Saturday 1 April 2023

SHTEGTIMI I FUNDIT I BABUSHIT


Novelë 

nga: Avdulla  KËNAÇI

Toronto, Kanada




1.

Studenti Gezim Gjoka ishte i vetmi shqiptar në gjithë Korpusin e Universitetit të Kalifornisë-Berkeley. Ishte i treti vit që ai studionte për biologji molekulare dhe gjenetikë. Në vitet e para i ishte dashur të mësonte edhe gjatë verës për të plotësuar boshllëqet e trashëguara nga shkolla e mesme në vendlindje. Kështu, nuk i ishte dhënë mundësia të kthehej në Atdhe në asnjë nga pushimet e verës, edhe pse e kishte djegur malli, sidomos për Babushin me të cilin ai ishte rritur në prehrin e tij. Ishte i lidhur shumë fort me të, si mishi me thuan. Në xhepin e përparmë të xhakaventos mbante një kujtim të veçantë nga ai; një monedhë amerikane prej floriri, koin, të cilën Babushi ia kishte futur fshehurazi në xhep kur po e përcillte për herë të parë në aeroportin e Rinasit. Monedha ishte një prerje e vitit 1942. Çudi, ku e kishte gjetur dhe si e kishte ruajtur aq gjatë?! Sa herë e sillte ndërmend gjyshin, nxirrte monedhën prej floriri dhe e vërtiste nëpër duar plot mall e dashuri. Nga përdorimi, ajo erdhi e shkëlqeu sikur të ishte fringo e re, e sapodalë nga fabrika. Nuk kishte ndonjë vlerë të madhe po ta shisje në treg, por si një kujtim, si një relikë, ajo nuk kishte të çmuar. Gëzimit i dukej sikur në faqen e pasme të asaj monedhe ishte stampuarr fytyra e Babushit. Studenti kishte krijuar një zakon të vetin; përpara çdo provimi e nxirrte monedhën nga xhepi, pa rënë në sy; gjente rastin për ta hedhur dy-tri herë përpjetë. E priste në pëllëmbë të dorës si një xhongler i vërtetë, pastaj e puthte, i lutej për fat, sikur ai metal i rrallë të ishte një gjë e gjallë. Kështu, pas këtij riti, hynte serbes e me plot besim në auditor.

 

I mbetej edhe një provim, i fundit dhe e mbyllte sezonin për atë vit. Bashkoi fletët e leksioneve, mblodhi lapsat me ngjyra, stilolapsin dhe i futi të gjitha në çantën e shpinës. Hapi celularin, e aktivizoi dhe u habit kur pa aq shumë thirrje të humbura prej telefonit të Ligos, të cilat përcilleshin nga fshati i tij i lindjes. Ndjeu të rrahura në tëmtha. Kjo punë nuk priste sa të hante drekë. Diçka duhet të kishte ndodhur derisa gjyshja e dashur kishte bërë aq shumë thirrje. U mënjanua në Parkun pas Universitetit, ku kishte më pak zhurmë dhe u lidh me fshatin e largët, aty në Labëri. Ai e dinte se Ligua, kështu i thërriste gjyshes, gjithnjë celularin e mbante në xhep të futasë, kudo që shkonte, edhe kur gatuante, edhe kur fshinte pazhdullinat në oborr, edhe kur dilte për qoka e vizita në farefis. Formoi numrin me prefiksin e njohur 355, priti pak dhe ja ku mbërriti zëri i i çjerrë i Ligos:

- Po ç’u bëre dermën, o shpirti i gjyshes, na bëre merak…

- Ka ndodhur gjë, si është Babushi? - pyeti Zimi me padurim, nisur më shumë nga toni i zërit të gjyshes.

- Eeh, Babushi, ka katër muaj në stromë, ka zahuret, e presim me ditë e me orë, por nuk vdes, nuk i del kollaj xhani. Na ka zaskalitur keq, të kërkon ty me gjogul.

- Ditët e veta i ka, pse duhet të vdesë me pahir?! - u përgjegj i zemëruar Zimi. Ato fjalë të rënda të gjyshes e dokëndisën keq, megjithse e dinte se ajo mendonte të kundërtën e atyre që thoshte. Gjithnjë kështu sillej, kontravers, sidomos me Babushin.

- Po, ç’të të them, xhanii, rremall, nuk di ku i mbahet ai çikë shpirt, ka prerë të ngrënit. E ushqej me muhalebi, si fëmijët. Do kulloshtër. Ku t’ia gjej kulloshtrën unë e zeza tani kur cangadhet janë akoma në shtegtim e nuk kanë arritur pranë fshatit?!

- A flet?

- I dëgjon të gjitha. Rri pa merak, nuk i del kollaj rruhu, dermën, po nuk kthen xhevap, perëndon sytë nga tavani sikur flet me hizërin. Përditë mbeta duke nasqirisur shtëpinë se hyjnë e dalin njerëz për ta parë.

- A kërkon ndonjë gjë të veçantë?

- Më dole në shteg, i mbiu emri yt në gjuhë; Zimin, dua Zimin, lajmërojeni urgjent të vijë nga Amerika, na thotë, nuk ka për të më dalë xhani pa parë nipin, ai të m’i mbyllë sytë e të më hedhë një dorë baltë mbi tabut. Kaq e pata, më është mbaruar vaji i kandilit, ndaj dua nipin këtu…

- Katër muaj në shtrat Babushi e nuk më keni thënë asgjë?!

- Unë e kam fajin, lëreni djalin të mbarojë provimet, mos i prishni mëndjen, lëreni se ç’kërkon qiqra në hell ky plak i rrjedhur, ky rrugjo, u kam thënë të gjithëve. Paguan qimet e kokës Amerika për t’ju mësuar, por edhe ne nga kursimet tona, me sa mundemi, biro, të kemi ndihmuar. Jo xhani, nuk bëhemi sebep neve të mbetesh në shkollën e lartë. Të gjithë të vdesim, ti nuk duhet të luash nga limeri i Amerikës. Të vish kur të të bëhet mbarë. Po më në fund nuk e duruam dot Babushin, sa s’ngriti fshatin më këmbë. Dje e teproi “Do t’i vë flakën shtëpisë, po nuk e lajmëruat Djalin”, na tha duke u gërnjasur s i luajtur mëndsh, ndaj i dhamë karar të të njoftojmë me haxhele. Ti e njeh mirë, kur e thotë ai, e bën… Kjo është e gjitha, dermën.

- Dëgjo Ligo, unë kam edhe një provim pasnesër dhe mbaroj sezonin. Më keni marrë në kohën e duhur. Pas një jave nisem. Gjeni një celular të ri se ai yti është tip i vjetër dhe nuk e përcjell mirë zërin. Ia vini Babushit në vesh, të flas vetë me të, ai nuk u beson juve, me siguri do të dëgjojë zërin tim, - e mbylli bisedën telefonike nga përtej oqeanit, nipi.


Pas asaj telefonate e atij lajmi të gëzuar për ardhjen e Gëzimit, shtëpia e Babushit rrëzë Vreshtave, u gjallërua cep më cep. Çdo gjë u kthye përmbys. Gumzhiu oborri si një zgjua bletësh dhe Gjokajt i linin dritat të ndezura gjer afër mesnate. U shtuan hyrje e daljet. Do vinte Gëzimi nga Amerika! Lajmi u përhap me shpejtësi në tërë fshatin malor me njëqind shtëpi të hedhura si nga një dorë e vetme në ato gryka malesh. Kishin tre vjet pa e parë. Kushedi sa do të kishte ndryshuar studenti Gëzim Gjoka! Shumë ujëra kishin rrjedhur tre vite larg këtyre maleve. U futën të gjithë pjestarët e familjes në punë, nga i madhi tek i vogli. Nuset fshinë avllinë e lyen shtëpinë me gëlqere të bardhë, sherqet dhe rrobat e leshta që nuk nxënte lavatriçja i zien në finjë si qëmoti, i rrahën me kopan, pastaj i shpëlanë në zallishten buzë përroit të Prënjos. Babushi hapi sytë. Kur vuri re tërë ato përgatitje e besoi vërtetë se nipi i tij i dashur do të vinte me patjetër, së shpejti. E ngritën trupin e telikosur të plakut, i veshën rrobat dhimine të reja dhe e mbështetën mbi tre jastëkë, një mbi një. I dhanë një gotë qumësht të ngrohtë, lugë-lugë të cilin e morën hua nga një gjitone që e dimëronte lopën në fshat, brenda në kasolle. Ajo e bekuar laramane sapo kishte pjellë një viç buzëbardhë e me kokën sa një shinik drithi. Sa mësoi lajmin për ardhjen e nipit, Babushi hapi pak sytë e mekur, u ngrit brinjazi dhe filloi të flasë e të kthejë përgjigje me gjysmë zëri: 

- Se mos më gënjeni, lanetër, mos më punon ndonjë dhjavoli kjo dosa! Nuk i besohet kollaj kësaj. Vërtetë do ta shoh nipin e Babos e do të flas për herë të fundit me të?!

