Wednesday, 28 August 2024

NJIH VETVETEN


- Letër e babait me këshilla për djalin -  

nga: Fiqri SHAHINLLARI

Alexandra. VA - SHBA


Ylli, biri im i shtrenjtë! Kësaj letre i vura emrin "Njih vetveten" sepse të kam ty parasysh. Që ditën kur u largove nga shtëpia dhe Atdheu mendja dhe zemra ime ka qënë dhe është te ty. 

 

Sot u mbushën plot shtatë muaj nga dita kur ti u largove nga gjiri prindëror. Po e ndjej çdo ditë e më shumë se shprehja :" Larg syve, larg zemrës" nuk pi ujë kur është fjala në marëdhëniet prind-fëmijë..

 

Kjo e vërtetë mua si baba më detyron që të jap ca këshilla prindërore që m'i ka mësuar mosha, jeta në daç po them edhe dija e deritanishme.

 

Jemi grrindur ndonjëherë edhe për hiçmosgjë. Të kam falur. Mendoja se nga ana jote kanë qënë shpërthime emocionale gjaknxehta të rinisë. Inatin që të gurgullonte në gjoksin tënd unë e shqyrtoja brenda vetes si ndjenjë e justifikuar e cila kalon bashkë me kohën, se çdo gjë në jetë është kalimtare. Në gjaknxehtësi ti nuk arrije të "përtrypje" mirë atë që kishe në kokë pataj ta nxirje mbi gjuhë e cila vërtet kocka s'ka por kocka thyen. 

 

Edhe ti ma falje ndonjë veprim të nxituar që bëja ndaj teje. E justifikoje me të drejtën e prindit që cdo gjë e bën për të mirën e fëmijëve të vet. Se halli i fëmijës është edhe halli i prindit. E kuptoje ligjin hyjnor se prindi, sido që të vijë puna në jetë, flijohet për fëmijët e vet. Ikën prindi nga jeta por le fëmijët pasardhës për të cilët dëshiron vetëm të mirën. Falja është virtyt, është forcë jo dobësi. 

 

Zënkat e tilla për hiçmosgjë janë kontradikta brezash edhe brenda familjes. Mbaj mend që njëherë t'u betova kështu:" Për hallet e mia që është siç të them unë"! Ti u habite." Ç'është ky lloj betimi?"-pyete. 

 

Është betim për hallet që kam e që më fërkohen me nervat e mia dhe lëshojnë xixa- t'u përgjigja. Nuk ke dëgjuar shprehjen që u mblodhën ata apo ato dhe po qajnë hallet? Tani që të kam larg, në emigracion, them: ku t'i gjej ato zënka, xhan o halle ato të dikurëshmet para hallit të madh që më shkaktove mua dhe satëme. Kjo dambllamadhja kur e mori vesh largimin tënd dhe sidomos shkakun e ikjes u bë mehit në fytyrë, u fishk sakaq si oshafe e cingaridhe. Nuk vinte gjumë në sy. 

 

Debatin e fundit, ti e di, e patëm për lëndën narkotike që fillove të pije. Për atë të flamosur drogë debatuam ashpër.. Këtu më ra pika. Nuk mbante më pilafi ujë. Oh, nën' e zezë! Rrinim me gjak të ngrirë. Dilje nga shtëpia po a do të ktheheshe? Se cfarë nuk na dëgjonin veshët në atë kohë po edhe tani kur vriten djem të rinj këtu në Shqipëri dhe andej nga je ti për shkak të prishjes së pazarevve të asaj të flamosure lëndë narkotike. 

 

Vras mendjen dhe i bëj pyetjen vetes: Pse bre katran  me bojë nuk e pikase më parë vesin e tët biri e ta ndaloje që në hapat e parë drejt rrugës së gabuar, pse nuk e edukove? Ec e piji lëngun punës së ngatërruar tani. Të shkau djali nga duart. Para këtij halli të madh mua më mer malli për hallet që kisha më parë. Ikën një hall vjen tjetri më i madh . Ndhodh kështu me njeriun. 

 

Një mik imi që është në Amerikë shkruan se atë e mer malli edhe për ata shokë e miq që ka patur e ka në Shqipëri me të cilët ka rrastisur të jetë grrindur dikur. Më duket sikur u mësova me halle, edhe pse ishin pika që më dhembnin më shumë, ato u bënë pjes e jetës, s'rri dot pa to, më mer malli. Eshtë paradoks, e di por ja kështu më duket mua bre Ylli, xhan i babit. A e di ti se inati jot ndaj meje atëhere sot më duket si gëzim?. Sepse të kisha pranë, të dëgjoja zërin. Jetoje. Edhe tani kam dëshirë të flasësh me ne që të na qetësosh. Na mjafton zëri jot në telefon. Të kuptojmë se jemi ende të vlefshëm për ty, se jetojmë edhe për ty. Heshtja jote na fut në "perandorinë" e frikës. 

