Wednesday 8 January 2020

GJURMEVE TE ARTA TE NJE AGRONOMI TE PERKUSHTUAR

Mbresa nga jeta e agronomit dropullit Thanas Xhumba


ag. Thanas XHUMBA
            Bujqësia, duke përfshirë dhe blegtorinë, është një aktivitet i lashtë i njerëzimit. Mendohet se ka fillesën që 10 mijë vjet më parë, kur njerëzit nga jeta nomade filluan të jetojnë në banesa të përhershme. Gjithmonë janë bërë përpjekje për të rritur sipërfaqet e mbjella, shtimin e krerëve të bagëtive, rritjen e rendimenteve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të vlerave ushqimore të tyre. Të gjitha këto u arritën duke përmirësuar teknologjitë e kultivimit. Në historinë e njerëzimit janë tri etapa, ose zhvillime bujqësore cilësore që shpesh quhen revolucione të gjelbra. Revolucioni i fundit i gjelbërt u inicua nga agronomi e shkencëtari nobelist amerikan, Norman E. Borlaug (1914-2009), në mesin e shekullit që lamë pas. Ai krijoi në Meksikë farëra të reja të grurit me potencjal të lartë prodhues e më pak të prekëshme nga sëmundjet, si dhe hartoi teknollogji moderne të kultivimit të bimëve. Këto metoda u përsëritën edhe në kulturat e tjera bujqesore si dhe u përhapën  në vendet e tjera ku popullsia vuante nga uria. Si rjedhojë e futjes së këtyre teknollogjive, prodhimi bujqësor u katër, pesëfishua. Në vitet ’70-’80 pati një bum të zhvillimit bujqësor që u quajt “revolucioni i gjelbërt”.

            Këto zhvillime të vrullshme të bujqësisë botërore patën një ndikim të padiskutushëm edhe në Shqipërinë e vogël komuniste, të varfër e të izoluar hermetikisht nga bota. Zhvillimet u përkrahën e u nxitën nga kasta derjtuese e asaj kohe. Për të mbajtur më këmbë ngrehinën e pushtetit që kishin krijuar, duhej së pari të sigurohej ushqimi përditshëm i popullit, që në atë kohë mungonte, kujtojmë sistemin e triskëtimit. Shkencëtarët dhe specialistët shqiptarë me prof. Mentor Përmetin dhe ekipin e tij, me shpejtësi e futën dhe e zhvilluan këtë teknologji moderne të kultivimit të bimëve dhe bënë perpjekje për ta shtrirë në prodhimin e gjerë. Shqiperinë e vizitoi agronomi seleksioner italian, Prof. Maliani.  Vërshuan  llojet e grurit meksikan me prodhimtari të lartë(M1;M2;M3,etj.) të dr. Borlaug dhe të agronomit seleksjoner italian Prof. Strampelli, të cilat u pasuan nga llojet shqiptare.

            Një eksperiencë e tillë duhej të përhapej edhe në rrethin e Gjirokastrës, ku fusha e Luginës së Drinos, me një sipërfaqe prej 10 mijë hektarësh, prërbente një rezervë jo të vogël për prodhimin e drithrave e kulturave të tjera bujqësore. Para këtyre zhvillimeve, nuk merreshin më shume se rreth 7 kv/ha grurë dhe 9 kv/ha misër. Në mozikun e specialistave të asaj kohe, spikat edhe puna e përpjekjet e agronomit të talentuar e të palodhur Thanas Xhumba. Një agronom i tillë si Thanasi, për atë kohë, do të thoshte se do të kishte më shumë prodhime bujqësore e blektorale, do të kishte më shumë ushqim për popullin, do të siguroheshin më shumë të ardhura për fshatarësinë e cila ropatej gjithë ditën arave për një mëditje të vogël, shpesh qesharake. Por, që të arrihej ky objektiv, specialistëve të bujqësisë u duhej të përballeshin me vështirësi të shumta të kohës si: futjen e plehrimeve kimike që shpesh nga mosdija ose nga që ishte pronë e përbashkët, përfundonte në kanale, vështirësi në sistemimet, me kujdesin për farërat, përdorimin efektiv të pesticideve, me mungesa të ujit vaditës, me një mekanikë bujqësore të pamjaftueshme, etj., pa futur këtu edhe shpërdorimet e ndryshme.  Të gjitha këto duheshin të zgjidheshin e kapërceheshin nga agronomët. 

