Monday 3 April 2023

SKOREJA MË PËRKET EDHE MUA

- mbresa -

Fshati Skore foto A. Dale

nga:  Jani  MALO

Tiranë

Asgjë nuk më ka penguar ta them Po-në pa u menduar gjatë sa herë që dikush më ka propozuar të shkoj në Skore. Është pak të thuash i bukur për këtë fshat që duket si një medalion i varur në gjoksin e gjelbëruar të Nemërçkës. Atje, në zemër të krahinës së Pogonit, është vendlindja ime. Megjithatë, deri më sot, vajtjet e mia në fshat numërohen me gishtat e njërës dorë. Nuk duhet të jetë kjo arsyeja, por diçka tjetër thellë brenda meje, që m'i ka frenuar mendimet dhe ma ka ndalur dorën që në rreshtin e parë sa herë jam ulur për të shkruar diçka për Skorenë dhe njerëzit e saj. 

Mund të duket e çuditshme, por unë jam nga të paktët njerëz që nuk kanë nostalgji për vendlindjen e tyre. Thjesht ngaqë nuk kam kujtime të vegjëlisë atje. Pata qenë vetëm disa muajsh kur u largova nga fshati dhe, natyrisht, ikjet 'duke qarë' - që nuk janë as dinjitoze e aq më pak burrërore - nuk ta japin mundësinë të fiksosh fotografi në kujtesë. Teksa rritesha, nuk guxoja ta thosha me zë atë që po formësohej si një bindje brenda meje: Një ditë Skoreja do të jetë edhe e imja! I thosha vetes kështu sa herë dëgjoja të flitej për të dhe sytë e mi përshkonin Grykën, hapnin dyert e shtëpive dhe takonin njerëzit. Pak e nga pak dhe ditë pas dite zura të krijojë Skorenë time, në trajta ëndrrash dhe fantazie. 

Derisa një ditë u nisa vërtet për në fshat. Plot katër dekada më parë, ndërsa udhëtoja nëpër Grykën e Selckës me 'korrierën' troshitëse të asaj kohe, më takoi të magjepsesha me peizazhin përreth, i papërshkrueshëm edhe nga fantazia më e ndezur. Një fuqi e padukshme m'i trazoi atëherë të gjitha shqisat. Ndodhi një thyerje e beftë brenda meje dhe imazhit të vjetër të përftuar nga ç'kisha dëgjuar e lexuar për ato treva ia zuri vendin një imazh i ri, i ndryshëm në përmasa e forma. Isha rritur buzë detit dhe e quaja veten me fat që imazhi i tij më ndiqte nga pas kudo që shkoja. Por dy malet hijerënda, Lunxhëri dhe Bureto, ishin tjetër gjë. Poshtë, në këmbët e tyre, si një gjarpër gjigant i ardhur nga prehistoria rridhte lumi. Në ato ditë vere m’u duk se malet kishin lënë mënjanë krenarinë dhe ishin ulur në gjunjë për t'u freskuar në ujërat e kthjellëta. Gjithandej, shpërndarë nëpër luginë, të zinin sytë gurë të stërmëdhenj, prehistorikë edhe ata. Mbase një qenie tjetër ciklopike ishte munduar t'i bënte pritë lumit e ta pengonte në rrugën e tij të pakthyeshme drejt detit. Po më kot. Dëshmi e luftërave shekullore mes tyre dhe e përleshjeve të egra duket se ishin këta gurë të ngrirë, të bardhë e të lëmuar, si robër të zhveshur, që pa dashjen e tyre i jepnin edhe më shumë dritë e bukuri peizazhit.

E gjitha kjo qe një ndjesi e papërballueshme për mua, 23 - vjeçarin që në përpjekjen e tij për të zbuluar vendlindjen, padashur, kishte hyrë në legjendë. Për vite e vite me radhë u ndjeva komod aty. Nuk desha dhe nuk dua të dal akoma prej saj.

