Monday 17 July 2023

"PENA TË ARTA FRANCEZE PËR SHQIPTARËT"

- Këngë Heroike- 


nga : Fotaq ANDREA
Paris, Francë



Fotaq ANDREA 
Përmbledhja me këngë popullore, botuar nga Z. Fauriel, këngë të ngritura që prej një shekulli e gjysmë dhe gjer më sot nga rapsodë të kohës është sa dobiprurëse aq edhe prekëse. Përkthyesi ka ditur të na dhurojë, së bashku me tekstin, edhe kuptimin e mirëfilltë në frëngjisht, dhënë pothuaj fjalë për fjalë, duke patur kujdes të mos e lustrojë me forma të stilit të tij, që mund ta kishin zbukuruar, po të nisem nga hyrja që ka hartuar dhe nga pjesët historike me të cilat ka ditur të pasurojë antologjinë e tij të vyer, shoqëruar nga ana tjetër me analiza interesante. Një punë e tillë meriton vlerësim të nderuar. Është fakt që përkthimet e shumta janë, në pjesën e tyre dërrmuese, përngjasime mashtruese, ku dalin në pah aty-këtu veçori dalluese të shkrimeve origjinale : mirëpo, përkthimet e mirëfillta fjalë për fjalë, dhe rrjedhimisht themeltare, janë përherë të nevojshme për shkrimtarë të dëshëruar t’i ripërpunojnë më pas, qoftë në prozë, qoftë në varg. S’u mbetet tjetër atëherë veçse të ndjekin përmbajtjen e tyre dhe idetë t’ua nënshtrojnë strukturave gramatikore të gjuhës në të cilën përkthejnë ; në këtë mënyrë, kuptimi i parë bruto, me t’u përpunuar si duhet, merr, nëpërmjet artit të të rindërtuarit, saktësinë, përpikmërinë, ngjyrat dhe hijeshinë e duhur, duke u bërë kështu i këndshëm përpara lexuesve dhe i qëndrueshëm në kohë.


Duke qenë se lëndën tashmë e kishim në duar, nuk na mbetej tjetër veçse të bënim një riderdhje të saj në vargun frëngjisht ; dhe këtu na duhet të theksojmë se meqë poezia rijepet krejtësisht vetëm në poezi, me qëllim që t’i rivendosnim vargjet greke në gjuhën frënge na u desh të kërkonim parreshtur të barasvlefshmit poetikë të termave e figurave përdorur nga idioma origjinale : sepse gjuha e muzave kërkon që stërhollimet të jepen nëpërmjet analogjive, dhe po ashtu, fjalët nëpërmjet shprehjes përputhëse, shpesh nëpërmjet të njëjtave terma. Me fjalë të tjera, shkrimi më i bukur i një teksti shfaqet barbar në një tjetër që, duke i qendruar së tepërmi pranë, e ndryshon atë, e zvetënon. E ritheksoj edhe një herë se vetëm poetët janë organet besnike të poetëve dhe se, për shembull, odat e Horacit, sado të ndritura të jenë në latinitetin e tyre, shfaqen në prozën më të mirë vetëm të zbrazëta e të zbehta*

Nga pjesa e parë e botimit të Z. Fauriel zgjodhëm pikërisht ato këngë helenike ku përjetësohen më mirë doket, zakonet dhe emrat e famshëm të armatolëve grekë, udhëheqës të pavarur të milicisë së lashtë të organizuar, dhe të kleftëve, mbështetës të milicisë endacake e vullnetare të Thesprotisë e të Thesalisë. Ato i renditëm në mënyrë të tillë që nxjerrin në pah larminë dhe shmangin monotoninë e përgjithshme. Në krye të këtyre poemave, vendosëm tetë Këngë që krijojnë një tërësi të plotë lidhur me rrënimin e suliotëve, vendi i të cilëve qe vatra e parë e kryengritjes së përgjithëshme të helenëve. Qëndresa e gjatë dhe vetë asgjësimi që iu bë banorëve të tij nga tërbimi i Aliut të Tepelenës, pasha i Janinës, aq mirë të përshkruara në udhëtimet e eruditit Z. Pukëvil, ish konsull i përgjithshëm në Orient, na dha subjektin e një tragjedie, të bërë një vit e ca më parë, nën titullin Martirët e Sulit. Kjo vepër e gjerë do të vërtetojë, besojmë, që trimëritë e Epirit të ri nuk janë më pak madhërisht të denja për Melpomenin tonë nga bëmat e Epirit të lashtë të Tezejve e të Piritusëve. Vajtimet e këtyre heronjve.


