Friday, 17 January 2020

LUNXHËRI, KRAHINË E BUKUR!

Përgatiti: Zija BASHA
Gjeograf, Historian dhe Publicist
ish drejtor i shkollës së Mesme Lazarat
Çikago, IL - SHBA

Zija BASHA
               Përballë qytetit të gurtë të Gjirokastrës, fshatrave të Lazaratit e Mashkullorës ndodhet mali i lartë i Lunxhërisë e në këmbët e tij krahina parajsore me të njëjtin emër, Lunxhëria. Çdo mëngjez na çfaqet mali madhështor që zoti i botëve e ka qendisur si me dorë. Që në femini, ne që i kemi vendbanimet të kumbisur në malin e Gjerë,  e gjer më tani në moshë madhore  jemi mësuar me këtë mbrekulli të natyrës shqiptare, prandaj çdo ditë e kundrojmë se ke ç'shikon në këtë pamje të bukur. Një vajzë shqiptaro-amerikane nga Lazarati  në maj 2009 tha: "Kam parë gjithë natyrën e mbrekullitë amerikane e evropiane, por si ky mal i bukur s'më kanë parë sytë kurrë. Ah, Shqipëria ime që të ëndëroja e tani të shikoj! Të dashuroj, e shtrenjta ime!".

            Si vazhdim i vargmalit të Shëndëllisë përballë Tepelenës ky mal zgjatet nga maja e Golikut  drejt juglindjes, ulet që nga çuka e Bredhave drejt qafës së Çajupit e fillon përsëri ngritjen deri te çuka mbi Erind. Prej kësaj çuke vazhdon duke u valëzuar në drejtimin veri-perëndim e jug-lindje si e drejtuar nga një dorë mitologjike misterioze. Afër majës së Lepushës  kreshta ndahet në dy degë, ajo perëndimorja  që ngrihet me majën e bukur të Marotasë e vazhdon zbritjen e harkuar bukur drejt rrjedhës së lumit të Suhës ne grykën e Selckës. Kreshta lindore ecën paralel me të dhe duke u ulur drejt jugut ndahet në dy kreshta, njera  e harkuar drejt lindjes që shkon drej Poliçanit, e tjetra që zbret drejt juglindjes në grykë të Selckës  duke krijuar një  "rrethim " natyral të fshatit Selckë me pasojë të një mikro klime për të. Prania e cirqeve midis dy kreshtave paralele, megjithse të vegjël, janë shkaktuar para e pas epokës së akullnajave ku çfaqen edhe fenomenet karstike me gropa e guva te thella. Po këto përkulje paraqesin qartë edhe moshën gjeologjike të këtyre shtresave gëlqerore sedentare që nga mesozoiku deri në moshat më të reja kenozoike. Prania e fosileve në këto formacione vërtetojnë këtë sipas paleontologeve. 

            Rreth 60-65 miljon vjet më parë mali Lunxherise doli nga ujrat detare e ka pamjen e sotme si gjithe malet e Shqipërisë së lartë bregdetare. Ndryshimet i ndodhin nga agjentët atmosferikë e levizjet e brendëshme vertikale që janë të përherëshme. Në këmbët e këtij mali madhështor ndodhen formacione vullkanike që fillojnë nga ultësira e Drinos drejt shpateve perëndimore në 700 m latrësi, në lartësitë e Saraqinishtës e Labovës së Zhapës. Mbi Erind ndodhet një gropë si krater vullkani. Edhe nga lugina e Zagoris ndodhen formacione të tillë në këmbët e këtij mali. Perveç formacioneve të shkatëruara vullkanike në pjesën më perëndimore është prania e shkëmbenjve të butë rënore. Ata çfaqen mbi sipërfaqe në Pesjak në jug, në lindje të fshatit Asim Zeneli, në Krinë, ndënë Dhoksat, Këllëz, Mingul, Nokovë, Erind, Hundëkuq, Tërbuq e deri në afërsi të Hormovës. 

