... "Gjithashtu shërbeu si klerik në fshatrat e zonës: Lekël, Labovë, Tërbuq, Hundkuq, Kodër, Peshtan etj.".....
Atë Gjegj SULI (1893 - 1947) |
Përgatiti: Andre LLUKANI
Tiranë
Gjergj Suli (1893-1947) ka lindur më 12 mars 1893 në fshatin Lekël të Tepelenës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa arsimin e mesëm e përfundoi në gjimnazin "Zosimea" të Janinës. Në vitin 1922 emigroi në Amerikë, ku punoi për 12 vjet në Boston dhe Filadelfia. Atë Gjergji ishte veprimtar i shquar i Shoqërisë "Vatra" dhe kishte miqësi të ngushtë me Imzot Theofan Nolin.
Në vitin 1934 u kthye në Shqipëri, për të mbajtur lidhjet midis Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe asaj të diasporës. Gjithashtu shërbeu si klerik në fshatrat e zonës: Lekël, Labovë, Tërbuq, Hundkuq, Kodër, Peshtan etj.
Të gjithë e donin dhe e respektonin, sepse atë Gjergji ishte i pjekur dhe i arsimuar. Me kulturën që zotëronte dinte t’i fitonte zemrat e njerëzve. Ai fliste disa gjuhë të huaja si greqisht, anglisht e italisht. Predikimet që bënte At Gjergj Suli me zërin e tij të ëmbël e melodioz, ndiqeshin me shumë dëshirë nga të krishterët.
Ishte njeri shumë i thjeshtë dhe i komunikueshëm me fshatarët e çdo moshe, sidomos me të rinjtë. Pas meshës bisedonte shtruar me popullin, duke u dhënë mendime të vlefshme për hallet që preokuponin fshatin.
Nëpër gosti atë Gjergj Suli merrte këngëve që i ngrinte vetë. Në repertorin e këngëve të tij labçe bëhej fjalë për bukuritë e natyrës dhe për patriotët e dëgjuar të lëvizjes sonë kombëtare.
Vendosja e regjimit komunist e vuri në shënjestër edhe atë Gjergjin, sepse kishte qenë në Amerikë dhe mbante korrespondencë me patriotët shqiptarë të diasporës. Atë e arrestuan më 27 dhjetor të vitit 1946 me akuzën: "bashkëpunëtor i anglo-amerikanëve dhe kundërshtar i regjimit". Në gjyqin që u bë në 14 janar të vitit 1947 atë Gjergji u dënua me pushkatim.
Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës me Vendimin Nr. 242, date 17.11.1947 e dënoi me vdekje krahas mjaft nacionalistëve të tjerë. Gjykata e Lartë Ushtarake e Shqipërisë me Vendimin Nr. 215, datë 08.01.1948 miratoi vendimin e dënimit me vdekje të Gjykatës Ushtarake të Gjirokastrës. U pushkatua më 14 janar 1948 në Gjirokastër. Kështu Lekli humbi birin e tij të dashur, Rrëza humbi një njeri të afërt e të respektuar, atdheu një patriot e intelektual të shquar dhe Kisha Ortodokse e Shqipërisë një klerik të ditur e të përkushtuar.
Xhelatët e kuq u habitën nga qëndrimi i atë Gjergjit, i cili e dorëzoi shpirtin te Perëndia duke bërë shenjën e kryqit. Askush nuk do ta harronte, edhe pse diktatura koministe s’lejonte të përmendej për të mirë emri, jeta dhe vepra e tij.
Lekljotët nuk i harruan krijimet dhe këngët e bukura që ai la pas. Ato i këndonin në festat familjare apo në takimet shoqërore, duke kujtuar me respekt, krijuesin e tyre, atë Gjergjin. Duke kënduar këngët e tij, lekljotët, peshtanakët dhe banorët e tjerë të Rrëzës shprehnin nderimin e dashurinë e mallin për klerikun Gjergj Suli.
No comments:
Post a Comment