* Ky koment i autorit (shkëputur nga parathënia e tij) lidhur me vështirësinë e përkthimit të këtyre këngëve nga gjuha greke në frëngjisht, është po aq i vlefshëm edhe për përkthimin nga gjuha frënge në shqip të po këtyre këngëve. Megjithatë, vlen të theksojmë se përmbajtja dhe fryma e përgjithshme e këngëve në greqishten epirote i vishen bukur shqipes toskërishte, duke dëshmuar për të njëjtën forcë shprehëse, me përngjashmëri të përkryer. Në përkthimin shqip të këtyre këngëve, ne, nga ana jonë, jemi munduar tndjekim nga afër vargun e përsosur popullor të Antologjisë Këngë popullore të Labërisë, mbledhur e përgatitur me mjeshtëri të rrallë nga Z. Fatos Mero Rrapaj. 


 Louis Jean NÉPOMUCÈNE LEMERCIER

Nepomysen Lëmersie (1771-1840), poet, dramaturg e përkthyes, Anëtar i Akademisë Franceze, botoi vepra të shumta teatrore të shfaqura në vitet 1788-1798, si dhe mjaft vëllime poetike. Libri i tij Këngë heroike të malësorëve e marinarëve grekë” është frymëzuar nga botimi i dy vëllimeve të “Këngëve popullore të Greqisë moderne” të Claude Fauriel. Dalin në të në pah cilësitë e larta luftarake të shqiptarëve, paepuria dhe kreshnikëritë e tyre. 

 

Këngë për Xhavellën

dhe familjen e tij

 

Mbi qemer të urësë, qan a s’qan ky zogu tënë :

Këto vende t’egëra, pa vështronji katil pasha ;

Ujë të qelbur nga liqeni, jo mor jo s’të jep Janina,  

Për ato koshtet e tua, gjithë kanale t’bukura,

Që përpjetë seç ma hedhin shatirvanit shkumë-shkumë ;

Jo mor jo s’është Preveza, që po sheh ashtu përpjetë,

Djegur, përvëluar, kala e shkretuar ;

Është Suli, mal i rreptë,

 Mor Ali kokëshkretë,

Mal i rreptë, mal i egër, 

 Armatosur bij e etër,

Motra, nuse edhe mëma ;

Me çobenjtë pallëlarë,

O Xhavella trim i rrallë !

Jot grua, s’mbahet jo ! e rrethuar ;

Djalnë më njërin krah, kordha më tjatrën i bie,

Lidhur me gjalmë dyfeku, krahëqafë ç’m’i ka hije ;

E kur ecën, fluturon, fustanella palë-palë,

Atë futë në luftë ia tund,

Plot barut edhe plumb.


C. Motte, "Shqiptare nga Sicyone.  Pukvil, "Udhëtim në Greqi, 1824

Shënim

Dy tipare poetike karakterizojnë këtë kompozim : gjuha e përfytyruar e një zogu që parashtron subjektin dhe përcakton vendin ; më pas, portreti i heroinës ravijëzuar guximshëm, që marshon drejt aksionit të dhënë. Do vërehen shpesh në këto këngë zogjtë që merren si dëshmitarë të bëmave dhe si bashkëbisedues. Moskua, gruaja e Xhavellës, paraqitet këtu si figura e gjallë e Greqisë baritore dhe të armatosur. Teksti thotë se në njërin krah ajo mban foshnjen që ka në gji, dhe në tjetrin armët, dhe fishekë në futën e saj. Nuk besoj se i kam zbehur këto tipare të thjeshta e të vërteta : ato portretizojnë më së miri, pra janë poetike. 
* (Të gjitha komentet në formë shënimesh janë të autorit francez.)


Lufton Moskua, heroinë e Sulit

 

Mu te kodër e kishës së lashtë,

I parë i shqipëtarve seç vështron në mejdan

Suliotin që ia bën bam : ashtu më iu lumtë dora,

Mu si trimat e parë, grari e fëmijëri, ja ku po ia bëjnë fora!

