërve
dhe mbrojtës i të vobektëve,
mjeku i të sëmurëve
dhe përluftar i mbretërve,
Dëshmor i Madh
Shën Gjergj Tropeprurës,
ndërmjeto përpara
Krishtit Perëndi,
të shpëtohen shpirtet tona.
Në ikonë, Shën Gjergji paraqitet i hipur mbi kalë duke luftuar me përbindëshin dhe duke e mundur atë. Për të realizuar këtë skenë, ikonografi është frymëzuar nga një mrekulli e Shën Gjergjit.
Sinaksari përmend se pranë një liqeni të Atalisë në Azinë e Vogël, kishte folenë një dragua, të cilin banorët idhujtarë të zonës e adhuronin si Perëndi. Banorët për të qetësuar përbindëshin i ofronin për t’u ushqyer fëmijët e tyre. Kjo realizohej me anën e një shorti. Në kohën kur shorti ra që të flijohej e bija e mbretit, në skenë u shfaq Shën Gjergji i hipur mbi një kalë të bardhë. Shenjti e shpoi tejpërtej përbindëshin me shtizën e tij. Dragoi ngordhi duke u përdredhur nëpër këmbët e kalit. Kjo është mrekullia e Shën Gjergjit.
Shën Gjergji është një nga heronjtë që nderohet me respekt nga popuj të ndryshëm. Arbëreshët e kanë shenjtin e etnosit të tyre, Shën Gjergjin e festojnë romët, që janë të një besimi tjetër, në Angli është shpallur shenjtor kombëtar, madje lëvizja Skautiste si simbol të saj ka Shën Gjergjin. Në Suedi Shën Gjergjit i thonë Sankt Goran, i cili ka popullaritet të veçantë. Në kishën e madhe të Stokholmit gjendet një skulpturë e madhe, e cila paraqet Sankt Goranin, princeshën dhe dragoin.
Piktori gjerman Bernt Notke, i cili e ka realizuar me shumë mjeshtëri këtë skulpturë, ka marrë motive nga ikona e Shën Gjergjit. Skulptura është krijuar midis viteve 1484-1488 dhe ka një simbolikë mjaft kuptimplotë: Princesha është Suedia, e cila ka shpëtuar nga kthetrat e dragoit (Danimarka) në sajë të trimërisë së kalorësit Sankt Goran. Realizimi i kësaj skulpture u bë nga fakti që suedezët kishin fituar pavarësinë nga danezët me anën e një beteje të përgjakshme.
No comments:
Post a Comment