            Në pjesën e sipërme të shtuforeve ka prani të shpellave me konglomerat gurësh gëlqerorë të lidhur me praninë e kriprave të gëlqerorëve. Me gurë të tillë lunxhotet kan ngritur kalanë e Leklit, murin rrethues e godinat në qytetin e Antigonesë që ndërtoi Pirrua për nder të gruas së tij Antigona. Me gurët e shtufit mjeshtrit lunxhotë ndërtuan banesat në mijra vjet e krojet karakteristike të tyre. Kalatë e Labovës së Kryqit janë ndërtuar me gurë gëlqerorë të nxjerë aty pranë, që është pjesë e ndarë nga vargmali Lunxhëri - Bureto si pasojë e thyerjes tektonike të formacioneve nga  lëvizjet anësore. 

            Krahina e Lunxhërisë  ka klimë subtropikale mesatare me dimër të butë e verë jo shumë të nxehtë. Temperatura e janarit arrin 9 deri në 11 gradë celcius. Temperatura e korrikut arrin në 28 deri 32 gradë C. Këto janë temperatura që influencohen në dimër nga erërat e ftohta veriore që depertojnë nga gryka e Leklit e qafa e Çajupit. Krahina është e ekspozuar nga erërat  e ngrohta bregdetare të ngarkuara me lagështi  që kapërcejnë malin e Gjerë  e duke ngjitur Lunxhërinë ftohen e lëshojnë lagështinë. 

            Reshjet në Lunxhëri arrijnë 2000 deri 2200 mm në vit. Shira bien edhe në verë, shira lokale, nga veshja e terenit me pemë. Në Lunxhëri gjat verës ka fllade lokale tipike "bori" e "feni". Gjat ditës kur ajri mbi Lunxhëri ngrohet ngrihet lart(feni) drejt lartesive  e pirra malore valëzon si gruri në shpate  në mbasdite. Natën ftohja e ajrit në lartësitë e bën të zbresë poshtë  në formën e flladit freskues (bori)

            Në lartësitë ku takohen gëlqerorët me vullkaniket dalin mbi sipërfaqe ujrat e shumta  që zotëron krahina. Gurrat, burimet e krojet e Lunxhërisë janë pasuri e kësaj krahine të begatë. Ujët e pijshëm është me bollëk  nga ku merr edhe qyteti i Gjirokastrës, nga burimi Tranoshishtës dhe i Hosit, që burron nga lartësitë e Labovës Zhapës. Çdo fshat i Lunxhërisë ka kroin e vet  me ndërtim me gurë të gdhendur disa edhe te mbuluar me dërrasa guri  punuar mjeshtërisht. Krojet mbahen pastër e kanë hapësirë të mirëmbajtur që njerëzit e kafshët që pinë ujë të jenë të sigurt nga gjallesat grabitqare natën e ditën. Ne Qestorat e në Selckë ujët e kroit vjen nga lartësitë e malit me qyngja ose llagëm të ndërtuar me pllaka guri të lidhura me gurasan, një lloj llaçi i përgatitur me tullë të shtypur e gëlqere të pastër druri.


            Relievi i krahinës së lunxhërisë është i alternuar me lëndina të bukura, kodra, sheshe, përrenj e një lumë i vogël, Nimica që rrjedh gati në mezin e saj  e cila është hapsirë që e ndan krahinën në dy pjesë verioren e jugoren. Gjat periudhës së shirrave prrenjtë sjellin sasira të mëdha uji që dredhojnë kodrave  drejt ultësirës së Drinos. Por megjithë në burrimet e shumta  lunxhotët kanë ndërtuar edhe rezervuare uji në tokat argjilore  pothuaj në çdo fshat. Krahina është e pasur në toka të hirta, të hirta kafe, argjilore, argjilore të përziera me llumra me origjinë  mbetje detare, toka të lehta zhavorishte  në lartësitë e krahinës. Tokat e hirta e të hirta kafe të pasura në humus mbizotërojnë në krahinë. Kjo falë përkushtimit të banorëve e pyjeve të shumta.