Kuçonika u thërret : « Para, bij të kapedanëve ! »

Mbasandaj, turqve e sllavëve: 

Kokën ku e shpini, që po ulërini ?

Mos vallë në Hormovë, aty ku muhamedani pa

Një popull theror që nën zgjedhë ra?

Këtu s’shkon dot osmanlliu,

I thonë shkëmb i Sulit, kujdes se ju përpiu.

Bandita ! o kokën lini, o mbathjani, nata pa ju zënë;

Moskua, më këmbë, foshnjën përdhe ka lënë;

Qëllon a s’qëllon kjo grua, deli grua,

Pushka top gjithçka zhurit,

Pa vështronjuni një çikë, shihni si jeni bërë meit. »


Shënim

Ndërsa tabloja e mëparshme paraqet pamjen e luftëtares Mosko, kjo tablo e tregon atë në mes të luftimit. Vetëm nëpërmjet thirrjes së Kuçonikës, del në pah sheshi i betejës, ku lartohet figura e saj, armiku që ajo e spraps dhe çështja që mbron. Ç’shpejtësi peneli ! modernët tanë nuk do mund t’ia dilnin në atë rast pa një vazhdimësi vargjesh bombastike. 

 dhe në rrëfenjë, që mbyllen me fjalën therrëse të Boçarit, në stilin e heronjve ngacmues e tallës të Iliadës.


Disfata e Ali Tepelenës

 

Tri korba kobzinj ja ku po vështrojnë

Tri udhë që krejt nxijnë,

Nga tri taborre që vijnë.

Njëri korb i prin Miçobono katranit ;

Tjetri, të birit,  Myftarit ; tjetri, edhe më gjakatarit

Nga të gjithë Seliktarët.

Nga majë e një suke, vajtucët shpendë

Dhespota i pa. Dhe rend a s’rend.

« Ku është Boçari ? po ti Kuçonika ?

Shpejt, Suli për krahun tuaj ka nevojë, 

Ushtri e trefishtë vjen të na rrethojë,

Vendin ta shkretojë,

O tradhti, o vdekje të pranojmë ».

Dhe ja ku i përgjigjen trimat luftëtarë :

« Mos ki frikë, o grua,

» Gjak i turkut do shkojë krua,

Armët do na kuqë. Lufta faqen do na zbardhë. »

Sulm i tyre ja tek ardhë,

Vetëtimë, më shpejt nga vetë fjala.

Gjithçka, para tyre, dridhet, zbehet, bie, merr arratinë.

« Mallkime, mallkime njëmijë herë për ditëzinë ! » 

Ulërasin trupat e hallakatura për pashanë.

Boçari, në dorë vërvit  

Pallën që i shndrit :

« Hë, vezir, kaq keq veten e pe?

S’po shkon të ngresh spahinjtë ku i ke,

Brigjeve tona ? Pse e ul kokën, ç’ke?

Eja pra, na trego një çikë sa i zoti je,

Të na veshësh gjithë luks kasollet varfanjake,

Të ngresh shkrepave tanë që qiellin pushtojnë

Fronin tënd që dhe vetë sulltanët e lakmojnë. » 


Shënim

Ja sërish pëfytyrimi i zakontë i helenëve : tri zogj, pararendës të tri kolonave turke që parashikojnë një sulm të trefishtë. E njëjta gadishmëri e shpejtësi në dialog dhe në rrëfenjë, që mbyllen me fjalën therrëse të Boçarit, në stilin e heronjve ngacmues e tallës të Iliadës.


Shpartallimi i Myftar Veliut  

 

Nga vetë i dërguari i Perëndisë, një klithmë ia ka nisë:

 - Xhavella, Boçari, kush vallë na ka braktisë?

Ejani të marim hak për vatanë,

Ejani me stuhi e murrlanë,

Halldupë e avdallë brënda na janë kallë !

- E sa janë vallë ? Njëqind, dyqind ?

- Jo mor jo, janë plot njëzet mijë, që ja ku po vijnë,

E që plumbat tanë po i shijnë! 

E kush pyet për ta! Se sa janë, asnjë vlerë s’kanë.

Pallë e Xhavellës mbron vatrat tona !

Dyfek i Boçarit gjëmon me jehona !

Moskua me ne në tangallë vërvit pallë,

Burrë përmbi burrë, ajo grua deli grua ! »

Ka plasë keq : - Ç’është kështu me këta dreqë,

Faqen na e nxinë ! - thonë a s’thënë turqëria.