- M’u bëfsh korban, plak i trimiqisur, ujk pylli, bishë mali, - ia priti aty për aty Ligua, hazërxhevap - sos të mbaj shpirtin gjallë, por edhe më shan. Na merre telefonin dhe foli vetë! - ia priti ajo duke i dhënë pak kokës mbrapa, medemek për karshillëk, pa ia hedhur sytë e ndezur flakë nga inati që i ziente përbrenda.

- Alo, Babush, a më dëgjon? - buçiti që nga Kalifornia zëri i Zimit. 

- Cili je ti, mor djalë? - pyeti Babushi sikur nuk ishte më i sëmurë. I habiti të gjithë kur i dëgjuan zërin të plotë, pa iu dridhur asnjë fije.

- Po, Zimi nga Amerika jam, Babush.

- Vërtetë do na vish? Pëllumbi i Babushit, larashi i gjyshit, trimi im … - i tha dhe ua bëri me dorë të gjithëve të dilnin jashtë dhomës. Nuk donte t’i shihnin lotët që i njomën faqet e thara dhe i rrëshqitën pikë-pikë gjer në mjekër. Dhe vazhdoi - hajde shëndoshë se do ngrihem në këmbë e do bëhem drë pylli. Do vemi në stan, në mal të Lucës e në krua të Mollës, bashkë, të dy. Po vijnë kopetë nga vërria, po dëgjoj çdo natë zilet e cjep përçorë. E di që kemi marrë kullotat tona, bir, ato që kemi pasur denbabaden me tapi?! Dua t’i shoh për herë të fundit. Jemi kthyer prap në privat. Jemi tamam në vakt, tani është fundi i majit, shumë shpejt do fillojnë të ngrihen tëndat e mërximit për behar. Arç shëndoshë, Larashi i Babos!

Ligua pas derës i dëgjoi të gjitha, duke nënqeshur me të vetmin dhëmb të saj që i kishte mbetur pa hequr. Nuk i shpëtoi asnjë fjalë. Ziente si qumështi në kusi, por edhe qeshte me veten e saj dhe ngjante ashtu, pak si e lajthitur. Duke u akërryer, gjithë maraz, sikur fliste me muret, tha nën gjuhë:

- Po kjo, ç’qe?! Ka bërë lojë me ne veqili, tri javë pa e shqepur gojën. Na e vërviti. U bë katër muaj pa lëvizur nga stroma dhe ja tani më ligjëron si birbil. U kam thënë xhanii, mos e besoni, ngrihet natën si hajdut e fut kokën në dollap, ha mëshehurazi e ne themi si e mban shpirtin gjallë?!


2. 

Ashtu si treguam, studenti shqiptar Gëzim Gjoka vazhdonte arsimin e lartë në një Universitet të Kalifornisë, në një degë të padëgjuar në atdheun e tij, e rrallë, por me shumë perspektivë për të ardhmen. Ai e mbylli sezonin me rezultate të mira dhe u hodh në vit të katërt, pa asnjë pengesë. Asnjë provim për në vjeshtë. E prisnin dy muaj pushime të plota në fshat. I meritonte. E kishte pikur malli për njerëzit dhe malet e Labërisë. Ah, ai fshat malor ku kishte lindur e ishte rritur! Të gjitha ëndërrat në Amerikë i shikonte aty, në ato buza, hone e gërxhe, në gropat me cilicoka e petaraqet si peta byreku, pyjet me bredha e lajthi, lëndinat me lule hakthi e trëndelinë. Nuk është se ishte ndjerë keq në këto tre vjet në Kaliforni. Aty klima është si në Sarandë, ku bashkëfshatarët e tij dimëronin kopetë e deleve, por bregu i oqeanit Paqësor ka klimë më të ftohtë dhe ajrin jo aq të freskët e të kulluar si në malet e Labërisë. 


Me një hovol të ndezur në gji e buzëqeshje mbi buzë, djaloshi përgatiti valixhet dhe ato pak dhurata. Shumë shpejt u bë gati për t’u nisur në vendlindje. Duheshin vetëm dy ditë. Kishte rrugë të gjatë për të bërë deri në Shqipëri, por gëzimi që i ziente në shpirt, i mposhtëte të gjitha vështirësitë e udhëtimit të gjatë. U nis herët në mëngjes. Nuk kuptoi sa orë udhëtoi përmes qiellit. Dhe ja ku më në fund aeroplani ngadalësoi shpejtësinë dhe po kërkonte trajektoren për t’u ulur në aeroportin e Rinasit. Ishte mpirë i tëri nga rruga e gjatë dhe emocionet. Ja toka shqiptare. Kishin kaluar tre vjet larg Atdheut, nuk ishin pak, sidomos për një të ri që dilte për herë të parë jashtë kufirit. Për çudi, sa vuri këmbët në tokën mëmë, dëgjoi plot turistë të huaj që kërkonin autobusët e linjës së Sarandës. Sa shumë ndryshime brenda tre vjetësh! Edhe aeroporti ishte zmadhur dhe nuk të vinte më turp nga policët që dikur rrinin me pantallona të thyera në gjunjë e disa herë të ndotura me hi nga të vatrës së zjarrit, sidomos në dimër. Kuptohej, ata ishin me origjinë nga zona e Krujës, rrotull aeroportit. Lajmëroi në fshat me celular dhe u tha se zbriti në Tiranë, por do të vazhdonte që atë çast udhëtimin me linjat e Jugut. Vështrimin e mbante nga dritarja e autobusit turistik. Përpinte me sy çdo rrugë të re e çdo ndryshim. Kurrë nuk e kishte bërë rrugën e Tepelenës për vetëm tri orë. Ndali në qytetin e vogël të erërave, pranë Kalasë së Ali Pashë Tepelenës. Nuk qëndroi as për një kafe, e kishte punën me ngut. Gjeti një xhip-taksi që bënte rrugët malore të Kurveleshit. Ishte me fat se shoferi qëlloi një bashkëfshatar i veti. E para pyetje që i bëri ishte ajo për shëndetin e Babushit. Dhe shofer Izeti, me atë trupin e ngjeshur e lëkurën e faqeve të rrahur nga erërat e grykë-maleve, me buzën e çarë si të lepurit, iu përgjegj:

- Mos ia ki merakun, është kockë e fortë Babushi, i telendisi ata të shtëpisë. U thotë, o sillmëni nipin këtu, o i vura flakën hapanesë. Plak hesapi, i është tiposur, ka vënë kokën për ty, jo vetëm të pret ai me padurim, por i tërë fshati, - i tha duke rrokëzuar çdo fjalë, shoqëruar me atë buzëqeshjen e tij tipike. Student Zimi i njeh mirë zakonet dhe traditat e kësaj krahine. Ai di se fshatrat e Kurveleshit janë të ndara në mëhallë, ose fise. Kryesisht ndiqen lidhjet e krushqisë midis mëhallëve, rrallë lakmohen martesa jashtë fshatit. Hollë-hollë i bie të kenë lidhje gjaku me njëri-tjetrin. Pra, po të gërmohet në rrënjë, me siguri edhe me Izetin, duhet të përzihen diku rrugët e gjakut. Kështu mikpritja dhe biseda vazhdoi vëllazërisht, si midis dy njerëzve të afërt, dy bashkëfshatarëve që po takoheshin pas tre vjetësh.

- Mua m’i thanë të gjitha këto në telefon, por nuk i besova. Kështu i zmadhojnë gjërat aty në fshat, mendova, - i tha shoferit.