Po tani ku të mbytemi? Në telefon na mer shumë rrallë, një herë në hënëzë si i thonë fjalës. Ku nuk na shkon mendja? Mos vallë djali është në burg për shkak të drogës që pi vetë apo që shpërndan tek të tjerët? Largoju nga ajo dreq rruge që u bë shkak që ne të debatonim keq dhe ti u largove hop këtu e hop atje nëpër shtete të tjerë të Europës. Vere në vesh këshillën e babit tënd. 

 

Ti nuk e njeh veten se je akoma i ri. Edhe unë, paçka se jam i vjetër nuk them se e njoh mirë veten.. Kemi nevojë për opinionet e të tjerëve, qofshin këta njerëz të mirë apo ziliqarë. Çdo njeri ka nevojë për këshilla deri në fund të jetës. Mos vepro sikur të kesh tiroide e të duket cdo këshillë bëhet me qëllim të keq. Jo, jo. Ty edhe kur të thonë fjalën shendet të tingëllon sikur të thonë plaç. U fute në botën e madhe. Kjo botë nuk mund të njihet pa njohur së pari vetveten. Të meresh me drogë nuk është gabim njerëzor por është faj, faj i rëndë. Lënda narkotike të con në vrasje, vret të tjerë , vret edhe veten, në njërën mënyrë apo në tjetrën. Kur e pi të duket sikur fluturon në qiellin e lumturisë pa e kuptuar se droga të duket se të "ëmbëlson" shpirtin kur në të vërtetë është e hidhur shafran e pelin që të mer jetën. 

 

Çfarë nuk na dëgjojnë veshët more bir. Nga pazaret e prishura për lenden narkotike vijë urdhëra nga jashtë shtetit duke filluar nga kartelat e drogës të Amerikës Latine e vënde të tjera të Europës për vrasjeje dhe marje pengjesh këtu në Shqipëri. Tmerr. 

 

Nëse heq dorë nga lënda narkotike do bësh gjënë më të mirë për veten tënde e për ne si prindër që na ke. Por kjo nuk mjafton. Po u ktheve në gjirin familjar mirë do bësh. Një pjatë supë njeriu e gjen kudo. Por ama ajo supë shijon më shumë se mishi i pjekur, bakllavaja a revanija e siguruar me para të pista. Nëse nuk kthehesh mos e lerë jetën të rrëshqasë nga duart. Do të kesh të bësh me njerëz që u ka duk puna, që çdo gjë u shkon grurë, që plotësimin e nevojave të jetës e bëjnë me punë të nderëshme. Në mundësh me njerëz të tillë u lidh. Zgjidhi shokët më të mirë se vetja. Por mos u ngatërro me njerëz të hurit e litarit, që shkojnë hu më hu e gardh më gardh, që të yshtin të pasurohesh me punë të pista. 

Ka bota plot njerëz të zgjuar vërtet por ruaju nga ata persona që zgjuarësinë e përpunojnë për punë të poshtra. Në fillim të lajnë e të lyejnë, të premtojnë që po të punosh me ta do të marësh kaq e aq të holla ose të mira të tjera materiale. Dhe kur vjen fundi ti mer opingën e Sheros. Këta lloj njerëzish cdo skutë të shpirtit e mbushin me para e me pasuri të patundëshme, nuk lenë një cep bosh ku të futet gëzimi i papërlyer i jetës. Poshtërsinë e tyre e shfaqin lakuriq me forcën shkatërruese të parasë që carvalit dhe dërrmon personalitetin e njeriut. 

 

Largoju prej tyre sepse mendja u punon vetem si të pasurohen përmes të tjerëve e rrugëve të rrezikëshme e të pista. Në shpirtin e tyre nuk gjen vënd për gëzime e lumturia njerëzore. Ata janë të pasur në xhep, të varfër në shpirt, janë varfanjakë të pasur. Më thercin mua në mos qofshin të tillë. Mos u ngatërro me njerëz të tillë. Interesat e larta shpirtërore janë kundër lakmive të pangopura të zuzarëve apo ziliqarëve, katranë me bojë. 

