Sunday, 14 March 2021

DRURI I PIPERIT (Schinus molle, L.)

 nga: dr. Selman  MËZIU 

histori, përshkrimi dentrologjik 


1- Pak HISTORI 

Të panjohurat na shoqërojn edhe në fushën e natyrës. Kuptohet ato janë befasuese, kur buisin në kohë të ndryshme. Të shtyjn që t’i zbulosh, e të kërkosh në kohë e hapsirë gjithë udhëtimin historik të tyre. Duke zbuluar arterjet e tyre, merr kulturë, dije e kërkon që masa e popullit t’a ndjek, të edukohet, së fundi edhe të krenohet. Drurët e piperit në Sarandë kanë bërë bujë të madhe. Kronikat për këto drurë të shejt, mund t’i quajm pa ngurrim, kanë filluar që me datën 20 qërshor 2020. Autorja e shkrimit Alba Malltezi shkruan: ‘’Pak kush e di që Rilindasi ynë Kombëtar, Naim Frashëri, ka jetuar e punuar në Sarandë për pak vite në të largëtin 1874-76. Dhe më tej ajo vazhdon: ’’ Dhe ja një fakt i le- xuar: “… Do të përmend me nderim mikun tim, shkencëtarin e bujqësisë Ahmet Osja, i cili qe i pari që më kumtoi se në qytetin e Sarandës ndodhen dy drurë piperi, këto drurë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe qenë mbjellë nga duart e Naim Frashërit.,, (Moikom Zeqo, ‘’Syri I tretë,, f.281 Tiranë 2001) 

Vazhdojm të ndjekim ecurinë e këtyre dy drurëve. Më parë të mësojm se ku janë mbjellur dhe ja: ’’ Njëra prej tyre nuk i rezistoi kohës (prerë pas viteve ’90,, S.M). Pema (Druri S.M) për të cilën, autoritetet vendore u vunë në lëvizje pas shkrimit në Shqiptarja.com, ndodhet tek godina e rrënuar e bar lulishte "Butrinti".,,(‘’Prizeren pres,, 30.06. 2020) Përgjegjësi i gjelbërimit të qytetit të Sarandas Jashar Bello, jo vetëm njeh historinë por tregon: ‘’…edhe pse nga “zemra” (drurit të piperit S.M) i janë marrë edhe 5 rrënjë të tjera të mbjella te shëtitorja, ato arrijnë të lulëzojnë, por nuk bëjnë kokrra.,, (‘’Prizeren pres,, 30.06. 2020) 

Të vazhdojm të thellohemi në hapsirën njohëse të ketij druri zbukurues me të tjerë njerëz të ditur në fushën e gjeografisë dhe natyrës. Profesor Perikli Qiriazi shkruan: ‘’ Kam nje pyetje: në Sarandë ka qenë një dru piperi, është apo e kanë zhdukur këtë dru me vlera të mëdha shkencore, ekologjike, por edhe kulturore e shpirtërore? ( fb.12.03. 2021) Pas këtij vëzhgimi fenologjik të specialistit Bello dhe pyetjes së Prof. Perikliut do të ndalemi të shkruajm: 

Së pari: Enciklopedisti i shquar Moikom Zeqo e ka pasqyruar këtë fakt në vitin 2001 në librin e tij, duke marrë për bazë dëshmimin gojore të shkencëtarit shkodran Ahmet Osja. A ka mundësi që kjo të jetë dëshmia e parë e shkruar për këto drurë?

Së dyti: Këto dy drurë me sa kanë vënë dukje Profesor Perikli Qiriazi, Inxh Gjon Fierza dhe Kristo Kauri nuk janë shpallur ‘’Monument natyre,, deri më sot. E çuditshme! E dhimbshme! E pafalshme për botanistët dhe inxhinierat e pyjeve! 

Së treti: Përmbysja e dhunshme mbi mjediset qytetare e natyrore e rendit socialist, ardhja e demokracisë, varrosi njërin prej dy drurëve që kishte mbjellur poeti i madh i Rilindjes Kombëtare dhe i poemes ’’Bagëtia e bujqësia,, Naim Frashëri. Fatmirësisht, krejt rastësisht shpëtoi vetëm njëri. Respekt i pakufishëm e mirënjohje e thellë ‘’Shqiptarja.com dhe Report Tv. ,, të cilët e bën të njohur këtë krijesë biologjike, thellësisht historike, zbukuruese, ekologjike, edukuese, dhe mjaft shqetësuese në zhdukje. 

