Wednesday 14 December 2022

PËLLUMBI ILIR - (Columba ilyrica)


Përgatiti: Andrea LLUKANI

TIRANË

Pëllumbi ilir (Columba ilyrica); emri i regjistrimit: në anglisht Archangel, në gjermanisht Gimpel. Pëllumbi ilir bën pjesë në grupin e pëllumbave me ngjyra dhe është ndër pëllumbat më të lashtë tëEuropës. Pëllumbi ilir është kultivuar në të gjithë territorin e Ilirisë. Figura e tij është e ndërtuar në një stil religjioz dhe është simbol i civilizimit europian. Pëllumbi ka xhufkë me majë dhe ngjyra fantastike me shkëlqim metalik. Duke parë rëndësinë simbolike të këtij pëllumbi, romakët e morën dhe e kultivuan në vendin e tyre, duke i vënë emrin Columba ilyrica, që në shqip do të thotë pëllumbi ilir. Romakët e shpërndanë pëllumbin në Europë dhe në Azi. Në Angli e quajtën archangel, ndërsa në Gjermani gimpel. Fjala archangel përbëhet nga dy fjalë: arch = kryesor = që është në krye ose i pari nga rëndësia dhe fjala angel = engjëll. Pëllumbi ilir është ruajtur deri në ditët e sotme si nga forma ashtu edhe nga pamja e jashtme dhe ngjyrat. Ka një shkëlqim metalik të puplave në gjithë trupin, që të krijon përshtypjen e puplave të gjelit. Shkëlqimi i puplave reflekton me ngjyra të gjelbërta dhe vjollcë.

Pëllumbi ilir (Columba ilyrica) është i hollë, i fuqishëm dhe ka një ball koke të rrafshët. Ka madhësi mesatare, diku rreth 33 deri 34 centimetra. Xhufkën e ka të mprehtë (me majë). Puplat fillojnë të mblidhen nga të dy anët prapa kokës, duke krijuar majën e xhufkës, e cila përfundon mbi horizontin e kokës. Pëllumbi ilir (Columba ilyrica) sytë i ka të theksuar dhe ngjyrë portokalli. Sqepin e ka në ngjyrë të verdhë në të bardhë dhe se pjesa e fundit e majës është më e errët. Qafën e ka të gjatë dhe të hollë, të ngritur lart. Ai ka një elegancë të admirueshme. Gjoksin e ka të gjerë. Shpina e tij është e rrafshët dhe e pjerrët deri te bishti. Pëllumbi ilir (Columba ilyrica) ka krahë të gjatë dhe të qëndrueshëm. Bishti vazhdon nga vija e shpinës dhe numëron 12 pupla (pendë) të gjata dhe të gjera. Ngjyrat e puplave të tij janë: të bronzta të hapura (ari) apo të remta (bakri). 

Njohuri të përgjithshme për pëllumbat

Pëllumbat bëjnë pjesë në grupin e familjes së shpendëve Columbidae në rendin Columbiformes. Kjo familje përfshin rreth 42 gjini dhe 310 lloje të ndryshme. Familja e shpendëve Columbidae shtrihet në mbarë botën. Pëllumbat janë këmbëshkurtër, trupmbushur, me bisht relativisht të gjatë, me kokë të vogël dhe qafë të shkurtër. Ata kanë ngjyra të zbehta ose të shndritshme që variojnë sipas racës. Meshkujt janë disi më të mëdhenj. Këmbët e tyre janë në ngjyrë të kuqe. Gishtat e pëllumbave janë të vendosur në mënyrë të tillë, që tre gishta janë përpara dhe një gisht, ai i madhi, tregon prapa. Ndërrimi i puplave tek pëllumbat ndodh pas çiftëzimit. Zogjtë e rinj mbushen me pupla, që në muajt e parë të jetës. Në këtë moshë ata nuk mund të dallohen se cilës gjini i përkasin. Sqepi i pëllumbave nuk është i fortë; maja mund të jetë pak e kthyer. Gjuha e tyre është e sheshtë dhe fibroze. Fyti i pëllumbave është i vogël dhe shumë muskular. Fshikëza e tëmthit u mungon. Masa fekalore (glasa) e tyre është kompakte, e bardhë dhe me prani të urateve. Pëllumbat janë shpend mjaft rezistentë pasi mbulesa e tyre e dendur me pupla i lejon ata të përballojnë temperaturat më ekstreme. Zogjtë e rinj, të sapoçelur janë më pak rezistentë ndaj temperaturave të ulta, prandaj gjatë natës këshillohet të mbahen në ambiente të ngrohta. 