- E vërteta është se ai të ka rritur në pëqi të vet. E mbaj mënd kur të merrte me vete pas kopesë. “Do ta bëj çoban të mirë, thoshte, një sy t’i hedhë tufës dhe e gjen cila dele mungon. Është i zgjuar, dreqi vetë është. Tani do punojmë për xhanin tonë, jo më për shtetin”. Kështu thoshte Babushi kur u ndërrua sistemi e u prish kooperativa. Gjyshi yt është njeri i ndershëm, i urtë e punëtor, nuk ka të dytë në krahinë. Vetëm të mira ka bërë e nuk i ka rënë njeriu në qafë. Çoban si ai nuk gjëndet në Kurvelesh. Nuk ta them për të të bërë qejfin. Ja më thuaj, ka ndërruar fjalë me njeri? Jo. Edhe po vdiq, do mbahet mend tërë jetën për mirë. Nuk është si ca e ca që e lënë litarin bran, jashtë varrit. Jemi fshat i vogël dhe i ruajmë vath në vesh zullumet e njëri-tjetrit. Ca thonë që jemi shumë kokëfortë dhe inatçinj, por jo, jemi shumë të vendosur, këmbëngulës, besnikë dhe të drejtpërdrejtë.


Taksisti fliste me zemër në dorë, ashtu si e ndjente. Zimi nuk ktheu përgjigje. E kishte mendjen vetëm tek Babushi. Duhet të jetë i sëmurë, po nuk e jep veten, mendoi. Nuk dinte çfarë barnash t’i sillte nga Amerika dhe zgjodhi vetëm ca lloje vitaminash. Ato nuk i bënin dëm. Taksia nisi të përpjetën buzë kanioneve të Kurveleshit dhe rruga u bë më e vështirë. Zimi kujtoi një shprehje nga të udhëtarit turk, Evlia Çelebiu, aty nga viti 1670 kur shkruante në shënimet e udhëtimit se emri Kurvelesh vjen nga fisi i Kurejshëve dhe këtyre honeve e greminave edhe djalli çapitet me opinga veshur e pulat këtu i mbathin me patkonj. Buzëqeshi me hiperbolizmin dhe mendoi se hija e maleve tona duhet ta kenë frikësuar kronistin turk përpara 350 vjetësh.


Zhurma e motorit të xhipi gjëmonte si një fshesë me korent kur e vë në punë për herë të parë. Shoferi hapi magnetofonin dhe zhurma e motorit u shurdhua pas buçimës së zërit të këngëtares gjirokastrite Ermelinda Bixhaku: “Doli plaka malit-o, trojulo, trojsulo, trojelena, trojselena, jo moj jo, dil Bejko nga bedena, me të tria çupat- o, trojulo, trojsulo, thot’ e madhja më marto….”. Kjo ishte kënga që pëlqente më shumë Babushit. Ai e këndonte vetëm fare, kur gjezdiste pas kopeve të deleve. Po si nuk i kishte shkuar ndërmend atëherë se kjo këngë ka brenda edhe emrin e qytetit të Trojës, edhe Elenën, Troj-ulo, Troj-elena…Duhet të jetë shumë e lashtë, shumë e vjetër. Dhe kjo këngë nuk është dëgjuar ndonjëherë në Greqi. Çudi si e ka ruajtur e trashëguar kështu Labëria?! Për qindra e qindra vjet…


Taksia doli në krye të një kokojke. Rruga malore mbaroi. Edhe makina dukej sikur kishte hedhur pas krahëve sikletin e të përpjetës dhe tani merrte frymë lirisht. Një fllad i freskët, plot jetë, nisur prej bregdetit, të mbushte gjoksin me oksigjen. Të duket sikur këtu trupi të peshon më pak. Nga larg u vunë re ca shtëpi të mëhallës së sipërme dhe Zimit iu rrëmbushën sytë me lotë. E habitshme, si disa prej tyre kishin mbetur ende pa dritare në katin e parë, si një shekull më parë. Shtëpi-kulla, edhe për luftë, edhe për paqe. Shoferi e qepi gojën, nuk deshi t’i trembë mendimet ëndërrimtare djaloshit që vinte nga Amerika e largët. U prek e u mallëngjye dhe ktheu kryet nga dritarja, të mos ia dëftonte shoferit lotët e kripur. “Me siguri Babushi ka marrë sharkun e është mbështëtur pas murit të portës, pret për mua, mendoi. Tridhjetë e gjashtë muaj pa e parë. Si më ikën kështu, plot tre vjet nga rinia ime?”, mendoi dhe fshiu lotët me mëngën e këmishës. Hodhi vështrimin nga malet rrotull fshatit. Majat ishin përflakur nga një diell i florinjtë dhe horizonti ishte zhytur në një qetësi olimpike. Ja, tek ajo maja, atje ku qielli puqet me tokën, ishte ngulur stani i Gjokajve. Po çfarë kuptimi ka kullota, stani, pa Babushin?! Shofer Izeti ndërhyri duke i ndërprerë ëndërrimet:

- Gëzim vëllai, ti ke parë botë të madhe e të zhvilluar, jo si ne që jetojmë nën një shoshë qiell, a ka perspektivë kjo zona jonë? A mund të arrijmë të bëhemi edhe ne si e gjithë bota?

- Izet, me këtë pyetje më dole në shteg. Sa herë shikoja ndonjë vend të ri të Amerikës, për fshatin tonë mendoja dhe mund të përgjigjem. Këtë vend e shpëtojnë dy gjëra, blegtoria e zhvilluar dhe turizmi. Të huajt pëlqejnë t’u bien kryq e tërthor me këmbë maleve tona. Në to ecet me lehtësi. Pse? Janë afër detit. Ka shumë gjëra për të parë, është kontrasti me bregdetin, kanionet e famshme, lëndinat me lloj-lloj lulesh, që nga hakthi e trëndelina, pyjet me bredha, panjë, lajthi, krekez e shkozë, burimet malorë me ujët akull, përrenjtë e thellë ku rritet peshku i rrallë që ne i themi pestrovë, ai peshku me pika të kuqe. Sa për shijen e djathit, qumështit e mishit, ti ato i di vetë. Mund të them se ne jemi të parët në botë. Turisti i huaj sot kërkon gjëra të veçanta që nuk i përjeton dot në vendin e tij. Si do t’i marrë vesh? Nëpërmjet promovimit e reklamimit në internet. 

- Të kuptoj shumë mirë, ti vjen nga vendi numër një në botë, modern, i zhvilluar, - iu përgjigj taksisti. Studenti vazhdoi:

- Po pati turizëm, vlera e kësaj krahine rritet dhjetë fish. Ne kemi zakonet që të huajt i respektojmë dhe nuk i presim në besë. Kemi shumë për t’u treguar nga traditat tona të lashta. Jemi vend bujar, japim siguri. Këtu lehtësisht zbritet me parashutë. Nejse, më pyete për një temë që mund të flas një ditë të tërë, po afrojmë në hyrje të fshatit. Mbaje xhipin ngadalë, dua të çmallem edhe me gurët e udhës…

Izeti dëgjonte gjithë sy e veshë, në memorien e tij incizonte çdo fjalë, si një magnetofon dhe vazhdimisht miratonte duke tundur kryet. Ato që mësoi nga kjo bisedë, do t’ua tregonte me zell klientëve të tij të ardhshëm. Duke e filluar bisedën afërsisht kështu: “Një djali ynë që studjon në Amerikë, më ka thënë kështu…”. Lehtë- lehtë, sa hyri në fshat, xhipi-taksi e gjente vetë rrugën. Kur dolën në shtegun e parë, u ndje aroma e gjalpit të leshtë që shkrihej në tigan. Diku në një shtëpi, ndoshta prej asaj që nxirrte fjolla tymi si vello me filigram, kundërmonte ajo erë.

- Izet, - i tha djaloshi taksistit - unë do të zbres, dua të eci në këmbë, dua të më çpojë hundët kjo era e fshatit, sidomos tani buzëmbrëmjes. Më ka marrë malli… Bën përpara dhe çoi valixhet në shtëpi. 


Izeti u bind, e kuptoi mirë se çfarë donte të thoshte ai me ato fjalë. Nuk ishte gabuar, ja tek ishte Babushi i “ngujuar” tek porta me qemer, qëkur Zimi foli nga Tepelena në telefon. Aty ia çuan edhe drekën. I skuqën ca të përbrendëshme shelegu të cilat i gëlltiti gjysmë pa përtypur. Kur shoferi zbriti valixhet, Babushi u çua më këmbë dhe futi kryet brenda kabinës së taksisë:

- Ku ma ke djalin, qafir?! - bërtiti.

- Ja ku jam, Babush, - thirri Studenti duke i folë pas shpatullave dhe e ngriti përpjetë, hopa, me gjithë shark.