            Në vartësi të klimës, ujrave e llojeve të tokave është zhvilluar edhe bota bimore. Sipërfaqja është e mbuluar me bimë të ulta që nga myshqet e likenet deri tek bimët kullosore si gramoret, llojet e tërfilit, lakrat e egra, lloje gjëmbash, manushaqja,  si dhe bimët medicinale e aromatike si: Çaji i malit, trendelina, salepi, asparagu, kocikumi, akthi, apisjahu për pastrimin e gjakut, thundërmushka, lulebalsami, arabori, rigoni i gjatë e rigoni malit, lule mëllaga, lulekuqja. Aty është i pranishëm murizi për lulet e kokrat  me vlerë në medicinë, bliri per lulet, shtogu për lulet me vlera për shërimin e organeve të frymëmarjes nga ftohja. Nga gëmushat është e pranisme cfaka, sherebeli  e gjineshtra për mjaltin, cermëdeli për ngjyrosjen e rrobave ushtarake, trëndafili egër për frutat kurative për disa semundje, ferra, driza, kulumbria, dafina si bimë aromatike e medicinale, mreteza, dëllinja për kokrat e saj kurative për azmën, por edhe qelbësi., Aty ka makje me gjelberim te përhershëm  e aty këtu nëpër korie edhe ullastra të egra (Olea europaea). Nga drufrutorët  në gjendje natyrore janë të pranishme gorricat, thanët, vardhezat, kumbullat e egra, mollët e egra, rrushi egër, larushqet. Pylli i arëve malore në Bogazin e Labovës Kryqit është unik në Shqipëri, krahas atij të grykës së Sopotit në Lazarat. Drurët e lartë gjethe gjërë janë: Rrapi, lisi, valanidhi, prralli, vidhi, shkoza, mëllëza, frashëri, krekëza, panja, lofata, piksi(bushi), çerçemi, etj. Mbi Labovën e Madhe është prania e halorëve, bredhi i bardhë e i kuq në një brez e lartësi me pyllin e Pilloit pranë Fushebardhes e bredhi i Hotoves pranë Frashërit të Përmetit. Për Lunxhotin çdo pemë ka qenë e është e shenjtë. "Po qe e nevojshme duhet hequr pema, por duhet të mbjellësh një tjetër" -mendon lunxhoti. Prandaj Lunxhëria ka qenë e mbushur me pemë nga më të ultat deri tek më të lartat që sillnin rreshje e prodhime të bollshme e nuk njihej uria.


            Lunxhëria ka dhe një faunë të pasur. Pyjet e saj janë të populluar nga derrat e egër, lepuj, dhelpra, kunadhia, grabitqarët si ujku dhe çakalli që është zhdukur, nuselala, irriqi, baldosa, vidhra, rrëqebulli, macia e egër, zardafi, dikur ka patur dhe dhi të egra e sorkadhe, etj. Lumi i Suhës është i pasur me peshqit mjaft të shijshëm si pestrofë e millona.  Nga shpezët mund të përmendim: kaliqyqja, skifteri, thëllëza, mëllinja, shapka,  harabeli, gushkuqi, dallëndyshja, gjeraqina, etj. E populluar ka qenë dhe me shqiponja ku një shkëmb në faqen e malit ka emërin "Shkëmbi shqiponjave"


