Sunday 12 January 2020

AGRONOMË TË SHQUAR LIBOHOVITË ME ARSIM TË MESËM BUJQËSOR, TË PARA VITEVE 1944


Agronomë libohovitë me arsim bujqësor të mesëm që kanë mbarur para viteve 1944 ( në atë kohë quheshin edhe agronomë të lartë ) , kanë kontribute të veçanta në fushën e prodhimit bujqësor apo edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë bujqësore të kohës në rrethe të ndryshme të vendit, ndër të cilët përmenden :

QERIM DEMIR BEJLERI
SPECIALIST DHE MËSUES I DALLUAR I SHKENCËS BUJQËSORE

Qerim BEJLERI
Qerim Demir Bejleri lindi në Libohovë në vitin 1919. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje me rezultate shumë të mira, në vitin 1932. Vazhdoi studimet pranë shkollës bujqësore “Harry Fults” të Kavajës, ku u dallua për rezultate dhe aftësi të larta profesionale në degën e frutikulturës dhe olivikulturës. Fillimisht ka punuar si specialist bujqësie në Sarandë e Vlorë. Në vitin 1945-1954 ishte shef i seksionit të bujqësisë për rrethin e Sarandës. Më vonë punoi specialist bujqësie në Sarandë e Delvinë. Pas çeljes së Teknikumit Bujqësor të Delvinës në vitin 1959, fillon punë pranë këtij teknikumi si mësues i punës prodhuese dhe praktikave profesionale, profesion të cilin e ushtroi me aftësi dhe kompetencë të lartë deri në vitin 1980, kur doli në pension.
Qerim Bejleri dallohej për zotërim të shkëlqyer njohurish shkencore, por edhe si një organizator i talentuar i punës prodhuese dhe zhvillimit të praktikave profesionale me nxënësit. Gjatë gjithë kohës ai ishte në punë e në veprime praktike së bashku me nxënësit, duke i ndihmuar ata në përvetësimin sa më të plotë të njohurive teoriko – praktike në disiplina të ndryshme bujqësore si në ngritjen e pemtoreve, shartimeve dhe krasitjeve të kulturave të ndryshme frutore, etj.
Kur ishte specialist bujqësie për kulturën e ullirit në rrethin e Vlorës, Qerim Bejleri ishte i pari agronom në Shqipëri që në vitet e para pas çlirimit aplikoi krasitjen ripërtëritëse të ullishteve të vjetra. Mjaft kuadro e specialistë të asaj kohe nuk patën besim në aftësitë e tij, e pushuan nga puna, por ai duke qenë plotësisht i bindur për atë çfarë kishte bërë me aftësi e kompetencë profesionale, u tregoi skeptikëve se rezultati do të duket pas 2-3 vjetëve. Dhe në të vërtetë kështu ndodhi, ullinjtë u gjallëruan dhe dhanë prodhime të mbara e të bollshme.
Kontributi që ka dhënë Qerim Bejleri në fushën e bujqësisë dhe të shkollës bujqësore shqiptare, është nder dhe krenari për të gjithë armatën e madhe të specialistëve agronomë anë e mbanë vendit.
Shumë kujtime kanë kolegë dhe ish nxënës për mësuesin e dashur Qerim Bejleri. Ja se çfarë kujton Begë Musta, ish nxënës në Teknikumin Bujqësor të Delvinës : 
“Qerim Bejleri. Me orgjinë nga Libohova. Agronom i mesëm, mbaruar shkollën e Fullcit në Golem të Kavajës. Mësues i punës praktike. Duarartë.Mjeshtër i kohës për teknikat e krasitjes, shartimit, punimit, trajtimit, mbjelljeve, etj. Një herë e spjegonte një proces pune apo një teknikë agronomike, dhe fiksohej në kokë, për jetë. Burrë i ashpër, por fisnik, me zemër të bardhë. I vrazhdë në pamje, por i ndjeshëm në zemër. Mësues dhe një prind i mirë. Sa herë që shikonte, kur lodheshim gjatë orëve të punës prodhuese, jepte udhër të pushonim ose të ktheheshim në konvikt. Problemet që lindnin, i zgjidhte dhe i mbyllte vetë. 
Përgatitur nga Besnik Ismailati, 
ish nxënës i tij në Teknikumin Bujqësor të Delvinës në vitet 1968 - 1972

Libohovë Janar, 2020


No comments:

Post a Comment