Plakut gati iu ndal fryma. Ndjeu t’i digjte kraharori. Mbylli sytë, duart si rrënjë shqopesh i mbështolli rreth qafës së nipit dhe ndjeu aromën e njohur të Larashit, përzier me pak erë Amerike. Larash, kështu i thërriste kur ai ishte i vogël. Plaku e lëshoi gjithë kurmin në krahët më të besuara e të sigurta në botë. Tani e tutje, e ndjeu se nuk do të vdiste aq lehtë. Nuk i erdhi aspak turp që nipi e ngriti hopa, ashtu siç bënte ai vetë kur Zimi ishte fëmijë. Eh, si është puna e njeriut, rrotullohet në vend. Ashtu, në duart e Zimit hyri në dhomën e pritjes. E ulën në qoshe, aty ku ishte vendi i nderit. Ligua ishte kujdesur t’i ndërronte fanellën e leshit dhe gjithë rrobat e tjera. Sonte e tutje shtëpia do kishte njerëz. Lajmi ishte përhapur derë më derë se Gëzimi, nipi i Babushit, po kthehej në fshat pas tre vjetësh e pa dy muaj. Babushi na paskishte vënë kujën që ai të vinte dellëngthi, sa më parë nga Amerika. Kushedi çfarë amaneti kishte ndërmend t’i linte, sa për vdekjen e shpejtë, nuk e besonte njeri, megjithse ai e përsëriste shpesh.


3. 

Ky është një fshat në Labëri, i lidhur fort pas traditës, vështirësive dhe së shkuarës së lavdishme me luftra të gjata e të mundimshme. Disa thonë se janë të zbritur nga Mirdita pas djalit të Skënderbeut, prandaj janë aq krenarë e fodullë. Qajnë e gëzojnë të gjithë së bashku. Nëpër dasma e zjafete shkojnë pa ftuar njëri-tjetrin me lutje e ceremonira. Nëse duhet t’i njohësh, duhet t’i shikosh e studjosh si sillen në fatkeqësi. U erdhi të gjithëve keq për lëngimin e plakut të moçëm, ashtu si u gëzuan për nipin që erdhi posaçërisht nga Amerika dhe e gjeti gjyshin e tij të dashur gjallë e me frymë. Pas darke, odaja e madhe e shtëpisë së Gjokajve u mbush plot e përplot me njerëz. Babushi as ankohej e as rënkonte më, por aty, në qoshen e tij, edhe pse nuk shikonte aq mirë, i njihte të gjithë bashkëfshatarët nga zëri. “Shyqyr që të erdhi nipi shëndoshë!” e uronin përpara sesa ta pyesnin për shëndetin e tij, mirëpo njeri prej tyre e prishi rregullin. Ai uroi ndryshe:

- Në dasmë ta gëzojmë Zimin!

Sa dëgjoi fjalën dasmë, Babushi luajti nga vendi, u rregullua mirë, shtriu këmbët nga ana e vatrës dhe u përgjegj me shpoti:

- Ka kohë për dasmën, të mbarojë njëherë shkollën e lartë. Pastaj, që thoni ju, kur ka qumësht në dyqan, ç’e do lopën në shtëpi.

Të gjithë zgurdulluan sytë të habitur, çfarë deshi të thotë ai me këtë fjalë, se Amerika ka plot vajza dhe nuk i hyjnë në punë ato të fshatit?! Ku qëllon kështu ky plak qerrata?! E dëgjuan edhe gratë në kuzhinë dhe panë njëra-tjetrën me habi.

- Korba, - i tha Ligua nuses së djalit të vogël - shih se ç’kubulla të pabëra që lëshon Babushi, u kam thënë unë që ai ka firasur nga trutë…Njerëzia vjen edhe e nderon dhe ai i dokëndis keq. Kështu i hidhur ka qenë tërë jetën, po në zemër nuk ka gjë.

- Jo, Ligo xhani, e more vesh kush foli? Hundeçi, ka dy vajza njëra pas tjetër, pa martuar dhe hajde të hedh një gur në lumë, mbase çoç vret i ka thënë rradakja e vet, Dhe lëshoi ato fjalë që dëgjove.

- Shih, shih, korbë, si nuk më vajti mëndja fare, po ku i shpëton gjë Babushit?! - tha Ligua me një zë tjetër dhe e ktheu “rrobën përmbys”.

Ca burra të tjerë vunë buzën në gaz, ndërsa një skërfyell i gjatë që nuk dinte nga t’i shpinte këmbët, iu drejtua Zimit sikur t’i kërkonte llogari:

- Po sa vjet të duhen, mor djalë, për ta mbaruar këtë të uruar shkollë prapa diellit, dy ditë larg me ballonë?

- Edhe dy të tjera, - i tha qetë-qetë, pa e prishur terezinë studenti i mirë Gëzim Gjoka.

- Dashkeni të paguani qimet e kokës, ku të fal Amerika, çdo gjë me para e ka, - shtoi Hundeçi.

- Na qafsh hallin, Hundeç, akoma nuk e ke marrë vesh se shpenzimet e shkollës i heq vetë Presidenti amerikan për ata që mësojnë si nipi im?! - ngriti zërin Babushi pasi e kroi gurmazin nja dy-tri herë. Edhe pse Presidenti nuk kishte fare dorë në të drejtën e studimit, por Ambasada Amerikane në Tiranë, Gëzimi nuk deshi t’ia prishë qejfin Babushit dhe nuk ndërhyri. E la ashtu siç e ujdisi vetë plaku, i cili here-herë bënte rolin e shejtan-budallait.

- Po mirë, mor djalë, por çfarë zanati do na biesh, çfarë dhipllome? Si e ka emrin kjo dega që mëson? - pyeti Skërfyelli që e hiqte veten si më të mënçurin e asaj ode.

- Biologji molekulare dhe gjenetikë, - u përgjigj Gëzimi me vendosmëri, edhe pse e dinte që askush nuk do ta kuptonte.

- Më thertë Teqeja e Zallit në mora vesh gjë, - tha një burrë tjetër me barkun të kërcyer mbi rripin e brezit. Zimi qeshi dhe deshi t’ua bëjë më të shkoqur dëgjuesve të asaj ode:

- Keni dëgjuar për AND-në?

- Për atë analizën që vërteton se është filani dobiç apo me baba? - tha Skërfyelli.

- Ajo AND-ja ndjek linjën mashkullore dhe siç është tek një grup njerëzish nuk është tek tjetri dhe do të thotë Acid deoksiribonukleik, ndërsa ARN do të thotë Acid ribonukleik. E di që nuk e kuptoni, por do t’ua bëj më të holla; kur na zë virusi i gripit, ne nuk e dimë çfarë virusi është, por marrim material nga i sëmuri, i bëjmë analiza pas analizash dhe gjejmë llojin e virusit dhe si luftohet ai. Vaksinat nuk janë gjë tjetër veç ndërhyrje në ARN.


Babushi ishte gati t’ia niste të qeshurës me hi, hi dhe në mendje thoshte: “Ah ç’ua bëre mirë, more xhani i Babos, zabërhanët, shiko si të tërë ulën kokën e përtypen si qetë në grazhd. Deshën të të vënë në lojë. Mirëpo njërit prej tyre, mbapa Barkderrit nuk iu durua, u ngrit e tha:

- Më vraftë Baba Aliu në mori vesh gjë njeri nga ne se çfarë shkolle është kjo në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara që sapo dëgjuam.

- Është shkollë për shkencëtarë, ju jeni qe parmënde, i bëni pyetje djalit se gjoja do ta zini gafil, më mbaheni si të mënçur! – u hoq Babushi sikur u zemërua. Këtu, për të mos dalë bosh, e ndihmoi Zimi:

- Po, Babush, shkencëtarë nxjerr, por veç univeritetit duhen edhe katër vjet të tjerë për të marrë Doktoraturën.

- Pse nuk thoni që kjo shkollë të plak, - tha Hundeçi me mëdyshje.

- Hi, hi, dhe të nxjerr shkencëtar, - tha Babushi gjithë fodullëk - ka të tjerë shkencëtarë fshati ynë? Flisni! Jo, ai do jetë nipi im, keni për ta parë, se jeni më të rinj, por ç’të bëj unë derëziu që i kam ditët e numuruara me këtë të therurën që kam në brinjë! Hajde, mbushni gotat, shëndeti i Gëzim Gjokës, nipit tim!