            Nga drurët frutorë veçojmë rrushin me llojet tradicionale si llojet e rrazakive, "mbreteresha”,  rrush i bardhë me aromë trëndafili, debina, rrushi i zi, korinthi pa farë që pjellë dy herë, etj. Nga varitetet e rinj janë tokai, afuzali, kabërne, shesh, etj që rriteshin në vreshtin e famshëm të Dhoksatit. Në kopshtet e Lunxhërisë ka fiq të llojeve të ndryshëm, mana të kuq e të bardhë, kumbulla, pjeshkë, kajsi, shegë, ftonj, mollë e dardha të shumllojshme, bajame, mushmolla, arrë, hurma, ullinj. Edhe portokallja mandarina, gështenja nuk mungojnë në krahinë edhe pse të pakta. Kohët e fundit janë shtuar plantacionet me arrë trupvogla, lajthi, ullishta. Shumë lloje frutash kanë ardhur nga emigrantët lunxhotë që vinin nga Stambolli, Sofja, Rumania, Moreja. Lunxhëria ka qenë tradicionalisht furnizuesja e tregut të qytetit Gjirokastër me fruta e perime, me prodhime bujqësore e blegtorale.

            Me majën e parmendës e të kazmës gjithmonë lunxhoti ka nxjerrë bukën, perimet ku ata shquhen si specialistë të dëgjuar në mbarë vendin. Kopshtet e tyre prodhojnë qepën, hudhrën, preshin, pataten, domaten patëllxhanen, specat, bishtajoret si fasulja, batha, barbunjat, qiqrat, koçkollat, urovi për bageti, pjepri, shalqiu, trangulli, kungulli i bardhë e i verdhë, llojet e lakrave si lakra e bardhë, sallatat, majdanozi, cerepujka, spinaqi, laboti, etj. që tepricat i tegëtonin në qytet. Drithrat e bukës tradicionale qenë gruri tremuajor pa hala, makarrona, elbi, thekra, meli, gruri kuq, misri tremuajor i lartësive. Në Lunxheri nuk njihej uria se njerzit kishin solidaritet vëllazëror e ndihmonin njerëzit e varfër pa krahë pune si pleq pa njeri, jetimë, etj.

            Lunxhotët, duke qenë të ambientuar me vendlindjen e bukur e të pasur natyralisht e kanë  dashuruar atë dhe  kanë qenë qëndrestarë për ta mbrojtur duke patur aleat të përhershëm edhe malin madhështor të tyre, Lunxherinë. Me rafshimin e një varreze të kohrave antike në Shën Todhër të Erindit në vitet 1970  dolën në dritë varre të vjetër ku arkeologët gjëmtuan kulturën  e jetesës së atij populli dhe paleontologët gjetën tipare të përbashkëta e të plota  me lunxhotët e sotëm. Në shkrimet, bizantine e venetikase ku populli qëndrestar ka mbështetur kryengritjen e Depe Zenebishtit me 1434 si dhe gjatë sundimit osman ka mbështetur lëvizjet për liri.

            Në periudhën para, gjat e pas Rilindjes Kombetare lunxhotet do të ishin promotorë e mbështetës të kësaj levizjeje. Më parë përmendet fizikani pranë Ali pashë Tepelenës, Luka Vaja, shoqërues i Bajronit në Mesolongj. Publicisti shekullit 19-të Anastas Byhyku, editor i gazetës "Pellazgu" 1861 e Grigor Meksi do të jenë nga të parët mëmëdhetarë. Vangjel e Kostandin Zhapa nga Labova e madhe ishin njerëz të shquar për bamirësi. Martiri i arsimit shqip nga Qestorati Koto Hoxhi i paharruar qe u tret në burgun e Jedi Kules në Stamboll e nuk u mposht i bën nder Lunxherisë e Shqipërisë. Po kështu bashkpunëtori i tij Janko Minxha nga Krina, Kostandin Manxheri, vëllezrit e përndritur martirë të arsimit shqip Pandeli e Koto Sotiri nga Selcka. Petro Poga i paharruar, rilindas përkrah vëllezerve Frashëri, nga Erindi, firmëtar i pavaresisë e ministri i parë i drejtesisë, dy herë kryeministër,  më 1925 e më 1927. Kristo Meksi, firmëtar i pavarësisë. Vangjel Meksi, përkthyes i "Dhiatës së re" në shqip. Urani Rumbo mësuesja nga Stegopulli, një nga pionieret e arsimit kombëtar. Kosta Boshnjaku nga Gjati, guvernor i Bakës Kombëtare, deputet i parlamentit shqiptar e mik i Ajnshtajnit. Kleriku atdhetar Gjergji Suli i Manastirit të Leklit të Lunxherisë  u vra nga diktatura së bashku të lidhur dorë me dorë me Baba Ali Tomorin me 1948 si "agjentë" anglezë. Thoma Papapano rilindas e "Mësues i Popullit" së basku me të atin, prift atdhetar i dëgjuar në jug. Po nuk duhet të harrohet i ndrituri atdhetar Jorgji Meksi drejtues i gazetës "Demokratia" 1925 1939 si dhe publicistike e tij. Edhe ne luftën çlirimtare  Lunxhëria pati dëshmorë të rënë kundër nazi-fashizmit dhe "Heronjtë e Popullit" Misto Mame e Mihal Duri. U krijua një batalion partizan me në krye patriotin plak Lipe Bogai  nga Saraqinishta.

