nga: Ksenofon M DILO
Publicist
Leçe, Itali
Aty ku mirësia, bujaria, bukuria, madhështia, nderi, atdhedashuria rrjedhin si ujvarat e malit, ku së bashku me të gjëmojnë me jehonë në këngët e vendit, ku njeriu i mirë i ndjen e i reflekton të gjitha këto me ballin lart e me krenari të ligjshme, aty dua të jem!.
Është dëshira që u lind dhe rritet së bashku me flladin e aromën e lules së malit. Është ajo që u mëkua me qumshtin e gjirit. Ajo që eci monopateve e shtigjeve të ashpra, ajo që njohu dashurinë dhe mirësinë e njerëzve të mëdhenj, atyre që kur uleshin e flisnin i jepnin dritë e kuptim asaj që sot shihet me sy të historisë, nesër me të legjendës…
Mall për Sheperin e dashur! Mall për këngën që i fliste drejt zemrës pa dredhe dhe e bashkuar me jehonën e malit përballë. Aty njerzit i thonin mirmëngjes agimit të kaltërt ashtu si edhe shoshokut, aty bujaria buronte nga zemra e nuk kishte hipokrizi. Aty njeriu nuk kishte maska por të jepte buzëqeshjen e çiltërt e ndjeje se ishe vëllai i tij. Kur shihje që lulëzonte gjithësia shkriheshe me të e të ngjante sikur të kishte veshur pavdekësia me atë hijeshinë e saj madhore, e nuk do të mund të vdisje kurrë. Të njëjtën gjë ndjeje edhe kur zgjatje dorën e këputje nga dega një mollë, kur pinje ujë nga Llagaturati, kur shihje tej në horizont të lindte dielli e kur shoqëroje me vështrim të mrekulluar perëndimin.
Aty e kishte zanafillën bota e aty kishte edhe fundin, por çdo gjë kishte dritë qiellore, të gjitha ndrinin e nuk kishe qef të mendoje mbarimin. Aty dua të jem! Kam mall e shumë dëshirë për Atheun tim! Aty dua të jem! Në Sheperin e dashur e të bukur dua të shkoj! Të ulem këmbëkryq e të fotografoj me sytë e shpirtit e të kem në zemër Sheperin të gjithë me shtëpijat, me avllitë, me njerzit që në prag qëndrojnë e të bëjnë dritë të hapin rrugë për në konak të tyre me bujari e çiltërsi, të ftojnë e të duket se je në shtëpinë tënde, e jo në shtëpinë që udha e nxorri përpara në natën e udhëtimit tënd për në zemër të miqësisë. Për aty prej nga nuk mund të shkulesh por me dëshirë do të doje rrënjë të hedhësh në atë tokë, që me dlirësi të tregon kush është e vërteta miqësi.
Në Sheper, natyra është bujare, si edhe njerzit! Në Sheper njeriu bëhet trim, si malet! Në Sheper shijon jetën sepse ajo është e mbrujtur me thjeshtësi por me shumë, shumë bukuri. Aty dhe vetëm aty të flet qielli, toka e mali me gjuhën që do ti. Në Sheper kur derdhet kënga labe një gjë vetëm dëshiron:Të bësh edhe ti diçka të bukur për jetën, për Atdheun, për njerzit, të jetë ajo që bën e denjë, të futesh në këngë e ta ndjesh se je edhe ti pjesë e bukurisë së pafund, pjesë e forcës e besimit, pjesë e këtij Trualli të bukur që do të të mbështjellë me këngën dhe melodinë e tij.
Asgjë nuk i shpëton Sheperiotit! Ai di të punojë, di të rritë trima e trimëresha, di të luftojë e , kur ulet të pushojë e rijeton ditën në këngë që ndonse e pashkruar, nga goja në gojë me hijeshi do kalojë, do rendë e bukur e e dridhshme kënga labe dhe drejt e në zemër edhe ajo së bashku me të bukurën të madhërishmen, bujaren, trimen mu në thelb të zemrës do të kalojë! Dhe, Po ! Aty dua të jem! Aty dua t'i lutem Zotit me çiltërsinë e shpirtit; O Zot Lermë të rroj! Aty gjer në amëshim, aty deri sa të kem mundësi veten dhe Truallin e dashur ta ndjej e ta dashuroj!
Ksenofon M. DILO
No comments:
Post a Comment