***

Gushti mbahet si muaji i begatë për atë që u jep njerëzve, por në Skore ai është edhe më i begatë për tokën, për kafshët, për pemët, për ujin e çezmave, për rrugët, për shtëpitë. Edhe ato janë si njerëzit, ndiejnë, gëzohen, lumturohen. Sepse gushti e mbush fshatin me njerëz, me zërat dhe gjallërinë e fëmijëve, e mbush me jetë, pikërisht me atë që i mungon thuajse gjatë gjithë pjesës tjetër të vitit. Të gjithë e kanë një motiv, e kanë një shkak për t'u kthyer çdo gusht në fshat, në Itakën e tyre. Por çdo udhë kthimi ka vështirësitë e veta, ka ‘sirenat’ e saj penguese. Krejtësisht të ndryshme, por njëlloj bezdisëse e torturuese. Megjithatë dëshira për t’u kthyer e mund gjithmonë vuajtjen e udhëtimit, që është një sfidë më vete, në ato rrugë po aq troshitëse sa para 40 vitesh, apo ndoshta sa koha kur shkeli njeriu i parë në këto anë. Njeriu e ka të vështirë të dallojë nëse ajo që bën është një torturë e kënaqshme apo një kënaqësi torturuese. Të gjitha fshatrat e krahinës së Pogonit lidhen mes tyre, por edhe me Gjirokastrën, më saktësisht me Libohovën, me rrugë të kategorisë së pestë. Janë shtruar vetëm rreth 3 km nga Poliçani në drejtim të Suhës. Premtimet në çdo fushatë elektorale nuk kanë munguar. Me fjalë secila nga partitë politike i ka shtruar nga 2-3 herë ato 18.8 km rrugë deri në Libohovë. Ndërsa 3 km janë shumë pak në 30 vjet, aq sa duket se shtrimi i rrugës do të zgjasë jo dhjetë vite, por dhjetë fushata elektorale.

*** 

Në kishën e restauruar të fshatit mbahet ceremonia e pagëzimit të një vajze. Eftimia, quhet vogëlushja. Një emër që në greqisht shpreh gjendjen e paqtë shpirtërore, kënaqësinë, harenë. Nuk ka si të jetë ndryshe. Ajo është fëmija i parë i martesës së një djali të fshatit me një vajzë tropojane. Ata kanë ardhur nga shumë larg, nga Amerika ku jetojnë, për ta bërë pagëzimin në Skore. Dhe fshati është mbledhur i gjithi për ta. 

Pas ceremonisë fetare, në oborrin e kishës, restauruar edhe ky si një amfiteatër i vogël, rri e vështroj njerëzit që flasin e përshëndeten në greqisht (Skoreja është i tëri një fshat greqishtfolës), qeshin dhe përqafohen. Burra, gra, të rinj, fëmijë. Ka gëzim në fytyrat e tyre, po ka edhe padurim. U hanë këmbët për valle. Dhe shpejt klarineta e ndez fshatin. Dredh deri edhe gjethet e rrapit shekullor. Një plak i paktë, me fytyrë lëkurëhollë, gati të tejdukshme, si i ardhur nga një botë tjetër - nuk mund të mungonte as ai - qëndron i ulur në karrige, mbështetur në bastunin e tij dhe vështron. Natyrisht, nuk ka fuqi të hedhë këmbët për të ecur e jo më të kërcejë. Megjithatë e porosit edhe "mirolloi", një vajtim me klarinetë. Në vend të këmbëve lëviz buzët. Këndon me mendje. Me mendje kthehem edhe unë shumë vite pas. Po në këtë shesh - atëbotë kisha ishte mbyllur dhe sheshi i takonte Vatrës së Kulturës - ishte mbledhur gjithë fshati. Bëhej dasmë. Për rastësi të bukur martoheshin prindërit e djalit që sot pagëzon vajzën. Po në kujtesën time ka mbetur edhe një gjë tjetër: Një plak, emrin e të cilit nuk di pse nuk e mësova asnjëherë. Ai me siguri nuk rron më. Një natë para ditës së dasmës ai qëndronte i ulur në një karrige në klubin e vogël të fshatit. Vetë nuk pinte, por qeraste të gjithë bashkëfshatarët e tij që kishin ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë ku ishin shpërndarë. Por ajo që më bëri më tepër përshtypje asokohe ishte sjellja e plakave të fshatit. Të gjitha të veshura me të zeza, kur më shihnin në rrugë, më ndalonin dhe më puthnin. Po kur merrnin vesh se kush isha, të puthurat e tyre nuk kishin të mbaruar dhe pastaj më bombardonin me ca fjalë në greqisht që atëherë nuk i kuptoja, po që i merrja me mend se ishin pyetje dhe bekime për mua. Nga këto kujtime më shkëputi një si bubullimë. Ritmi i muzikës kishte ndryshuar befas. Në shesh gjëmonte vallja tropojane. Ca fëmijë vendës, të veshur me kostumet karakteristike të veriut të Shqipërisë, kërcenin dhe ata. Në fytyrat e njerëzve në fillim pati habi, por shpejt vendin e saj e zuri gëzimi, e qeshura e çiltër. 