            Edhe në diktaturë lunxhotë të shquar për dituri punuan fort për zhvillimin e jetës pavarësisht kufizimeve të kohës. Në frontin e arsimit kemi mësues të vjetër të përkushuar  si inspektori historik i arsimit Koço Mosko nga Stegopulli, mësuesit e vjetër gjithe autoritet të merituar në popull që i thërritnin me mbiemer si mësues Kutra, Tefa, Bërxolli, Dudi, Hila, pedagogia e kimi biologjisë Anthulla Mosko, Kiço Leka nga Selcka, Stefan Miha nga Labova e Kryqit që ngriti sot qeverinë në këmbë për të shpëtuar mbrekullinë kombëtare Kishën e Shën Marisë., Vasil Ziun, Zoga Kokolanin, Irena Gudha, Koço Luzin, Vasil Kutin, etj. Gjuhetaret e shquar si Emil Lafe e Thoma Dhima, mesuesit Vasil Gogo, Ilia Gogo, Vangjel Kosta, Katerina e Parashqevi Boga, Harikli Meçi, Jani Foti, Gligor Zeridhi,, Koco Vasili, Vasil Puleri, Jani Janaqi, Vangjel Kalluci, Mina Koci, Mitro Dedi, i paharruari Thoma Puleri. Thoma Prifti, Vasil Sevi, Jani Krisafi, Kostaq Kalemi, Vaso Pesha, pedagoget e universitetit Gjirokastres Roland Zisi e Sofokli Vasili, Vasil Bakuli etj. 

            Lirku Jorgo Bllaci është nga poetët e shquar kombëtarë që ndrin me lirikat e tij e që e bëri Eseninin të fliste shqip me një përkthim brilant. Poetët Spiro Xhavara, Petraq Neti, Arben Bllaci, Kristo Stoja, e lirikët  e Odries, Ismail Xhaferi e Arben Duka  si dhe shkrimtarët Gaqo Bushaka, Koço Kosta e Thanas Medi a nuk jane lunxhotë?! Nuk duhet të harrojmë Petro Kostën, Dhosi Margaritin e Viktor Çaro në zhvillimin e jetës kulturale e artistike të qytetit tonë e më gjerë. 