 

Atje ku je tani I dashur bir janë edhe disa njerëz të njohur nga ty. I njohim edhe ne..Mund të takosh edhe ndonjë kushëri. Mos u nxito të bashkëpunosh me të pa studiuar qëllimin e veprimtarisë së tij. Mundohu të shikosh ato që nuk duken.. Se vërtet të lidh gjaku por të ndan pasuria, lakmia për para. Ku e di ti se ai nuk është kthyer në hajdut me çizme? 

 

Ki kujdes kur mer apo jep borxhe. Nuk janë të rralla rrastet kur njeriu humbet edhe mikun edhe paratë, shkruan diku Shekspiri. Gjen njerëz të afërt njeriu por nuk gjen gjëkundi prindër. Nëse kërkon ndihmë nga dikush që ti e njeh dhe ai të përgjigjet me heshtje, kupto se midis jush ka qejfmbetje. Mos kërko të gjesh gabimin te ai sepse ai e kerkon atë te ty. Ka heshtje e heshtje. Ka të tilla që flasin por ka edhe nga ato që ulërasin. 

 

Për zgjidhjen e mosmarëveshjeve përdor llogjikën jo zemërimin dhe inatin që janë kurthe për njeriun që i ka. Prandaj mundohu të tokëzosh elektricitetin negativ të zemërimit. Mos dëgjo ata që thonë se për të qënë i suksesëshëm në jetë duhet të përdorësh shtatë hile e një trimëri. Janë gënjeshtra me bisht, janë profka. Unë dëshiroj që këtë shprehje ta deshifrosh kështu: Që të jesh i suksesëshëm e i dobishëm për vete e për shoqërinë në jetë duhet të futesh si gjyle topi me forcën e talentit e të vetmohimit në punëra të pastra, por jo si sëmundje e butë e tinzarisht se kështu të del shpejt kallai. Nuk thotë kot populli: Urt' e butë e tagani plot. Kjo do të thotë të sillesh mirë në shoqëri e të punosh ndershmërisht, por gjella me kripë e kripa me karar, jo për cdo gjë lepe peqe, jo si qen i rrahur e të ikësh me bisht ndër shalë kur je në të drejtën tënde e kërcënohesh nga ndonjë lapangjos. 

 

Siç e shikon Ylli, biri im i shtrenjtë, nuk po lodhem që edhe përmes kësaj letre të jap këshilla. Nëse nuk më jep të drejtë tani do më japësh më vonë, paçka në jam gjallë apo jo. Por kur të bëhesh me fëmijë do ta kuptosh se çdo të thotë të jesh prind, se ç'është dashuria prindërore. Mirësia si ndjenjë lind që në fëmijëri, mësoji fëmijët e tu me mirësi. 

 

Përvoja e jetës tregon se lumturinë njeriu e ka brenda vetes, në shpirt, ajo nuk ndodhet as te paraja as te pasuritë e patundëshme. 

 

Ç'është paraja në fund të fundit? Një mjet shkëmbimi, simbol i shëndetit ekonomik të familjes dhe të shtetit e cila duhet të qarkullojë. Por lumturinë nuk e siguron dot. Sipas mitologjisë greke, një mbret i quajtur Midas ishte shumë i dhënë pas floririt, kënaqej me qypat me florinj, u gëzohej atyre. Iu lut dikuj, mbase zotit apo të dërguarit të tij për t'i plotësuar dëshirën që cdo qjë që të kapte me dorë të shndrrohej në flori. Dëshira iu plotësua. Po ç'ndodhi? Ndodhi ajo që mbretit Midas i kushtoi humbjen e jetës. Sepse sa fillonte të hante, ushqimi I kthehej në flori, gota me gjith uje në flori. Iu grremis jeta. Dhe vdiq nga mungesa e ujit dhe e ushqimit. I rrofshin florinjë mbretit Midas. Ç'fitoi ai nga jeta? Içgjë. Ç'mori ai me vete nga të mirat e botës? Opingat e Sheros. Kështu është për çdo njeri që kërkon lumturinë te pasuria. 