Xhavella gjithë tërbim, ja ku çohet më këmbë :

- Para more shokë, ikim nga ky shkëmb,

Me kordhë në dorë, as që pyesim për top e barot ! »

Por nga vendi ku qe, Boçari hovin ia ndal tek thotë:

 - Jo ! mos luani nga korija,

Mizëri po vjen turqëria,

Radhë e pallës ende s’na ka ardhë,

Grekë të paktë jemi, na duhet të bëhemi gardh.

- Si kështu, u dashka pritur këtu?! - 

Buçet Xhavella me sa në kokë,

U dashka pritur o shokë, që këta lapangjozë qena, 

Përsipër të na lëshuten si hiena ? »

 

Aq u desh që zë i tij trimat t’i bënte me krahë,

Pallët seç i zhveshnë, millet seç coptuan, 

Mbi turqëri u sulnë e në satër si berra i shkuan.

Veliu të vetve u thërriste : « Mbahuni, armët shtrëngohi »!

E ata, me sytë gjithë lotë, tek i thohi : 

Delvinën kemi para, apo fushat e Vidinit ?

Është Suli, more, nuk e shihi,

Suli, që po na merr në qafë e s’na lë rehat. 

Gjithë zi është veshur popull i ngratë,

Pallë e Xhavellës ndez trimëritë,

Vajton Shqipëria, ku na vanë burrëzitë. »

 

Shënim

Kjo rrëfenjë, që shquhet para së gjithash për vetë faktin se është e dialoguar, paraqet në mënyrë të qartë mbrojtjen e suliotëve, të cilët kanë zënë pritë në grykat e maleve, si dhe dëshpërimin e madh të atyre që i sulmojnë, por që thyhen.

 

 Gjashtë martirë suliotë

jetën kanë flijuar

 

Përmbi kulla të Sulit, re e zezë gjëmon,

Natë e ditë Hiada* shi e breshër lëshon :

Ja një helen tek rend, i shpejtë e këmbëlehtë.

Lajm të zi tek sjell nga Janinë e shkretë:

“Tradhtia përherë na ka ndjekur pas,

Pengjet tanë me dorë të ftohtë do t’i vrasë.

Mbamë vesh Foto kapedani,

Mbamë vesh Dhimo luani :

Gjashtë vëllezërit tanë moj nënë,

Me tradhti veziri në dorë i ka shtënë.

Katër koka tashmë janë prerë,

Nga të pabesët jeniçerë,

Dy janë gjallë, në hapsanë lidhur me zinxhirë,

Njëri, Foto, është yt vëlla, tjetri, Dhimo, yt bir.”

Lotë të nxehtë ç’u rrodhën nga sitë!

Po zë i trimave veç kur buçitë:

“Gjashtë bij të Sulit jetën dhanë për të!

Këndo, o patriark i shenjtë me të lartin zë,

Këndo për gjashtë martirë që jetën flijuan,

Gjithë lavd e pavdekësi trimat u mbuluan.

Të tërë jetë ndërruan, e ai xhelat lugat

Asnjë nuk kurseu i pabesi maluklat.

Dorë e armikut kur të vret,

Në varr shkon i lumtur përjetë.”

 

                      Carl Haag,“Kleftarmatoli”, Benacio.



Shënim

Ndërtimi i thjeshtë kompozicional dhe realizimi i kësaj kënge përmbajnë në vetvete elementë të një bukurie të tillë të denjë për madhështinë e subjektit të trajtuar. Gjithçka është thënë bukur, dhe me fjalë të kursyera : paraqitet kështu pikërisht thelbësorja. Një ndjenjë nga më heroiket shpaloset në krejt poemën dhe ndjej kënaqësi të veçantë tek e shoh këtë këngë të përfundojë me një varg të tillë që e fisnikëron edhe më shumë idenë themelore të saj.

* Hiada, greqisht : që sjellin shi. Në mitologji, shtatë motrat Hiada, që aq shumë derdhën lotë për vëllanë e tyre Hias të vrarë, sa mallëngjyen edhe vetë Zeusin, i cili për t’i ngushëlluar i shndërroi ato në yje. Shfaqja e tyre kur lind ose perëndon dielli lajmëron pikërisht shiun.  

