Friday, 28 December 2018

PYLLTARIA NE KTHINAT E ERRETA TE POLITKES SHQIPTARE

nga: dr. Selman MËZIU

Firence, Itali 



Selman MËZIU
Pasuria pyjore, si pjesë përbërse e zhvillimit ekonomik, turistik, qëndrueshmërisë së shpërndarjes hapsinore të popullsise në fusha, kodrina e male etj., ka pësuar një goditje shkatrrimtare në të gjithë gjymtyrët e saja. Ende vazhdon të trajtohet me kokëfortësi, me paditurinë, me paragjykime nënvleftësuese, me lakminë shtazarake për të përfituar sa më shumë prej kësaj pasurie dhurat e natyrës, e cila fatkeqësisht gjëndet në agoni e paralizë të plotë. Pas gjashtë vjet të të majtës socialiste(të ashtuquajtur), e cila me politkën e saj i ka masakruar burimet natyrore në fushën e pyjeve i ka diskreminuar deri në palcë specialistët e pyjeve, duke kryer shkretimin e qindramijëra hektar pyje, dikur madhështia dhe mrekullira peisazhistike e vlerash ekonomike dhe degraduar moralisht e psikologjikisht ato. 

Ndikimet negative të kësaj masakre politike, ekologjike, institucionale të pylltarisë do të ndikojn negativisht mbi ekonominë kombëtare të së sotmes e të së ardhmes. Por, me sa duket gjumi letargjik, heshtja e qëllimshme e parlamentarëve socialist ka pësuar një plasaritje duke nxjerr që andej vegime dritë hijet e një materiali: ‘’Mbi Politikat e sektorit të pyjeve në Shqipëri, prezantuar në Tiranë me 8.12.2018. Menduam t’a analizojm këtë projekt politkash mbi pylltarinë i cili për nga forma të jep përshtypjen për një konceptim bashkëkohor, ndërsa për nga përmbajtja e qëllimi i hartimit të tijë, ka nevojë për rimbushje apo heqje që do t’a bënin atë të kuptueshëm e të zbatueshëm, po qe se deputetët e Partise socialiste dhe të opozitës do të kenë vullnetin e mirë që pas kësaj odiseje ndëshkimesh, dhunimesh, përçmimesh të pasurisë drunore e të gjelbërtës pyjore e kullosore dhe specialistëve të pyjeve, shkollave të tyre t’iu kthejn fytyrën t’i shohin ne sy e të ndërhyne seriozisht për marrjen në dore te situatës, e cila iu ka rrëshqitur plotësisht në gërminën e coptimit e të zhdukjes së saj, bashkë me tokën që nga bregdeti Adriatik e Jon e deri në shpatet e majëmalet e Jerzecë, Tomorrit, Korabit, Dejës, Gramozit, Gjalicës, Munellës, Moravës, Dhëmbel Nermeçkës, Kaptinës së Martaneshit etj. 

Duke lexuar me kujdes pjesën e pare të matreialit: Historiku i pyjeve, grupi i punës është përpjekur që të hedh pakëz dritë për periudhat përkatëse 1912 – 1944, 1944- 1992 ( që duhet të ishte 1945 -1991) 1992- 2017. Por që fatkeqësisht nuk janë kujtuar për sejcilën periudhë: mbi numurin e inxhinierëve e teknikeve të pyjeve, kadastrën pyjore, sasia e sipërfaqeve e mbarështruara, sipërfaqet që pyllëzoheshin, përmirësimet pyjore (ricungime, prerje kulturore, ripërtritjes natyrore me farë), sistemimeve malore (në metro kub), skemat organizative të piramidës së organizimit, mbrojtjen, shtimin e pyjeve dhe shfrytëzimin e tyre, si dhe duke iu lëshuar vend edhe kullotave natyrore për sejcilën nga periudhat e mësipërme. Kjo për arsye sepse njohja që në historik e këtyre zërave do të krijoj një fushë të gjërë njohje dhe burim modelesh për politikat e ardhshme. 

Në pjesën e dytë Statusi i pyjeve, që nga emërtimi nuk përputhet me terminologjinë e shkencave pyjore. Ndërsa në nëndarjen Mosha dhe kategoria jo vetëm që është gabuar në rradhitje (duhesh të ishte e kundërta) por edhe termi Kategori të zëvendësohet me Mënyra e qeverisjes. E njëjta paqartësi tek Ndarja e sipërfaqes ku jepen ndarje gjeografike të Shqipërisë të pa konkretizuar me kufinj ose me një hart pyjore të shqipërisë me një ndarje të tillë. 