Pëllumbat jetojnë në çift. Ata kanë vetëm një partner gjatë jetës së tyre. Nëse njëri prej tyre ngordh, ose largohet nga kafazi, pëllumbi i mbetur kërkon partner tjetër. Mashkulli i vardiset femrës, duke u kapardisur rreth saj, duke kënduar. Nëse femra e pranon vardisjen atëhere e prek me sqep sikur do ta puthë. Pas çiftimit çifti zgjedh vendin ku do të ngrejë folenë dhe fillon ngritjen e saj (kur pëllumbat jetojnë në gjendje të egër). Rreth 2 javë pas çiftimit femra pjell një vezë në fole. Rreth dy ditë më vonë ajo pjell vezën e dytë. Femra pjell vetëm dy vezë. Femrat shumë të reja ose plaka mund të pjellin vetëm 1 vezë. Ngrohja e vezëve fillon menjëherë pas pjelljes. Femra i ngroh vezët nga ora 16.00 mbasdite deri të nesërmen në mëngjez rreth orës 10.00. Në turnin e dytë është mashkulli, që ngroh vezët ndërkohë që femra ushqehet dhe çlodhet. Kjo rutinë vazhdon për rreth 17 ditë. Pas 17 ditësh çel zogu i parë. Pas 24 orësh çel zogu i dytë. Të dy prindërit i ushqejnë zogjtë, duke u dhënë nga sqepi një krem të bardhë të trashë të prodhuar nga vetë ata. Nga dita e 5-të deri të 10-tën zogjtë ushqehen vetëm me kremin e bardhë, më pas prindërit shtojnë gradualisht fara në dietën e zogjve. Pas ditës së 15-të zogjtë nuk ushqehen më me krem. Rreth një javë pas çeljes së zogjve femra është gati për të filluar një “shtatëzani” të re. Ajo zgjedh një fole të re dhe i gjithë proçesi i shumimit fillon nga e para. Çifti do të jetë shumë i zënë, duke u kujdesur për një fole me zogj dhe për një fole me vezë. Mirë është që në kafazin e pëllumbave të mos mbahen zogj “beqarë”. Këta mund të krijojnë probleme: thyerje vezësh dhe vrasje zogjsh. Kur zogjtë janë 4 javësh ata arrijnë trupin e të rriturit dhe janë gati të fillojnë jetën e pavarur. Pëllumbat arrijnë pjekurinë seksuale rreth moshës 5-7 muajshe. Çiftet çiftohen edhe në dimër, por zogjtë e lindur në dimër rrezikojnë të ngrijnë prandaj nëse dëshirojmë të ndërpresim shumimin e tyre në dimër mund t’i ndajmë çiftet nga njëri-tjetri. Nëse dëshirohet shumimi i pëllumbave edhe në dimër, mbi kafaz lihet një dritë ndezur. Në një vit femra pjell zakonisht 4-5 herë. Pëllumbat ushqehen kryesisht me fara, por edhe me insekte, fruta, bimë etj,. Uji u jepet në enë me të paktën 3 cm ujë. Këto duhen mbajtur pastër për të shmangur përhapjen e sëmundjeve. Nëse pëllumbat nuk kanë mundësi të fluturojnë jashtë kafazit, atëhere bashkë me ushqimin, në enë të veçantë, u duhen dhënë dhe guriçka sepse këto i ndihmojnë për të tretur ushqimin. 

Pëllumbat kanë aftësi të mrekullueshme dëgjimi, ata mund të zbulojnë tinguj në frekuenca shumë më të ulëta se njeriu. Kjo aftësi u mundëson pëllumbave të dëgjojnë dhe stuhi shumë të largëta. Pëllumbat janë të aftë të njohin fytyrat e njerëzve. Pëllumbat janë përdorur si korrierë mesazhesh për shkak të aftësisë së tyre për të kujtuar dhe për tu kthyer në fole. Falë aftësisë së tyre për të gjetur rrugën e kthimit në shtëpi për shumë kohë kanë qenë mjeti më i shpejtë i komunikimit. Komunikimi nëpërmjet pëllumbit mund të funksionojë vetëm në një sens: Transportohet pëllumbi në një vend dhe kur lirohet, kthehet në shtëpinë e tij. Nuk është e mundur ta mësojmë pëllumbin të kthehet në një vendndodhje të ndryshme nga shtëpia e tij. 

Përdorimi i pëllumbave ka qenë mjet efikas i komunikimit, deri me lindjen e telegrafit, telefonit dhe radios në shek XIX. Por rëndësia e pëllumbave në fushën ushtarake u përhap edhe në shek XX. Në të dyja luftërat botërore, pëllumbat u përdorën për të dërguar mesazhe strategjike, të shkruara në letër apo mikrofilma të futur në tuba të vegjël, që lidheshin tek këmba e pëllumbit. Kur ushtritë e huaja i panë pëllumbat, që mbartnin mesazhe krijuan skuadra të veçanta për vrasjen e tyre, të cilat quheshin "Falcons". Gjithashtu, për vrasjen e pëllumbave korrierë përdornin shqiponja dhe skifterë. Pëllumbat përdoren edhe sot nga shumë vende të botës, në raste difektesh të avionëve, të radiove etj. 

 

Pullë poste në Kosovë.(nga intreneti b.bujqesore)

 

No comments:

Post a Comment