Tani le të hedhim dritë në dëshmi të reja: Shkencëtari, inxhinieri i pyjeve, Ilia Mitrushi e përshkruan drurin e Piperit në librin e tij: ’’Drurët dhe shkurret e shqipërisë,, f. 266 në vitin 1955 ku ai shkruan ndër të tjera: 

‘’Përhapja. Ky dru i bukur i Amerikës së Jugut në vendin tone nuk takohet veçse në Sarandë nëpër parqe e kopshte.,, Gjë e cila vërteton se inxhinierët e pyjeve, studiuesit e natyrës e dinin fare mirë se në këtë qytet ndodheshin këto drurë mysafirë. Vallë, inxhinierët e gjelbërimit dhe të pyjeve në rrethin e Sarandës a e dinin se në zemrën e qytetit të bukur bregdetar, të tyre ndodheshin dy drurë të mbjellur nga duart e poetit të madh Naim Frashëri? Po historianët, muzeu i Sarandës a e kanë pasqyruar në dokumente, apo shkrime të ndryshme këtë histori kureshtë ndjellëse me shumë kumte? 

Të shkojm më tej. Akademiku Jani Vangjeli në ‘’Atlas i florës së shqipërisë,, Tirane 2016, Vëll. i I, f. 705 shkruan: ‘’ Kultivuar në Sarandë,…Dhërmi (Himarë)…,, Kuptohet se studiuesit e ndryshëm botanist, dentrolog, sigurisht edhe studiues të tjerë e dinin se vegjetonin këto lloje drurësh në dy qytete të bregdetit. Sigurisht që ky lloji kishte prejardhje natyrore nga vendet e Amerikës latine, Bolivia, Peru dhe Kili pra nuk ishte i florës natyrore shqiptare. Vallë për afërsisht një shekull, studiuesve, Kole Pparisto, Mustafa Demiri, Xhafer Qosja, autori i më shumë se njëzetë librave Agranom, Tomson Nishani, inxhinierit të Enciklopedisë të lulishtarisë Vasil Janit, ju ka shpëtuar pa shkruar në shtypin e përditshëm, revista etj. mbi historinë e mbjelljes të këtij druri zbukurues? 

Ndërsa në pylltarët si gjithmonë të vonuar e të harruar ende nuk i kemi shpallur Monument natyre, Drurin e vetëm të Piperit me histori të madhe. Mendojm se duhet filluar pa humbur kohë të krijohet kartela e tij dentrometrike gjeografike e shkruar historia e tij. Ndërsa duhet studiuar duke shfletuar literaturën pyjore e botanike mbi gjeografinë e këtij lloji e cila nuk përputhen të dhënat e njërit autor me tjetrin.

 Dhe ja në librin e ‘’Dentrologjia,, me autor V. Markun, B. Xhekun, botim i vitit 1999 f. 257 shkruhet: ‘’Ȅshtë me origjinë nga Amerika e jugut, tek ne është e përhapur kryesisht në parqet e Sarandës dhe të Vlorës.,, Kuptohet që duhet një studim dentrometrik, botanik, fenologjik, i këtij lloji i mbetur në vetmi, jashtë vëmendjes të botanistëve, dentrologëve, ekologjistëve ndoshta dhe të historianëve.


 









2- Druri i piperit (Schinus molle, L.) 

Përshkrimi dentrologjik Familja Anacardiaceae, 

1-Trungu: Shkon 8- 10 m lartësi, gjithmonë i gjelbërt, kurorë vajtuese me degë të përkulura. Lëvorja e trungut të drurit e hollë ngjyrë gjelbërt pastaj trashet, por shumë pak, me plasaritje vertikale të holla, duke marrë ngyrë të murrme, diametri shkon deri në 40 cm. 

2. Gjethe, të përbëra në të gjelbert e hapur, shume gjethe në një bisht të përbashkët prej 30 cm, të varura, të këmbyera. Me aromë të kandshme. 

3 Lulet, ngjyrë qumshti, ne tufat, të varura çelin në pranverë me aromë të pëlqyeshme. Dru zbukurues dioik. 

4. Fruti, kokrra të rrumbullakta, ngjyrë jeshile pastaj kalojn në të kuqe, të bashkuara në vila, piqen në Vjeshtë, shikohen mirë që në verë, qëndrojn në degët e drurit deri në fund të dimrit. Lëshojn një aromë shumë tërheqëse, të kandshme. 


5. Toka, të përshkueshme, pa pellgje ujrash ne brendësi. Toka të varfëra, nuk ka nevojë për pleherim, pra është dru me kërkesa modeste ndaj tokës. 

6. Kerkesa për dritë, diell dashëse tipike. 

7. Zona fito klimatike. Kryesisht zona, Lauretum (dafinës), brigjeve të deteve. 

8. Shumëzimi, Me farë, por edhe me kalema të cilat pregatiten gjatë gjithë vitit ose në shkurt mars, në sera. 

9. Krasitja, E duron shume krasitjen, kurorën e kërkon t’ia lesh të lire. Llastarizon mirë e mbyll plagën shpejt. 

10. Përdorimet. Dentrologu e natyralisti Ilia Mitrushi shkruante: ‘’Druri i piperit është një nga drurët më të bukur që shihen nëpër rrugët e qyteteve mesdhetare, prandaj dhe mbjellja e tij i duhet dhënë një rëndërsi më e madhe. Duron pluhurin e rrugës, më së miri, por jo murlanin e fortë.,, (Dru. Shku. shqip.,, F. 266-267, Tiranë 1955)

 Pra 65 vjet më parë Mitrushi njohës i shkëlqyer i dentroflorës shqiptare, këshillon përdorimin në parqe lulishte, rruge të qyteteve, qytezave e fshatrave bregdetare, ndërsa në pylltarët nuk ia kemi kushtuar vëmendjen për t’a relizuar. 

