Thursday 24 January 2019

NËPËR SHTIGJET E JETËS TË PYLLTARËVE


nga dr.  Selman MËZIU
Firence, Itali



Selman MËZIU
        Autori i librit ‘’Mirënjohje për pylltarët,, na e zbulon qëllimin, përse e ndërmerr këtë ‘’aventur,, për të zbuluar gjurmët  në shtigjet e jetës dhe asaj të gjelbërt, duke u shprehur kështu: ‘’…për të shkruar sadopak për ato që jetën e tyre e kaluan midis pyjeve, u rropatën, sakrifikuan për të hedhur themelet e shkencës së pylltarisë shqiptare, për të mbrojtur, trajtuar e shfrytëzuar shkencërisht pyjet, për të shtuar fondin pyjor me pyllëzime të reja…..që të sigurohet gjenerata e re si trashgimi për brezat e ardhshëm.,,( D. Kroi ‘’Mir. për pyll.,, f.14 Tiranë 2015)
  Kur ka konceptuar veprën e tij inxhinier Daut  Kroi ka patur parasysh disa kritere të vendosura në themel të ngritjes se ‘’piramidave,, të portreteve të pylltarëve: përshkrimi me vërtetësi të karakterit të tyre, të dhëna të shkurtëra mbi familjet origjinën, shkollimin, punësimin, veprimtarinë studimore, shkencore, botuese,  marrdhëniet ndër kolegë, prirjet dhe dhuntitë personale etj. 
  E gjithe kjo lëndë është mbledhur me kujdes, durim, vullnet, këmbëngulje e ndërgjegje nga familiarët, kolegët e punës apo të univesitetit,  dokumentave të ndryshme, bibliografive e organeve të shtypit të kohës etj.
  Dhe ja mesa kujdes, realisht, me nuanca poetike dhe çiltërsisht i përshkruan ai takimet me vajzat e Dr. Ilia Mitrushit, Lilianën dhe Anjesen ku ai shprehet se’’i kishin grumbulluar e ruajtur me aq kujdes e dashuri dorëshkrimet dhe veprat e të atit.,,(Po aty f. 25). Për të shkruar për Doc. Ilia Nakon inxh. Daut Kroi shkruan: ‘’Kisha katër vjet që kërkoja e më së fundi e gjeta numurin e telefonit të vajzës së tij, Nikoletës që banonte në Trieste të italisë….,, (Po aty f. 73).  Autori shfrytëzon çdo mundësi për zbulime të reja, dhe ja se si shkruan: ‘’….dorëshkrimet e tij (Irfan Çelës S.M.) origjinale, regjistrat  me emrat dhe notat e kursantëve (Shkurt 1937 Hotel ‘’Kontinental,,  Tiranë S.M.),  nipi i tij, me emrin e Irfanit që i kishte ruajtur e mi vuri në dispozicion.,, (Po aty f. 156) 
 Dhe ja shembulli i fundit: ‘’Shpirti i tij (Inxh. Pëllumb Tirana) zbriti dhe më pëshpëriti në vesh, këmbëngul mos u tërhiq se do të më gjesh, se unë kam lënë mbrapa emrin e mirë, bashkëshorten fëmijët e plotë nipër e mbesa.,, ( po aty f. 272)
     Etja për kulturë, për dituri ishte një nga prirjet e zakonshme të I. Çelës, dhe ja si shkruan autori: ‘’….kur po kthehesha në shtëpi bleva ‘’Lahutën e Malsisë,,. Si e lexova atë disa herë, takova Fishtën (Ishte viti 1937 S.M) në rrugë dhe i putha dorën, më  pas ai më erdhi në shtëpi.,,(Nga dorshkrimi i kujtimeve  të I. Ç., Po aty f. 165)
      Sa i pameshirshëm ishte realiteti politik shqiptar kur i vendos përball një  moment historik për një shkencëtar shqiptar, në fushën e pylltarisë,  dhe ja, po shkëpusim këtë copëz: ‘’ Qeveria Kineze dhe personalisht kryeministri i asaj periudhe Çu En Lai e vlerësuan dhe e falenderuan, për vendosjen e bazave shkencore të përhapjes dhe rritjes së ullirit….(në Kine, paraqitet edhe një fotografi me Kryeminstrin kinez. S.M) Po aty f. 79 - 80)  Dhe ja fatkeqësia e këtij shkencëtari e librashkruesi mbi pylltarinë: ‘’Në momentin kur Ilia Nako ishte në kulmin e arritjeve të tijë në jetë…..kur priste edhe titullin ‘’Profesor,, ai mbylli sytë papritur…..,, ( Po aty f. 83)