Vrejtje po thelbësore qëndron se nuk ka kuptim dhe as nuk është burim gjykimi për politikat pyjore të japësh volume drunore të shteteve ballkanike e të mos japësh volumet e pyjeve të shqipërisë edhe sipas sipërfaqes si në nëndarjen e dytë. Për çdo pylltar, qoftë teknik apo inxhinier pyjesh kur lexon pjesën e dytë, Rëndësia e pyjeve, menjëhere i vjen të qesh e të qajë me lot, sepse kuptohet pa vështirësi nga ato se këtu nuk kemi aspak mendime të specialisteve të pyjeve, pjesë të shkencave të pylltarise si Silvikultura, Mbarështrimi, Pyllëzimet etj. apo ajo literaturë e gjërë e shkruar në afërsisht shtatëdhjet vjet nga Prof. Llazar Treska, Doc. Ilia Nako, Dr. Ilia Mitrushi, Prof. Vezir Muharremi, Dr. Fadil Llubani, Dr, Parim Çarçani, Dr. Genc Kaçorri. Prof. Anesti Postoli, Inxh. Ahmet Mehmeti. Inxh. Gjon Fierza, inxh Haki Zoto, Inxh, Mehmet Meta, inxh. Daut Kroi, inxh. Irfan Meko, e qindra të tjerë. Edhe ato fraza të shkurtëra, disa janë pa kuptim, dhe me fjalë të huazuara jo shqipe, duke e çuar këtë pjesë të pavlefshme e për t’u rikonceptuar e gjitha. 

Po ndalemi tek nëndarja: Vizioni, ku që nga emërtimi tingllon një filozofi anakronike e pakuptimt me përmbajtjen e mëposhtme: Synimet që duam të realizojm, por meqënse kanë shkruar mbi Shfrytëzim i qëndrueshem, kanë ‘’harruar,, apo ‘’nuk e kanë ditur,, se para saj duhesh të shkruanin: Mbtrojtja e pyjeve, Pyllëzime, Përmirësime, Sistemime malore. Nëndarja e fundit Vlerat ku mbështetemi, për specialistët e pyjeve është e gjitha një hardallosje, ku kulmi i saj arrihet te shprehja: Vlerat kapitale të tokës e cila nuk ka kurrfarë kuptimi në terminologjine pyjore dhe aspak në atë ekonomike. 

Lexojm me kujdes Administrimi i sektorit, nuk kuptohet përse nuk shkruhet: Administrimi i pyjeve, me tej në nëndarjen e parë: Synimet, shkruhet: Kthimi i tendrit pozitiv në pyje, një tjetër formulim fraze krejtësisht i gabuar, i pakuptimt, në thelb jashtë llogjikës profesionale e shkencave të shumta mbi pyjet, dhe kjo për arsye se formuluesit e tyre mund të kenë qenë ekonomist, veteriner, biolog, agronom etj. por kurrën e kurrës inxhiniera apo teknik pyjesh. Të njëjtat vlerësime shprehim për një frazë tjetër Mbulim me planifikim dhe regjistrim i siperfaqes pyjore, veç kësaj, këtu shtrohet një pyetje: Të planifikosh e të regjistrosh sipërfaqet pyjore do të thote qe të kesh të qarta kufinjt kadastral apo dokumentat e saj mbi pronësitë? Kjo mjerisht nuk egziston, nuk është kryer reforma e pronësisë, si rrjedhoje pyjet vërdallisen nga prone shtetërore në pronë private apo çudia e socialistëve prona e bashkisë edhe këto të pa kadastruara, të parregjistruara asgjëkundi, pa ndarje topografike, skicime pronësie etj. etj. 

Në trajtimin e çështjes së: Organizimit funksional, kanjë shtrim të drejt edhe pse i vështirë për tu kuptuar dhe ja po rrokim për shqyrtim dy momente: Së pari: Dhënia rol e ‘’fshatit,, në qeverisjen e pyjeve. Nuk kuptohet kjo si pronë private, apo ndoshta në drejtimin teknik të tyre. Një shprehje xhevahir: …ripozicionimi i inxhinierit pyjor, së pari është shpreje e gabuar, së dyti nuk kuptohet. Përse vallë nuk shprehen qartë e thjesht: Vetem inxhinieret e teknikët e pyjeve do te drejtojn qeverisjen e pyjeve. 

Duke filluar së lexuari nëndarjen e rradhës: Shfrytëzimi i qëndrueshëm jo vetëm specialistin e pyjeve, por, edhe një ekonomist i mirëfillt do t’i fillonte menjëherë dhimbja e kokës. Dhe a e dini përse ? Lexojm. Pozicionimi i pyllit: Si vlerë e paketës turistike, si futja e industrisë për përpunimin e prodhimeve të dyta, si burim punësimi dhe garantimin e ciklit ekonomik të vendit. Pra kemi varrosjen e qëllimit kryesor të pyllit si prodhues i landës drunore për mobilje, ndertime, djegje etj. Për rrjedhoi, në vend që të kapemi pas qëllimit kryesor, pra kollonës së problemit, jemi kapur për qëllimet anësore të dyta e të treta. 