          Thanas Xhumba ose Nashua, siç e thërisnin, ishte një nga ata specialist-shkencëtarë në prodhimin e gjerë bujqesor, i cili në moshën rinore u vuri shpatullat e njoma këtyre zhvillimeve madhore të kohës në bujqësi. Ishte agronom i ekonomive të mëdha, i punëve të mëdha. Për të marrë rendimentet e pritura, duhej një punë këmbëngulëse dhe e mundimshme. Këtë Nashua e dinte mirë dhe ishte shumë i vetdijshëm.  Nuk ishte njeriu i kafeneve, i ziafeteve apo rakive e muhabeteve pa bereqet. Gjithnjë do ta shikoje në shalën e motorit “Java”, veshur me xhubin meshin, duke u rënë kryq e tërthor fushave bujqësore. E gjeje kudo; në ugaret, në  lëmenjtë, buzë kanaleve ujitës, tek gjëmimi i traktorëve, në korrjen e shirjen me autokombajna, tek makina mbjellese, triori, etj.  Sa e shihnin fshatarët, mblidheshin rreth tij me dashuri për të mësuar diçka nga punët e ditës, agroteknika dhe arritjet në bujqësi. Rrugët për të ndjekur prodhimin bujqësor në ara e parcela mungonin, duheshin veshur çizmet e të ikje më këmbë, nëpër vapë, në shi, në baltra e terrene të vështira, për orë të tëra, e të punoje me orar të zgjatur. Duhet të ishe i sakrificës dhe Nashua i tillë ishte.

         Pengesa e vështirësi serioze krijoheshin gjithmonë, nganjëherë qesharake. Shpesh nga lart jepeshin orientime të gabuara, nisur nga injoranca dhe mosdija e atyre që ishin në udhëheqje. Dihet, ishte një një ekonomi e centralizuar e cila nuk mund të mos kishte pasoja negative.  Ta mendosh sot atë kohë, duket një absurditet i i madh, i pabesueshëm. Do të prodhoje atë që diktohej me plane nga lart. Struktura e mbjelljeve përcaktohej nga udhëheqja sipër, shitja e prodhimeve po ashtu diktohej me çmime fikse, pavarësisht kostos së realizimit. Një traumë të madhe në bujqësinë shqiptare shkaktoi nisma revolucjonare e tufëzimit, etj. Prandaj ai sistem shkoi keq e më keq, dështoi dhe ne iu kthyem tollonave dhe radhëve të gjata për ushqime në fundin e vitet 80-të. 

         Shpesh edhe teknollogjitë rekomandoheshin nga lart, ndonse të gabuara, siç qenë nisma e fekaleve, mbjelljet me kubikë, hapja e tokave të reja duke prishur kullotat, përqëndrimi i perimeve, etj. Këto përbënin vështirësi jashtëzakonisht të mëdha për një specialist bujqësie i cili rendimentet nuk i kishte vetëm në letra si ata zyrtarët hileqarë e servilë për një post atje lart, por do të “shkrueshin” në fushë e të konkretizoheshin në praktikën e prodhimit të gjerë. I ndeshur para gjithë këtyre vështirësive, shpesh edhe duke i kundërshtuar fort, Thanasi ia doli që të jetë i suksesshëm e produktiv në punën e tij. Me thjeshtësinë, dijet e thella shkencore nga fusha e bujqësisë, si punëtor i palodhur, krijoi miq e dashamirës të shumtë të cilët flasin edhe sot me konsideratat më të mira e me respekt të thellë, kudo ku ai jetoi e punoi.  Me fjalët e tij të pakta, të thjeshta, por të mençura që dëgjoheshin me vëmendje nga kolegët, bashkepuntorët, eprorët dhe njerëzit e thjeshtë, Nashua të impononte respekt. Dukej sikur ai kishte lindur pët të qenë një agronom i mirë. 

