Saturday 8 April 2023

ARRITA TE MBETEM DERI NE FUND INXHINIER PYJESH

Meditim

....." Vullneti e pasioni për pyllin që t’a shikoja të shëndetshëm e të jem doktori i tij e quaja nder."....  


nga: Dr. Selman MËZIU
Firence, Itali

Selman MËZIU
Eci mendueshëm në një udhë kryeqyteti. Ngushtësia e saj më ndrydh pamjen, me aromëzon pisllëqe. Pallate shumë katëshe, shtëpi me çati me lartësi zhgarravitëse hapsirash. Produkt kohe kotësirash, mbushur me ulkonja parash ujitur me gjak, djersë, hajdutëri. Unë vetëm mendohem e tamthat në të dy anët rrahin fort. Kaluan si pa u ndjerë dyzetë vite punë. Tani më duhet të kthej kokën, herë para e herë prapa.

*   *   *

            Erdha në jetë natyrshëm. Atje në atë shpat mali.  Ku ai puthte qiellin me shkëmbinj thepa thepa, ngjyrë gri. Aty këtu me ca sy të gjelbërt, sikur buzëqeshnin atje larg. Poshtë tij gurë, gurishte të coptuar me qoshëza. E pastaj vinin barëra të shumta. Livadhe me lule. Ku pranvera ju jepte hijeshine e vetë. Ndërsa dimri ishte i serte, i egërsuar. Të kercënonte ndonjë herë me orteqe. Por pyllin e ahut mbi shtëpitë tona me gure e gëlqere, na i mbronte ai miqësisht. Ne malsorët mësonim nga nevoja, nga praktika, nga kuvendet e burrave. Pastaj erdhi mosha e abetares e këndimit.  E ne thithnim kështu vocërrak qumështin e deles duke ngritur kupën ose lugën e drurit. Jeta erdhi me radion me korent Orion ose shangai.  Mësova landët mësimore me dëshirë. Më dukesh se sytë më hapeshin.  Po, po, vështrimi me kapte gjëra të imtësishme.  Këtu pranë meje, te mejet e arave e përtej tyre deri te qytetërimi romak.  E ndaj më dhanë bursë studimi e zbrita ne qytet. Aty do të mësoja. Me bashkëmoshatar, por krahinar ndryshëm.  U gëzova se fillova një jetë të re. Edhe pse malli mbeti brenda meje sa një boçe pishe.

*  *  *

            Kokë ulur, kur me dikë gaboja. I çiltër  me bashkëmoshatarët e dhomës. Bujar sa nuk matet kur gështenja, ftonj e mollë binte babai nga fshati. I sjellshëm e i matur me djelmoshat nga Zagoria, Shën Mëria, Orgocka, Selca, Currikami apo Baldushku, Qaf Murra apo Gimaj. Mësuam tabelën e Mendjelevit, e për çiftin Kyri çfar zbuluan e sa kamb ngulës ishin ata, rezistencën elektrike që matej me om, qelizat meristematike e ato të kambiumit, mesuam shartimin e pishës e farat e ahut, boçet e bredhit të bardhë kur lëshonin farën.  Mësuam të mësojm  se bashku, të lexojm Romanet e Skënder Drinit, Ramiz, Likës, Zija Celës, Jonuz Dinit, poemat e Fatos Arapit, e vjershat mbresë lënëse të Xhevahir Spahiut, fshatarin e Balzakut, vjershat e poema të Migjnit e lexuam romanin të ‘’Mjeret,, të Hygoit. 

     U rritëm si filizat e plepit. U poqëm si qershite mendërisht e merrnim ngjyrën e tyre kur dikush përdorte pa dashje fjalë të ulëta, të pista.  E kështu, ditë pas dite, javë pas jave e muaji pas muaji e vit pas viti u formuam si teknik pyjesh.  Punuam në stazh edhe dy vjet. Ku mësuam nga teknik e inxhiniera pyjesh, shumë kleçka e të pa ditura. Ato mi jepni ato, aty në auditoret e gjelbërta. E unë i gëzohesha  rritjes time profesionale  Atëhere organizimi ngrihesh si piramida keopsiane, sigurisht me themele të forta e majën e mprehtë. Por nuk me linte kureshtja, dëshiroja t’i ngjitesha asaj deri në kulm. E prandaj vazhdova kështu i qetë, por tanima me pasion, vullnet e deshirën për të mësuar e punuar me energji rinore.