            Veçojmë  për nga dituria që i bëjnë nder Lunxherisë, Profesorin e mbrekullueshëm, Vasil Bilushin, rektorin historik të universitetit të Gjirokastres, Profesor e UT Arqile Bërxollin, Rektorin e parë të universitetit të Shkodrës Profesor Mihal Priftin. Bij të Lunxherisë janë edhe mësuesit e shquar në arsim si profesor Fane Tarifa, Stefo Qurku, Dhimiter Qurku, Pano Qurku, Vasil Kaso, Kostandin Kaso, Athina Qurku, Thanas Hoda,  e të tjerë. Ajo ka nxjerrë sportistë të talentuar si Dhori Kallucin, dy portjerët e talentuar vëllezrit Çarro e Foti Kristidhin, mesuesin e fiskultures Vangjel Gogon etj. Nga fshati Asim Zeneli, pjesë e Lunxhërisë kanë dalë mësues të shquar si Mujo Hysi, Muhamet Llapi, Nasuhi Guma, Asime Doko(Hodaj), veterineri Baki Hysi, agronomi Ismet Qendro si dhe mjeshtri dirigjent Bujar Llapi etj. Ansambli "Lunxhëria" që drejton mësuesi i talentuar Koço Vasili është një mbrekulli lunxhote.

            Lunxhëria ka nxjerë mjekë të zotë si Kardiologu Kristaq Duka nga Qestorati, Gjinekologu Filip Kote nga Këllëzi, Gjinekologu Dhimiter Çuçi nga Dhoksati, Doktorët Aleko Tefa e Pavli Qendro nga Gjati, Vladimir e Figali Bashari. Doktori madh ortoped  Panajot Bogai nga Stegopuli, lunxhiotë janë dhe doktor Ilirjan Mino e Petro Shamo infeksjonist, Kseno Xhixho, Lame Koçi, Koço Leka, etj. Doktori dhe kompozitori Andrea Gudha. Farmacistët Jorgji Çano, Pandeli Zerva, Sofi Xhixho, Froso Konomi, Neta Mosko, Katerina Mihali, etj. 

            Ajo i ka dhënë shkencës bujqësore  agronomë të shquar si specialisti i mbrekullueshem i farnave agronom Sevo Dudi, Genci Kutra, specialistin e duhanit Sofo Puleri, Agronomët  Koço Mosko, Hodo Hysi, Thanas Hanxhara, Foto Fuqi, Sevo Pesha, specialistin e shquar të perimeve agronomin Gori Çaro, Kristaq Vasili, Ilia Poçi, Foto Zëra, etj. Ka nxjerë veterinierë të shquar si Ksenofon Memo, Profesor Kristaq Berxholi, veterinerin e shquar Novruz Çulli, Baki Hysin, Mitro Kaci, zooteknik të shquar si Polo Mihali, Illo Foto, Marika Nini, etj. etj Inxhinjeri të mekanikës bujqësore si Jani Xhixho, pedagog në UBT, drejtor në ish SMT dhe UMB-në e Gjirokastrës. Djali i tij Arben Xhixho është nga gazetarët e parë pas viteve 90 i "Zërit të Amerikës" për gati 30 vjet.

            Ka nxjerë dhe bizesmenë të suksesëshëm si Kiço Noti me biznesin e tij në Tiranë “Trahana Lunxhëria”, etj. Pas rënies së sistemit komunist Lunxhëria nxorri dhe dy kryeministra; Aleksandër Meksin 1992 -97 dhe Fatos Nanon 1991-1997-98 dhe 2001- 2005.

            Lunxhëria ka nxjerre edhe ushtarakë të shquar si gjeneral Thoma Xhixho, Nane Kutra, Thimjo Muçi, etj, Pilotë të shquar ushtarakë si Harilla Rebi që uli Mingun me motora të  shuar, Sokol Çunaj, etj.  Bir i krahinës së Lunxhërisë është edhe ish drejtuesi i lartë i U.Ç.K-së Dilaver Goxhaj, ushtarak i ditur, atdhetar, trim i përkushtuar me ish luftetarët e tij në sakrificën sublime për çlirimin e Kosovës nga serbët, autor librash strategjike, i respektuar nga të gjithë atdhetarët në Kosovë e Shqipëri.

Lunxhëria e bukur s'ka si të mos nxjerë edhe njerëz të shquar, të zgjuar, humanë e gjithë talent, të bukur edhe në shpirtin e tyre atdhetarë. 


No comments:

Post a Comment