 Dhe ja koha e pamëshirshme godet moralisht e shpirtërisht një shkencëtar tjetër me kontribute ajzbergiane në lamin e pylltarisë e më gjërë dhe ja si shprehet autori i librit:‘’E ç’duhet të bëjë më shumë për shkencën, për vendin e vet një intelektual, një qytetar i ndershëm për t’u quajtur ‘’Profesor,, ose ‘’Akademik,,?! ( Për Dr. Ilia Mitrushin S.M.) ( Po aty f. 46) 
    Ndërsa për veprimtarin e shquar si specialist, si organizator si prodhimtar me botime artikujsh e librash të Inxh. Pëllumb Tiranës në pylltari, autori i librit ‘’Mirënjohje për pylltarët,, shkruan:  ‘’Një muaj para se të mbyllte sytë, shkroi një manual pyjor e firmosi dhe ja dha Ibrahim Kubatit…,, (Po aty f. 277)  Patriotizmi, dashuria e zjarrtë për profesionin janë pasqyruar besnikërisht për Inxh Pëllumbin. Në ditë e fundit të jetës nga spitali ai i shkruan Enver Hoxhës që ta ndihmojë të mjekohej jashtë shtetit: ‘’ Mbi të gjitha nuk dua të vdes kaq i ri. Nuk më vjen keq për jetën time, por, për aftësitë e mia që kam në kulmin e moshës, për të kontribuar për popullin tim se i jam debitor…..që me mbajti për dhjetë vjet më bursë shteti.,, ( Po aty f. 280). Por vdekja e rrëmbeu shpejt e papritur më 18 tetor 1975.
  Një dramë e dhimbshme, prekëse, emocionuese e mpleksur me një luftë të egër psikologjike, morale, klasore, shkruhet në librin në fjalë për shkencëtarin e madh shqiptar me banim në Moskë Selman Lamebroshaj dhe ja çfarë i thotë zëvendës ministri Iliaz Reka inxhinierit : ‘’Që të shpëtosh nga burgu, do të transferohesh në drejtorinë e Elbasani, inxhinier për kullotat, për dy orë të bëhesh gati të ikësh. Spiuni kish raportuar në organet e sigurimit. E tmerrshme, goditja më e fortë se largimi i gruas (Vitet 1960,  Suzana e shoqja, me kombësi ruse, S.M.) me djalin.,, (Po aty f.236)   Dhe më tej autori shkruan: ‘’….unë ( Selman. L) u hodha më një nxitim të paparë në drejtim të piramidës kufitare……Megjithatë, një plumb mi dogji flokët e kokës, për disa milimetra më poshtë, plumbi do më kish marrë jetën.,, (Po aty f. 238).  Vullneti i tijë (i arratisuri S.L. në Bashkimin Sovjetik)  i hekurt,  zgjuarsia u ngjizën në punën  e tij plotë pasion e këmbëngulje, veprimtari të gjallë e të gjërë shkencore në institucionet shkencore të Bashkimir Sovjetik e shtyjnë natyrshëm, të bindshëm e të vendosur,  Inxh. Kroin që të shprehet: ‘’Për pylltarinë shqiptare, shkencëtari i përmasave botërore (S. Lameborshaj) duhet që ne dhe brezat e ardhshëm…..t’i jemi mirënjohës se ai është pjesë e pandarë e plejadës të pylltarisë shqiptare.,,(Po aty f. 245)
  Bibliografi Inxh. Daut Kroi i përshkruan pylltaret me çiltërsi, me besnikëri pa anashkalime apo ‘’harresa,, ai thekson zjarrin e luftës së klasave që tulatëte, ndrythte, friksonte përkohesisht shkencëtarët e pylltarët shqiptar, që nga Treska, Nakon, Mitrushin, Çelën, Hoxhën, Dinen, Taçin, Maçollin etj. por ato gjetën rrugët mënyrat e ju vunë punës me këmbëngulje pasion vullnet në sherbim të pylltarisë shqiptare me njohuritë tekniko shkencore, me kulturën e tyre të gjërë, me vullnet e këmbëngulje duke dhanun kontribute të shquara me projekte, ide, artikuj, libra, organizim udhëzime në të gjithe veprimtarin shumë planëshe të pylltarisë shqipëtare.
