Monday 31 July 2023

𝐍𝐉𝐄̈ 𝐔𝐑𝐈𝐌 𝐏𝐄̈𝐑 𝐒𝐇𝐊𝐑𝐈𝐌𝐓𝐀𝐑𝐈𝐍 𝐄 𝐃𝐀𝐒𝐇𝐔𝐑 𝐓𝐄̈ 𝐅𝐄̈𝐌𝐈𝐉𝐄̈𝐕𝐄, 𝐆𝐀𝐐𝐎 𝐁𝐔𝐒𝐇𝐀𝐊𝐀.


n𝐠𝐚𝐋𝐞𝐟𝐭𝐞𝐫 𝐌𝐚𝐫𝐠𝐚𝐫𝐢𝐭𝐢

𝐓𝐡𝗼𝗺𝐚 𝐐𝐞𝐧𝐝𝐫𝗼

Tiranë


Gaqo BUSHAKA
Vështirë të ketë sot shqiptar të brezave pas vitit 1970, që në vogëlinë e tij të mos ketë lexuar a të mos ketë parë në filma vizatimorë personazhe, si Derrkuci Çufo dhe Bubi Kaçurrel dhe të mos i ketë përjetuar e dashuruar ata, apo të mos i kenë ngacmuar botën, psikologjinë dhe fantazinë e tyre fëminore. Dhe po aq e vështirë është të mos e dinë emrin e krijuesit dhe autorit të tyre: Gaqo Bushaka.


Gaqoja lindi 80 vjet më parë, 1943, në një familje të thjeshtë në Selckën e atdhetarëve të mëdhenj dhe mësuesve të parë të gjuhës shqipe në Mësonjëtoren e parë shqipe të Korçës, që ishin njëkohësisht ndër 28 firmëtarët e krijimit të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip të Stambollit, vëllezërve Pandeli e Koto Sotiri, dhe të sa e sa atdhetarëve e intelektualëve të tjerë shqiptarë. Dy vjet më vonë familja Bushaka u shpërngul në Tiranë, ku Gaqoja u rrit, u arsimua dhe punoi e krijoi tërë jetën e tij, deri më sot që shkoi në SHBA familjarisht. Vështirësitë e kohës dhe kushtet ekonomike të pasluftës II botërore, e detyruan Gaqon që, megjithëse ende i vogël, të futej në punë si elektriçist fillimisht në uzinën “Partizani” e më pas në PTT-në e Tiranës. Megjithatë, vështirësitë dhe lodhja e përditshme nga puna nuk ia fashitën asnjëherë dashurinë për mësim dhe dije. Me dëshirë e vullnet ndoqi shkollën e mesme mbrëmjeve pa u shkëputur nga puna, në nbarim të së cilës, më 1963, fitoi të drejtën e studimit për Mjekësi, të cilën e ndërroi me kërkesën e tij për të shkuar në degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, pasi aty e thërriste “gjaku” i personazheve që do të krijonte gjatë jetës së tij artistike. Njëkohësisht, në vitet e fundit të studimeve, ai ndoqi edhe degën e gazetarisë, së cilës iu përkushtua në vitet e para të karrierës së tij.


Mjedisi i ri në të cilin hyri tashmë, hapi para Gaqos një botë të re dijesh shkencore. Ndiqte dhe thithte me etje leksionet e pedagogëve dhe gjuhëtarëve e albanologëve të shquar Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, të studiuesve e shkrimtarëve të dëgjuar të kohës Dritëro Agolli, Alfred Uçi, Jakov Xoxa, Myzafer Xhaxhiu, e mjaft të tjerëve.