Edhe tek politikat, kemi një katrahu të vërtet, Ku politika duhet të synoi së pari sipas një plani afat gjatë në gazifikimin e qyeteve fshatrave për ngrohje e gatim, e më pas të vazhdojm me me masat e tjera për ë shpëtuar pyjet e mbetura nga kasaphanja e prodhimit të druve të zjarrit (të paktën 2 milion metro kub në vit). Nuk po zgjatemi, sepse edhe kjo nëndarje kërkon një ‘’qilizëm të thellë,, por jo nga grupe pune të zgjedhur sipas interesave të oligarkëve qeveritar e parlamentar, por, nga pylltar, pra specialistet më të mirë e me përvojë të kësaj fushe. 

Lexues nuk duhet të habiteni me budallalekun e rradhës: ‘’Shërbime cilësore,, nuk mund t’a hamendësoi askush e mbi të gjitha shërbetorët e shkolluar të pyjeve se si ia kanë gjetur vendin kësak shprehje në trajtesën e politikave mbi pylltarinë. Dhe në përmbajtje shquajm: Forcim masash parandaluese me sistem vrojtim sinjalizimi, mbrojtje nga zjarret, ndër çështjet e para të trajtuara. Rrjedhojë e mos njohjes së problemeve të thella në pylltarinë shqiptare, plagët vdekjeprurëse të mbulesës më madhështore të gjelbërt. Hartuesit e materialit nuk kanë arritur të venë përparësi, mbrojtjen e pyjeve nga prerjet e paligjshme, guroret zgavëruese të sipërfaqeve pyjore natyrale e artificiale, rrugët e reja me skrapata gjigande etj. etj. Zgjodhëm edhe gafën e fundit: Angazhimi i profesionistëve nga MTM (Ministria e Turizmit dhe Mjedisit S.M.) e AKP (Axhensia Kombëtare e Pyjeve, S.M.). 

Hartuesit e këtij dokumenti, dhe Ministri Blendi Klosi që e trumbetoi, ende nuk e dine se me djersen e gjithë popullit me taksat e marre nga ato sot kemi në shqipëri ‘’2000 inxhiniera pyjesh dhe 5300 teknik të ulet e të mesëm,, (I. Meko, G. Kacorri, ‘’Pyjet në rrjedhjen e një shekulli,, f. 242, Tiranë 2018). Ajo mund të shkruhej: Emërimi i inxhinierëve apo teknikëve të pyjeve nga MTM… Nuk po vazhdoi më tej me gabimet trashanike të rradhës në këtë pjes. 

Me të njëjtin kostum është veshur edhe pjesa e fundit: Zbatimi i masave, me nëndarjet e treguesit fantastik, të mbushur me terma të huazuara e jo të pylltarisë. Nga analiza e materialit të mësipërm nxjerrim këto përfundime:

1-  Pa pjesmarrjen e inxhinierëve e teknikëve të pyjeve nuk mund të hartohen as politikat mbi pylltarinë shqiptare as strategjitë mbi ato, as ligjet serioze, të zbatueshme, të qarta, as të zbatohen reformat në pronësi, as struktura organizative e qeverisjes se pasurise pyjore dhe kullosore. 
2-   Nuk mund të hartohen materialet e mësipërme pa shfrytëzuar ligjin e parë të periudhës së pluralizmit politik ku në Nenin 4, në pikat a, b dhe c, shkruhet për pronësine shtetërore, komunale e private, të gjitha materialet e tjera të shkruara përgjatë njëzetë e tetë vjetëve, dhe literaturës në fushën e pylltarisë. 
3-  Materiali i mësipërm i analizuar, pa pretenduar se i kam cekur të gjitha, tregon qartë se politikanët e sotëm e kanë futur në një skutë të errët pasurine pyjore dhe specialistët e saj, duke korrur veç dështime, katastrofa mjedisore e njerëzore dhe me pasoja të pandalshme shkatrrimtare në të ardhmen për banorët e maleve e kodrinave, për tokën, brigjet e lumenjëve, liqenet e hidrocentraleve e natyror, klimën e mirëqenjen e gjithë popullit.

Grupi parlamentar që do të shqyrtoi këtë projekt model të politikave mbi pylltarinë, duhet ta analizoi thellë e të kuptojn se që në titull është formuluar gabim, ai duhesh shkruar: Mbi politikat e pylltarisë shqiptare, gjë e cila tregon se është formuluar me prirje nënvleftësimi e meskiniteti, nga grup pune jo i fushës së pylltarisë. Rekomandojm që për ta riformuluar materialin në analizë, të krijohet një grup pune prej Profesorash, Doktorash e inxhiniera pyjesh. Përndryshe kështu siç është, ai do të mbetet si demagogjia e rradhës, turpi në vazhdim i cili do të bjerë mbi juve, ndërkohë do të humbni një shans për të vlerësuar pasurinë pyjore si jetike për popullin shqiptar dhe zhvillimin ekonomik te vendit.

Dr. Selman Meziu
Firence 23.12. 2018


No comments:

Post a Comment