Hodhën gotat e rakisë me një të shkundur dhe vazhdonin të flisnin dy e nga dy e tre e nga tre, vesh më vesh. Babushi i gëzohej trapezit dhe atë dhimbjen në të majtë të kraharorit nuk e ndiente më. Gratë venin e vinin me pjatat në duar. Dritaret e shtëpive ishin të hapura kat e kat dhe kënga labe për Zenel Gjolekën përcillej pa pyetur; lagje më lagje e derë më derë.


4. 

Pas një jave, shullënjtë e gjelbëruar, grykat e maleve, kodrat dhe lëndinat, më në fund ishin zgjuar nga dimri i gjatë dhe mjergulla e dendur. Kishin shkundur plogështinë e stinës që shkoi dhe i ishin dorëzuar pa kushte motit të ngrohtë dhe flladit jetdhënës. Dita ia kaloi natës; ngado diell i ndritshëm e cicërima zogjsh. Blegërima delesh, qingjash, cjep përçorë që ecnin serbes në krye të kopeve duke tundur këmborët e zilet shfaqeshin ngado. Fërshëllima dhe britma barinjsh kishin mbushur e rrethuar fshatin nga të katër anët. Pas tyre bënë ballë karvanët e mushkave të ngarkuara me sherqe, vedra, prokovë, fletë çadrash dhe sheqërorë prej dru bredhi ku do të vareshin napat e djathit të njomë. Jeta e gjallë me blegërima, zile, këmborë dhe lehje qensh kishte shpërthyer me gjithë bukurinë e sa pranverore. Njera pas tjetër mbërritën kopetë nga vërria duke sjellë gëzim e hare. Për pak ditë, sa të ngrohej mirë moti e nata të mos ishte aq shumë e ftohtë, ato përsëri do të shtegtonin në lartësi edhe më të mëdha, do të ecnin drejt kullotave verore në maja mbi 1500 metra mbi nivelin e detit. 


Babushit nuk i rrihej brenda shtëpisë. I kërkoi nipit t’i sajonte një shtrat dërrase nga ku dallohej xhadeja që lidhej me fshtra të tjerë e shquheshin më mirë kopetë e deleve, përhapur nëpër shullënj, karshi lindjes së diellit. Ndërroi tri palë syze për të shquar më mirë tufën që i përkiste fisit të Gjokajve. Më në fund pyeti:

- Nuk po shoh Korroziun, pa eja këtu Zimi, ma gjen dot? Kam një sahat që e kërkoj me sy e nuk po e shoh.

E dëgjoi Ligua dhe iu afrua me lezet Gëzimit dhe i tha në vesh: 

- Korroziun e hëngri bisha në Heremec, gjatë dimrit, po këtij nuk duhet t’ia themi se nuk e durojmë dot duke bërtitur e sokëllitur. 

Gëzimi buzëqeshi, iu afrua Babushit me ngadalë, i hodhi krahun në qafë dhe i tha me atë zërin e tij të ëmbël e miqësor:

- Babush, Korroziu nuk erdhi sivjet, ka mbetur në Heremec, po vështro mirë, pas Barxhës është një Korrozi tjetër, ca i vogël, po do të bëhet i madh. 

Plaku sedërqar, prej atyre fjalëve e nuhati çfarë i kishte ndodhur cjapit të zi dhe kësaj radhe u përgjegj pa zemërim e gërnjë:

- Po këtë të më thonë, unë akoma nuk kam firasur nga mëntë sa të mos njoh kopenë time, pse ma mbajnë mëshehurazi si dobiçin gratë beronja.

- Nuk ka më Korrozi, na marrtë pleshtat, kësmet këto që kemi e shëndet i prakut me çfarë ka brenda, - tha Ligua e shkarkuar nga barra e sekretit. 

Babushi këtë radhë nuk e kundërshtoi dhe as i bërtiti si zakonisht. Atë fjalën “praku”, e mori për “plaku” dhe pse ta fshehim, iu bë qejfi. 


Pasi erdhën kopetë e deleve në fshat, pasi çobanët u lanë me ujë të valë nga koka tek këmbët, u rruan, u qethën, u krehën dhe ashtu, të shëndetshëm e faqekuq, u dukën edhe më të bukur. Emri i Babushit dhe nipit të tijj, student nga Amerika, asaj pranvere ishin të pranishëm në çdo shtëpi e në çdo bisedë.

- Goxha djalë, nuk i është rritur fare mendja, lum kush ta bëjë dhëndërr…

- Ama sa e do gjyshin, por edhe Babushi ç’faj të ka, lë kokën për të. U çel plaku si lëpushka në prill që kur u kthye i nipi, - tha një nuse nazelie, e sapomartuar.

- Pse nuk thua që u kthye nga rruga e vdekjes, e narihetit. Menduam se iu sos vaji i kandilit, por jo, tani i është kthyer oreksi dhe i ka shkuar mendja të jetë në Festën e Tëndës, në mal, - shtoi një tjetër.

- Ai ka qenë çoban që katërmbëdhjetë vjeç, kur mbeti jetim dhe i doli zot kopesë, por tani e mundi pleqëria, ama mëndjen e ka qiqër. Rri ulur në shtratin me dhoga gjithë ditën e Perëndisë, në hije të kokoarrës, me vështrimin ngulur nga kopetë në shullë. Aty, tek kokoarra, ia shpien edhe kafen, edhe bukën. Shpirtin e ka o tek delja, o tek nipi.

- Është i vetmi çoban nga fshati ynë që nuk ka fjetur kurrë në kasolle të stanit, por në anë të kopesë, mbi driza e cfaka. Nuk kthehen më barinj si Babushi në këtë fshat, harrojeni, ai nuk ka punuar për ditëpune, por për gjënë e gjallë, delen që na ushqen e na vesh, nga koka tek këmbët, - ia priti një vërsnik i Babushit.

- Dhëntë, dhëntë që erdhën nga vërria e kthyen përsëri në jetë, jo nipi. Era e plehut të kopesë e shëron Babushin, dëgjoni mua, - i vuri kapak bisedës një burrë rrondokop e kokërruar duke i dhënë kapeles pak mënjanë, përmbi sy. 


Babushi as donte t’ia dinte se çfarë thoshte fshati për të. Nuk ka qenë as i rakisë e as i trapezit. Ai gjithmonë është shquar për punë, përkushtim dhe dashuri të pakufishme për bagëtinë. Kështu ka qenë gjithë jetën, nuk ka dashur kurrë t’i dëgjojë thashethemet e të futë turinjtë në punët e të tjerëve. Ka parë vetëm hallin e tij. Nuk e përsëriste kot atë shprehjen: “Pe? Nuk pashë gjë. Dëgjove? Nuk ma ka zënë veshi ndonjëherë…”. Kjo është një nga arsyet që atë e duan dhe e dëgjojnë me nderim të gjithë në fshatin tonë, Krekez, hedhur në këto gryka mali si prej një dore të fuqishme, lart nga qielli.


Babushi ishte duke pritur sa të ngrohej moti e të rritej bari i kullotave në mal, pastaj të vinte në zbatim planin e tij që nuk ia dinte askush. Gjithnjë e më rrallë ankohej për dhimbjen e mesit e të thermin e shpatullave. Ishte i gëzuar që kishte pranë vetës nipin nga Amerika. Çfarë amanetesh vallë kishte për t’i lënë? Herë pas herë e merrte Djaloshin pranë dhe pyeste për njerëzit dhe jetën atje, në kurbet. Si kullandrisej ky shtet kaq i madh dhe a kishin ata haber se çfarë ndodhte në Shqipëri? Më së shumti kjo pyetje e brente përbrenda.

- Babush, është po ajo politikë që ti dëgjon gjithnjë nga Radio “Zëri i Amerikës”. Unë mbaj mend që i vogël se këtë radio ti gjithë jetën e ke dëgjuar, herë fshehurazi e herë hapur. Ne jemi shtet i vogël, por ata na vlerësojnë shumë. Jemi në një pozicion kyç. Unë mendoj se ata kurrë nuk kanë për t’u larguar nga ne dhe as ne prej tyre.

- Mirë e ke shelegu i Babos, por sherret vijnë kur hyn dikush në mes e prish punë. Ku është Amerika, është bollëku, këtë e di mirë, por ka edhe këtu, midis nesh, që ia kanë me hile.

- Mos u mërzit Babush, është shtet që e zë lepurin me qerre. Nuk ia hedh dot me gënjeshtra e servilizma Amerikës. Është qeveri që sheh punën e jo gunën. Ata na vëzhgojën që nga sateliti. Mos mendo se i kemi larg. Kanë borxh qysh andej të numurojnë një më një dhëntë e tua e të të thonë sa krerë ke.

