“ Tradita nuk konsiston në ruajtjen e hirit, por në mbajtjen ndezur të zjarrit."
Jean Jaures
nga: Fuat MEMELLI
Boston, SHBA
I PARI PËR FËMIJË DHE…
Në gjurmët e këtij xibuni, rrashë rastësisht. Para një muaji e ca në Boston u organizua një festival (kështu i thonë këtu) por në fakt është një veprimtari argëtuese me valle, këngë, ushqime, pije, artikuj të ndryshëm për shitje, etj, ku njerëzit mblidhen e festojnë. (Festivale të tillë janë organizuar më shumë në Uster, pranë kishës shqiptare.) Te veprimtaria e Bostonit u takova me dardharen Sofika Glozheni (Papargjiri). Atë ditë Sofika më tha se stërmbesën e saj me moshë 5 vjeçare, prindërit e kishin veshur me xibun.
Robaqepsja duarartë Nume Peçi |
- Do ta sjell këtu bashkë me prindërit e saj, tha Sofika.
Pas disa minutash ajo mbriti me Anën dhe prindërit e saj. Pasi biseduam pak, i bëra fotografi Annës me prindërit , Angjelina dhe Joan Myzyri, si dhe me stërgjyshen Sofika. I mora pak të dhëna kalimthi por më vonë Angjelina, vajza e Sofikës, më dërgoi informacione më të plota. Dhe ja si është historia e xibunit dardhar që kishte veshur atë ditë Anna.
Për mos i ngrënë “hakun” kësaj familje e cila është trashëgimtare e vërtetë e xibunit, fola në telefon me Elsën e cila më dha informacion më të plotë. Gjatë bisedës mësova se Elsa ishte gruaja e gjeneralit të shquar Vaskë Gjino, i cili pësoi fatin e keq nga Enver Hoxha, bashkë me disa gjeneralë të tjerë të ushtrisë shqiptare. Por, le të kthehemi te xibuni. Elsa e mban mend fare mirë gjyshen e saj, Nume Peçi, për të cilën thotë se ishte shumë e lidhur me të dhe e deshte më shumë se nënën e vet. Numja duarartë e kishte qepur atë xibun për ,mbesën e saj, Athina Peçi ose motrën e Elsës. Krahas kostumeve që qepte për vajzat të cilat kur martoheshin duhet ta mernin xibunin në pajë, Numja qepte edhe rroba prej shajaku. Me kostumin e Numes u vesh edhe vajza e kryetarit të komunës së Dardhës, Qamil Quku, i cili ishte me origjinë nga Shkodra. Fotografia e vajzës së tij u bë kartolinë dhe shitej në Shqipëri. Elsa më tha se në familjen e Athinasë, motrës së saj në Tiranë (tashmë e ndarë nga jeta) ndodhet makina qepse e Numes. Solla kështu një “copëz” të vogël të historisë të xibunit për fëmijë që tani ndodhet në Uster.
…I DYTI PËR GRA
Një xibun për gra i sjellë nga Dardha, ndodhet në shtëpinë e Andrea Panit në Boston. Kostumin e kishte sjellë i ndjeri Sotir Pani, babai i Andreas e Vaskës si dhe miku im i veçantë. Xibuni ishte i nënës së Sotirit, Viqit. Edhe këtë xibun e ka qepur Nume Peçi. Andrea e ruan atë si një gjë të çmuar, ashtu siç ruan edhe dëshmi të tjera të sjella nga baba i tij. Me nismën e Sotirit në kishën shqiptare Shën Trinia ku shërbente Mitropoliti i ndjerë, Ilia Ketri, disa vjet më parë u hap një ekspozitë me fotografi nga Shqipëria. Sotiri kishte sjellë foto të vajzave e grave dardhare me xibun, ndërsa unë foto të grave e vajzave sinicare po me xibun.
Duke biseduar me dardharin Vaskë Bruko i cili jeton në Amerikë e që është mjaft aktiv për veprimtaritë e dardharëve në Uster ( te ky qytet është një Dardhë e dytë) më tha se ngjyrat e xibunit janë zgjedhur bardh e zi, për të qënë të njëjta me ato të flamurit tonë, ndërsa bizhuteritë që duheshin si gjerdani, kapsat, etj, dardharët i kanë sjellë nga Austria.
Solla kështu disa copëza mbresash për dy xibunët e bërë në Dardhë gati 100 vjet më parë nga Nume Peçi e që emigrantët dardharë i kanë sjellë në Amerikë. Jam i bindur se edhe emigrantë të tjerë dardharë, do ta kenë marë këtë kostum aty ku jetojnë. Sa shumë fije i lidhin emigrantët me vendlindjet e tyre! Siç ka thënë një filozof ”qiellin por jo shpirtin, ndryshon ai që shkon përtej detit.”
No comments:
Post a Comment