* * *

               U largova më larg. Nana e babai qanë edhe atë ditë. Përsëri valixhen e drunjt me rroba e libra e mora me vete.  U mallëngjeva edhe unë gjatë udhës, kur zbrita bjeshkëve. E tanima në qytezën e gjelbëruar nga një dibran me pasion e art arkitektural. Ishte qyteza e studentëve të bujqësisë edhe të pylltarëve. Vetëm mosha kishte ndryshuar. E pedagoget ishin në shkallë më të larta dijenish. Se këtu do të pregatiteshim si inxhinier pyjesh.  Disa prej tyre ishin pregatitur në universitetet prendimore, por edhe të vendit. I hymë më në thellësi reaksionit të fotosintezës, shkenca e pyllëzimeve e shkruar nga Ilia Nakos ishte shumë më e zgjeruar, sistematika e botanika me Profesor Xhafer Qosen ishte në nivele të larta, projektimi e ndërtimi i udhëve pyjore shpjegoheshin imtësisht e qetësisht nga Prof. Kotro, apo Sistemimet Malore  nga Prof. Llambi. Detyrat e kursit na linin pa gjumë, prof Kristo kërkonte saktësi. Projektet e kursit ishin disa e na lodhnin. Vetem kur shkonim në mencë e hanim me lata ishim të gezuar se mendonim kaloi dhe një ditë e lothshme.

    Erdhi dita dhe pregaditëm temat e diplomave. Ne i shkruajtëm me kujdes dhe i dorzuam edhe në bibliotekën e Institutit Bujqësor. E tani kujtoi me dhimbje të thellë, djegjen e tyre. Dituritë tona të materializuara  u shëndrruan në shkrumb e hi.  Ishte viti më me terrore, më i çmenduri, më i  dhimbshëmi, për gjithë shqiptarët, pikërisht 1977. Por unë nuk do t’a ndërprisja të shkruarin. E fillova te ‘’Studenti i Bujqësise,, e pasrtaj te ‘’Jeta e re,, gjithmonë në ngjitje.  E kështu vazhdova  fizikisht, profesionalisht, i pastër moralisht si burimet e fshatit tim atje thellë në malet e ashpra, por plotë romantizënm e të dashura. Unë shumë gjëra kisha marrë nga atje. Sigurisht.

                                                              *  *  *

       Emërimi në punë erdhi me doza hidhërimi, merziteje. Përsëri larg prindërve. Ato kishin shpenzuar gjithëçka për mua. Ndërsa unë shumë larg tanima nuk mundesha me i ndihmue. U përpoqa për kthim mbrapsht. Për më afër, pra shkurtim largësie. Por e pa mundshme. Qytezë sharrtarësh. Në ndërtim e zbukurim. Inxhiniera me të moshuar se unë kishte. Qyteza ziente nga makina, punëtor sharrtar, ndërtues shtëpish, urash, udhesh, punëtor pyjesh etj. Puna ishte larg. Në shpate malesh ku herë pishnaja, herë ahishte, sigurisht në kurrize të thepisura kishte më pak. Teleferik të vegjël pë tërhiqje trupash. Zhurma motosharrash. Kënga e zogjeve nuk dëgjohej. Por ama, bërtitjet e drejtorit, kryenxhinierit apo sekretarit të partisë për realizim plani banin si kukuvajka.

       Kollona të gjelbërta kërcisnin e tundnin tokën kur përplaseshin mbi shkëmbinj apo atë. E mua më dhimbëseshin. Por silvoteknika zbatohesh me korrektësi. Unë mesoja çdo ditë nga çdo veprim e lëvizje të gjithë kujt. Shikoja me vëmndje gjithëçka. Përpiqesha t’i fiksoja. Vitet kalonin pa u parë e kuptuar se si. Une burrërohesha. Fillova të mësohesha edhe me zhurmën therëse të motorsharrave, por edhe me gjuhë shoferash e punëtoresh malsor, sy pishë e duar çarë nga kallot. 

              Realizoja edhe planet  në asortiment e dru zjarri. Shikoja filizat e pishave të zeza, bredhave e aheve që rriteshin. Kënaqesha se vërtet po prisja, e  zhdukja nga pylli mijëra qenje të gjalla shtatë larta që merrnin frymë, por po lindte breznia e re. Edhe unë u martova e  pastaj fëmijët e mijë rriteshin si këto filiza në shpate përrenjsh përqark lendinave në mes malesh e gurgullimin e ujrave të kthjellta e akull të ftohtë. Unë ju gezohesha njëherësh, fëmijëve që me buzëqeshnin kur kthehesha në shtëpi i lodhur e farave që mbinin dhe rriteshin vetë nën kujdesin e natyrës.  Vetëm që silvikultori e heroi isha unë vetë.