- Allah, Allah, çfarë shpikje kanë kërryer kështu të lanetisurit?!

Moti ngrohej çdo ditë e më shumë, ugari i sapolëruar nxirrte avull dhe toka priste me padurim farën e misrit. Zogjtë kishin ndërtuar foletë e reja dhe qershitë kishin lidhur kokrra. Shpendët shtegtarë, me në krye dallandyshet, ishin kthyer përsëri dhe po rehatoheshin në streha çatish e në tavanë divanesh. Po larashi, ku ishte? Larashi ose kali i qyqes i binte kryq e tërthor kupës së qiellit blu duke vëzhguar lëvizjet e brejtësave nëpër bar e shkurre. Në këto male, kjo lloj shqiponje e rrallë, i kishte dhënë fund shtegtimit pranveror të nisur që nga Egjipti ku kishte kaluar dimrin. Para tri ditësh kopetë e deleve kishin vazhduar shtegtimin, kishin marrë rrugën për në mal dhe tani, lugina ku ishte vendosur fshati, pa blegërima dhe korin e këmborëve e zileve, ngjante e shurdhër. Babushi priste me ditë e orë lajmin për nisjen e festës. Me sytë e mendjes ndiqte si ndërtohej shtrati i tendave dhe mbulimi me gjethe panje të njomë. Pas kopesë kishte dy djem punëtorë që i kishin vjedhur jo vetëm mjeshtërinë e bariut, por edhe punët e stanit. Sivën, pelën dhe mushkën e zezë i kishte mbajtur në fshat për t’i pasur gati për shtegtimin e pritshëm. Shtegtimin e tij të fundit. Ato përtypeshin me nge në kopësht duke pritur t’u hidhej samar e pastaj të niseshin në mal. Huqet e Babushit nuk kishin të sosur. Këmbënguli që pelës t’i hidhej shalë dhe t’i vihej fre, ndryshe nuk nisej në mal, ndërsa Zimi ishte i kënaqur të ecte në këmbë, por Ligua nuk e la, e detyroi të hipte mbi samar të mushkës, madje i shtroi poshtë të ndënjurave një velencë të kuqe prej leshi. 

- E ç’më kërkon dedarugje, o ditëzi, ti mezi qëndron në samar e jo më në shalë të pelës, nuk je më i ri, je dergjur poshtazi tërë dimrin. Dëgjo dermën, - iu drejtua nipit - sa të dilni nga fshati, këmbehuni, ti në shalë e ky në samar, se do ta hedhë pela në ndonjë përrua e do na desë me mere e daramet, do lëmë nam në pleqëri.

- Ik, moj e uruar, plakë, ik se e di vetë unë se kur e ku do ta jap xhanin, - i tha me një zë të butë e pak ironik duke e parë me bisht të syrit.


I nipi e ngriti gjyshin hopa dhe e hipi mbi shalën prej meshini, i dha frerin në dorë dhe siguroi Ligon se do ta kishte vetë kujdes. Dy kafshët e ndjenë që do të shkonin lart në stan. Siva shfryu hundët si gjyryk dhe shpejtoi për të dalë përpara mushkës. Babushi i hodhi sytë për herë të fundit shtëpisë. Pela sivë e dinte vetë si ta mbante mbi shpinë kujdestarin e saj që kur ishte kërriçe. Ishte mëngjes, zogjtë flisnin me gjuhën e tyre nëpër pemë dhe një lepur kërceu nga ferra kur pela shfryu me aq shumë zhurmë, por kurrizin nuk e lëvizi. Bari, i ushqyer me vesën e natës rritej me orë dhe kokrrat e qershive skuqeshin njëra pas tjetrës, si në një maratonë pranverore. Babushi tërhoqi frerin, Siva ndali dhe ai për të fundit herë ktheu kryet nga shtëpitë e fshatit të cilat sa vinin e zvogëloheshin. A do t’i shihte më këto kodra, gërxhe e përrenj ku kishte rrjedhur jeta e Gjokajve në breza?! Mbi kurrizin e pelës sivë, plaku leshërabardhë, dukej ashtu si aktori Sadër Prosi tek filmi “Udha e shkronjave”. Morën një rrugë tërthor, në të majtë të luginës. Së largu u vinte gjer në vesh jehona e këmborëve e zileve të një kopeje në Rrethin e Dajke dhe britmat e bariut që i përçonte për ujë, drejt përroit. Sipër kories, aty lart në qiellin e kaltër, larashi dukej si më afër, gati mbi kokat e tyre.

- Babush, shiko lart në qiell…

- E shoh, është larashi, bir, i ka vënë syrin ndonjë qëngji kërthi. Larashi është më i fisëm se shkaba, ky nuk ha gjëra të ngordhura. Ka Zoti edhe për ne, njerëzinë, edhe për zogun, po larashi e nxjerr ushqimin me trimëri, si puna e çobanëve të krahinës sonë.

- Babush, sa e sa herë i kam kujtuar në Amerikë fjalët e tua; “Shikoje larashin si na vështron nga lart, është i vetmuar, nuk i trëmbet syri, thoshje ti. Lodhet, fluturon gjithë ditën, ama ta dish, do gjuajë se s’bën ndonjë thëllëzë, pëllumb apo edhe qëngj. Nuk i kërkon ndihmë askujt, veç krahëve të tij…Kështu duhet të jetë edhe njeriu. Dhe pastaj me shaka më thërrisje Larash. “Më pëlqen ta shikosh botën ashtu si larashi na sheh ne”, mbaj mend se ma përsërisje vazhdimisht.

- Dhe ashtu do ta shikosh, trimi i Babushit, veç unë nuk do jem më, u sos vaji në kandile. Tani e kam zemrën plot se u kam të gjithëve mirë, me mall e salltanete. Dhe ti ke hyrë në rrugën e Zotit, tani nuk ta kam më merakun. Kaq ishte detyra ime.

- Jo, kështu si ecën ti mbi shalën e Sivës, si një aktor i njohur në një film për shkronjat shqip, do shkosh gjatë. Si nuk e mora aparatin fotografik, na tërboi Ligua gjithë porosi, ma bëri mëndjen dhallë, e harrova.

Po i afroheshin edhe më shumë stanit. Babushi e lëroi frerin dhe Siva nisi të ecë me galop. Si kokrra të vogla, si vathë floriri kishin çelur lule të verdha trëndelinat duke e kthyer lëndinën në një qilim të shkruar.

- Këtu më poshtë ka lule hakthi, - tha Babushi.

- Prit të mbledh ca, - iu lut Zimi - kam parë një dyqan kozmetik në Kaliforni, nuk e ke idenë, Babush, sesa lloje vazelinash prodhoheshin nga lulet e hakthit. E di kujt i thonë ngjyrë kozmike? Ngjyrës së lules së hakthit. Se toka është formuar nga yjet e Kozmosit dhe ngjyra e floririt quhet ngjyrë që vjen nga Kozmosi.

- Pse kot i kanë vënë të parët lulet e hakthit kurorë mbi leshrat e nusve, çoç kanë ditur, - i tha Babushi duke zbritur me ndihmën e tij nga shala e pelës - ja të rrimë pak këtu, të ngopemi me frymë. E ndjen erën e detit? Nëse kam rrojtur kaq gjatë, mor bir, kam rrojtur nga kjo erë, nga kjo aromë, nga kjo frymë, jo nga ushqimi. Nuk ka në botë si malet tona.


5. 

Mbërritën në stan. Barinjtë lanë punët dhe i pritën krahëhapur. Dhe delet e njohën Babushin. E para iu lëshua me blegërimë Bejka e cila çdo vit pillte dy qingja së bashku. Gjinjtë i vareshin bran. Ishte gjysmë e kryqëzuar me racë skoceze. Babushi atë e ushqente fshehurazi dhe e kishte mësuar të hante bukë, drejt e nga pëllëmba e tij. Çudi, kafsha është si njeriu, i fërkonte kryet pas gjunjëve dhe Babushi u përkul dhe e puthi në faqe. Kur ai bënte sikur e harronte, ajo blegërinte. Nuk thonë kot se bari të dytë si Babushi, ky fshat as ka e as do të ketë kurrë më. E duan edhe kafshët.

- Dëgjo bir, mëso se familja e kësaj Bejkës bëhet nga njëzeteshtatë trashgimtarë.

- Kaq shumë?! - u habit Zimi.

