Tuesday 29 January 2019

D U D I A

- Mbresa fëmijërie- 

Tregim
nga: Avdulla KËNAÇI
gazetar dhe shkrimtar
Toronto, Kanada


Avdulla KËNAÇI
Vu, vu, vuuuuu… ulërinte era në Golëm. Frynte e ç’frynte nga të katër grykat që rrethonin shtëpitë e atij fshati të lashtë i cili nuk mbahet mend se kur është ngulur aty. Shtëpia nën Gurin e Stamos ishte jona, ajo që ishte më afër se të gjitha me Vreshtat. Në të vërtetë vreshta nuk kishte fare, por ashtu i thoshin pllajës që puthej e para nga rrezet e diellit që nxirrte synë nga Maja e Mollës. 

Unë e gjitoni im, Mete Isufi, zotëronim shumë “sekrete” nga të Vreshtës; për shembull dinim se ku rriteshin manaferrat e zeza, kokërrmëdha, ku i ngrinin foletë gushëkuqët, ku kishte bar gjuhëzogu, apo si fshiheshin lepujt e egër e ku flinin gargujt. Dhe një ditë tetori, kur akoma nuk kishin filluar të binin gjethet e pemëve, në ca ferra e barëra të kërleshura, gjetëm dy kopanë me rrush të bardhë. Ishin ca veshulë të mëdhenj, qelibar, me kokrra të tejdukshme si sumbulla jeleku, të ëmbla mjaltë. Ua treguam prindërve dhe ata na thanë se tërë pllaja mbi fshat, para vitit 1914 ka qenë e mbjellë me vreshtë. Secila shtëpi kishte nga një dynym me hardhi, razaki dhe debin te bardhë e debin të zi. Ushtria greke, gjakatare dhe e pamëshirshme, gjatë dimrit me borë dogji jo vetëm shtëpitë e theri bagëtinë, por preu pemët e hardhite, i përdori për zjarr dhe u vuri flakën.
- Po me vreshtën ç’inat patën?
- E shkretuan që ne të mos ktheheshim kurrë më këtu, në këtë vatan.
- Ku shkuan njerëzit?
- Në ullishtat e Vlorës.
Të nesërmen, bëja si bëja dhe kapërceja gardhin e gjendesha përsëri tek shoku im, Metja. Shkoja nga koshtrat e Sabos nga që kisha frikë xha Halilin, një burrë i shkurtër, nurzi. Ndërmend e krahasoja me grekun sepse ai nuk ia kursente shkopinjtë gomarit. Një ditë, e rrahu aq shumë, sa ajo kafshëz e gjorë nuk kishte nga ia mbante më dhe i shpërtheu bajgat si batare afër turirit të tij. Me Meten, herë-herë shkonim nga shtëpia e Qazos, rrethuar me ledhe guri të shtrembër. Sipër ishte një gështenjë e madhe, krahëgjerë. Trungun e saj nuk e pushtonin dot as dy burra. Nuk dihet si e qysh, por ajo i kishte shpëtuar sëpatës së grekut. Afër gështenjës duhet të kishte qenë një krua. E kuptuam këtë kur pak më lart gjetëm qyngje balte të coptuara. Gërmonim për të gjetur të tjera copa dhe na u mbush mendja se do ndeshnim edhe burimin e ujit. Do të shpëtonim tërë fshatin nga etja. Do mbeteshim me nam të mirë. 

Gërryenim me çfarë të mundnim gjersa një zë i hollë e i ëmbël na shponte veshët: “Mete, o Metee, po ç’u bëtë, moreee shejtanë?”. Ishte zëri i Bedrisë, nënës së Ismet Isufit. Pastaj na merrte në “dorëzim” teto Alidia, na lante duart dhe kujdesej që të shkundeshim nga barërat e baltrat që na ishin ngjitur pas trupit. Nuk mbaj mend kurrë të na ketë qortuar ajo plakë aq e dhimbsur dhe e mirë. Teto Alidia, mua, nuk më bënte asnjë dallim nga nipi i saj, Metja. Ishim gjakësi sepse ajo dhe gjyshi im ishin nga Dajkajt, një fis që ishte shuar nga që nuk kishte pasur djem. Teto Alidia, edhe pse plakë, kishte një trup të drejtë dhe lëkurë të hollë, të bardhë. Furkën me drugën e leshit bus të bardhë nuk e hiqte nga mesi asnjë ditë. Mbante dy shami të zeza në kokë, të lidhura kryq, njëra shtrënguar pas ballit. Burri i kishte vdekur në rini të saj dhe ajo kishte mbetur e ve, por nuk u martua kurrë. Jetën e lidhi pas të birit të vetëm, Selimit, i cili me këdo mund të grindej, por përpara teto Alidisë rrinte plot respekt e nderim si një nxënës kokëulur.