         Thanasi lindi ne vitin 1939 në fshatin Dhuvjan të Dropullit të Poshtëm, por më vonë u shpërngul familjarisht në fshatin Sofratikë. Shkollën fillore dhe atë 7-vjeçare e kreu në fshatin Sofratikë. Në vitin 1953 djali i ri nga Dropulli, me një valixhe druri u nis për në Tiranë, drejt një të panjohure për të vazhduar shkollën e mesme në Teknikumin Bujqësor Kamëz. Një shkollë e mesme kjo, e krijuar që në vitet 1930, fillimisht me një staf amerikan nga e cila kanë dalë shumë specialistë të zotë. Vazhdoi studimet në Institutin e Lartë Bujqësor Kamëz, sot Universiteti Bujqesor i Tiranës dhe i përfundoi këto studime duke u diplomuar Agronom i Lartë në vitin 1962. Thanasi për vitet e shkollimit të tij përmend me respekt të veçantë pedagogët në shkollën e mesme si Xhevdet Hydi, Jovan Morcka e Gani Berberi të cilët ndikuan shumë në  formimin e tij kulturor e profesional. Me respekt të veçantë përmend dhe dy rektorët e Institutit të Lartë, shkencëtarët e shkencave bujqësore shqiptare prof. Gaqo Tashko e prof. Mentor Përmeti. Respekt të veçantë ruan edhe për stafin akademik të Institutit të Lartë Bujqësor të asaj kohe si: Skënder Xhikun, Vasfi Samimin, Aleko Xoxe, Qevqep Kambo, etj. 

          Me të mbaruar studimet e larta, jo rastësisht  Ministria e Bujqësisë e emëroi Thanasin në fermën më të madhe bujqësore në vend, në ish NB “29 Nentori”  në Lushnjë. Kjo fermë gjigande me 14 sektorë prodhimi dhe me 14 mijë hektarë tokë bujqësore, sa e gjithë sipërfaqja e punuar në rrethin e Gjirokastrës, një nga detyrat e rëndësishme të saj kishte prodhimin e farërave të grurit me prodhimtari të lartë, jo vetëm për nevojat e saj, por për të gjitha fermat dhe ekonomitë e tjera bujqësore të Shqipërisë. Kjo detyrë tepër e rendësishme iu besua djaloshit nga Dropulli, të sapodiplomuarit Thanas Xhumba. Thanasi kishte linjën e prodhimit të farërave që nga mbjelljet, shërbimet, triorimet e deri tek amballazhimi për ta dorëzuar në Degën e Farërave që kishte si detyrë ta shpërndante në gjithë Shqipërinë. Kjo ishte një shkollë tjetër e madhe për Thanasin sepse punoi përkrah figurave më të zotë, të kualifikuar e të specializuar të mendimit më të avancuar të shkencës bujqësore shqiptare. Specialistë këta me nje stazh e përvojë pune të gjatë. Ata kishin mbaruar shkollat përkatëse në Prendim. Le të përmendim këtu kryeagronomin Ali Ypi, një babaxhan i vërtetë, specialist i zoti, i çiltër dhe shumë puntor. Po kështu agronom Zyber Juka, kryeveterineri Myslim Selenica, zooteknik Ilia Pali, financierin Petrit Kosovën, ekonomistin Murat Banin, etj.

       Thanasin e thëriste vendlindja e tij, sepse ishte koha e kolektivizimeve të mëdha. Transeferohet kryeagronom në fshatin e tij, Sofratikë që më pas u bashkua me fshatin Nepravishtë dhe me tej me të gjithë fshatrat e Dropullit të Poshtëm dhe fshatrat e Rrëzës me emrin KTL Grapsh. Kjo ekonomi ku përfshiheshin 17 fshatra, me 4000 ha. tokë bujqësore, por dhe në popullsi, ishte një nga ekonomitë më të mëdha e  më me peshë në prodhimet bujqësore të rrethit Gjirokastër, përfshi këtu edhe ish NB-të. 