E ndërsa dijet që transmetonin pedagogët modelonin e formonin mendimin logjik e artistik të studentëve të tyre, ndër të cilët ishte edhe Gaqoja, jo më pak do të ndikonin tek ai edhe diskutimet e zjarrta, plot zell e pasion që bëheshin ndërmjet këtyre të fundit për gjuhën e bukur shqipe, për artin dhe letërsinë jo vetëm shqiptare, por edhe botërore që lexohej e kometohej herë vjedhurazi e herë haptazi ndër rrethe të ngushta. Ishin të rinj të ndrojtur, që diskutonin e debatonin krijimet e para të vetat ndërmjet tyre pa e ditur se së shpejti do të bëheshin edhe ata vetë vlera të shquara krijuese e intelektuale mbarëshqiptare, mësues e pedagogë, shkrimtarë, poetë, redaktorë e gazetarë, gjuhëtarë.


Në këtë mjedis u mbrujt e u formua personaliteti krijues i Gaqos. Puna e mëtejshme, pas përfundimit të shkollës së lartë më 1967, si redaktor në “Zërin e Popullit” nën varësinë e një prej gazetarëve më të mëdhenj shqiptarë, Vangjush Gambetës, e pastaj korrespondent i saj në terren për Beratin dhe Skraparin, si redaktor e kryeredaktor në revistat “Fatosi”, “Pionieri” e deri drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, bashkëpunimi me shkrimtarë të mëdhenj si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Petro Marko, apo me shkrimtarë të shquar për fëmijë si Bedri Dedja e të tjerë, do ta fusnin atë pastaj në botën e vërtetë reale dhe do të frymëzonin e do t’i jepnin krahë të fluturonte muzës së tij krijuese.


Pasi botoi tregimin e parë më 1963, Gaqoja do të dashurohej dhe apasionohej gjithnjë e më shumë pas botës virtuale e psikologjisë ende të paindoktrinuar të fëmijëve të vegjël, do të depërtonte thellë në dëshirat dhe ëndrrat e tyre, në vizionin që ata kanë për njerëzit e për botën që i rrethon dhe për të ardhmen, por edhe në çapkënllëqet e prapësitë e padjallëzuara të tyre. Prandaj dhe personazhet e tij dashurohen nga fëmijët, bëhen shokë të afërt me ta, u ngacmojnë fantazinë dhe i shkelin syrin virtualisht njëri-tjetrit. Ai ka ditur ta gërshetojë bukur e me art të veçantë botën e kafshëve me atë njerëzve, t’i ndërthurë, t’i shkrijë e t’i njejtësojë pozitivisht figurat e tyre me personazhet fëmijërore, duke ndikuar në një edukim të shëndoshë moral, kulturor e shkencor të tyre.


Dhe këta personazhe nuk janë vetëm dy a tre, nuk janë vetëm Derrkuci Çufo e Bubi Kaçurrel, por shumë e shumë, sepse e pasur dhe e shumtë është edhe trashëgimia krijuese e Gaqos, nga tregimet e shkurtra në novela, romane e deri në trilogjinë “Aventurat e Çufos”, ku përfshihen “Çufoja dhe Bubi Kaçurrel”, “Pushimet e Çufos” dhe “Çufoja në shtëpinë e çudirave”. Nuk ka kafshë a shpend që të mos ketë hyrë në mënyrë të natyrshme si personazh në përrallat dhe rrëfimet e Gaqos, që nga ariu, ujku, dhelpra, majmuni, lepuri, macja, maçoku, iriqi, kërmilli, milingona e deri tek pata, thëllëza, qukapiku, lejleku, mjellma, lakuriqi i natës e plot e plot të tjerë që fëmijë e të rritur që i kanë lexuar i mbajnë mend mirë dhe qeshin e vënë buzën në gaz me kënaqësi kur i kujtojnë. Kjo ndodh sepse personazhet e Gaqos, qofshin njerëz, kafshë apo shpendë, përfaqësojnë në të vërtetë botën e fëmijëve, çdonjëri prej të cilëve e ndien se ka së paku diçka të përbashkët me aventurat e tyre, që me humor aq të hollë i përshkruan autori. Madje dhe Roboti Rob futet natyrshëm në këtë botë virtuale e plot fantazi të fëmijëve.