 

Mërgimi i Fotos

 

Bij të maleve, shpejt u dashka zgjedhë :

O nder e luftë, o turp e zgjedhë.

Po Foto trimi, për raja të ligë, 

Kurrë s’pranoi shpirtin ta shitë,

Pashë ka pallën, dyfekun vezir.

Kundërshtarë i dolën ata njerëz të mirë,

Si ti Boçar, si ti Kuçonika!

Andaj trimi, udhët e mërgimit merr,

Më një mendje s’rratë, ç’qe gjithë ky qeder ?

S’u morr vesh more, nga erdh gjithë ai sherr,

Më i fortë e i rreptë nga njëqind luftra bashkë,

Aq u desh që për të marrë hak 

Pashallarët t’u suleshin kështjellave larë në gjak !

 

Shënim

« Pashë ka pallën, dyfekun vezir. »

Ky varg që flet për trimërinë e Fotos, një nga bijtë e suliotit Xhavella, haset në mjaft nga këngët e vëllimit ; do desha të shpreh këtu keqardhjen që gjuha jonë nuk më lejon të ruaj tekstualisht atë strukturë të zhdërvjellët dhe karakteristike.*

* Struktura në frëngjisht e këtij vargu përkthehet fjalë për fjalë në shqip : « Palla është Pashai i tij, dyfeku, Veziri i tij ». Shihet edhe në këtë rast konkret përafria e vargut të përkthyer tosk me greqishten “suliote” apo epirote, të themi, duke patur edhe një dëshmi më shumë për aftësitë e veçanta të shqipes si gjuhë tepër sintetike, tipar i gjuhëve të lashta.

 

 

Rënia e Sulit

 

Përtej shkëmb të Sulit, fluturimën trete,

O zog i lebetitur në Pargë ja ku po vete,

Me klithmë e me qamete:

Nga po vjen moj dallëndyshe?

Nga po shkon me kaq yryshe?

- Nga Suli vëllezër vij : frëngjit tek më thërrasin.

- Thuajna  pra, ç’bëhet me Sulin tënë vëlla ?…

- Fat i zi i ra mbi krye, gjithë ajo hata…

Turku e zaptoi, qa more vëlla, qa…

Muret Aliu ia shkretoi, ia dogji, ia përvëloi.

Pesëqind turq të pabesë,

Samuelin1 vunë në mes,

Kallogjerin trim me fletë,

Në vullkan t’barotit ç’i trettë. »

 

Shënim

Sikurse e kam vënë në dukje, rapsodët modernë kanë ditur të shmangin më së miri gjithë tmerrin e skenave të llahtarshme që u është dashur të përshkruajnë. Kjo këngë mund të merret si shembull pikërisht për atë brishtësi gjeniale. Sa e sa poetëve u është dashur ta ndrysin lexuesin në flakë e gjak duke përshkruar me hollësi rrënimin dhe djegien e mureve të Sulit ! Ndërsa poeti grek flet thjesht me gjuhën e një dallëndysheje, si lajmëtare lënguese e tërë asaj zezone. Në këtë mënyrë, poezia e vërtetë, duke mos harruar në asnjë rast se është krijuar për të këndellur e rrëmbyer, i anashkalon elementët e pështirë, për të ngulur në mendje gjithçka prekëse e të pashlyeshme nga kujtesa.

1 Ky kallogjer i guximshëm, me lajka e dredhi, tërhoqi pas vetes në brendësi të kalasë së Sulit krejt parinë dhe drejtuesit e ushtrisë së Pashait, për ta hedhur më pas në erë (shënim i autorit). 

  

Moj Dhespo ç’u vrave vetë

 

Me jehona valë-valë ç’u mbush ajri tejpërtej,

Njëqind e një dyfeqe po kërcasin gjithandej :

Po kërcasin sa po plasin, gjithë furi edhe buhi,

Vallë kush po na martonet me kaq bujë edhe stihi ?…

Jo, mor jo, s’është dasmë, as gëzim e lumturi,

Që po thotë me kaq krismë dyfeku ndezur flakëri.

Është Dhespua tok me vashat që lufton atje lart,

Kokës tek u bie katilëve duargjakë :

"Dorëzoju moj shejtane, s’ka më Sul, s’ke më ç’mbron ",

Agallarët veç pëllasin, dhe gjë tjetër s’dinë të thonë,

Rrënojë është kthyer kullë e Dhimolasë,

Rrënojë edhe Suli me muret e kalasë :

- Ik mori grua, kokën e shpëto.