  Autori ka shkruar një libër për të gjithë, që ta lexojn me ëndje, dëshirë e kureshtje kulturimi e edukimi, poetët, shkrimtarët, inxhinierët e pyjeve, bujqërit, historianët, politikanët, studiues të shoqëris, të organizimit e politikave në pylltari si bashkëjetesë e domozdoshme e njeriut dhe si prodhuese e të mirave materiale.
    Vepra është strukturuar e konceptuar si një bllok i tërë informacioni, profesioni, biografie, gjenologjie, por edhe me një lirizëm vargjesh, strofa poezish të cilat gurgullojn, natyrshëm, me ndjeshmëri poeti, nga thellësite e shpirtit ku ai nuk shpreh vetëm dëshira, me hiperbola, krahasime, por, rrezaton  romantizëm, dashuri të ëmbël, të çiltër njerëzore duke  skalitur mjeshtërisht, karaktere, figura. Përshkruan bukuri magjepse brenda botës mrekulluese të pyllit e në shpirtërat e personazheve të tijë pylltar, që ai i ka për zemër, i ka  njohur si student, nga afër nëpërmjet veprimtarisë  si pylltar, drejtor, inxhinier, projektues, realizues i margaritarëve të gjelbërta kudo në shqipëri.  Dhe ja një shembull që i gurgullon nga thellësitë e shpirtit të tij mbushur me poezi: ‘’Por, trëndafili i bukur e me aromë i pylltarisë shqiptare dhe letërsisë shqiptare (Shkruhet për Inxh. Vito Koçin  S.M.) vetëm petalet lëshoi duke i shpërndare anekënd në ahishte e pishnaja dhe në lidhjen e shkrimtarëve.,, (Po aty f. 262) Dhe një tjetër ujëvar poetike: ‘’ I kënaqur qofsh (Shkruhet për Inxh. P. Xhometiku) derisa sytë e tua të shkëlqejnë derisa gjethet të fëshfërijnë o lisi shekullor i pylltarisë shqiptare! (Po aty f. 201)
   Shkruesi i ketij volumi i ndjek syreshët e tijë në çdo hap të jetës, ai iu kap detaje  të holla, prirjet për poezi, dëshirat për arkitektur, për tu marrun me sport, ëndrrat për letërsi, prirjet e dëshira për të përkthyer libra, për të pikturuar etj. etj. duke e bërë librin, mjaft tërheqës e njohës karakteresh të vyrtytshëm e shumëplanëshe.
  Duke ndjekur gjithe kalvarin njëzetë e tetë vjeçar të pylltarisë shqiptare, shkatërrimin në mas, me dallgë barbare të pasurisë së gjelbërt pyjore e natyrore, si dhe mosmirënjohja, deri në varrosjen e pylltarëve e pylltarisë shqiptare në të gjitha qelizat, autori i librit shkruan një mesazh kuptimplotë dhe me vërtetësi diellsore kur shkruan: ‘‘Pylltarët duhen çmuar si njerëz të palodhur si heronj të heshtur, që kanë punuar në emër të së ardhmes, në emër të brezave që do të vijnë pas nesh.,, ( po aty f.17)
  Inxhinieri Daut Kroi në librin e tij prej 500 faqesh 67 fotografish, dhjetra faqesh te fotokopjuara e dokumente ka zbuluar një botë të tërë pylltarësh shkencëtar, organizator e projektues gjelbërimesh të shpateve të kodrinave, vargmalesh e malesh, brezash bregdetar e eksperimentues llojesh pyjore, ndërtimesh veprash arti kundër grryerjeve etj. e megjithatë ai mbetet modest, dhe ja si shkruan: ‘’Nuk kam ndër mend, që të marr rolin e historianit, por duke portretizuar këto figura, brezi i ri do te kuptojë, sadopak, në ç’kushte studiuan, punuan, sakrifikuan, për hir të dashurisë për profesionin bënë çdo gjë, pa përfituar asgjë, përveç ajrit të pastër, frymëzimit dhe emrit e veprave që lanë pas.,, ( Po aty f. 15)  Por duhet të nëvizojm shembullin e tij të vyrtytshëm që i falet punës plotë djersë të tijë, pasionit si pylltar e si  dashurues i letrave e familjes së tij plotë kulture e atdhedashuri.
Firence 20.10. 2018 
Dr. Selman Meziu



No comments:

Post a Comment