Në krijimet e Gaqo Bushakës fëmijët gjejnë veten dhe dashurohen me kënaqësi edhe pas personazheve nga bota e bashkëmoshatarëve të tyre, si te “Guna e zezë”, ‘Djaloshi nga Dyrrahu”, “Kalorësi i Skënderbeut” apo në tregimet e përfshira në vëllimin “Gladiatori dhe tigri” etj.


Është pothuajse 40 numri i librave të botuar nga Gaqo Bushaka, ndërsa numri i kopjeve afron në gjysmë milioni ekzemplarë. Ja disa prej tyre: “Te stani në mal” (1967), “Karroca gazmore” (1969), “Një natë vjeshte” (1972), “Në ishullin e dallëndysheve” (1973),“Ariu artist” (1973), “Gladiatori dhe tigri” (1975), “Arushi që kërkonte babanë” (1975), “Guna e zezë” (1976), “Tregime të zgjedhura për fëmijë” (1976), “Çufoja dhe Bubi Kaçurrel” (1978, 1979), “Përralla të zgjedhura” (1979), “Dëshira e Anilës” (1979), “Djaloshi nga Dyrrahu” (1979), “Kalorësit me pishtarë” (1980), “Ngjarje në Tiranë” (1981), “Përralla për vogëlushë dhe gjyshër” (1984), “Çufoja në shtëpinë e çudirave” (1985), “Aventurat e Çufos” (1987), “Le ta quajmë Artur” (1989), “Përralla” (1989), “Një djalë i çuditshëm”(1990), “Udhëkryqet e një jete” (1990), “Filmi i gjeneral Çufos” (1994), “Amaneti i dhelprës” (1997), “Njeriu pa kokë” (1998), “Ariu artist” (1998), “Fati ynë” (2001), “Legjenda e kalorësit të Skënderbeut” (2001), “Kollovar në Tiranë” (2004), “Maçoku i tetos” (2018), etj.


Për të gjitha këto Gaqo Bushaka është nderuar nga institucione të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare me çmime, diploma e tituj të ndryshëm, si “Çmimi i Republikës” i shkallës së tretë, Çmimi i Bordit Ndërkombëtar për të Rinj, Bazel, Zvicër, Çertifikatë Mirënjohjeje nga Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve, Çertifikatë për Krijimtari Letrare për Fëmijë nga Ministria e Kulturës. Akademia e Shkencave të Shqipërisë e ka nderuar me titullin “Nderi i Akademisë”, ndërsa Bashkia e kryeqytetit me titullin “Mirënjohja e Tiranës”, pa përmendur këtu çmime të shumta të fituara në konkurse e veprimtari të ndryshme kulturore, letrare e artistike.


Megjithëse tërë jetën e tij Gaqo Bushaka e ka kaluar thuajse krejtësisht në Tiranë, me ndershmërinë, thjeshtësinë dhe modestinë që e kanë karakterizuar, ai e ka ndier veten gjithmonë krenar për origjinën e vet dhe nuk i ka harruar kurrë vendlindjen e tij, Selckën, dhe krahinën e Lunxhërisë, së cilës ajo i përket, duke qenë njëkohësisht një ndër anëtarët dashamirë të Shoqatës “Lunxhëria”.


Tani, si qytetar amerikan, ai ka shkuar së bashku me bashkëshorten e tij, Shpresën, të jetojë në SHBA, pranë fëmijëve, dhe me këtë rast, të afërmit, shokët, miqtë, bashkëfshatarët e tij kudo që janë dhe Shoqata “Lunxhëria”, i urojnë birit të dashur të Selckës, së cilës ai ia ka shtuar krenarinë me krijimet e tij letrare për fëmijë e të rritur, jetë gjatë e shëndet dhe të mos e ndalë kurrë penën e tij për të shkruar vepra të tjera artistike gjithnjë e më të bukura në shërbim të edukimit të brezave të rinj.


Botoi 

Gazeta Telegraf 14.4.2023.

 

No comments:

Post a Comment