- I kam rritur vetë, brez pas brezi. Delen e ka bekuar Perëndia vetë.

Ja, ku po dukeshin së largu tendat e mërzimit në vapë, edhe në stanet e tjerë. Të gjitha të mbaruara e të ujdisura për bukuri. Në krah të tyre ishin vendosur tendat e vogla të barinjve për të kaluar vapën. Babushi shkoi e u ul në sy të shtrugës. Hoqi pallton e leshtë dhe lëvizi krahët sikur milte delet pëlleja. Iu drejtua nipit:

- Mos harro, Zimi, këtej, më të mëngjër të kësaj shtrunge kam mjelë në një vakt, një kope me dyqind krerë, i vetëm, ja në këtë palo shtrungë, edhe kur ishim kooperativë. Milja gjersa më mpiheshin këta dy gjishtërinjtë e mëdhenj të dorës. Punës nuk i jam kursyer kurrë. Ajo më ka mbajtur gjallë.


Zimi ia ngriti duar lart, në shenjë nderimi, i puthi gishtërinjtë. Babushit iu mbush shpirti me gëzim. Dielli kishte kapërcyer pas Lugut të Madh dhe kopetë ishin përhapur nëpër brinja e gërxhe. Erdhi mbrëmja dhe delet, njëra pas tjetrës, po u afroheshin staneve. Barinjtë rrotull sistemuan tufat e tyre dhe u mblodhën të gjithë në stanin e Gjokajve. U dhanë dorën me radhë Babushit dhe nipit të tij. U gëzuan për të dy. E takuan gjithë mall plakun që kishte kohë i mbyllur në shtëpi. E rrethuan brenda një unaze dhe i kujtuan një shtegtim të vështirë kur dëbora në nëntor i kishte zënë në befasi, lart në një grykë të ngushtë mali dhe delet nuk bënin as poshtë as lart. “Tërhiqni cjeptë bran, zvarrë, përpara, humbameno!”, i urdhëroi ai barinjtë më të rinj në moshë. Si nuk u kishte shkuar atyre në mendje ta bënin këtë gjë? Dhe ata ashtu vepruan. Delet, njëra pas tjetrës, u nisën vargan pas tufës së cjepve dhe shpëtuan të tëra. Gjatë natës, pandërprerë, papritur kishte rënë mbi një metër dëborë. Kopetë mbërritën kokë më kokë në stanet e Heremecit e Volloderit. Rrethimi i bardhë ishte çarë mespërmes, pa humbur asnjë krerë bagëti. 

- Sonte dua të më nderoni nipin, ato historitë e mia kujtoni në një kohë tjetër, kur të mos jem unë. Tani merreni një shëndet për Zimin dhe pijeni me fund, ky ka për të nderuar jo vetëm mua, por gjithë Shqipërinë. Edhe ti, djali i Babos, ngreje lart rakojanin plot. Tani të ka lezet trapezi, je pjekur e je bërë burrë i madh. Po kam edhe një lutje tjetër; tepsi kini, djathë të njomë nape kini, saç kini, zjarri është i ndezur, na bëni, more djem një pëpeq me djathë të njomë nape, ta provojë edhe ky nipi im se e ka harruar, pse u hutuat kështu? - u tha stanarëve që e dëgjonin gjithë sy e veshë, si nxënës shkolle.


Ata djem azganë e të dashur, aq ngasje deshën, nuk e bënë fjalën dysh, U vunë të gjithë në punë, zbrazën djathin e njomë, pa kripë në tepsi, e mbuluan me saç dhe pritën sa pëpeqi u poq e u cingaris për bukuri, duke marrë ngjyrë bakri. Të tjerë u morën me pjekjen e mishrave në hell dhe kukurecët. Pastaj u ulën të gjithë mbi gurë si stola. Në qendër të rrethit vendosën një mësallë të madhe. E mbushën me ushqime të freskëta stani dhe zarzavate që kishte dërguar Ligua nga fshati. Në prushin e zjarrit vazhdonin të piqeshin mishra të tjerë. Flladi që frynte nga veriu e shpërndante larg aromën e dhjamit të shkrirë nga afshi i nxehtë me dru lisi. U rehatuan më në fund të gjithë dhe ia morën këngës labçe për luftëtarin Selam Musa Salaria. Ishte kënga që i pëlqente më shumë Babushit. Ai u përlot, por asnjeri nuk e vuri re ngaqë të gjithë i kishte përfshirë historia e këngës për heroin luftëtar, rrëfyer me vargje e strofa. Pastaj një nga të rinjtë ia morikëngës “Mike në të kam për mike, kur të vdes do bëhem qyte”

- Nesër do vdes unë, po u siguroj që nuk do bëhem qyqe, - u tha Plaku duke qeshur, pas një copë heshtjeje - po dëgjuat zilet e shtegtimit, dijeni se shpirti im ka marrë rrugën për në atë botën tjetër. Po kush është kthyer e na ka treguar se ka botë tjetër matanë?! 

- Çfarë po thotë ky kështu? Vallë mos ka luajtur nga fiqiri?! - gati pyetën në një zë barinjtë, por asnjeri prej tyre nuk foli, e morën për shaka dhe nuk deshën ta lëndonin plakun. Disa dyshuan, ndërsa Gëzimi ndjeu se diçka i kërciti brenda kraharorit dhe gati iu zu fryma. Doli mënjanë nga rrethi i barinjve, eci më tej dhe lëroi qafën e këmishës. Mendoi se këtë radhë Babushi nuk e kishte me shaka, pavarësisht se e shprehu si me gjysmë shaka. Kohët e fundit vdekjen e përsëriste shpesh.


Bisedat vazhduan gjer pas mesnate, sikur Plaku nuk kishte thënë gjë. Po afrohej mëngjesi, pas pak barinjtë ikën për të nxjerrë kopetë në kullotë. Gjysh e nip mbetën vetëm. Thëngjijtë i kishte mbuluar një tis i hollë hiri, por ata nuk ishin shuar. Një dritë flori e zbehtë ndriçoi stanin, vathën, pastaj tendën. Ishte hëna, e sapongrënë, e javës së parë të qershorit. Dukej sikur doli aty, prej Gurit të Cjapit, paralel me stanin. Nga që ajri në mal është i rrallë, dukej sikur hënën mund ta kapje me dorë, mjafton të zgjateshe pak. Drita e saj e butë i ndriçoi fytyrën e plakur e të rrudhur Babushit nga që ai ishte kundruall saj. “Mirëmbrëma, paskeni ardhur?!”, u duk sikur i pyeti hëna lozonjare. Plaku prishi heshtjen:

- Sa para të duhen për doktoraturën? - pyeti nipin.

- Sa të blesh një shtëpi private në Kaliforni.

- Ka menduar Babushi për këtë. Tani që jemi vetëm do të bësh kështu; merre këtë qystinë, shko tek syri i shtrungës dhe ngre gurin e majtë, atje ku gjithnjë jam ulur unë për të mjelë dhëntë. S’të ndihmoj dot, më janë prerë fuqitë. Kam ruajtur diçka për ty nën atë gur. Do ta shohësh vetë. “Me siguri duhet të jetë ndonjë armë”, mendoi djaloshi duke përsëritur fjalët e këngës për Selam Musanë. Ndoqi këshillën e plakut. Gjeti një lopatë që kishin përdorur më parë barinjtë për tendat dhe nisi të rrëmojë rrotull gurit. Nuk ishte e lehtë të ngrije atë gur. Provoi ta shtyjë me levën e hekurit që barinjtë i thonin qysti. Më në fund guri lëvizi nga vendi. Gërmoi me lopatë edhe ca, gjersa maja e saj ndeshi në metal. Pa nën dritën e zbehtë të hënës, por nuk shquhej mirë çfarë ishte aty poshtë. 

- Gërryeje baltën anash, me majë të lopatës, ka zall rrotull kutisë së hekurt, - udhëzoi Babushi. Më në fund Zimi mundi ta shkulë nga vendi. E ngriti në duar i gëzuar kutinë e errët:

- E shkula, është një kuti metalike.

- Po, ajo është. Bjere lart, bir, këtu, në dritë të fenerit! - dhe studenti ndoqi pikë për pikë porosinë e Plakut. E fshiu kutinë nga dherat, e hapi me kujdes dhe nën dritën e hënës shkëlqyen monedha amerikane prej floriri. I ngriti, i afroi tek drita e fenerit dhe dalloi se ishin prerje të viti 1942.