Ik që këtej, vashat i largo.  

- Jo, mor jo, as që pyes për ju, katila të pabesë! 

Në duart tuaja s’bie, e honeve le të vdesë ! "   

Edhe muret u bënë hi, po Dhespoja përherë në këmbë,

Nuseve ç’u thërret, me zë e me gjëmë :

Skllave të turkut bija, a mund të bëhemi ne ?

Pas meje, mori nuse, vendin e kemi atje… »

Dhe flakën i vë barotit, që si vullkan shpërthen,

Me vete i merr, e lart në qiej i ngren. 

Masakrat e trupave osmane në Orient, litografi, shek. XIX
 

 Shënim

Flijimi i Dhespos, i ngjashëm me atë të kallogjerit në këngën e mëparshme është i zakontë për luftëtarët dhe amazonat e Greqisë, të cilët, në çastet e tyre të fundit, parapëlqejnë vdekjen para skllavërisë. Gjashtëdhjetë nëna të familjeve suliote, pasi hodhën fëmijët e tyre në gremina, u hodhën edhe vetë nga shkëmbenjtë e lartë duke u vetëflijuar, për të mos rënë kështu nën zgjedhën e turkut. Madhështia e këtyre pak vargjeve, që flasin për trimërinë e rrallë të Dhespos është e tillë sa e shton edhe më shumë efektin e tyre në përfytyrimin mbresëlënës të vetë lexuesit. I njëjti 

shembull u përsërit kohët e fundit edhe në ishullin e Psarës, por të paktën, ky akt i fundit pati jehonë në mbarë Evropën, duke dëshmuar për masat e egra shypëse e të rrufeshme të ndërrmarra ndaj Greqisë së tronditur nga armiqtë e saj.

* Struktura në frëngjisht e këtij vargu përkthehet fjalë për fjalë në shqip : « Palla është Pashai i tij, dyfeku, Veziri i tij ». Shihet edhe në këtë rast konkret përafria e vargut të përkthyer tosk me greqishten “suliote” apo epirote, të themi, duke patur edhe një dëshmi më shumë për aftësitë e veçanta të shqipes si gjuhë tepër sintetike, tipar i gjuhëve të lashta.

1 Ky kallogjer i guximshëm, me lajka e dredhi, tërhoqi pas vetes në brendësi të kalasë së Sulit krejt parinë dhe drejtuesit e ushtrisë së Pashait, për ta hedhur më pas në erë (shënim i autorit).  

 

Andrucit 

 

O moj mëmë e Andrucit, që birin kërkon e qan,

Vajton birin tënd, Andrucin trim të rrallë !

Hon më hon, dhembja gjëmon e egërsuar,

Zënkë e Agrafasë, jatak i pashtruar.

O male tmerr ! Vallë aty do e mbani trimin përherë?

Iku vera, e ai s’po vjen si ngaherë : 

Askush s’e ka parë, e unë qaj me lotë,

As lumi Akelou s’më flet dot,

Dhe brigjet e veta t’i pyes, e kotë !

Mallkuar qofshin këshillat tuaja, o pleq,

Tek i thatë të vihej nën armët e Moskovit dreq,

Që tutje Livadisë të shpinte guxim e shpresë,

Dhe carit të pabesë të vente t’i zinte besë !

U rrënofshi o male, e ju o lumenj,

U thafshi krejt, u kthefshi në përrenj :

Djalënë ma sillni, përherë trim me fletë »… 1

 

O moj mëmë e gjorë, që djalnë kërkon e thërret,

Yt bir ja ku po kthehet, në ballë me treqind grekë,

Uri e etje ka mposhtur, tok me turqërinë,

Dhjetë mijë vetë osmani, ia vërviti gjithë furimë,

Nga Korinthi bë Lepante, do marshojë ai trim.

Bëmë e tij ka marrë anembanë dhenë,

E kush s’e njeh atë nënë që rriti Odisenë !

Vetëm vdekja në ardhtë e në e vëntë poshtë,

Po emri i tij ama, kurrë s’ka për t’u mposhtë.