       Duhej një punë e madhe, këmbëngulëse dhe e lodhshme. Drejtimet kryesore të kësaj ekonomie ishin: prodhimi i drithrave të bukës, farës së jonxhës, duhanit, lulediellit, prodhimi i bazës ushqimore për blegtorinë, etj. Në këto kultura bujqësore duheshin futur e zbatuar me efektivitet teknollogjitë e përparuara shkencore të kohës. Vështirësitë dhe mungesat ishin të shumta. Përballja ishte e përditshme. Thanasi së bashku me kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij, pavarësisht pengesave e barrierave ia dolën të kapnin rezultate te kënaqshme. Ish KTL Grapsh u bë një nga ekonomitë bujqësore më të mira, jo vetëm në rrethin e Gjirokastrës, por edhe më gjerë. 
Thanasi me nje grup spcjalistash në ish KTL Grapsh ne fushat me grurë
       Në fillimet e viteve 1970, Thanasi emërohet kryeagronom në Seksionin e Bujqësisë të Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Punë të tjera e detyra më të mëdha e pritën. Për atë periudhë Thanasi tregon: “Vepra më e madhe për gjithë fushën e Drinos ishte bonifikimi dhe sistemi i saj ujitës. Rezervuari i Doftisë me kapacitet 22 milion metra kub ujë dhe shumë të tjerë më të vegjël, ndikuan në rritjen e rendimenteve. Për Dropullin vepër me rëndësi, por edhe nga zgjidhja hidroteknike ishte stacioni i pompomit në Skotini afër fshatit Vanistër, që nxirrte ujin nga shpella karstike në një thellesi 30 metra, por shpesh niveli ujit ulej dhe na krijonte mangësi”. 
Për Thanasin ishte e rëndësishme që teknologjitë e përparuara duhet të shtriheshin në gjithë rrethin, sepse kishte ekonomi me rezultate jo të mira. Krahas këtyre puna vështirësohesh se detyrat nga lart shtoheshin e vinin jo të mbështetura e të studjuara, disa ishin të pa përballueshme. Plani hapjes së tokave të reja dhe mbjelljet e reja  me pemë frutore vinin në kuota të larta e të pa mbështetura teknikisht. Gjithashtu një orientim për përqëndrimin dhe specializimin e perimeve nuk përputhej me kushtet reale klimaterike e organizative të rrethit. Thanasi i kundërshtoi fort këto në udheheqjen e rrethit dhe Ministri. Ai argumentonte se duhet të mbështetim e të fuqizojmë traditën tonë. Nuk ia morën parasysh këshillat dhe rezultati ishte ai që pritej, dështim. Me pas, me që ky orientim nuk gjeti zbatim në praktikë, u ndëshkuan agronomë e specialistë, por Thanasi tashmë ishte transferuar në një kooperativë tjetër problematike, në atë “Asim Zeneli”. 

       Edhe kooperativa “Asim Zeneli” ishte një ekonomi e madhe e cila kishte një shtrirje të gjerë. Perfshihej Lazarati, Labovat e disa fshatra të tjera të Lunxhërisë. Kishte vështirësi në komunikimet mes sektoreve dhe fshatrave. Kjo ekonomi kishte zhvillim të madh te blektorisë, kryesisht të imta, por rendimentet në kulturat bujqësore ishin të ulta. Punën këtu Thanasi e filloi me përfundimin e sistemimeve ujore në fushën e Suhës dhe “Asim Zenelit”. Vuri nën kotroll të fortë farërat, ngriti fushat eksperimentale krahasuese të llojeve të grurit, përmirësoi mbjelljet dhe ujitjet. Rezultati nuk vonoi. Edhe në këtë ekonomi filluan të merren rendimente të larta e në përputhje me potencialin biologjik të farërave që mbilleshin. Kooperativistët e kësaj ekonomie e ndjenin mendjen dhe dorën e Thanasit në këto arritje, por përsëri vendlindja e tij e thërriste. Punët atje nuk shkonin aq mirë.