Pas drekës, prap nuk na rrihej, do dilnim në Lekërbosh, një bregore në mes të fshatit, tek Lëma e madhe. Ouu sa bukur, prej andej kundronim gjithë shtëpitë në luginë. Kureshtja jonë shkonte më shumë tek lagja e Fusharakëve. Kush ishin ata? Po Kaparjeli, ku binte? Pastaj ktheheshim me fytyrë nga shtëpitë tona, u dallonim fare qartë pllakat e shtruara në oborr dhe rrasat mbi çati. Poshtë shtëpisë së Metes ishte një haur i vogël, përpara kishte një avlli, i madh sa një çarçaf, me lesën gjysëm të hapur. Aty nuk kisha parë njeri të hynte apo të dilte.
- Mete, kush jeton aty, në atë haur?
- Jetojnë Velikajt, Xhafua me Hamzanë….
Mbrëmjeve, përpara se të më zinte gjumi, mendja përsëri më shkonte tek Velikajt; pyesja gjyshen e cila nuk përtonte kurrë të përgjigjej:
- Pse nuk kam parë asnjë nga njerëzit e Velikajve?
- Se ngrihen herët në saba, punojnë, vijnë në akshëm, kur erret…
- Nuk kanë ndonjë plakë në atë haurin?
- Ka qënë Dudia, mëma e tyre, nga Kaparjeli, motra e Hajro Bizhgës. E shkreta Dudi, humbi të ritë e saj për një bidon vajguri.
- Vajguri?
- E zuri suferina e borës Buzë Dedes. Po kthehej nga Progonati ku kishte shkuar për të blerë një bidon vajguri.

Unë e dija ku ishte Buza e Dedes se atë rrugë bënim me Ligën kur shkonim në Progonat. Liga, xhaxhesha e babit tim, pa bina, ishte nga fisi i Gugajve dhe ajo çdo muaj do të bënte vizita në derë babe, në gjininë e vet. Buza e Dedes ishte përmbi fshat, nga ana e veriut. Prej andej, gjatë dimrit, vinin me furi erëra të ftohta që të thanin gjakun. Mirëpo aty ku bashkoheshin dy kodërza, kundruall fshatit, kur vinte i nxehti i madh i gushtit, nga të çarat e petaraqeve, radhoj guri, për çudi, kullonte zift. Ca thoshnin që ishin lotët e Dudisë e cila ishte mbytur në borë duke mbajtur njerën dorë jashtë, në drejtim të fshatit, andej nga ishte rruga drejt Kaparjelit.

Vu, vu, vuuuuu…. frynte era në hartallet e shtëpisë dhe mua më ngjante se dikush kërkonte ndihmë: “Vuuuu, jam Dudiiia, dilni, o fshat e më shpëtoni, më ka zënë tartakuti, dilni se kam dy djem në shtëpi të vetëm, pa vajguri, dilni moreeeee…”. Dhe fshati për çudi atë mbrëmje ishte shurdhuar. Ca thoshnin se ishte budallallepsur. E kush, pra, ai fshat që shkonte një orë larg, gjer në Lera për të shpëtuar njerëzit e ngecur në borë e jo më aty afër, Buzë Dedes, dy hapa larg nga shtëpitë e fundit të Rrake.

Këndonte në dasma e zijafete këngë të bukura Shahe Taka, zëbilbili nga fshati ynë:
 “Nëno ç‘ma bëre Dilinë,
 Që ma trete si qirinë…” 
dhe mua më ngjante se nga Kaparjeli vinte kapedani Hajro Bizhga, me mustaqe të gjata e mauzer në sup, vinte me tërsëllimë për t’u kërkuar hesap golëmasve: 
“ Golëm ku e kam Dudinë?
 Pse ma lat’ në rrokullimë?
Në kallkan, në suferinë….”

Vu, vu, vuuuuu, ulërinte era nën pullaz të shtëpisë sonë…Dhe mua më arratisej gjumi nga sytë. Pastaj nuk merrja vesh, isha zgjuar apo në ëndërr: Dudia me çitjane të bardha i vinte rrotull haurit, bëhej e hollë si një fugë leshi në furkën e teto Alidisë, zgjonte Meten dhe e pyeste për dy djemtë e saj. Metia ia tregonte duke ngritur dorën lart. Pastaj ajo hynte brenda haurit. I gjente djemtë zbuluar. Ngrinte çkorsën e leshtë lart, i mbulonte të dy mirë e mirë, pastaj u këndonte: vu, vuuu, zemra ime, jam këtuuuuuu….

Fund,
Toronto, 28 janar 2018


Shpjegime:
Gjuhëzogu – një lloj bari me fletë në formën e gjuhës së zogjve, i ngrënshëm
Qyngje – tuba balte
Kopanë – bistakë rrushi
Koshtrat – kopshtiet
Tartakuti – drithmat, sëmundje me ethe të mëdha
Kallkan – akull
Hartalle – nën çatia
Tërsëllimë – zhurmë
Hesap – llogari
Mauzer – pushkë austriake
Gargull - zog pendëgjelbër, afërsisht sa mëllenja
Zijafet – gosti Çkorsë – lloj velënce prej shajaku
Petaraq - radhoj guri petë-petë
Haur - ahur, pjesë përdhese e shtepisë, kasolle




No comments:

Post a Comment