 

Shënim

Pas qindra betejash të lavdishme, Andruci, tek po kthehej në vendin e tij të lindjes, u përgjua dhe u kap në territoret e kontrolluara nga qeveria veneciane, e cila e dorëzoi atë në duart e turqëve. Edhe pse u burgos e u torturua mizorisht në qelitë e Konstandinopojës, ai nuk pranoi të ndërronte besimin e tij dhe të hiqte dorë nga çështja për të cilën luftonte, megjithëse iu premtua të lirohej e t’i jepeshin ofiqe e grada : zgjodhi vdekjen si i krishterë e grek mes tmerreve të burgimit. Më 1798, një ambasador i republikës franceze i kërkoi vezirit të madh lirimin e tij : « Më mirë më kërkoni lirimin e tre milionë vetëve, se sa lirimin e atij njeriu », ia ktheu kryeministri osman.

1 Teksti i kësaj kënge jo të plotë ndalet këtu, por mendova se ia vlente ta përfundoja me disa vargje që pasqyrojnë shkurtimisht bëmat e tij të dhëna në përmbledhjen e bukur që Z. Fauriel e vendos në krye të copëzës ku flitet për këtë hero kleft, emri i të cilit ka mbetur me famë në Konstandinopojë dhe në mbarë Greqinë, dhe që e ngre lart e më lart, ende edhe sot, biri i tij i shquar Odiseu (shënim i autorit francez).    

 

Vrasja e Veli Gekës

 

Atë darkë në gosti, Veli Geka nurëzi,

Ç’u lëndua nga Andoni, kartë prej tij kur mori :

Brof Veliu në këmbë, armët ngjesh edhe thërret :

“Fezo, kuaj e njerëz, gati m’i bë shpejt !

Ky turp lahet veç me pallë,

Kapardisur na pret raja avdallë.

Me shoshoq në udhë ç’u poqnë,

Kur Andoni i del para:

“Hë, Veli gjakatar, bir i vezirit mizor, 

Kë kërkon kështu, me tërë këtë taborr?

- Ty, more qafir, ty more kokëshkretë,

Që zverkun ta përdredh me dorën time vetë.

- Eja pra të matesh, kleftë jemi ne.

Kockat, trimat e tu do lënë në kët’ dhé :

Dora s’na dridhet, more nursëz,

Dyfeqet, gati i kemi për ju, edepsëzë.

Zongo, Dhimo, në plumb shkojeni harbutin e Shqipërisë,

Boll në qafë na ra laneti i kusërisë.”

Bam ia bën dyfeku, e dy të shtëna menjëherë, 

Në kokë e krahëror goditën shqiptarin,

Si kurrë ndonjëherë. 

Me zë të shuar Veliu, veç kur thotë duke rënë :

“Fezo, amanet të më kallshë në dhé tënë,

Me vete merrmi kryet e gjakosur …

Mos m’i lë në dorë të grekut të krekosur,

S’dua të m’i shohë askush në kët’ dynja,

As armiqtë që gajasen e gëzohen,

As miqtë që preken e trishtohen.”

 

Shënim

[...] Arsyeja e të mposhturve për të mos e lënë kokën të poshtërohet nga armiku, paraqitet këtu me terma më të zgjeruar e më të goditur.

Kacandoni, apo thjesht Andoni ishte një bari shtegtar që i shpinte dhëntë të kullosnin maleve nga Thesalia në Maqedoninë jugore. Shumë herë i ngacmuar e i fyer nga pashai, ai u bë kleft, duke u bërë kështu i rrezikshëm për të. Ai burrë, me shtat mesatar dhe zë të butë e të qetë, fshihte nën pamjen e jashtme, sa të dobët aq edhe të zakontë, një shpirt të fuqishëm, një zemër të hekurt, dhe një zgjuarsi gjallëruese, që e bënte të pathyeshëm. Më në fund, së bashku me të vëllanë e tij trim, ra në grackën e të shiturve, të cilët i zunë dhe i shpunë para Aliut. Ky, në mes të Janinës i torturoi, duke ua thyer këmbët me goditje vareje. 

Zongo, që përmendet në këtë këngë, kishte qenë protopalikar në çetat që udhëhiqnin trimat Dhimo e Andon : është ende i gjallë dhe ndodhet në radhët e mbrojtësve të sotëm të lirisë greke. 

 

Këngë heroike të malësorëve dhe marinarëve grekë,

Paris, 1824.

No comments:

Post a Comment