       Përsëri në ish KTL Grapsh, e përsëri me përpjekjet e tij për të rritur rendimentet dhe prodhimin bujqësor, por edhe për të ngritur mëditjen për ditë pune e cila ishte e ulët. Sërish mbledhje, seminare, firma që shprehnin vlera të larta monetare, kontrolle e këshillime, përballje... Dhe përsëri ai ia del. Ja si e shpjegon: “Në këtë ekonomi arrita rezultate të mira sepse kisha në krah specialistë të aftë dhe të përkushtuar, që nga shefi i planit Niko Çuri, shefi i llogarisë Anastas Caka, kryezootekniku Pandeli Cinga e shumë specialistë të tjerë, si dhe një drejtues i aftë e i palodhur si Spiro Lengo”. Kështu kaluan plot njëzetë vjet te jëtës së tij. Ai ia kushtoi avenirin prodhimit të gjerë bujqësor, rimëkëmbjes së ekonomisë dhe përmirësimit të jetesës së fshatarëve që ai i deshte  pa kushte dhe ata e respektonin tej mase. Thanasi ishte edhe një model për specialistët e rinj të cilët i donte e i përkrahte. Një nga ata jam dhe unë që e kujtoj me nostalgji e respekt të madh. Në vitin 1981 një sëmundje e papritur e kufizoi dhe e detyroi të ndahej nga fushat, arat me grurë, me misër, jonxhishte, duhan, luledielli, etj. por jo nga bujqësia në përgjithësi. Ai duhet të përçonte tani tek brezi më i ri shkencën bujqësore, eksperiencën e tij të pasur në këtë fushë.

           Shtatori i vitit 1981 e gjen Thanasin drejtor të shkollës së mesme bujqësore në Libohovë. Për këtë drejtim që të ri që mori jeta e tij, tregon: “Të them të drejtën u zura ngushtë, sepse m’u duk një detyrë e vështirë. Që kur kisha mbaruar shkollën e lartë nuk kisha shkelur më në dyert e shkollës. Bujqesia të mban lidhur. Me fëmijët merrej bashkëshortja ime që ishte edhe mësuese". Natyrisht kjo shkollë e ndjekur nga jo pak, po 400 nxënës kishte punët e saj.  

          Shkolla e Libohovës ishte një nga shkollat e para bujqësore në Shqipëri, njëkohësisht një prej shkollave më të mira me simotrat e saj. Në një nga vendet më piktoreske të qytetit, menjëherë filloi ndërtimi i godinës së re dhe konvikitit. Shkolla dhe konvikti u ndërtuan sipas një projekti që plotësonte kërkesat e kohës, me klasa mësimore, laboratorë, sallë mësuesish, drejtori, sekretari, bobliotekë, banja, ndërsa konvikti me kate të veçanta për strehimin e djemve e vajzave, me kuzhinë, mensë, lavanteri, etj. U pasuruan kabinetet mësimore me mjete didaktike, u asfaltua oborri dhe u përmiresua këndi i gjimnastikës, u ndreqën lulishtet, etj. Një kujdes të veçantë tregoi drejtori i ri edhe për bazën prodhuese ose ekonominë ndihmëse të shkollës. Mësuesi i punës dhe praktikës duhet t’u mësonte nxënësve sekretet e punës, por edhe t’u ushqente dashurinë për bimët, dhe në përgjithësi për kryerjen e punës me ndershmëri. 

           Nga vitet e tij të punës në Libohovë Thanasi në kujtimet e tij shënon: “Mund të shkruaj shumë për ato katër vite që punova në këtë shkollë, e cila njëkohësisht për jetën time ishte edhe një përvojë e re. Më ka pëlqyer shumë Libohova, njerëzit e mirë që njoha e që më mbajtën afër, si Mantho Gramatikoi, Atdhe Bejleri, e mjaft të tjerë, por kam mall edhe për rrapin e famshëm të Libohovës dhe burimin e Zhepës. Gjysmë ore pushim dhe një kafe nën hijen dhe freskinë e tij, në godinën e re të hotelit dhe restorantit, të kthenin forcën dhe energjinë për një tjetër tetëorarsh pune”.