- Janë 49 copë, - i tha Babushi, - të pesëdhjetën e ke ti, tani janë të gjitha të tuat, i ke për shkollë, për Doktoraturë, kështu sikur ke thënë, pas një viti të pret Doktoratura, ndryshe je gjysmak me shkollën.

Djaloshi mbeti pa fjalë, gati i merrej fryma. Më në fund e kuptoi pse ai e kishte kërkuar me aq ngut të kthehej nga Amerika. Ka pasur frikë vdekjen, duhet të më dorëzonte mua me duart e tij thesarin e mbajtur në fshehtësi e kujdes të madh. Tek askush nuk ka pasur besim. Oh, kjo është sakrificë e jashtëzakonshme, ky durim, kjo pritje kaq e gjatë, kjo dashuri pa kushte, kjo dhimbsuri e pafund, nuk ka të krahasuar me asnjë përkushtim e devotshmëri tjetër. Kjo është familja shqiptare, e mbrujtur në breza me dashuri dhe sakrificë. Këta jemi ne.


***

Ishin të lodhur, por të lumtur. Gëzimit i dukej si një ëndërr. Aty lart në mal po jetonte një jetë si në filma. Ku mund t’i ketë gjetur Babushi këta florinj? Ai kurrë nuk ka vjedhur apo grabitur, nuk i ka bërë keq asnjë zogu, le më një njeriu. Këtë e di tërë krahina. Dhe priste që Babushi ta shkoqiste këtë histori të çuditshme, si në përralla. Plaku tregoi me atë zërin e tij të ngadaltë e të ngrohtë se ato monedha floriri i kishte gjetur në shpellën e braktisur të Sivisë, në Karaburun, ku gjatë luftës së Dytë Botërore një mision amerikan ishte strehuar aty. Dhe i kishte ruajtur për kaq e kaq vjet. Kur ishte 23 vjeç, pas luftës, e vizitoi vendin ku dukatasit i thonin “Shpella e amerikanëve”. Ishte duke dimëruar me një tufë dhish të kooperativës dhe Shpellën e vizitoi jo vetëm njëherë. Mendonte se amerikanët diku duhet të kishin fshehur ndonjë armë. Dhe një natë, me një hënë të ndriçuar, pajisur me bajonetë, ia doli të shkulë pllakat e vatrës. Thellë, poshtë tyre, për habi, gjeti jo armë, por flori safi, amballazhuar në një kuti teneqeje ku shkruhej USA. Nuk ia tregoi askujt. E mbajti sekret për më shumë se gjysmë shekulli. I fshehu aty, nën syrin e shtrungës ku nuk i shkonte ndërmend askujt. I kontrollonte çdo verë, pikërisht pas Festës së Tendës dhe ishte i lumtur që thesari ishte aty, garanci për familjen, apo ndryshe, siç thonë në fshat “për ditën e qametit”. Ishte i bindur se floriri nuk të lë kurrë në baltë dhe nuk e humbet vlerën. Gjatë dimrit që shkoi, fuqitë iu prenë dhe nuk besonte se do t’ia dorëzonte thesarin në dorë nipit. Pati frikë nga vdekja, por gjeti fuqi dhe e ndali shpirtin brenda trupit të tij të këputur. Lutej çdo natë, para se të mbyllte sytë. Dhe ja ku Djali mbërriti. Tani ai ishte përpara tij me thesarin në pëqi, të ruajtur për më shumë se gjysmë shekulli nga Syri i Shtrungës. Ta gëzojë! Kaq iu desh. Misioni i tij kishte mbaruar. Thesari ishte në dorë të sigurt.

- Babush, ti the se ajo shpella që strehoheshin ushtarakët amerikanë më 1943-44, quhej Sivi? A e di çfarë do të thotë në anglisht? Sea view, ka kuptimin “pamje nga deti”, me siguri e kanë emëruar kështu ose anglezët, ose vetë amerikanët. Kam lexuar se oficeri komandues i misionit ka qenë një bir emigrantësh shqiptarë nga Korça. Quhej Thoma Stefani, kolegët i thërrisnin Tom. Dinte mirë shqip, prandaj u zgjodh ai në komandant. Është i vetmi i huaj që ka përshëndetur Kongresin e Përmetit. Ka qëndruar pranë Enver Hoxhës për tetë muaj rresht. Ishte oficer i Shërbimeve Strategjike amerikane, sot CIA, në mos gaboj, fillimisht me gradën kapiten. Thomai, nuk u nda mirë me udhëheqësin tonë, sepse më 1945 u dashurua dhe u martua me një vajzë të bukur nga familja Vrioni, fis i lidhur me Ballin Kombëtar. Lulu Vrioni quhej. E mori në Amerikë dhe ajo, nga që e fliste shqipen bukur, punoi spikere në “Zërin e Amerikës” për një kohë të gjatë. Nuk di për çfarë arsye u ndanë me majorin Tom Stefani, i cili më pas vdiq në moshë të re, 42 vjeç.

- Ja këto nuk i dija unë, po pse nuk thua që paratë nga shqiptari paskanë shkuar tek xhepi i shqiptarit - tha Babushi duke u ndjerë krenar me dituritë e nipit të tij të dashur, i cili e dinte më mirë se ai historinë e Shpellës amerikane. Ja ç’bwn shkolla.

- Dhe tani do të kthehen përsëri në Amerikë, - i tha Gëzimi duke qeshur.

- Mbylli sytë, xhan i gjyshit, të kam lodhur sot, po kështu e kemi ne pleqtë, na ngulet në tru një gjë dhe pas saj vijmë rrotull tërë jetën, si kali në lëmë. Fli, pwllumbi im…

Dhe Zimit iu mbyllën qepallat si me magji. Gjumi e kaploi në çast. Ishin lodhur të gjithë. Kishte qenë për të dita më e gjatë e fillim qershorit. Dhe nëpër gjumë iu duk sikur Babushi i tha se në i ndodhte gjë, të lajmëronte me celular motrën e tij më të vogël, në Progonat, Merzainë. Asnjë tjetër.


Rrezet e diellit që hynë befas nga lesa e stanit, e trëmbën Studentin. Hapi sytë dhe e para gjë që bëri, ktheu kryet nga Babushi, mbështjellë në shark, në krye të stanit. Nuk e kishte parë kurrë të flinte kaq gjatë. I kapi dorën. Ishte e ftohtë akull. I mati pulsin, nuk rrihte më. Babushi i kishte dhënë fund jetës, ashtu siç kishte premtuar. E habitshme, mbrëmë ai nuk ta jepte fare përshtypjen se mund të largohej nga kjo botë kaq shpejt e kaq lehtë. Si e komandonte kështu zemrën ky bari me nam të mirë dhe njeri i jashtëzakonshëm?! Nisi të qajë me ngashërime, por u kujtua për amanetin; lajmëroi në Progonat, tek halla se Babushi kishte dhënë shpirt në stan, aty ku kishte kaluar gjithë jetën, pranë kopesë, ashtu siç kishte dëshiruar e lënë amanet.

Por duhet të bënte edhe një punë tjetër, pastaj le të qante sa të donte. Duhet t’u binte me sa fuqi që kishte zileve të shtegtimit, të cilat qëndronin të varura varg në një sheqëror bredhi lëkurërrjepur, në mes të kasolles. Gjëmoi e tërë lugina nga jehona e tingujve të zileve e këmborëve, si në një shtegtim të ri. Babushi vdiq. Shpirti i tij po shtegtonte lart në qiell. U derdhën gjithë çobanëria, nga qenë e s’qenë dhe erdhën aty, në stanin e Gjokajve. Babushi ishte fikur, ashtu siç kishte përsëritur. Këtë radhë nuk kishte bërë shaka, ashtu si bëjnë zakonisht barinjtë e fshatit tonë. Kishte vdekur vërtetë. Plak i çuditshëm, sedërli e namusqar që nuk kishte të dytë në Labëri.

Pas ca, nga Buza e Dedes, përmbi fshat, gjëmoi ulërima e motrës për vëllanë e cila u pasua nga vaji i saj me ligje. Ishte zëri i Merzaisë, martuar në Progonat:


Në male me trëndelinë,

Atje te tënda në brinjë,

Kuterina vëlla! 

 

Dhëntë rreth e rreth të vijnë,

Edhe duart’ të lëpijnë,

Kuterina vëlla! 

 

Qysh do durosh për nome,

Për burimin në varre,

Kuterina vëlla!


Fund

  

No comments:

Post a Comment