Sunday 13 November 2022

GREKJA E BUKUR E BERATIT

Qyteti Beratit

nga: Leonard KOLANI
Berat 

Leonard KOLANI
Në vitin 1941 një tregëtar grek bënte tregëti me Beratin. Greku J, sa herë që vinte në Berat, merrte me vete edhe vajzën M, 18 vjeçe, që ishte shumë e bukur si Shën Maria e Kishës. Vajzës i pëlqente shumë Berati (Berati është për t’u pëlqyer) por, veç Beratit grekja dashuroi Th, një djalë king dhe inteligjent beratas. Grekja i thotë babait:  

 - “Unë dashuroj Th dhe dua të martohem me të. I ati nuk ja prishi zemrën vajzës dhe i tha: 

 - “Martou!” dhe ashtu u bë. Grekja e bukur e Beratit bëri një djalë, që ia vunë emrin Kozma. Çifti ishte shumë i lumtur, dashuria e tyre ishte e pashtershme, të dy kishin goditur në shenjë. 

 

Grekja e bukur e Beratit u sëmur për vdekje, por fati i saj, i ati ishte në Berat me punë në atë kohë dhe e merr vajzën dhe e çon urgjentisht në Athinë. Para se të ikte i thotë dhëndrrit: 

 - “Kozmanë e vogël një vjeç ta shikosh ti dhe nëna jote, sa të kthehet vajza”.

Sëmundja e grekes së bukur të Beratit vajti gjatë. Grekja e bukur e Beratit kur bëlbëzonte në agoni, thoshte: “Kozma, biri im, ku je që s’po të shikoj?” 

 

Ndodhi ajo që ndodhi, u mbyllën kufijtë. I ati i Kozmait, Th, filloi të pinte se e dashuronte marrëzisht greken e bukur, u mbyll në vetvete dhe përfundoi në psikiatri. Kozmanë e rriti gjyshja. (Gjyshet në shumicën e rasteve janë më të dhimbsura, se nëna se e kanë dopjo dashurinë).

Kozmai u rrit pa e parë nënën e tij, greken e bukur të Beratit dhe babanë.

 

Kozmai u shkollua në Berat, ishte djalë shumë i zgjuar. Nga gjyshja mori vesh që rridhte nga një familje e pasur në Athinë. Kozmai filloi të shprehë pakënaqësi për sistemin dhe “një ditë të bukur" e arrestojnë. Filloi drama. U dënua 10 vjet burg politik. Kur u arrestua Kozmai, Berati bëri një revoltë të heshtur dhe kur i pyesnin beratasit, thoshin: ”Ishte jetim lumadhi dhe çamarok, fjalën e fundit e thoshte në fillim”.

Grekja e bukur e Beratit nëpërmjet Ambasadës Greke vazhdimisht kërkonte të birin, Kozmanë, por asnjë përgjigje. Kozmai ishte tek shtatë penxheret.

 

Gjyshja nuk ju nda Kozmait, e ndiqte në burg me trasta, për ta nxjerrë nipin gjallë, se djali, Th, i vdiq në psikiatri. Grekja e bukur e Beratit, gjersa nuk mori përgjigje, e dinte djalin të vdekur.

 

Kur erdhi kjo, e ashtuquajtura demokraci pas vitit ’90-të, Kozmai doli nga burgu dhe u gëzua shumë që gjeti gjyshen gjallë. Në burg Kozmai mësoi mirë greqisht. Burgjet politike kanë qenë “shkolla” më vete, sa i takon mësimit të gjuhëve të huaja.

 

Kozmai i mori leje gjyshes që të vente emigrant në Greqi, mori pëlqimin e saj dhe i puthi duart gjyshes para se të ikte. Mbriti në Athinë, si gjithë shqiptarët. Për të kërkuar punë dilte në Omonia, vëndi ku vinin pronarët grekë dhe i merrnin për punë. Vjen një pronar grek dhe në gjithë atë turmë zgjedh Kozmanë. (Emigracioni do dhe pak fat).

 

Kozmai filloi punë, ai ishte shumë punëtor, kishte punuar në burg pa para, tani në Athinë po merrte dhrahmi. Pronari grek pas ca kohe, si e pa që Kozmai ishte punëtor dhe zotëri si njeri, një ditë i thotë: 

 - “Kozma, sot do vemi me makinën time në një restorant jashtë Athinës, të hamë darkë bashkë”. 

Pronari Grek ishte zotëri. Gjatë darkës pronari grek e pyet se çfarë familjeje kishte Kozmai në Shqipëri. Kozmai i tregoi historinë e jetës tij. Pronari grek u trondit, por nuk e dha veten dhe gjithë këtë histori të dhimbshme që dëgjoi, e kaloj me humor. Pas dy muajsh pronari grek i jep një adresë Kozmait dhe i thotë: “Kozma, kjo është adresa e nënës tënde” ... Kozmai e përqafoi pronarin dhe filloi të qajë. Bashkë me Kozmanë po qante dhe vetë pronari grek. 

Të nesërmen Kozmai, me adresën që i dha pronari, mbrin në një vilë dhe i bie ziles së derës. Hapet dera dhe në të shfaqet një vajzë shumë e bukur që e pyet Kozmanë: 

-       “Çfarë kërkoni zotëri?” Kozmai i tha: 

-       “Kërkoj Marien, se është nëna ime” ... Vajza lëshoi një britmë të llahtarshme: 

-       “Mama, erdhi vëllai, Kozmai” ... E ëma nga thellësia e dhomës si në agoni, belbëzonte:

-       “Kozma, biri im, ku je, të kam në shtëpi dhe s’po të shikoj akoma” ...

 

Këto drama i kemi lexuar e parë nëpër filma mijëra herë. Kozmai gjeti dy motra në Athinë. Ato nga gëzimi po luanin në kurizin e të vëllait dhe i thanë: 

-       “Vëlla, ne i luteshim mamasë të na bënte një vëlla, kur ja, vëllanë na e pruri Perëndia në shtëpi” ... Maria, grekja e bukur e Beratit, me të qeshur u thoshte vajzave:

-       “Lereni, se i zutë frymën çunit, çfarë bëni kështu?”

Kozmai i tha së ëmës, grekes së bukur të Beratit:

 - “Heroina e jetës sime është gjyshja dhe sa të jetë gjallë ajo, do jetojë me mua”. 

Maria i tha: 

 - “Kozma, biri im, me këto që më tregove, unë e dua gjyshen tënde më shumë se ty”.

    *********

Shënim: 

 Shkëputur nga libri në proçes botimi “Esse midis dy botëve”,  i Leonard Kolanit. Redaktor Spiro Xhavara.

No comments:

Post a Comment