        Pas kësaj përvoje në vitin 1985 Thanasi transferohet drejtor në shkollën e mesme bujqësore të Dervicianit. Tani ai e kishte një bagazh dijesh nga punët në arsimim bujqësor. Këtë detyrë Thanasi e kreu me dashuri e përkushtim të plotë, ashtu siç dinte t’i kryente të gjitha punët. Për këtë përvojë ai shkruan: “Jo të gjithë ata që japin mësim e plotësojnë në kompleks emrin e mësuesit. Mbi shpatullat e mësuesve bie një peshë e madhe e shoqërisë së nesërme të një vendi.”  Vitet e fundit deri sa doli në pension në vitin 2002, ai i mbylli në shkollën 8-vjeçare të Jorgucatit. Keshtu djali  vogel  që u nis me një valixhe druri drej rrugëve te dijes e të shkeces bujqesore, për 41 vjet rresh i sherbeu në mënyrën më shëmbullore vendit e popullit të tij, i shpërndau dijet e tij jo vetëm nëpër ugare, ara e fusha  por dhe në bangat e shkollës.  Për këtë edhe Presidiumi i Kuvendit Popullor për punë të mirë e ka dekoruar dy here. 

        Gjithe këtë punë Thanasi nuk do ta kishte kryer dot pa patur në krahë një zonjë të nderuar e fisnike si Martha, bashkeudhetarja e jetës së tij.  Lindën e rriten katër femije të edukuar, të cilët janë në emigracion siç po ndodh sot me të rinjtë shqiptarë. Thanasi në moshën 81 vjeçare, së bashku me Marthën e ndajnë jetën midis Athinës dhe Sofratikës për tu ardhur në ndihmë sadopak fëmijëve.

        Puna dhe jeta e agronomit dropullit, Thanas Xhumba, është një jetë e thjeshtë, por e përkushtuar që tregon se njeriu i brumosur me dije shkencore, me ndërgjegje të lartë dhe këmbëngulje, mund të arrijë gjithçka e mund të bëhet i dobishëm për shoqërinë duke lënë gjurmë të thella. Gjithë jeta e tij është një frymëzim për brezat e rinj të specialistëve të bujqësisë, shkencës bujqësore, jo vetëm për Gjirokastrën, por edhe më gjerë. Sot kur fusha e Drinos lëngon, fshatrat po braktisen, duhen më shumë se kurrë specialistë si Thanasi. Mundësitë janë, agronomë të tillë ka dhe do të ketë edhe në të ardhmen, por qeveritarët duhet të kthejnë sytë nga bujqësia si një sektor i rëndësishëm ekonomik e strategjik i zhvillimit të Shqipërisë moderne që duam të ndërtojmë. 

Përgatitën: 
Koço MOSKO
Agronom i Mbrojtjes Bimëve
Boston MA, SHBA

Besnik ISMAILATI
Agronom, ish drejtor në Shkollën e 
Mesme Bujqësore
Libohovë, Gjirokastër
Liqeni artificjal i Doftise


1 comment:

  1. Koment nga Illo Foto New York - SHBA

    Pershendetje Koco,

    Po te shkruaj ketu, sepse ne materjal, me zhduket, kur e nis. Thanas Xhumjba eshte agronomi misioner, nga te rrallet, qe ka mbetur gjalle. E ka pershkruar ne menyren me te sakte te mundeshme, Kocua , qe jeton formalisht ne Boston dhe realisht jeton me bujqesine intensive te atdheut . Jeta e Thanasit, ngaterrohet me zhvillimin bujqesor te viteve te diktatutres . Ajo bujqesi u intesifikua ne ato nivele , sepse kishte specialiste , qe nuk benin gjume, si Thanasi dhe shoket e tij . E kam njohur Thanasin , ne vitet 1962-64 . Kemi qene nje grup i madh shokesh , por tani jane rralluar . Portreti njerezor dhe ai profesional i Thanasit , eshte dhene shume sakte nga Koco . T'u lumte dora dhe mendja , i dashur Koco ! Na i prure afer nje shok dhe mik te vlefshem sic ka qene dhe mbeti , miku yne , Thanas Xhumba . Te kete jete te qete . T'i rrojne femijte .
    Me shume dashuri : Illo Foto

    ReplyDelete