E para herë që ndodhte kjo në Skore.

*** 

Në këtë shkrim të parë timin për vendlindjen vendosa të mos përmend asnjë emër. Nuk është ky një trill imi, por thjesht një pamundësi për të listuar emrat e gjithë bashkëfshatarëve. Tjetër gjë ndiej për detyrim të listoj: atë që ata të gjithë, kush më pak e kush më shumë, kanë bërë dhe po bëjnë për fshatin e tyre. Është një shembull i pakrahasueshëm. 

Edhe një sy pak i vëmendshëm nuk e ka të vështirë të dallojë se në Skore ka tabela që të urojnë mirëseardhjen dhe të përcjellin, siç ka edhe tabela që ndalojnë kalimin bagëtive në qendër të fshatit, apo, në orare të caktuara, edhe të mjeteve. Rrugëve nuk sheh plehra, por fëmijë që luajnë me biçikleta e patina të siguruara falas për ta me kontributin e vetë fshatarëve. Rrugëve nuk sheh as qen rrugaçë, mund të lëvizësh i qetë e i patrazuar edhe në mes të natës. 

Përmenda më sipër restaurimin e kishës dhe të oborrit të saj. Por kompleksi sportiv i sapopëruruar dhe veçanërisht qendra e fshatit janë një model i asaj që mund të bëjë dashuria dhe përkushtimi për vendin tënd. Ajo që mungon këtu është dora e shtetit. Nëse shteti do të kishte fytyrë, ajo duhet të skuqej; nëse do të kishte vërtet shtet, ai do të ndihej i turpëruar. Fshati, dhe jo vetëm ai, por e gjithë krahina e Pogonit, kanë 30 vjet që vetëm i japin shtetit dhe nuk marrin asnjë qindarkë prej tij. Madje shteti nuk paguan e as mban me bukë qoftë edhe një skorjadhit të vetëm. As për të burgosurit nuk paguan, më thotë dikush me humor. Sepse këtu ka vite që nuk njihen veprat penale dhe nuk ka asnjë të burgosur. Në të kundërt të këtyre, këta njerëz i paguajnë si askush tjetër, me një korrektesë të habitshme, të gjitha detyrimet. 