 

Mendimi pozitiv, vetëdija jote është miniera e arit brënda shpirtit tënd. Mos kërko gjetkë. M'u kujtua tani një fshatar disi i pasur qëmoti në krahasim me të tjerët. Ishte pojak që kujdesej për radhën e ujitjes së arave të fshatarëve. Mbahet mend në fshat si njeri praktik. Kur në fushë e shqetësonin mizat ai shkonte e gjente shpëtim te arat e mbjella me kungull sepse mizat nuk afrohen te gjethet e kësaj bime. Pojakut i lotonin shpesh sytë. Dhe ç'bëntë ai? Shkonte dhe krasiste një degë hardhije e cila në vëndin e prerë lëshonte një lloj lëngu. Këtë lëng pojaku e vendoste në sytë e tij dhe gjente shërim për një farë kohe. Por pojaku kujtohet në fshat edhe si një nga kursimtarët më të mëdhenj, një manjak mund të them. Ai kishte një kostum të bukur dhe një palë këpucë llustrafina që për kohën ishin lluks i madh. Këto mbetën fringo të reja, të papërdorura sepse pojaku i kishte veshur vetëm një herë kur u bë dhëndërr. KIshte rraste kur ai vinte nga fusha me opinga të grisura dhe për ibret të zotit, ndonjëherë, edhe zbathur! Pse? Ec e jepu shpjegim këtyre manirave. 

 

Të kursesh po jo kështu de'. Sepse ndodh që qëllimi i mirë përfundon keq pasi shndrohet në sëmundje psiqike. Mbreti Midas u dashurua pas floririt, pojaku i fshatit u bë mitoman pas kursimit të plackave . E çë pastaj? U pinë lëngun florinjve, kostumit e këpucëve. Të kujtohet more bir kënga e korçarëve që thotë: " Se dashuria është e ëmbëlë dhe do na hidhërojë"? Kemi të bëjmë me ndjenjën e dualitetit. Kur ke qënë këtu ti e di se kemi biseduar disa herë për këtë ndjenjë dualiteti që ekziston te njeriu. 

 

E nisa me këshilla këtë letër o Ylli, xhan i babit dhe me këshilla do ta përfundoj. Këshillat e prindit për fëmijën e vet nuk paskan fund. Nuk di nëse të sygjerova për t'u ruajtur nga ziliqarët me maçokun në bark. Beso në fat e në zot por mos u bëj rob i bestytnive. Se edhe zoti thotë: Ruaj veten të të ruaj edhe unë, se fati shkon me guximtarët. Prandaj bëj gjënë e duhur në kohën e duhur. Kështu fatin e ke me vete. Dhe kujdes: Mos u bëj as sadist e as narcist. Ji ambicioz por ambicja jote të jetë sfidë për gjënë e duhur në jetë për vete e për të dashurit e tu. 

 

Në zgjedhjen e shokëve ki kujdes se jo të gjithë njerëzit janë ashtu si duken. Ti shikon një njeri që të buzëqesh po a je i sigurtë që në atë buzëqeshje nuk ka ironi, tallje, keqardhje? Gjithsesi biri im kujdesu për sjelljen tënde. Më mirë të dëgjosh shumë se sa të flasësh si llazoret, pa hesap. 

 

Mos bëj asnjë hap në jetë si fodull duke mbajtur hundën përpjetë, shënjë kjo mëndjemadhësie e kënaqësie që të fundos. Filozofi Sokrat ka thënë: "Jeto pa u dukur!" Edhe veshjen zgjidhje të tillë që te jetë e pranueshme në komunitet, as të shkëlqyeshme por as edhe zhele. Mos bëj për çdo gjë,  pa e menduar, lepe kur të kërkojnë të bësh ndonjë veprim. Jo dhi e zgjebosur e bishtin përpjetë. Mos u bëj qelepirxhi me njërën dorë në revani e me tjetrën dorë në bakllava. Mos kujto se bota nuk të shikon. Si të matësh ashtu do të matin. Kurrë mos u ndje i huaj brenda vetes

Ylli, mos u inatos me këto këshilla. Verë në punë llogjikën e cila do të mësojë se si duhet parë brenda vetes, që të njohësh veten tënde. Dhe kur ta njohësh atë, betoju para vetes që do heqësh dorë nga lëndët narkotike e veset e tjerë. Është shumë e rëndësishme t'i mbash besën vetes. Të duhet të bëhesh , si ta them, diktator, njeri i rreptë i vetes. Ka rraste kur njeriu duhet shtyrë drejt së mirës edhe me forcë. Binde veten, shtroja ekuacionin e dualizmit dhe jam I sigurte se do fitojë pozitivja . Atëhere shijo melodinë e këngës: Nuk pi verën as rakinë, me një tra e mbaj shtëpinë… 

Me shumë mall e dashuri., 

babai jot 

Skënderi 

 

FIQRI SHAHINLLARI

 

 

No comments:

Post a Comment