Nga lëvorja del lëng i trash, që përdoret si çimçakiz, pasi të perpunohet. Gjethet shërbejn për të ngyer rrobat me ngjyrë të verdhë. Lulet kanë veti shëruruese, të përdorura në një nga vend origjina, Peru. Frutat përdoren për të bërë uthull ose një pije me shije si e verës. Druri nuk ka ndonjë përdorim të veçantë. 

Në kontinentin europian fidanat ose farat e piperit hynë në fundin e viteve 1800. Në Shqipëri, Sarande 1894-96 të mbjellura nga bylbili i natyrës shqiptare, poeti i madh Naim Frashëri. 

Perfundime 

1- Pylltarët shqiptar, si specialist, individualisht ose të organizuar, duhet të gjurmojn, të kartelizojn, të shkruajn për gjithë drurët e shkurret natyrale ose me prejardhje të huaja për t’i ruajtur, kujdesur, shpallur monument natyre. 

2- Institucione shtetërore, katedra e botanikës në Fakultetin e Universitetit të Shkencave të Natyrës, Katedra e Silvikulturë- Pyllëzimeve në Fakultetin e Shkencave Pyjore; Prof. Zyhdi Teqja i arkitekturës peisazhistike në Fakultetin e Agronomisë, Tiranë, duhet të hartojn metodikë studimi për dokumentimin e drurëve e shkurreve zbukuruese, parqeve më të vjetra në gjithë shqipërinë e më gjërë, duke i shpallur PARQE MONUMENTE si, Parku i Viroit Gjirokastër, Parku i Drilonit Pogradec, Parku i qytetit të Korçës, Parku nëna mbretërshë Burrel, Parku i gjelbërt i Beratit, Parku Pavarësia e Kuz Baba Vlorë, Parku i Pallatit të Brigadave Tiranë etj. 

Ju rikujtojm lexuesve se në qytetin Padova në Italinë verilindore gjëndet vila Barbarigo me drurë zbukurues të mbjellura në vitet 1664 -1669 të cilat ruhen dhe kujdesen për ato lulishtar e specialiste, të cilat mbrohen me ligje të forta ndër shekuj. 

3- Inxhinierët e teknikët e pyjeve me ndihmën e Gjeografit të mirënjohur Prof. Perikli Qiriazit, të gjurmojn, zbulojn, kartelizojn, shkruajn historitë e legjendat mbi monumentet e vjetër e të rinj në pyjet shqiptare, edhe të atyre që janë zhdukur, të cilat historia i ka skalitur në altarin e saj. 

4- Për të gjitha këto e lëmëra të tjera të pylltarisë e gjelbërimit shqiptar të krijohet një Institut Kërkimor Shkencor të udhëheqi gjithë veprimtarinë, botanike, silvikulturore, arkitekturën peisazhistike, shtimin e përhapjen e llojeve pyjor e zbukurues të vendit dhe të huaja, shkurreve e drurëve pyjor e zbukurues në qendra të ndryshme kulturore, shkencore, arsimore, fetare, qytete, fshatra etj.

 * * * 

Edhe pse Shqipëria në të gjitha fushat ka një rënje ekonomike, një varfëri të tejskajshme, një rrënim të natyrës e mjediseve gjelbëruese të qyteteve e trashgimisë natyrore, duhet që shpirti intelektual, specialisteve, zëri i profesorëve, i patriotëve të vërtet të ngrihen si promote, të mbrojnë, të bëjnë të ditur, të edukojnë, kulturojnë masat e të rinjëve, me dashurinë për natyrën, çdo qelizë të saj në hapsirat e kombit shqiptar. Fatkeqësia që specialist Bello nuk frutifikon druri i piperit në qytetin e Sarandës, ka ardhur nga prerja, zhdukja e njërit prej dy drurëve, i shpjegueshëm biologjikisht nga që ky lloji organet mashkullore dhe femërore janë në drurë të ndryshëm, kështu edhe neve pylltar, natyralistë, ekolog, botanist, na mungon bashkimi, organizimi, lufta frontale për të mbrojtur natyrën gjallesat e saja të shumta në bashkëjetesë e shumim të pandërprë. 

 Dr. Selman Meziu

14.03. 2021

 

 

No comments:

Post a Comment