Nuk e harrova shkollën. Po desha të ndalem pak më gjatë te kultura dhe arsimi. Që prej shekujsh skorjadhitët e shkolluar janë të shumtë dhe kanë dhënë kontribut të çmuar jo vetëm në fshatin e tyre, por edhe në të gjithë vendin. Përsëri, pa përmendur emra, nuk mund të rri pa nënvizuar një fakt domethënës që dëshmon se sa kulturë e arsimdashës kanë qenë njerëzit e këtyre anëve. Dhe këtë e tregon numri i bibliotekave në fshat në fillim të shekullit të kaluar. Numëroheshin mbi 50 të tilla. Në një raport të vitit 1930 të Rexhep Mitrovicës lexojmë për Skorenë: "Popullsia: 800 shpirt. Nxënës të regjistruar 55 (36 nxënës dhe 19 nxënëse). Ndërtesa u godit më vitin 1871 me shpenzimet e Vëllezërisë së ahershme të Stambollit; ka 3 dhoma mësimi dhe një dhomë për zyrë; gjendja jo aq e pëlqyer. Personeli përbëhet nga 2 mësues qeveritarë. Mësuesi qeveritar i shqipes është emëruar për herë të parë më 1928-1929. Përhapja e shqipes ndodhet ende në shparga. Skoreja është i vetmi katund grekofon në tërë qarkun e Nënprefekturës së Libohovës që ka 2 vajza bursiste në Normalen Femërore të Korçës."

Raporti të lë pa fjalë, por realiteti i trishtueshëm i së sotmes të mbush me dhimbje. Ç'mund të kërkosh për Skorenë, kur në gjithë Pogonin sot nuk ka as çerdhe e as kopshte, as shkolla 9- vjeçare e as të mesme. Kështu edhe pse restaurimi i shkollës së fshatit ka vite që është bërë me kontributin e bashkëfshatarëve, ai vetëm lajm të gëzueshëm nuk përbën. Lajm, natyrisht përbën diçka tjetër: Festimi vitin që vjen i 250- vjetorit të Vëllazërisë së Skorjadhitëve, e krijuar atëherë në kurbet, në Stamboll, ku kishin shkuar shumica e burrave të fshatit. Ky përvjetor, mbase i pashoq me asnjë tjetër në Shqipëri në llojin e vet, më bën të kuptoj pse këta njerëz nuk e braktisën kurrë fshatin e tyre dhe më shtyn të jem shpresë e besimplotë për prosperitetin e këtij vendi të bekuar.

***

Është e pamundur të ndërtosh të kaluarën tënde pa e jetuar atë. Askush nuk merr dot kujtime borxh nga fëmijëria e të tjerëve, prandaj dhe unë në vite isha përpjekur t'i krijoja kujtimet nga ëndrrat e mia. Më mjaftuan pak ditë në vendlindje për të kuptuar se mundimi im nuk kishte shkuar dëm. Edhe pse zakonisht ëndrrat e njeriut janë vazhdimësi e jetës së tij reale, për mua realiteti i atyre ditëve të kaluara në Skore duket se qe vazhdim i natyrshëm i ëndrrave. Edhe shtëpia ku qëndrova ato ditë, me pozicionin e saj dominues mbi fshat më ndihmoi për këtë. Më dukej vetja si një zog grabitqar që vështron nga lart e kërkon të zotërojë e mbajë nën kontroll gjithçka.

Dhe vërtet në ato pak ditë zbulova e provova gjëra që mund t'i kisha provuar 60 vite më parë, ‘vodha’ fiq e rrush në gardhet e të tjerëve, mblodha manaferra e thana, arra dhe rigon, grisa këmbët në gjemba e shkëmbinj. Shijova deri në thellësi të qenies sime bukurinë e lakuriqtë dhe magjepsëse të natyrës. Por mbi të gjitha njoha njerëz që fati nuk deshi t'i njihja 60 vite më parë. Isha i dehur në çdo orë të ditës e të natës. Nga një dehje e shenjtë. Dhe, si njeriut që befas i vjen kujtesa e ikur, u ndieva një fëmijë që do t'i bëjë të gjitha nga e para.

Dhe vërtet i bëra. 

Tani Skoreja më përket edhe mua. 




No comments:

Post a Comment