*  *  *

           Koha rrokulllisi mbi rendin ekonomik një ortek shkatërrimtar. E mua më dërgoi diku te qendra e rëndesës së shqipërisë. Puna e zellshme dhe e ndershme tanima ishin brenda qënjes time. Vullneti e pasioni për pyllin që t’a shikoja të shëndetshëm e të jem doktori i tij e quaja nder.  Prandaj unë grumbulloja si milingona ushqimin gjatë verës për të ngranun dimrit. Kuptohet bazuar në teknologjitë e reja. Ndërsa unë përzgjidhja, botoja, shkruaja  për pyllin e pylltarët. Shumicën e herës jo vetëm, por me inxhniera, pedagog,  gazetar ose  titullar. Nuk doja që të më ikte koha kot. Prandaj gërmoja, gjeja e filloja te ndërtoja diçka të dobishme për bashkë pylltarët e profesionin tim që tanima ishin bamun si mishi e gjaku im.

            Situata u kthyen herë maje shpatash herë  jastek pambuku. Duhesh të dije të zgjidhje. Të mos bije në pusin e krimit. Ose të humbnin mendja e sytë në shkëlqimin e parasë. Kurthet ishin në modë. Hajdutëria u ngrit në institucion. Drejtësisë i mungonte limfa e vetë. Shoqëria e pylltarit u krimb. Por jo vetëm nga ai i humuesit. Mjerisht gjithëfarë llojesh. Ndaj isha gjithmonë i vëmendshëm.  Doja të mbetesha inxhinier pyjesh. Por, çdo të thotë. I paster si levorja e trupi i drurëve të pyllit të ri.  Me rranjë  të ngullur thellë në tokën ushqyese, me trupin si qiri e degëzimet sa më lejonin fqinjët. Luftoja për hapsirë e jete sa më takonte e përpjestuar drejt dhe e mjaftueshme për jetën, veprimtarinë biologjike e lanun pasardhësit.

                                       *  *  *

                     Piramida u coptua keqas. Copëzat e saja humbën ne hapsirat e pa fundëme.  U përpoqa të ringrej një pjesë të saj. Lash pas libra të shkruar. Programe të detajuara për një vit jubilar. Nuk përfundova disa udhëzues dhe projekte. Gjitha këto deshirë e produkt i pasionit të pylltarit. Vullnetit tim për të ringrit piramidën e pylltarisë. Apo moralin e dinjitetin e pylltarëve. Erdhi nje ditë dhe dritat u shuan, koha mbaroi. Unë u ktheva në një hiç, i pa vlerë. Kuptohet për fliozofinë, ideologjinë e formimin intelektual të kohës. Lash pas shumë gjëra. Por nuk fitova azgjë?  Pres me padurim pensionin që më takon. Sepse nuk kam diku, as edhe një qindark më shumë. Me vjen keq, por kështu përfundova. 

    Vetëm se nuk flej me frikë. Nuk mund të ma thote as para as pas krahëve një gjest apo veprim keqëdashes. Që sot janë mpleksur mijëra e mijëra intelektual e profesionistësh apo ish e sot pushtetar.  Unë mbeta nje ah ose ahishte e re, ku rritem vetëm lart. Era më freskon trupin, dielli e toka me ushqejnë e shoqëria me rrethon nga do. Mbeta pylltari ose me sakt arrita të mbetem gjer ne fund inxhinier pyjesh. Kjo për mua është me e çmuar se gjithëçka. I lumtur do të jetë ai që do të arrijë këtë fund moral e të vyrtytshëm e kokën mbajtur lart.

 

04.04.2023                                            Inxh. Pyjeve  S. MEZIU  

 







1 comment:

  1. Mirenjohje dhe respekt per pylltarin Selman Meziu (ne fakt ai prej vitesh ushtron profesionin e lulishtarit ne Itali) i cili me zemer dhe mendje eshte gjithmone midis nesh ne Shqiperi. Ai nuk resht se shkruari per pyjet dhe njerezit qe punojne per to. Ai, ngjarjet dhe personazhet real i pershkruan me art u jep formen e nje tregimi apo skice leterare duke dhene keshtu mesazhe te vyera per lexuesit. Respekte Selman Meziu, ty nuk te mposht semundja, morali yt qendron lart dhe eshte frymezues. (Gjon Fierza)

    ReplyDelete